Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adelina Ismajli, rrëfim për herë të parë për dashurinë

| E hene, 02.07.2012, 06:44 PM |


Do të mjaftonte një dalje në festival që Adelina Ismajli të fitonte statusin e ikonës! E kopjuar, e imituar, e dashur apo e përfolur prej 20 vitesh, ajo është e vetmja që gëzon statusin e divës se pop-it në trojet shqipfolëse! Prej 10 vitesh, Adelina nuk ka shkelur në televizionet shqiptare. Intervistat e saj kanë qenë të rralla, por në këtë dekadë shtypi rozë e ka dashuruar Adelina Ismajlin si asnjë këngëtare tjetër! Kopertina revistash dhe faqe të para me shumicë në çdo fundjavë! Turbullirat në jetën e saj personale nuk e kanë zbehur aspak yllin e saj profesional! Megjithatë, Adelina në Shqipëri nuk këndon prej aq shumë kohësh sa me siguri brezi që frekuenton sot diskotekat apo lokalet nuk e ka parë kurrë në skenë, ndonëse është e pamundur të gjesh njeri që të mos njohë emrin e saj. “Miss Kosova” e 1997-s ka ngjallur kuriozitet me jetën e saj personale dhe sukseseve në karrierë. Ka intriguar me performancat provokative e me karakterin pikant. Historitë e saj të dashurisë kanë zënë gjithmonë vendin e merituar në shtypin e shkruar, por Adelina vazhdon të jetë e përqendruar gjithmonë tek profesioni. Për të folur rreth kësaj dhe gjithçkaje tjetër në jetën e saj private, “diva” e popit ishte dje në emisionin “Pasdite në Top-Channel”.

Prej disa kohësh ju i keni munguar skenës, spektakleve dhe festivaleve në Shqipëri. Çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe me Adelina Ismajlin?

Nëse mund të quhet shkëputje, është e vërtetë se në Shqipëri nuk kam qenë aktive në media televizive, pasi në mediat e shkruara ka pasur disa pasqyrime të aktiviteteve të mia, qoftë për mirë, qoftë për keq. Madje, shfrytëzoj rastin t’iu them gazetarëve se i kam armiqtë më të mirë. Pas shpërnguljes sime nga Kosova në Zvicër ka pasur një bashkëpunim me një DJ, i cili është mjaftë i njohur në Zvicër dhe kemi bërë remix një këngë të Shqipërisë së mesme, pasi ishte mjaft i popullarizuar zhanri house. Pas disa aktiviteteve në mbarë Europën erdhi dueti me këngëtarin francez, i cili është me origjinë algjeriane, duke pasuar me koncerte pa fund, kontrata pa fund edhe pse nuk janë atraktive për t’u përmendur.

Që e vogël keni prekur skenën, mendoni se ka qenë e vështirë?

Jo, nuk ka qenë e vështirë. Gjithmonë kam dashur një jetë normale dhe të zakonshme edhe pse nuk e kam pasur për shkak të karrierës artistike. Kam admiruar fshehurazi jetën e njeriut të zakonshëm dhe të ulem përpara televizorit dhe të bëj thashetheme. Që në moshën 6-vjeçare, unë nisa të këndoj dhe jam futur direkt në festival ku për vite me radhë ka qenë diçka ndryshe nga bashkëmoshataret e mia që kënaqeshin.

Ti përpiqesh të ruash Adelina Ismajlin...?

Automatikisht bëj shkëputje. Janë 26 vite vuajte, nuk do të mund të mbijetoja ndryshe. Primare për mua ka qenë shëndeti, jeta dhe lumturia ime. Mirëpo, kjo është një klishe që e kanë të gjithë para kamerave. Njeriu ka nevojë të ndjehet njeri i zakonshëm. Kur nuk isha e njohur merrja frymë lirisht, nuk shikoja pas shpine, nuk frikësohesha se do më kërkonin për intervistë ose do më thërras dikush për të qenë në një program televiziv apo show.

Si ka qenë marrëdhënia që keni pasur me mediat shqiptare?

Është absolutisht normale që të transmetohet një gjë që është lexuar apo dëgjuar diku. Thashethemet krijoheshin në Kosovë, dhe nuk janë thashetheme kur kemi të bëjmë me disa spekulime, të cilat janë gënjeshtra. Nuk doja të merresha me to, pasi besoja se njerëzit do t’i merrnin seriozisht. Kështu që nuk i vë faj aspak mediave të shkruara shqiptare që po transmetonin diçka që ishte marrë nga Kosova pa asnjë lloj fakti. Fundja, ne nuk kemi një kontroll kundër tyre. Ka raste serioze, për shembull, siç janë fejesat apo martesat dhe ndodh gjyqi.

Vali është menaxheri dhe partneri juaj në jetë. Kush është mashkulli që i rri pranë një prej femrave më të bukura shqiptare?

Për mua është shumë e vështirë ta përshkruaj në intervistë. Ajo çka më bëri përshtypje në fillim ka qenë pamja e tij.

Ku jeni njohur së bashku?

Kam qenë në Zvicër dhe Vali ka qenë pronari i një diskoteke ku do të promovoja albumin e kaluar. Kontakti i parë që kam pasur me të e kam parë si të ishte një DJ apo punëtor skene. Në asnjë mënyrë nuk më shkonte mendja se ishte pronari, pasi mamaja ime kishte kontaktuar me të dhe nuk e njihja. Pasi nisi puna, unë vetëm ankohesha për çdo gjë, edhe kur kërkoja gjëra ai mi sillte të gjitha dhe vetëm qeshte, deri në momentin kur e mora vesh se ai ishte pronari dhe ishte mënyra më e tmerrshme e prezantimit.

Çfarë ndodhi më pas?

Fillimisht ishim miq dhe ky është një element i veçantë i lidhjes sonë, sepse bisedonim pa asnjë tabu për tema të ndryshme. Vali është rritur në Francë dhe nuk mund të mos komunikoja lirë me dikë që nuk kishte paragjykime ose stereotipa. Mirëpo, mes nesh lindi ajo kimia, isha unë ajo që bëra hapin e parë dhe i dhashë puthjen në faqe.

Po zërat për dasmë që kemi dëgjuar, janë të vërteta?

Në fakt, nuk kemi planifikuar asnjë dasmë, por nëse na e bën dikush, pse jo! Unë me Valin nuk do ta bëja publike lidhjen, por e kam thënë gjithmonë do të ishte e pandershme të mbaja një lidhje të fshehtë, përderisa jam person publik. I kam falur gjithë jetën time publikut dhe të fsheh lidhjen nuk më duket e ndershme. 

E keni menduar veten ndonjëherë nënë?

Faktikisht, nuk e kemi menduar akoma vajzë apo djalë, vetëm të jetë shëndosh dhe të ketë një jetë të lumtur. Nuk ka rëndësi djalë apo vajzë. Dashtë Zoti që të ndodhë, natyrisht që e kam menduar, mirëpo në preferencat e mia personale është që të jem nënë dhe jo këngëtare.

Si ia bëni që jeni gjithmonë në formë? Cili është sekreti i bukurisë suaj?

Besoj se të gjithë që janë ulur këtu kanë thënë se është gjenetike, e kemi zbuluar si fjalë. Në fakt, është gjenetike, mirëpo impenjimet e shumta të bëjnë musklative dhe elegante. Ndërkohë, praktikoj shumë notin dhe palestrat edhe pse s’kam shumë kohë. Në fakt, në familje jemi një prerje, mami, Zanfina dhe Ema, motra e dytë.

Përgatiti: Albert Vataj