E enjte, 28.03.2024, 09:46 PM (GMT)

Mendime

Memet Bushi: Letër e hapur komunitetit intelektual dhe Qeveritar të Kosovës

E shtune, 05.04.2008, 11:20 AM


Memet Bushi
Letër e hapur komunitetit intelektual dhe Qeveritar të Kosovës

Memet Bushi eko. I diplomuar

Të jesh kohanik i ngjarjeve që janë në vazhdimësi, është pak vështirë të zbërthehen elementet të cilët e përbejnë  momentin në të cilin formësohet ardhmëria shekullore e këtij populli, të vuajtur ndër shumë shekuj, në të kaluarën historike.

Në euforinë e krijimit të shtetit të Kosovës, në euforinë e pranimit të shtetit tonë nga ana e shteteve me të zhvilluara të botës, të duket se edhe e zeza është e bardhë, është e praruar në ar dhe shkëlqen gjithandej. Kjo vështirëson përceptimin individual dhe grupor, mandej edhe të komunitetit intelektual të Kosovës, për të dalluar, atë që është duke e formësuar ardhmërinë e Kosovës, të orkestruar nga ana e forcave ndërkombëtare, e nën aprovimin tonë zyrtar. Vështirësia shtohet edhe më tej, mbasi formësimi strategjik, nga ana e Europës, po realizohet në emër të ndihmës dhe në emër të  mbrojtjes së Kosovës.  Mandej, vështirësia bëhet edhe më e qëndrueshme nga veprimet joprofesionale të organeve qeveritare dhe të parlamentit, mbasi pjesa më e organizuar e jona, me paaftësitë  organizative, politike dhe ekonomike, të len të kuptosh se krejt kjo që po ndodh rreth nesh, të duket se po formëson një ardhmëri siç e kemi ëndërruar ndër shekuj.

Ndihmat për zhvillimin ekonomik, janë të parashikuara që të krijohen kushte dhe ambient të volitshëm, për depërtimin e kapitalit të huaj, për të marrë në pronësi shfrytëzuese pasuritë natyrore të Kosovës, dhe dominimi me resurset ekonomike që janë fitimprurëse.

Duhet ditur se në gjitha projektet ku kërkohet një përbërje e lartë organike e kapitalit financiar, siç është  industria e mineraleve, industria energjetike industria e komunikimit dhe transportit dhe ajo përpunuese, për shkak të mungesës së kapitaleve investive vendore,  do të vendoset kapitali i kompanive shumënacionale. Shembull praktik është miratimi i kërkesës se AKM, nga ana e qeverisë për privatizimin e KEK-ut, Aeroportit, PTK, Trepçës dhe pasurive nacionale minerale.

Në ketë formë do të kemi një strukturë pronësore ku  pronësia ekonomike e kapitaleve të huaja do të kaloj 70% e pronësisë  të ekonomisë  sonë kombëtare, e që është karakteristikë e ekonomisë koloniste bashkëkohëse. Kurse pronësia e kapitaleve vendore mund të përfaqësohet me 30% . Do të ushtrohen aktivitetet ekonomike në fushën e shërbimeve (restorantet, rrjeti tregtar, zanatet dhe bujqësia ekstensive). Identiteti ynë ekonomik kombëtar do të ketë tiparet e një ekonomie Koloniste moderne.

Kjo formë e ekonomisë koloniste është e përmasave që nuk mund të ndryshohen apo formësohen, apo ndikohet,  nga qeveria jonë  kombëtare, mbasi ajo do të jetë qeveri e instrumentalizuara nga ana e kësaj force ekonomike koloniste.

Instrumentalizimi i qeverisë në funksion të interesave koloniste, e vë qeverinë në rolin e mbrojtësit të interesave të tyre, e jo në mbrojtjen e interesave të kombit. Forca e  këtij rendi kolonist, për ne, në një të afërt kohore, do të shkoj aq lart sa do të bëhet pjesë e mënyrës së të kuptuarit të jetës në Kosovë dhe, fillon të jetë varianti  i vetëm, e mandej kuptimplotë, kur te realizohet integrimi në Bashkësinë  Europiane. Këtu merr fund çdo gjë dhe hapet procesi i pashmangshëm, i asimilimit të qenies sonë kombëtare, të ruajtur me xhelozi ndër periudha mijëravjeçare.

Këto vlerësime, a nuk janë të mjaftueshme që të zgjohet intelekti kombëtar, në ketë moment historik, për  të përkufizuar veprimet e forcave ndërkombëtare, që po ofrojnë ndihmën e tyre, që ajo të jetë në funksion të krijimit të qenies sonë ekonomike dhe kombëtare, të bazuar në potencialin tonë natyror dhe mental me të cilin  disponojmë sot?!

Ne sot kemi mundësi praktike, që me pak mund  të ndalojmë instalimin e instrumenteve ligjore e organizative, në krijimin e terrenit të përshtatshëm për tu jetësuar qëllimi kolonist i kapitaleve të mëdha, që janë të mbështetura nga strukturat shtetërore të shteteve të Evropës dhe të organeve të tyre të përbashkëta.

Sot, me shumë pak mund e me një vullnet ngulmues  e me vetëdije kombëtare, mund të ndalohet një proces i tillë sistemor ekonomik.

Kjo mund të arrihet nëse:

1.      Definohet strategjia zhvillimore ekonomike  e Kosovës deri në vitet 2050;

2.      Përligjen masat administrative, të cilat mbrojnë procesin e krijimit të identitetit tonë ekonomik kombëtar, nga veprimet grabitëse të segmenteve të tregut global (edhe me kushtetutë);

3.      Përkufizohen kushtet  e depërtimit të kapitalit të huaj në përputhje me interesat e ekonomisë kombëtare dhe duke ruajtur identitetin tonë ekonomik;

4.      Sigurohen burime të pavarura të kapitaleve investive nga mekanizmat e industrisë financiare botërore;

Kur këta faktorë ekonomikë dhe shoqëror janë qartësisht të formuluar, do ta kemi më lehtë që të kemi një perceptim mbi  idenë e forcave,  të cilat janë duke instaluar mekanizmat  e një kolonizimi  modern. Mbasi ky proces është duke u kryer nën  petkun e ndihmës ekonomike, kështu vështir që mund të perceptohet lehtë nga ana e organeve vendimmarrëse dhe autoriteteve qeveritare, duke qenë kohanik i ndodhive në vazhdimësi, pa pasur përkufizimet e duhura kombëtare dhe shtetërore, se si dhe ç'ekonomi duhet të ndërtojmë.

Pesha e këtyre vlerësimeve duket sheshazi, kur e vëjmë në marrëdhënie me realitetin, ku pas disa mijëra vjetësh, kemi të drejtë,  për herë të parë, të krijojmë ekonominë tonë kombëtare, trashëgimia e se cilës është e mjerueshme. Pra, na duhet të fillojmë të ndërtojmë ekonominë tonë të bazuar vetëm në pasuritë natyrore dhe në potencialin tonë mental njerëzor, nga e para.

Të vetëdijshëm,  ne dhe ata që dëshirojnë të na ndihmojnë, për këto rrethana objektive të momentit, pa ndonjë vështirësi mund të instrumentalizohen të gjitha forcat shoqërore dhe shtetërore të Kosovës, në instalimin e themeleve për krijimin e një ekonomie të kolonizuar, që vepron në interes të kapitalit global, pa përfillur interesat tona ekonomike kombëtare, ku në tokën tonë, do të luajmë rrolin e argatit, shërbëtorit e të rrogëtarit, duke mos pasur të drejtë të gëzojmë përfitimet në dobi të mirëqenies kombëtare, se ato do t'u takojnë kapitaleve të huaja globale.

Kur këtyre rrethanave i bashkëngjisim faktorin e integrimit në strukturat e aleancave ndërkombëtare, e me theks të veçantë në Bashkimin Europiane, do të humbet kontakti me realitetin e proceseve të kolonizimit ekonomik të Kosovës, mbasi çdo veprim merr një kuptim të arsyeshëm për veprimet e kryera nga ana e kompetentëve.  Kështu,  elementet e kolonizimit marrin tiparet e integrimit ekonomik, çka vështirëson identifikimin e tyre.

Si do ti duket një prindi, propozimi që vajza e posalindur, të hyjë në marrëdhënie martesore me një burrë të moshuar, qoftë edhe për interes të sigurisë dhe ekzistencës!? Pra,  këtu menjëherë aktivizohet mekanizmi i prindit në mbrojtjen e fëmijës,  që s' pari të rrit fëmijën e tij, e kur të ketë krijuar personalitetin e pjekurisë të vendos vetë të hyj në marrëdhënie martesore me personin që i përmbush kërkesat e saj.

 Këtu qëndron edhe kërkesa jonë, që ne njëherë të ndërtojmë ekonominë tonë, të bëhemi faktor ekonomik i Republikës Kosovës, e mandej faktor ekonomik i gjeo-regjionit, e në momentin e dhenë edhe faktor segmentor i ekonomisë globale, gjithmonë duke ruajtur identitetin tonë kombëtar ekonomik dhe kulturor.

Kjo do të krijoj mundësitë që të kemi rrethana të volitshme dhe të sigurta për ushtrimin e veprimtarive ekonomike nga ana e komunitetit  afarist kombëtar në Kosovë,  për të ngritur një ekonomi të shendoshë dhe të aftë për t'u integruar në rrjedhat ekonomike regjionale dhe globale, gjithmonë si element segmentor i tyre, ku pronësia kombëtare mbi pasuritë ekonomike, s' paku  të jetë rreth 80%,  në raport me pronësinë e kapitaleve të huaja, që ju lejohet që të kenë fushë veprim ekonomik në kuadër të ekonomisë sonë kombëtare.

Në të kundërtën, do të kemi një ekonomi koloniste, e cila do të ushtroj veprimtarinë e vet në këto hapsira të përkufizuara si Republikë e Kosovës, duke qenë Kosova vetëm identitet gjeografik dhe adresë në nivel global, pa identitetin tonë kombëtar e ekonomik dhe pa forcën që të drejtojmë aktivitetet ekonomike, në përputhje me nevojat tona kombëtare.

Pa forcën e drejtimit të aktiviteteve drejt plotësimit të nevojave kombëtare, por gjithmonë në funksion të kompanive shumëkombëshe, e që në thelb kanë prirjen e aktiviteteve ekonomike që kriminalizojnë interesat tona kombëtare, në emër të ca interesave, që mbështillen në petkun e globalizimit. Kjo do të jetë forca që edhe do të ngulfatë aktivitetin ekonomik të forcave prodhuese vendore, e duke i shndërruar në faktor periferik të ekonomisë kombëtare dhe në  furnizues të sigurt me fuqi punëtore, e cila ju mungon sistemeve të mëdha ekonomike.

Besoj se nga kjo secili prej nesh do të mund të nxjerr peshën e momentit, peshën e domosdoshmërisë për komunitetin profesional e shkencor, për elitën progresive në Kosovë, për qeverinë e Kosovës, për të qenë aktiv në përkufizimin e rrugëve strategjike ekonomike e shoqërore, për Kosovën tonë, të sapo dalur nga robëria shumëshekullore, për të mos e lënë të zhytet në një robërim modern, të cilin nuk do të ketë mundësi praktike që ta luftojnë, nesër, gjeneratat që do të pasojnë, mbasi do të jenë pjesë integrale e sistemeve të mëdha ekonomike, ku zotëron  ligjshmëria e forcës koloniste bashkëkohëse.

Kurse për qeverinë aktuale, pesha ka kuptim me shumë dimensione, me përgjegjësi konkrete, që të formësoj fatin e ardhmërisë së kombit, në përputhje me idealet e krejt atyre që kanë dhenë edhe jetën për ta parë një ditë Kosovën të lirë, e jo koloni, qoftë edhe të Europës së zhvilluar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora