E enjte, 25.04.2024, 01:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Neki Lulaj

E hene, 02.07.2012, 07:39 PM


Neki Lulaj
 
NË MONACO

 
Shungullonin valët
Ulërinte mali
Buçiste bjeshka
Shushurisnin plepat
E mendja bluante
Mendimet e shekullit
Buzë atlantikut
Pjestohej jeta
Nderohej konaku.
 
Mbështjellë
Me shami shekujsh
Një grusht kujtimesh
Në përmallim ndarjeje
Një stërkalë uji në pusin
E lamtumirës për
Udhëtarët e rrugëve
Të gjata
Tejmatanë detit
Nëpër luginat e qiellit
Shtigjeve të dritës.
 
Copëza zemrash shkëputen
Si dallgët e përbujshme
Të atlantikut
Argatët e arave kolektive
Ngulnin hunjë mbi valë
Thurrnin gardhiqe
Mbi barkun e tokës
Në Monaco.
 
Rugëve mbi atlantik
Tunele
Valët qanin shtigjet
E thurrura
Me thuprra shelgjesh
E jeta kulloste
Mbi barishten e lotëve
Serafinat kerobinat
Fauna e flora
E rojet e Qiellit
Edhe sot
Rrinë mbi malin Hermon
Duke e krasitur
Shelgun e ri
Të brishtësisë.
 
(Monaco, shtator 1999)
 
MBI RRASA
 
Mbi rrasa stralli
Mbijnë lulet
Dridhet drita
Çelin trëndafilat
Me aromë përjetësie
Kultivohet dashuria.
 
Koha kurrë s’i vyshk
As kur fryn murlani
Dhe stuhia kur fërshëllen
Ato bëhen më të forta
Më të buta më të mira
Dhe më të hijshme.
 
Rrënjët në strall
Trupi mbi fushat dardane
Lulet e vendit tim
Në portat e Parajsës
Ua kallin datën
Demonëve të Dardanisë.
 
Si rreze dielli
Nga fund i tunelit
Erdhi zogu shtegtar
Na solli lumturinë
Dhe iku
Në shpirt na ndezi
Mallin e dashurisë së parë
Që kurrë  nuk ndryshket
As kur na kaplon terri.
 
Sonte
Nuk dua t’i flas dhembjes
As vetmisë që fshihet
Tejmatanë dhomës sime
Me xhelozi
Dhembjet e vuajtet
Do t’i arkivoj
Në sirtarët  e qëndresës
Për t’ia dhuruar historisë.
 
T’i flasim çastit
E dashuria të ritet si bari
T’u këndojme ditëve të bardha
E në imagjinatë
Gardianët e qiellit
Në Univers
Të na i mbajnë të hapura
Portat e bekuara
Në Parajsën e dashurisë.
 
ZHURMË ERE
 
Era zhurmëron
E mbi oxhaqe
Hapat e sorkadhes
Askush s’i dëgjon
Zoti i dashurisë
Me fener në dorë
Rrugën ia hap dritës
Për takimin e parë.
 
Bukuroshja
Me dashurinë e zjarrtë
Edhe pyllit të etshëm
Freski i dhuron
Zogu me këmbë
Mbështetur
Mbi degë lisi
E me kokën nën sqetull
Ëmbëlsinë e gjumit të parë
E përjeton
Ëndërrat i nusëron.
 
Shrat i lumit të etur
Peshkun e freskon
Vala puth bregun
Peshku puth qiellin
Hëna ruan diellin
Heroi ruan vendin
Të rinjtë dashurinë
E shndërrojnë në lojë.
 
NË PREHËRIN E TEUTËS
 
Në prehërin e Teutës
Le te flejë Learti
Buzëqeshja në sy
Mos t’i mugojë kurrë
Ëndërrat më të bukura
Në gjumin e ëmbël
Le t’i përjetojë
Tejmatanë shekujsh.
 
Rozafa e bukur
Roje përjetësie
Në Kala qëndrese
Me qumshtin e nderit
Me besën e dhënë
Përjetësinë ta përforcon.
 
O moj Dardani
Me sytë e kohës
Gruaja e gurit
Le te të bëhet
Simbol i pritës
Rojeve të qiellit
Për marshin e nisur
Nëpër shekujt e dritës.
 
Engjëjt e erës
Le ta ruajnë
E gruaja e lotit
E shndërruar
Në shtyllë kripe
Në valët e Bunës
Le të freskohen
Zanat e malit
E t’i këndojnë
Shekullit
Të mvehtësisë.
 
DREJT SHTEGUT
 
Erdhi shtigjeve
Të ëndrrës
Me krah të bardhë
Mbi faqet e shtrëngatave
Të kohës
Si për çudi
I kishte ngelur i ngrirë
Loti i kristaltë
Buzqeshja në fytyrë
Ia shtonte bujarinë.
 
Puhi e mbushur plot aromë
Me buzët e çara
E nofullat e plasaritura
Nga vuatjet e panumërta
Të palodhshmërisë
Me shpresa të pashuara
Nëna Ajshe -
Ikonë perëndeshe
Roje nderi mbi vigun
E drurit të thatë
Mbi lumin me lotët
E qëndresës
Në Dubovik
Mbi telin e kitares
Baladë në trekëndfëshin
Dubovik-Gjilan-Untergruppebach
Dardani-Kosovë-Gjermani
 
Po vijnë kohërat e bardha
Mbi krahët e jetës
Po rritet dashuria
Me flatrat e shqiponjës
Te Plelat e gjatë
Kanjusha e bardhë
Lajmëron sihariqin
Se shqiptaria po marshon
Shtigjeve të dashurisë....!


(Vota: 19 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora