E premte, 19.04.2024, 07:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Tulipani i Koresë (Fragment)

E diele, 01.07.2012, 02:37 PM


KRISTAQ TURTULLI

TULIPANI I KORESE

fragment

Nuk ka zjarr të barabartë me pasionin...

Buda

-Jeni vajzë e dëlirë, si lule vese May Lee,- i tha Vironi ditën e nesërme të daljes me ceremoni së gjirafës Guri Panda  nga spitali.

Ajo u skuq, vështroi me bisht të syrit, luajti kryet ngadalë, nuk foli, eci përpara me hapa të shpejtë, ai mbeti disa hapa larg saj. Trupi i hijshëm, i derdhur i vajzës e bënte ti binte pas, ta prekte, ta përkëdhelte, ta puthte. Lëkura e saj bardhë e ndritshme e verbonte. Të jetë vallë dashuri kjo, ta hajë dreqi! Jo kurrsesi nuk mund të ishte dashuri, e simpatizonte e dëshironte e pëlqente, siç pëlqehen gjërat e bukura, por dashuri nuk mund të ishte. Ehu si është dashuria. Ai nuk do bëhej pre e pasioneve.

Nxitoi hapin dhe eci në krah të vajzës, ndjeu që dihaste.

-Je e papërsëritshme May Lee,- guxoi ti thoshte duke e parë drejt në sy.

Vajza i dredhoi shikimit të djalit, vështroi sipër, mbi kokën e tij, ndërsa qerpikët u përpëlitën nxitimthi si krahët e harabelit.

-Mjaft ju lutem, mjaft! -foli me zë të ulët, si pëshpërimë dhe shikimi iu drodh. -Ju guxoni shumë, ju dëshironi shumë, ju e teproni shumë. Ne duhet të jemi serioze dhe të përgjegjshme për misionin që kemi. Femrës koreane i duhet më shumë partishmëria, përkushtimi ndaj idealeve të mëdha dhe jo bukuria e jashtme, ashtu siç na porosit udhëheqësi i lavdishëm Kim...Ju bëni komplimente të tepruara. E papërsëritshme hëh!

Vironi bëri një lëvizje të bezdisur me dorë. Ndjeu menjëherë dhembje koke. Të gjithë vendasit i ngjanin si të pjerdhur nga trutë, por edhe May Lee! Ajo asnjëherë si kishte folur me slogane, partishmëri të fandaksur. Vajza gjithnjë tregohej e matur e kujdesshme me të. Mos i kishin vënë pabesisht bukuroshes, në tru, ndonjë gramafon të prishur dhe dikush mbas shpine e kurdisi me nxitim, gati me hakmarrje.

-May Lee,- i pëshpëriti me zë të lutur, të zvargur Vironi. -Edhe unë të lutem! Ne kemi gjëra të tjera më të rëndësishme për të thënë.

Vajza e vështroi pjerrët. Ajo një hop i mbajti buzët e puthitura. Biseda e tyre po pengohej nëpër gurët e thepisura të hutimit.

-Ju thoni kemi të tjera gjëra të rëndësishme? Marrëzira ! A ka gjë më të rëndësishme se ideali. Ju nuk doni të njihni vlerat dhe bukurinë e brendshme shpirtërore të njeriut të ri, të lartësuar prej idealeve e flakta,të cilat ndriçojnë botën,- i foli ajo me ton të grindur, duke luajtur kokën para dhe prapa. Buzët e saj të vogla të plota, të fryra, të kuqe, si dy kokrra qershie, u drodhën.

Vironin e mbërtheu dëshira e papërmbajtur, ti puthte ato buzë të mbushura me musht, aromë luleje, pastaj le të broçkulliste sa të donte për njeriun e ri dhe mësimet e Rigoletos së vogël që fshihej brenda në xhungë, pas kokës së udhëheqësit legjendar. Ta hante dreqi, përse nuk kishte të drejtë të thëthinte ato buzë gjithë lëng dhe jetë. E pengonte marrëzia dhe shpirtligësia e gaztorit të gjorë, të ardhur aksidentalisht prej shekullit të kaluar së bashku me tragji-komizmin e tij. Vajza e përbetuar le të dërdëlliste si gjithë të tjerët për idealet e shenjta dhe flakët e mëdha që ndriçojnë botën. Vallë, a ka flakë më të madhe se epshi i njeriut, që shkund, thërrmon male dhe than dete?

-Sidoqoftë  May Lee,- i foli Vironi me zë të ëmbël, -mendoni dhe flisni çfarë të doni, nuk mund tu ndaloj, por unë ju them përsëri me zë të plotë, pa mëdyshje, jeni e mrekullueshme dhe unë ju dua shumë.

-Oh, ju lutem! Këtë gjë nuk duhej të ma thoshe!- ia bëri vajza, sytë e saj të bukur u zgjeruan, u bënë si dy liqene alpine të përmbytura nga përflakjet diellore. -Oh, ju lutem shumë, ju sigurisht bëni shaka!

Vajza eci djathtas drejt klasës së baletit megjithëse ishte akoma herët për të filluar provat. Hynë brenda, ambienti ishte i qetë. Vironi i mori me kujdes dorën e vogël dhe të bardhë të May Lee-së, e mbajti një copë herë mes dy pëllëmbëve të tij dhe filloi ti a përkëdhelte lehtë. Vajza dridhej, donte të largohej nuk mundte, sytë e saj ishin të trembur, por diku në cepa fshihej një ngazëllim i thellë. Ai e tërhoqi butë, gati ma ndierë, drejt cepit të klasës, aty ku nuk binte shumë në sy. Ajo lëvizte, i bindej, i binte pas e mpirë me hutim të plotë. Ajo kishte filluar të ndjente rrahje zemre për këtë djalosh të pashëm, të mirë, prej një vendi shumë të largët. Por për dreq kishte frikë, shumë frikë, tmerrësisht frikë, që e bënte të dridhej si purtekë dhe të llahtarisej në gjumë.

Vironi ngriti ngadalë me shumë kujdes dorën e vogël, bardhoshe, delikate të vajzës dhe e vendosi pranë faqes së vet e puthi.

-May Lee, të lutem më thuaj, nuk kemi ne të drejtë të duhemi ?- e pyeti ultazi, duke e parë drejt në sy.

Vajza u rrëqeth, lëkura i u prushërua. Faqja e ashpër e mashkullit i shkaktoi mornica, të cilat i kaluan si elektroshok në brendësi të gjithë trupit. Nuk dinte se çfarë të thoshte, ndjehej e përfshirë nga një zjarr i madh. Ajo nuk e kishte provuar më parë llavën e zjarrtë që derdhej furishëm nëpër pejzat e trupit. Vajza i ndrydhte me forcë, i përzinte gjithnjë me trishtim, pendesë të heshtur, me nervozizëm, deri me dhunë vrullet dhe emocionet e shpirtit për djalin e huaj, por që trokiti ngadalë me kujdes në dritaren e shpirtit të saj.

May Lee e pat vendosur me ngulmim, me inat të verbër, me dhembje të brendshme, betuar me heshtje, gjunjëpërkulur, duarshtrenguar, buzëtharë, përpara se të binte të flinte. Në asnjë mënyrë nuk duhet të bëhej pre e ndjenjave të brishta, emocioneve skandaloze, zjarreve gjithëpërfshirëse, të cilat të çojnë në rrugë të gabuar ku nuk mund të merren me mend pasojat. Ajo qau mbytur, kafshoi buzën,  mbledhur kutullaç në shtroje, ngaqë betime të sinqerta në buzë të mbrëmjes ose në prag të mëngjesit, vinin prej gjykimit të ftohtë, ndërkohë ndjenjat buronin prej tajfuneve shpirtërore dhe nuk kishte zot ti ndalte. Këtyre dallgëzimeve oqeanike kërkonte me ngulmim tu vinte frerin, ti bënte zap si kuajve së azdisur, ti ndalonte. Butësia, bukuria, mirësia e djalit e çarmatoste porsa gjendej pranë tij. Ia rrëzonte, thërrmonte në çast muret e larta të kështjellës së frikës dhe të pasigurisë...

Ai iu afrua pranë. Ajo përshkundi kryet, ndjeu frymëmarrjen e tij të shpeshtë, donte të largohej me vrap, nga sytë këmbët, të mos kthente kokën prapa. Nuk mundej, ndjehej e pranguar dhe një afsh pështjellues ish ndehur në dhomë. Ajo po qarkohej prej avujve të nxehtë, vuri dorën në zemër. Gjoksi i ngrihej dhe i ulej me shpejtësi, ishte e përfshirë prej zjarreve të mëdha, këmbët i qëndronin të mpira si trungje, nuk mund të lëvizte.

Vironi e vështroi ngultas, diku në mes të ballit të bukur dhe iu duk sikur vajza ishte mbushur me margaritarë të vegjël, shkëlqim verbues, kapsalliti sytë i befasuar, pa e bërë të gjatë hodhi krahun rreth qafës së saj të derdhur dhe e puthi në buzë. Ishte puthje e lehtë, me majat e buzëve si një puhizë dhe fllad pranveror, që ndjehet lehtë, ëmbël, shungullon sythet e virgjëra të brishtësisë. Ata nuk kuptuan në morën frymë, thithën ajër, apo ishte pjalmi i parë i nektarit që i shkundi dhe i bëri me flatra. U puthën fort, me sytë e mbyllura.

Ata ishin të hutuar ngaqë nuk e kuptonin akoma se bashkimi i lehtë i buzëve ishte një fushë e papërballueshme magnetike. Krahu i tij shkoi pak poshtë, në gjoksin e saj të vogël dhe të plotë, gishtërinjtë lëviznin drithmaz, prekën lehtë, me ndrojtje, gjithë delikatesë, përfshinë topthat e vogla, vajza  u drodh, u ndeh, fërgëlloi, mbylli sytë dhe u kapërdi. Ishte hera e parë që puthej dhe prekej në drithërimë ndjenje prej një mashkull.

-Viron,- pëshpëriti ajo pa hapur sytë.

-Fol shpirt,- ia bëri ai ultazi.

-Ç’është kjo, dashuri apo lojë? -Vajza heshti një hop, hapi sytë ngadalë, si të trembej se mos zhgënjehej, vështroi djalin drejt në sy dhe shtoi: -Vërtet më doni shumë?

-Po May Lee, të dua shumë, shumë,- i foli ai me të shpejtë.

-Jam e lumtur që më doni shumë,- mërmëriti ajo dhe shtoi si psherëtimë: -Jam e trembur, kam shumë frikë!

Nuk mendonte asgjë, në trurin dhe zemrën e saj ishte ndehur pëlhura e freskët e dashurisë. Lëvizi qafën ngadalë dhe afroi kokën pranë shpatullës së tij, buzët e saj u hapën dhe priti e etur puthjen e furishme të djalit. Të dy ishin të përfshirë, të përhumbur, donin të shijonin deri në fund puthjet e para të zjarrta. Buzët e djalit lëviznin gjithë etje nëpër buzët e zhuritura të vajzës e cila po përvëlohej e tëra, i mbahej fryma, krahët iu varën, i vinte zali.

Oh nëne! Sa vullkane shpërthyen në ato çaste!? Sa ajsbergë u shkrinë, u copëtuan dhe kodrat zbutura të akujve filluan të enden të nëpër oqeanin e hutimit! Gjuha e lagur e djalit lëvizi mbi buzë si të zbuste sado pak llavën e zjarrtë, por ajo nuk qëndroi aty, kërkonte me ngulmim të hynte brenda, të thithte lëng prej gojës së saj dhe të treste përfundimisht mjegullën e ngurtësuar. Vajza u shkund, gjuha e tij lëvizte me shpejtësi brenda gojës, u bashkua me gjuhën e saj, ajo ndjeu të eksitohej, gati sa po i vinte për të qarë. I hipi dëshira ta prekte, ta ndjente djalin, ndaj u shtrëngua u ngjesh mbas tij dhe e puthi e thëthiu me afsh...

Diku larg, në krahun e djathtë u dëgjua gërvima e derës dhe më pas hapa të buta, të nxituara sikur shkelnin në brezin e lëshuar të mërzisë. Por që të dyve u ngjau si shungullimë që hynte mes dy brigjeve të puthitura. May Lee u drodh, u alarmua, u përmend, menjëherë erdhi në realitet dhe vrulltas largoi buzët prej tij. Vironi i zgjati kokën dhe buzët përpara, vështroi me inat andej nga u dëgjua zhurma, Ai ishte gati të shante, të bërtiste për ndërhyrjen e çmendur, harbute në mes të puthjes. May Lee dukej e tmerruar,  trupi iu ftoh, filloi të dridhej, njëlloj sikur të ishte duke parë një ëndërr të purpurte dhe befas disa thonj të gjatë, të ndytë, të pështirë e kishin çjerrë, gjakosur. Lëvizi kokën majtas dhe djathtas, eci prapthi, me nervozizëm, e zverdhur në fytyrë, fërkoi ballin, flaku tutje diamantet, pesë hapa larg derës qëndronte shoqja, roja e saj Çao Dao Bu e cila i vështronte sy zgurdulluar.

Trupi i May Lee-së lëkundej, u mbaj mbas kolonës, sytë e Çao Dao Bu-së bridhnin si zare në ruletë herë nga mikja e saj dhe herë nga djali, ajo ishte e skuqur, damarët e hollë e të portokalltë mbi vetulla i dridheshin. Edhe ajo u mbështet mbas kolonës pranë derës dhe kroi kokën me inat.

May Lee kafshoi cepin e buzës, ndjehej e ligështuar. Sa shpejt u shua zjarri i shpirtit prej akullit të ftohtë, ajo gjithnjë qe munduar ti shmangej përgjimit dhe gjykimit gjysmak të mikes së saj. E mblodhi menjëherë veten, kapërdiu me nxitim lëngjet e gojës, dëgjoi zhurmën e rrokullisjeve të tyre drejt pusit të stomakut, tendosi trupin dhe për herë të parë në jetën e vet. Ngriti krahun, fshikulloi ajrin, pëllëmba e saj shkoi dhe përcëlloi rrëshqanthi  faqen e ashpër të djalit, u dëgjua krismë e thatë.

Ajo e qëlloi lehtë, me mollëzat e gishtërinjve, por çuditërisht mjekra e Vironit shkoi majtas, i kërciti arëza e qafës, si të kish pësuar një grushtim mjeshtëror, të fortë, të papërballueshëm në nofull. Ai ngriti vetullat përpjetë, por nuk lëvizi prej vendit.

-Ëh, pëf!- ia pat prej së largu Çao Dao Bu.

Fytyra e Vironit ishte  krejt e zbardhur, pa shprehje, nuk bëri asnjë lëvizje, la kohë të mblidhte veten, qëndroi në vend si një shtatore.

May Lee u tërhoq, hodhi një hap prapa, krahu iu var përdhe si një trung i prerë, u kthye, eci me sytë e mbyllur përgjysmë, me shikim të përvuajtur.  I bëri shenjë  me kokë Çao Dao Bu-së dhe eci e para drejt daljes, tjetra kërceu si me sustë, e hëngri me sy Vironin , i nxori gjuhën dhe ndoqi me vrap shoqen e vet që kishte humbur mbas derës.

U dëgjua përplasja e kanatit të derës, Vironi nuk po lëvizte prej vendit. Ajri i ndenjur i klasës ishte i rëndë, i pakët, mezi mundi të mbushej me frymë. I dukej sikur do plasej përdhe prej mungesës së oksigjenit. Me hyrjen e befasishme të kones së shpifur Çao Dao Bu mrekullia u tret në çast, sa hap e mbyll sytë.Vironi ishte gati të turrej me vrap, ta qëllonte nga prapa, ta rrëzonte përdhe, ta shqepte me shkelma dhe grushte.

Drita përpëlitej diku në cep, doli jashtë, shkoi menjëherë në banjë, donte të futej në ujë, të qullej, të flakte tej plogështinë por nuk mund të lagte buzët me të cilat kishte puthur të ëmblën May Lee, buzët e saj gjithë musht e jetë ishin magjia vetë.

Nuk  kishte kuptim të kthehej në klasë, pa e bërë të gjatë mori rrugën drejt fjetoreve të qytetit të studentit, të cilat binin në perëndim në krah të pyllit. Ecte i shpërqendruar, i dukej sikur ndjente akoma në buzë lëngun e mrekullueshëm të buzëve, frymëmarrjen e shpejtuar dhe në duar kurmin, rrahjet e harbuara të zemrës së saj. Mbante kokën anash, trupi i shkonte pjerrtas, pulpat e këmbëve i dridheshin, kërkonte të shkonte të humbiste mendjen në pyll. Ndjeu pikat e para të shiut, por këmbët ngulmonin të shkonin  drejt monopatit të ngushtë të pyllit.

Vironi nuk dëgjoi zërin e lartë, të çjerrë të Julio kubanezit, vetëm kur tjetri e mbërtheu nga krahu, u kthye me nervozizëm gati për sherr, me grushte të shtrënguara.

-Ou,ou, ou, lum miku, hej, jam unë,- ia bëri Julio dhe hodhi një hap prapa, i cili mezi mbushej me frymë prej nxitimit.

-Hë, qenke ti,- mërmëriti Vironi dhe lëshoi trupin.

-Çka bërë vaki që qenke ndërkryer kështu?- e pyeti Julio.

Vironi ngriti supet dhe vështroi i bezdisur nga kubanezi, njëri cep i këmishës i varej ankueshëm mbi pantallona, kopsat e këmishës i kishte mbërthyer shtrembër.  Julio rrudhi vetullat nga shikimi gërmues i tjetrit, zbërtheu kopsën e pantallonave dhe futi cepin e këmishës brenda, u mbush me frymë, pastaj foli:

-Gjirafën Guri Panda e shtruan përsëri në spital.

-Çfarë!- klithi Vironi i habitur, - përsëri apendicit, sa apendicitë paska ky matuf gjirafë?

Julio fërkoi qafën mbas jakës së këmishës dhe foli me zë të lodhur:

-Infeksion i rëndë në veshka.

Vironi tundi kokën  ngadalë dhe pështyu përdhe.

-Nuk më besohet Julio,- Vironi hodhi shikimin gjetiu dhe shtoi me ton të rëndë: -Nga e kuptuan se gjirafa paska infeksion në veshka pa u ankuar dhe pa ia bërë analizat?

Julio ngriti supet pa ditur çfarë të thoshte. Vironi brodhi shikimin drejt pyllit të madh, pemët dhe fletët ishin të rënduara nga shiu, monopati i ngushtë që dredhonte dhe humbiste tutje dukej i përbaltur.  Me siguri penisi i hatashëm i Guri Pandës po çmend një qytet të tërë. Hëm, dreq gjirafë! Ai gjithnjë kishte një përfytyrim të ndryshëm lidhur me kafshët këmbëgjata dhe të hijshme gjirafa. Guri Panda mund të ngjiste me një hosten të hollë të gjatë, por kurrë me gjirafë. Kush dreqin i ngjiti nofkën gjirafë? Kur dilnin në fizkulturën ose vrapin e mëngjesit, nuk e shkulte kurrë nga trupi fanellën e leshtë. Ai lahej me gjithë fanellë, e shtrydhte e fërkonte, mbas kuvertave dhe e vishte përsëri. Nuk donte në asnjë mënyrë të zhvishej dhe të zbulohej trupi i tij i hollë, brinjënxjerrë. Në spital ia flakën tutje fanellën e leshtë, të përgatitur prej nënës, e zhveshën gollomesh, e studiuan me imtësi dhe e vërtitën mbarë e prapë.

Gjirafa Guri Panda ankohej zëngjirur, nuk dinte ku të gjente fanellë të leshtë në këtë skaj të humbur të globit. Ai nuk u ankua asnjëherë nga veshkat, kishte filluar të luante basketboll duke qëndruar poshtë koshit, i jepnin topin dhe ai pa lëvizur nga vendi, vetëm sa zgjaste krahët e fuste topin me lule pa u lodhur  në kosh, qejf o qejf dhe qeshte me të madhe. Anëtarët e skuadrës kundërshtare grindeshin, ndërsyen disa kodoshë, liliputë ta qëllonin me domate, ai mbrohej më kot, domatet turreshin drejt tij nga të gjitha anët. Gjirafa u largua duke sharë dhe bërtitur, nuk dinë ata qullacë të bëjnë kosha.

Vironi përkuli kryet, rrasi duart në xhepa dhe u kthye prapa si me urdhër, u nis drejt spitalit.

-Po vij dhe unë,- i tha Julio.

- Eja,- i tha Vironi dhe shpejtoi hapin.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora