E premte, 29.03.2024, 01:12 PM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Poezi nga Reshat Kripa

E diele, 01.07.2012, 04:42 PM


Reshat Kripa

COPËZA JETE

Me të  jetës hap, eci i menduar,
Rreth e rrotull vetes, vështroj i trishtuar,
Botën tonë të madhe, mbushur halle plot,
Medet s’jam në gjendje, ta përmirësoj dot.

FRYMËZIMI IM

Në një ditë të bukur vere, tek qëndroja i menduar,
Ëndrrat e mia të zjarrta, nëpër mendje rrotulluar,
Ëndërroja që  të shkruaja, të botoja  poezi,
Plot tregime dhe novela, për liri, për dashuri.

Porse koha ish mizore, ish e zymtë, ziliqare,
Ëndrrën time djaloshare, seç  e dogji, shembi fare.
Ato poezi që shkrova, nuk më la  t’i publikoja,
Bashkë me to dhe tregimet,  në kujtesë t’i regjistroja

Dhe tani që rri menduar, këto shkrime sjell ndër mend.
Për çudi s’i kam harruar, i ndjej gjallë përnjimend,
Ato rreshta, ato këngë, ndezën fantazinë time,
Me pasionin e pashoq, mbushur plot me frymëzime

Frymëzimi im i parë, frymëzim, ah, në rini,
Ëndrrën time përtëriti,  vallë ju  duket çudi?
S’jam shkrimtar e s’jam poet, dhe as që dua t’ia di
Shkruaj për ato që ndiej, për liri, për dashuri!

Vlorë, dhjetor 1990

QYTETIT  TIM

Atje lart në Qafë  të Topit,
Hedh vështrimin mbi qytet,
Sytë më lagen prej lotit,
Zemër vrarë oh, medet!

Ç’ke moj zemër që vajton?
Pse më rri e pezmatuar?
Vlora ime më kujton,
Atë kohën e kaluar.

Më kujton fëmininë  time,
Frymëzime dhe  pasion
Plot me brenga, hidhërime,
Shpirtin po ma torturon.

Pse këto mendime vallë,
Zemrën time e pushtuan?
Unë për ty sot kam një mall,
Vlora ime  adhuruar

S’të ndërroj me asnjë tjetër
O qyteti im i rrallë.
O vendlindja ime vjetër,
Jeta më duket  përrallë.

Si parajsë je, o Vlorë,
Si parajsë je ndërtuar,
Ku ullinjtë rreth kurorë,
Perëndit t’i kanë dhuruar!

Vlorë, prill 1992

KONFUZ?

Mendja ime çoroditur,
Zemra ime e habitur,
Shqetësuar po mendon,
Flakë  e  zjarr  përvëlon.

Po përse do pyesni vallë,
Të ka zënë ty ky hall?
Më ka zënë miqt’e mi,
Për të shtenjtën Shqipëri!

Që dhe sot mbeti pa zot,
Nëpër vaj e nëpër lot
Nëpër lot e nëpër vaj,
Askërkush nuk mund ta qajë.

Zemra ime e lënduar,
Po vajton e pikëlluar,
Ca përpiqen ta ndërtojnë,
Ca të tjerë ta shkatërrojnë.

Po kur fjalën do ta gjejnë,
Po kur fjalën  do ta mbajnë,
Të mos ketë më mëri,
Të mendojnë për Shqipëri?

Oh, kjo pyetje bërë thjeshtë,
Më le pa besim e shpresë,
Pa besim dhe pa drejtim,
E ardhmja e  vendit tim!

Tiranë, korrik 2003

DUA!

Dua detin, dua malet,
Dua fushat, dua pyjet,
Dua lumin, dua zallet,
Dua diellin, dua yjet!

Dua dhe të zbehtën hënë,
Dua edhe gjithësinë,
Mbi të gjitha hije rëndë,
Dua  shumë Shqipërinë!

Ndonëse është  sakatosur,
Për mua mbetet  e bukur,
Leqendisur e plagosur,
Atje ndiej veten të lumtur.

Veten të lumtur e ndiej,
Sepse ky  është vendi im,
Në çdo kënd të tij unë gjej,
Paqen edhe dashurinë.

Këtu kam miq edhe shokë,
Edhe truallin ku kam lerë,
S’dua të jetoj në botë,
Dua këtu ku kam nderë!

Tiranë, korrik 2007

KËRKOJ

Kërkoj në qiell dhe në dhe,
Kërkoj në diell dhe në yje,
Kërkoj dhe lart  përmbi re,
Kërkoj poshtë nëpër pyje.

Kërkoj dhe ku nuk kërkoj?
Në çdo cep në këtë botë,
Fusha  male i përshkoj,
Që të gjej një vend pa lotë.

Jam i lodhur, i trishtuar,
Nga brengat e kësaj jete,
Jetën  shkoj duke menduar,
Duke bredhur nëpër dete!

Kërkoj dhe pak dashuri,
Por atë nuk e gjej dot,
Nuk gjej dot pak mirësi,
Kërkoj dhe kërkoj më kot.

Botë, moj botë barbare!
Ti bari dhe ti o bujk,
Qytetarë dhe fshatarë,
Njeriu për njerin ujk.

Andaj sot  unë po mendohem,
Që më kot  të mos kërkoj,
Të mos lodhem, përgjërohem
Për atë që  dëshëroj.

Tiranë,  gusht 2007

DUA  TË  FLUTUROJ!

Dua shumë të fluturoj, lart në qiellin pa kufi,
Të kap Hënën, të kap Marsin,  universin pa kufi,
Drejt Venerës, Jupiterit dhe planeteve të tjerë,
Të zbuloj krejt gjithësinë, hapësirën  plot me  vlerë.

Kjo nuk është veçse një ëndërr, veç një ëndërr e rinisë,
Si ato lodrat me kuklla, ndezin fantazin  fëmisë,
Dhe tani që jam i plakur, tani që nuk kam  fuqi,
Sërish unë ëndërroj, sikur jam prapë  djalë i ri.

Nga kjo botë jam çuditur, hallakatur dhe venitur ,
Zemra nuk gjen qetësi, mendja ime e lajthitur,
Ndaj dua të fluturojë, fluturojë pa pushim,
Dhe ta mbyllë jetën time, atje lart në  fluturim.

Atje lart unë le të mbetem, gjithmonë duke fluturuar,
Larg nga brengat edhe hallet, në zemrën time trazuar,
Atje në qiellin e kaltër, atje ku dielli ndrin,
Dua që të mbetem unë, përjetësisht  fluturim!

Tiranë, gusht 2000

PABESIA

Unë të kisha ty si mik,
Të besova ndershmërinë,
Pse më tradhtove,  i lig?
Shkatërrove miqësinë.

Ku ke besën? Ku ke nderin?
I braktise pa mëshirë,
Në vend tyre zgjodhe terrin,
zhyte shpirtin n’errësirë.

Lolo tash je katandisur,
Nuk ke më as miq, as shokë,
Të gjithë të kanë braktisur,
Pse rëndon ti më mbi tokë?

Nuk e di a ke më zemër,
Nuk e di a ke ndërgjegje,
Që të zgjojë  te ty një sedër,
Që të japësh një përgjigje

Pse më dole i pabesë,
Kur te ty kisha besuar,
Kur te ty kisha shumë shpresë,
Të jetonim të nderuar?

Eshtë e ulët pabesia,
Paskëtaj do të rrosh kot,
Tradhëtinë njerëzia
E dënon kudo në botë.

Tiranë,  shtator 2008

DHIMBJE

Vargu im një pikë loti,
Që kullon nga zemra ime,
Jeta ime kot së koti,
Brenga, dhimbje dhe mjerime.

Dashurova plot pasion,
Me zjarr zemre përvëluar,
Shpirti im sot po kërkon,
Lumturinë e ëndërruar.

Seç luftova  për liri,
Desha jetë më të bukur,
Të mos ketë robëri,
Desha të jetoj i lumtur.

Porse rruga ish mbuluar,
Plot me hithrra edhe gjëmba,
Mos e prek, është e ndaluar,
Mos e lyp si ta ka ënda!

Ndaj dhe vargu im i ngratë,
Ropanisur, sëkëlldisur,
Mbeti në rrugën e gjatë,
Kur akoma s’kishte nisur.

Dhe kështu vargjet e mia,
Lulëzuar në rini,
Prisnin të lindte liria,
Të shpërthenin përsëri
.
Tash ajo po lulëzon,
Në çdo skaj për bukuri,
Zemra ime belbëzon,
Për liri, për dashuri!

Tiranë, nëntor  2010



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora