Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Vangjel Kapedani në gjurmët e të fshehtës

| E shtune, 30.06.2012, 11:17 PM |


NË GJURMËT E TË FSHEHTËS

Koleksionisti elbasanas i numizmatikës Vangjel Kapedani, një vlerë në historinë muzeore shqiptare

NGA PËLLUMB GORICA

Të portretizosh krijues, artistë, intelektual me vlera, të apasionuar pas thesareve të fshehta të historisë, të së kaluarës sonë është detyrim qytetar. Kjo, mendoj, ndodh me cilindo  që merr penën e shkruan me këndvështrimin e botëkuptimit për figura që kanë synime të qarta në jetë, pasionet e tyre për të bërë diçka ndryshe nga të tjerët, për të cilat shquhen, duke lënë pas gjurmë.

Në një nga mjediset e Bashkisë së qytetit të Elbasanit ndodhet studio e koleksionistit dhe numizmatikut Vangjel Kapedani. Ndonëse nuk më ishte dhënë rasti ta njihja më parë, për të kisha dëgjuar shumë nga miqtë e mi  krijues elbasanas, por edhe i informuar nga media e shkruar apo pamore për këtë koleksionist të veçantë. Me një dëshirë të hershme dhe kënaqësi të veçantë për të njohur nga afër atë dhe thesaret e tij u gjenda në studion e tij, një mjedis i vogël, por madhështor për nga pasuria e objekteve antike të koleksionit të veçantë. Syri përfshin një përzierje interesante gjetjesh tepër të rralla si antikuarë, objekte arkeologjike mijëra vjeçare, fetare, dorëshkrime, etj. Duhen ditë e ndoshta muaj, për të përshkruar e analizuar atë galeri zbulimesh të thesareve të popullit tonë që përfshihen në koleksionin e tij. Me pasionin e shenjtë dhe vizionin për veten ai është bërë i njohur gjatë viteve të fundit me koleksionimin e thesareve të vjetra edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ky pasion i ka dhënë aq shumë emocione dhe e ndjenë veten tepër të mrekulluar të këtij thesari magjik që e rrethon. Por i janë dashur pafundësisht sakrifica, vështirësi, shqetësime dhe, madje, duke u kërcënuar me jetën. Vangjel Kapedani me shpirtin njerëzor që e karakterizon i ka mposhtur këto vështirësi dhe ja ku ndodhet tani si zot i kësaj pasurie zbulimesh nga më të larmishmet. Dëshira, pasioni, përkushtimi i tij në mbledhjen dhe ruajtjen e vlerave të rralla historike dhe kulturore të vendit tone, nuk është rastësi. Ai u rrit me të dhe natyrisht ata u rritën të dy: pasioni dhe Vangjeli për gati mbi 40 vjet me radhë, qysh prej adoleshencës së tij. Ajo që dua të nënvizoj si diçka mjaft të rëndësishme është se ky pasion brilant i jep kuptimi jetës së tij.

Pas fjalëve të para përshëndetëse, që në vështrim të parë të krijohet përshtypja e njeriut të qetë, por ajo që të befason është përzemërsia e tij, dëshira e interesi kur flitet për lashtësinë, thesaret e kulturës sonë, botimeve të këtilla, kërkimeve dhe objekteve antike. Kjo të imponon respekt si  shenjë e njeriut me kulturë të gjerë. Me modesti nis të tregon për pasionin e tij, koleksionin dhe vlerat  e tyre. Sigurisht ke dëshirë të bisedosh gjatë me këtë njeri të përkushtuar, të thjeshtë e komunikues për të zbuluar sa më shumë sekrete të gjurmëve të lashtësisë.

- Është e vërtetë që pasioni të mban të ri, - të thotë ai me modesti. -Njeriu duhet ta ushqejë dhe të mos i ndahet, sepse ai të bën të lumtur. Gjej qetësi e paqe me veten kur merrem me gjërat të tilla. Sigurisht, ta realizosh këtë gjë, kërkohet përkushtim, dhe vështirësia tjetër se treguesi i gjithçkaje për këdo gjendet te vlera monetare.

Duhet të nënvizohet fakti, se koleksionisti, numizmatiku Vangjel Kapedani zotëron antikuarë me vlera, thesare tashmë të bëra të njohura në Shqipëri dhe jashtë saj. Ai nuk është kufizuar vetëm me koleksionimin e antikave, dorëshkrimeve, gjetjeve të rralla, por edhe si një interpretues i tyre, me shpjegime nga këndvështrimi i historik dhe i përqasjes së kohëve, kulturave, rëndësisë dhe ndikimit. Kjo tregon edhe erudicionin e tij, duke u dhënë rëndësinë e duhur që kanë këto zbulime autentike. Këto i ka studiuar me vëmendje të madhe, duke u konsultuar edhe me studiues, historianë dhe arkeologë. Në saj të kësaj pune ai është bërë mjaft popullor dhe i njohur. Prej kohës mbanë lidhje dhe ka miqësitë e tij me arkeologun Neritan Ceka, eruditin Moikom Zeqo dhe poliglotin Zef Simoni, të cilët e kanë ndihmuar mjaft në këtë drejtim. Herë pas here mjetet e informacionit masiv shkruajnë e flasin për zbulimet e ndryshme, vlerat, pasionin e tij, por hedh edhe dritë mbi lashtësinë e objekteve të ndryshëm. Njëkohësisht sensibilizon opinionin për të ruajtur këto thesare kombëtare, por edhe  edhe  kërkon më shumë interesim dhe preokupim nga studiuesit dhe institucionet përgjegjëse për gërmime të mëtejshme dhe ruajtjen e zbulimeve.

Koleksionet e tij interesante hedhin dritë mbi historinë e lashtë shqiptare. Kur e dëgjon tek tregon rreth tyre, gjen shumë arsye bindëse për fakte që i ka mbuluar heshtja. Sidomos pas viteve ‘90 kur shumë prej thesareve të rralla janë grabitur, shitur jashtë territorit të Shqipërisë, dëmtuar deri shkatërrimin total. Deshifrimi i gjetjeve kërkon njerëz profesionist. Vangjel Kapedanit nuk i mungon profesionalizmi në këtë fushë edhe pse e pranon me modesti që është amator.

- Ne kemi thesare që e vërtetojnë këtë kulturë, prandaj ndjejmë përgjegjësi t’i nxjerrim nga errësira e kohëve, t’i ruajmë dhe restaurojmë për t’u identifikuar si popull,- të thotë ai. - Ato janë dëshmitare të historisë sonë të lashtë dhe çdo gjetje e tyre tregon një epokë, një histori, por mjaft prej tyre janë akoma të padeshifruara.

Me këto fjalë ai jep edhe një mesazh për dëshmitë interesante të shkuarës tonë, për t’i mbrojtur e njohur sa më mirë pasuritë e pashtershme kulturore arkeologjike nëntokësore e mbitokësore. Me shumë kënaqësi të tregon për zbulimin e mozaikut paleokristian (në gërmadhat e një kishe të vjetër) në afërsi të Rrapit të Bezistanit në Elbasan, i cili sot është lënë pas disa muaj gërmimesh në mëshirë të fatit. Në gazetën “InfoElbasani” shkruan se gërmimi dhe zbulimi i këtij mozaiku është edhe një gërvishtje  e lehtë në historinë e lashtë dhe kulturën e qytetit të Elbasanit. Më tepër zbulimi i mozaikut është një dëshmi e njëmendtë për fakte të lashtësisë së Krishtërimit në Shqipëri dhe ky është një argument bindës për të vazhduar gërmimet. Ajo në një farë mënyre mbetet për ta zbuluar e kjo shikohet edhe në atë ç’ka është përfolur edhe nga studiues të tjerë për gjurmime të mëtejshme për të zbuluar thesare të tjera të fshehura kudo në Shqipëri.

Duke hyrë në të fshehtat e historisë së thesareve tona, që ndoshta për dikë janë të parëndësishme, po pasqyrojmë disa grimca nga gjetjet e tij të rëndësishme. Katër pllaka dylli të shkruara, që sipas studiusëve vendas por edhe të huaj i përkasin shekullit të III apo të II para Krishtit. Kupë e Shenjtë, gjendur para viteve ’90, që ka përmasa të tilla 145 x 99 cm e realizuar në një lëkurë keci. Për këtë zbulim ai shprehet se i është dashur një punë kolosale për ta pastruar e ruajtur. Po ashtu interesant është një kodik të shkruar me dorë, që i përket shekullit XV, deshifruar nga Zef Simoni. Interesimin e studiuesve e ka tërhequr edhe gjetja e një kryqi, që i përket kohës së lindjes së Krishtërimit. Koleksionisti Vangjel Kapedani zotëron edhe dy bibla; një e viteve 1700 e tjetra në mesin e viteve 1800. Për të cilën, siç shprehet ai, po interesohen studiues nga Izraeli. Ato ishin të veçanta  sepse ishin larë me ar. Ndërkohë, teksa aludon në lidhjen me hebrenjtë, shprehet se prania e tyre e lashtë në Elbasan nuk është e panjohur. Ky përcaktim mund të jetë më i saktë kur dihet mirë që hebrenjtë kanë pasur objekte të tyre të kultit. Aty kanë ndërtuar disa sinagoga. Rruga “Egnatia” ishte një itinerar që bënte të mundur kalimin e mjaft udhëtarëve të kombësive të ndryshme, duke përfshirë edhe hebrenjtë. Janë fakte të pamohueshme, për të cilat deri tani shumë pak është shkruar. Kur flasim për këto gjetje interesante mendja të shkon tek ata mjeshtra që i kanë gdhendur, punuar, adhuruar, sakrifikuar e ruajtur, në përditshmërinë e jetës së tyre. Ato hedhin dritë në kohët dhe shekujt që i ka mbuluar harresa.

Njerzimi e ka shkruar historinë shekullore me punën, simbolet dhe krijimtarinë e tij. Kultura është shprehje e shpirtit të pasur që ka jetuar, besuar, krijuar, adhuruar, trashëguar thesaret. Kështu që, vlerat e ekzistencës së nuk duhet të harrohen. Na duhet ti deshifrojmë e konservojmë ato për brezat që vijnë. Ata që janë dhënë me mish e me shpirt për ta kryer dhe lënë gjurmë në jetën e tyre e kohës, janë vlerë e rëndësishme e misionit njerëzor. Vangjel Kapedani është një vlerë e jashtëzakonshme e historisë muzeore shqiptare. Ky thesar lashtësie i grumbulluar prej vitesh me sakrifica të pallogaritshme, që dergjet në atë mjedis të ngushtë të ruajtur me fanatizëm nga zotëruesi dhe zbuluesi i tij, i bën nder racës sonë kombëtare, historisë dhe kulturës.