E enjte, 18.04.2024, 01:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Roland Gjoza: Një zonjë, një shkrimtare, Albana Lifschin

E shtune, 30.06.2012, 08:35 AM


NJË ZONJË, NJË SHKRIMTARE, Albana Lifschin

- Roland Gjoza, për librin e Albanës - “Magjia e një Zëri”-

Edhe letërsia është me fat. Jeta jote bëhet tregimi yt. Një ngjarje, gjithsesi e dhimbshme, përcakton drejtimin përfundimtar, jo jashtë, po brenda vetes, në një izolim e vetëflijim me dashje. Të bësh një udhëtim të gjatë, gati pa fund për të takuar një gjysh të shquar, që ka qenë për 45 vjet ankthi i fisit. Një gjysh të perzënë dy herë nga atdheu, në pushtim dhe në çlirim të tij. Mjaft intriguese, pa përjashtuar tragjedinë. Një udhëtar që ka jetuar me gjysmën dhe është vënë në kërkim të gjysmës tjetër. Padashur u prek e u nuhat bujshëm tharmi i një arti që flinte në guaskën e një margaritari. Ky udhëtar nuk pati fat të jetojë me këtë gjysh, sepse ai tashmë nuk jeton më, kujtimet e tij shkuan bashkë me të, ai la vetëm tymin e tyre, se zjarri ishte shuar. Vatra tjetër në dhe të huaj ishte e ftohtë. Këtë gjeti udhëtari. Asgjë më. Po letërsia është iluzioni i vërtetë. Vetëm ajo mund të përsërisë botët e vdekura. Në qoftë se ekziston nostalgjia. Filloi të ngjizej ky iluzion i pamposhtur dhe të bëhej një përpjekje për bashkimin e dy gjysmave. Në këtë grackë të bukur dhe tejet tragjike u kap ky udhëtar. Ishte vetëm, krejt vetëm dhe kjo e ndihmoi. Se letërsia nuk do dëshmitarë, pritës, përgjues, ajo ngjizet në terrinat e brëndshme dhe shfaqet ose nuk shfaqet.

Një udhëtar i vetmuar në një super-metropol që kërkon t'ia nis nga e para rikrijimit të fisit. Të paktën në letërsi. Aty ndjehet më e sigurtë. Po ka punë me të mëdhenjtë. Ata s'duan t'ia dinë për fis, traditë, amanet, nostalgji, sepse letërsia është fat. Sepse letërsia është kaq e përkorë dhe lojcake, kaq e vështirë dhe e panënshtrueshme, sa duhet të dështosh dhe vetëm të dështosh, pra të ndjehesh i humbur dhe në cakun final, kur duhet të dorezohesh përfundimisht, ajo fare papritur, në një ditë të zakonshme, të  jep suksesin që të duket i huaj.

Këtu fillon keqkuptimi. Keqkuptimi i madh. Në kohën që shkruaje, s'dije ç'bëhej përjashta, merreshe me veten, nënshtroje bishën, një bishë të re, të pamposhtur, bije në ujdi me të, po nuk arrije kurrë një marrëveshje. Kjo ishte lufta e nëntokës nëpër terrinat e brendshme. Sapo u arrit njëfarë marrëveshje dhe fillove të shikosh botën përqark, në vend të një tufe me lule, gjete gjarpërinjtë. Të gjithë t'u hodhën në grykë sikur ti të kishe bërë mëkatin më të madh. Ti vetëm sa kishe nënshtruar bishën. Pra, kishe arritur suksesin e parë. Vetëm pse ti ishe fitimtare, lëndove padashur të dështuarit e sukseseve të mëdha, të vetëshpallurit.

Kjo bota përjashta ishte tejet e komplikuar. Gati nuk të do njeri. Atëhere ti sërish i kthehesh terrinave të brendshme dhe aty vazhdon e merresh me bishën e bukur, me iluzionin e dy gjysmave që u bënë tre. Sepse kjo botë ku je është e treta dhe ca më fort ke punë me të.

Ti nuk e kupton se ku qëndron ai sekret që pëlqehesh dhe s'pëlqehesh, që mahniten me ty dhe tërbohen nga helmi me ty. Po të ecën. Kjo është çeshtja.

Po e ndjej të nevojshme të them më pare, se për kë po flas. Për një zonjë, një shkrimtare, Albana Lifschin.

Njeriu kur shkruan nuk di si shkruan. Aty zbulon dhe stilin e tij. Ky jam unë, pëshpërit dhe po s'ra në dashuri me këtë shujte letrare që nxorri në dritë shkrimi i tij, asgjë nuk realizohet si duhet, po edhe po se mallkoi, prap asgjë nuk realizohet. Shkrimi është dashuri dhe mallkim bashkë, është tradhti për heqje dore dhe betim për bashkim të shenjtë e të përjetshëm. Në këtë përzierje kundërtish morale ngjizet pavetëdijshëm, shfaqet nga errësira në dritë një krijese iluzioni. Sa më shumë merresh me të, aq më të mëdha janë sakrificat.

Pastaj vjen hollësia e zejes. Hollësia është ai mekanizmi i komplikuar dhe perfekt i orës Omega. I pagabueshëm me kohën. Korrekt dhe i përpiktë. Kjo përsosmëri e ndjek shkrimtarin gjithë jeten me pandehmën dhe zhgënjimin bashkë. Here-herë duket sikur u arrit, po më të shumtën e herëve ky është vetëm një iluzion. Po vetë fakti që ai shkon drejt përngjasimit të vet, jo gjasmimit, e lidh atë më fort pas ëndërrës së suksesit. Kjo tentativë i shton atij shanset, po nuk siguron gjer në fund përmbushjen e ëndërrës. Vetëm kjo përpjekje ia vlen.

Një prozë e thjeshtë, e ngrohtë, e shpejtë, lehtësisht e kuptueshme, plot të papritura. Me një lojë të butë kontrastesh, pa dramacitetet përvijues, por plot lirizëm të përmbajtur, me një stil vrojtimi ekzigjent, që rrëmon vertikalisht ca skuta të imta që të çojnë  te marrëdhëniet e mëdha. Një prozë e drejtpërdrejt, e buruar, jo e paramenduar dhe e stisur, një rrëfim i çiltër i një shqëtesimi që ndahet në dy, me intimitet trazues.

Kjo bie ne sy tek tregimet më të mira " Basti i kuajve", "Lypësi i metrosë ", "Fejesë në Halluin ",”Natë vere në  Zyrih”  “Magjia e një zëri”  “Rethi i Kolombit”, " Dashnorë të varfër "etj.

Shpesh e me shpesh flitet për fjalën, për dhimbjen e saj. Në letërsinë e konsumit fjala është utilitare, i shërben qëllimit thjesht transmetues dhe vlen për një lexim të rrafshtë, linear. Kjo lloj letërsie e lehtë mbush sot vitrinat e bestsellerit. Po ekziston dhe letërsia tjetër, ajo që pretendohet të lexohet për një kohë të gjatë, ndoshta të shijohet më shumë në kohë të mëvonshme, siç ndodh me shkrimtarët e mëdhenj. Kafka, Dostojevski, Prusti, Xhojsi, ku fjala përshfaqet me të gjitha facetat e diamantit, fsheh mistere si tek shkrimet e shenjta, është  e tërëmbushur me kode profetike. Këto janë dy rrugë me një kryqëzim në mes. Aty qëndrohet dhe hidhet hapi, hapi i fatit. Në këtë ndalesë e shikoj shkrimtaren. Aty ka shumë tabela orientimi, po ato s'vlejnë. Je i paracaktuar ç'rrugë do të marrësh. Fuqia e artit është te misteri yt. Ne qoftë se e ke misterin. Dëgjojmë shpesh të  thonë se i janë kthyer rileximit, bie fjala, dikush po lexon për të dhjetën herë "Zonja me kone" të Çehovit dhe  zbulon aty papritur gjëra të reja, që s'i ka vënë re më parë. Ky është nderi i letërsisë, rikthimi tek ajo. E kemi gjetur veten në kafe duke i mburrur një shoku që s'është aty ( sa mirë që ata s'janë ) një tregim që na ka bërë përshtypje të madhe. Papritur kemi kapur në mënyrë të vagullt atë përkim me këtë të vërtetë magjepëse, joshjen për një rilexim. Sepse atje fshihet një mister. Dhe ne duam ta zbulojme. Dhe nuk ia arrijmë. Unë i kam lexuar nga dy- tri herë tregimet e Albanës, sepse kam dashur të zbuloj.

Më ka bërë përshtypje përjetimi i saj si për herë të parë i gjërave me një lloj naiviteti të moralshëm. Ajo botë që bën majë në fejesën e Halluinit, në ditën e shtrigave dhe vampirëve, është kaq e ndryshme nga bota jonë, sa të duket se ndodhesh në një botë kaosi. Një marrëdhënie morali e bazuar në mëkatin e shkeljes së kurorës, jo njëherë, po disa herë, pa shkaktuar drama.Të gjithë, përveç brezit të vjetër, janë martuar sërish e sërish janë ndarë, e këto lidhje konstatohen me gjakftohtësi, sikur të flitet për një lojë golfi. Autorja është aty, vë buzën në gaz me një dhimbje të sinqertë. Pikërisht kjo dhimbje përplot befasi mahnitëse që t'a shkakton integrimi në një shoqëri të re me një mentalitet tjetër, i cili të imponohet dhunshëm ( ashtu të duket, sepse ti e ndjen këtë dhe me një mbresë fizike) ka një lexim të dyfishtë. Përshtatja e vështirë dhe kontradikta e brëndshme me të, përballet me një pasivitet inteligjent, që ofron më shumë se morali; paanësi vrojtuese, efekt tronditës emocional.

Në këtë libër është Amerika, si e shikon autorja, e pandikuar nga të tjerë, janë kontaktet e saj të përditshme, lidhjet me familjen amerikane ku bën pjese si një emigrante me dramën e dyzimit të identitetit. Ky është një vend me demokraci të madhe ku në biblën e historisë së saj e para fjalë është emigrant. Nuk ka histori në botë që të fillojë me këtë fjali kaq të thjeshtë demokratike ala Uollt Uitman "Historia e Amerikës është krijuar nga emigrantët "Nuk është pak të jesh shkrimtar në këtë vend.

Pikërisht në këtë libër bëhen më të prekshme temat amerikane, dalin më qartë problemet, dënduria e hollësirave psikologjike të familjes, zvetënimi e degradimi i mentalitetit të vjetër të mënyrës së jetesës, përmbysja e një sistemi të tërë marrëdhëniesh dhe formësimi dramatik i lidhjeve moderne përplot rreziqe morale, por dhe novacione përtëritëse.

Shkrimtaren e mahnit pleqëria, kjo rini e dytë amerikane. Ajo që na rrëfen autorja te tregimi " Sekretet e moshës " është si një spektakël i ngjyrshëm, sa dramatik aq dhe gazmor, po gjithsesi optimist e i çuditshëm. Një vjehrrë amerikane që jeton vetëm dhe bën zakonet e një riosheje të dashuruar, vitet që i kanë mbetur janë vite rinie, përgatitje për një dashuri të re. Ajo çdo ditë e ka të zënë me lidhje delikate njerëzore. Dhe të mendosh se ajo i ka mbushur të 90-at. Një nga karakteristikat spektakolare të kësaj Bote të Re, optimizmi i jetës, këtu merr përmasa proverbiale. Këto hollësira e imtësira të lidhjeve e marrëdhënieve që zbulojnë një botë krejt tjetër nga ajo e jona, përbëjnë atë mekanizmin e orës Omega, që përmenda pak më sipër. Si ecën kjo orë? Eshtë perfekte? Ajo mat kohën, kohën e shpirtit, kaq mjafton, të tjerat janë punë të mjeshtrisë, që s'ka fund.

Nga libri në libër Albana Lifschin ka zbutur tregimin, këte kalë të hazdisur gare."Kafe Shkodra e Nju Jorkut" është libri i parë, sprova e realitetit të ri me nostalgjinë. Ngritja është shënuar me dy librat e fundit"Takim  me të papriturën" dhe "Ura mbi oqean".

Autorja punon në një zyrë avokatie në Manhattan, njëkohësisht jep mësim në një kolegj. Po mbi të gjitha është pjestare e një familje amerikane. Tre këto burime faktesh e hollësish jetësore i kanë sjellë prozës së saj të shkurtër një tharm të freskët. Po nuk duhet të harrojmë dhe gjyshin e saj, patriotin e madh, preteksti sue generis, që ajo të vinte në Amerikë. Këto janë rrethanat që e kanë përkëdhelur autoren, rasti dhe fati i saj. Nuk mund të shkruhej ashtu si rastësisht tregimi i mrekullueshëm  "Nate vere në Zyrih". Po as tregimi tjetër " Lypësi i metrosë ". Në të parin është thjeshtë trazimi delikat i një lidhjeje të konsumuar, një zhgënjim fin, një përjetim krejt vetjak, i zbuluar me mjeshtri. Në  të dytin stresi i përditshem i jetës së tensionuar amerikane. Ky është një vëzhgim i hollë me një grafikë të spikatur dramatike përplot sens, rrëfimi është i drejtpërdrejtë, i shpejtë, i lehtë në të kuptuar, ruan një sensasion në fund.

Ritmi i tregimit në këtë libër lidhet me emocionin. Shkurtësia i ka lënë vendin ekspresivitetit. Suspansi bën majë veçanërisht në tregimet me funde të papritura ala O'Henri. Në tregimet më të mira nuk e di se ku do të dalë autorja, fillimi nuk dekonspiron dhe fundet jane të mbushura me gjetje befasuese “Rrethi i Kolombit, " Basti i kuajve ", Magjia e një zëri", "Dashnorë të varfër".

Shkrimtari është gjithmonë në kërkim të formës. Ajo e mundon më shumë. Realiteti i ndritshëm, terrinat e brendshme të shpirtit, marrëdhëniet delikate e të rrezikshme, stresi, optimizmi i jetës, aventura e përditshme dhe e përjetshme për t'i këputur dhe një ëndërr tokës dhe qiellit, emigranti, dyzimi i identitetit, familja amerikane, vijnë me gjetje të qëmtuara me delikatesë dhe emocion në faqet e këtij libri.

./.

Nju Jork, tetor 2008



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora