Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Turq, boshnjakë dhe shqiptarë!

| E diele, 01.07.2012, 06:10 PM |


Turq,  boshnjakë dhe shqiptarë!

Nga Elvi Sidheri

Ç’ne ky titull do pyeste dikush veten?

Normale, pikëpyetje legjitime, sepse në të vërtetë neve s’do të duhej të na lidhte as edhe një gjë me ato dy elementet e parë të titullit të këtij shkrimi.

Por ja që na lidhin për fat të keq mjaft gjëra, shumë fije të dukshme e të padukshme, shumë copëra kulture të kalbur e botëkuptimesh të përafërta,

Deri diku feje e litarësh të tjerë që mbajnë të kapur ende fort këtë treshe ku bëjmë pjesë fatkeqësisht edhe neve.

Ka njerëz të shumtë nëpër Europë, të cilët po ashtu këtë treshe popujsh, e shohin si një rrjedhojë llogjike, si diçka pazgjidhshmërisht të lidhur, si një familje e si një kuadër ku secila pamje integrohet shkëlqyeshëm me tjetrën, duke krijuar kështu pikturën “alla turka” të mbetjeve osmane në Ballkan.

Ndaj edhe fati ynë si popull shqiptar, jo rrallë është takuar e bashkuar me jo vetëm atë të turqve, por rëndom edhe me atë të boshnjakëve.

Unë shpesh në shkrimet e mija e përmend me përçmim lëvizjen sulltandashëse DumBabiste të pas pavarësisë shqiptare.

Dhe kjo gjë nuk ndodh fare rastësisht.

Sepse në atë kryengritje dhe kulisat që fshiheshin prapa saj, qëndronte dora e rëndë gjakatare osmane dhe ata të cilët me më tepër ëndje ju vunë prapa qerres anadollake dhe të cilët i vunë zjarrin Shqipërisë së mesme, ishin ca muhaxhirë boshnjakë, të cilët burimet sidomos italiane të asaj periudhe, i tregojnë si më të zellshmit në krye të asaj lëvizje bastarde.

Ata njerëz kishin ardhur nga Bosnja, thuhet pasi Austro-Hungaria e kulturuar dhe e qytetëruar ua mori osmanëve Bosnjen dhe Hercegovinën.

Më pas siç bëhet shpesh edhe me të tjera ngjarje, plasin legjendat se si ata ranë në tokat shqiptare.

U prishën anijet që i çonin për Stamboll, a u doli ndonjë shenjë perëndie në ëndërr që u tha se fushat pranë detit Adriatik në brigjet shqiptare do të ishin vendngulimi i tyre i ardhshëm, por sidoqoftë përfundimisht ata u vendosën në trojet tona.

Teoritë e konspiracionit të cilat aq shumë u pëlqejnë filoturqve apo mëkëmbësve të tyre, do të na bënin të mendonim se në mos në marrëveshje me ta, qoftë edhe në kokë të vetë, turku mund t’i kishte planifikuar t’i linte prapa si një lloj mbështetje e ardhshme në shërbim të  politikave të tij kundrejt nesh shqiptarëve, por edhe kjo gjë mbetet për t’u verifikuar.

Ajo që dihet dhe gjen faktim të qartë historik, është se gjatë asaj kryengritje famëkeqe, pikërisht elementi boshnjak-muhaxhir prezent në trojet tona, ”shkëlqeu” në angazhimin e plotë në favor të kauzës sulltanase.

Haxhi Qamili, të cilit historia i vesh me të drejtë një mori fajesh, mëkatesh dhe krimesh antikombëtare, në të vërtetë ishte vetëm një copë analfabet injorant, dallkakuk dhe kryesisht tipi i personit pa as edhe një vlerë të vetme, të cilin rrjedha e vrullshme a atyre ngjarjeve të zeza për Shqipërinë dhe shqiptarët,  e mori përpara.

Tipi i njeriut i cili gjendet në vendin e duhur, në kohën e duhur!

Vendi i duhur, periferia aktuale e Tiranës, pra Sharra dhe koha e duhur viti 1914-të.

Them se ai vinte nga vendi i duhur sepse Sharra ndodhej në një nga zonat me lëvizje më të fortë pro-sulltanase në Shqipëri.

Zonë me shumë tradita atdhedashëse dhe përparimtare, por njëkohësisht edhe një rajon me prezencë të vjetër dhe të shtuar turke apo turkofile.

Po të kujtojmë rrethimet e mëdha të Krujës 500 vjet më parë, jo rrallë shikojmë se turqit ngrinin kampet e stërmëdha të hordhive të tyre vrasëse, pikërisht në fushën e Tiranës.

Është e qartë që si pasojë e politikës së pastër shfarosëse të ndjekur gjatë secilës fushate osmane në Arbëri dhe përgjatë secilit rrethim të kryeqëndrës arbërore, popullsitë shqiptare të asaj zone kanë qenë ndër më të goditurat nga jataganët e topuzët turq.

Më pas dihet shumë mirë me të dhëna të pakundërshtueshme historike, se të gjithë banorët e Krujës, pas dorëzimit të qytetit në 1478-ën, përfunduan në tehet e mprehta të shpatave turke, të vrarë një për një, të therur dhe kështu muret e asaj kështjelle u lanë dhe mbytën në gjak arbëror dhe popullsia e saj u asgjësua totalisht.

Po ashtu në lindje të Arbërisë Svetigradi  pati rënë pas një rrethimi dhe mbrojtje heroike në vitin 1448-të dhe më pas edhe në jug Berati ishte humbur diku në vitin 1450-të dhe pati mbetur përfundimisht në duar turke pas rrethimit të pasuksesshëm të vitit 1455 dhe humbjes së vetme të Lidhjes së Lezhës ndaj turqve.

Në viset bregdetare perëndimore arbërorë, me përjashtime të vogla si Kështjella e Rodonit, gjithë bregu dhe qytetet e fortifikuara kontrolloheshin nga venedikasit.

Pra e gjithë kjo do të thotë se sulmet dhe furia vrasëse turke përqëndrohej drejt asaj që sot njihet si Shqipëria e mesme dhe kryekështjella e arbërve, Kruja.

Ajo zonë për disa dhjetëvjeçarë, për aq sa zgjati rezistenca e Skënderbeut dhe njerëzve të tij ndaj turqve, mbeti pjesa më e goditur dhe e sulmuar pamëshirshëm nga osmanët dhe padyshim popullsia arbërore e atij rajoni mund të ketë qenë më e tronditura numerikisht si pasojë e atyre ngjarjeve.

Më pas, regjimi pushtues osman, që nuk arriti gati asnjëherë të depërtojë në vise malore apo të largëta dhe të mbrojtura natyralisht si Mirdita apo Bregu në jug, sidoqoftë u instalua me gjithë shpurën e oficerëve, drejtuesve, bejlerëve, agallarëve, myftinjve, mullahëve, eunukëve, haremeve dhe kompanisë së tillë, në qytetet kryesore shqiptare dhe po ashtu edhe në zonën e Shqipërisë së mesme.

Në fund andej nga 1878-a, vërshuan edhe muhaxhirët e sipërpërmendur të Bosnjes dhe njolla osmane në hartën e zonës u përhap edhe më tepër.

Haxhi Qamili shqiptar nga gjaku, vinte pikërisht nga ai rajon.

Dhe ai s’bënte pjesë tek borgjezia e re moderne e Shqipërisë së mesme, as tek patriotët e shquar të Elbasanit, Tiranës apo Durrësit, tek ata që ngritën flamurin në 1912-ën në Tiranë si Abdi Toptani e Muhamer Agalliu, apo si Aqif Pashë Elbasani i cili mbuloi detyrën e ministrit të brendshëm të qeverisë së Princ Vidit pikërisht gjatë kohës së shpërthimit të kryengritjes së fekaleve filo-osmane DumBabiste të 1914-ës.

Ky njeri i shquar bashkë me elbasanas të tjerë atdhedashës si  Ahmet Haxhi Sinani apo Sava Papajani e Simon Shuteriqi, u dalluan më parë si aktivistë të palodhur të lëvizjes kundërosmane dhe më pas u përpoqën që të ringrenë në këmbë autoritetin shqiptar në mes të Luftës së Parë Botërore.

Për këtë njeri shtypi i kohës shkruante:...”Me gëzim të madh sot po botojmë fytyrën e atdhetarit të çkëlqyer, Aqif Pashë Elbasanit, i cili atdhetarismën e provoi dyke vënë... ndë rrezik kaqë herë dhe jetën e tij.Këtë burrë besnik tërë populli shqiptar e adhuron dhe pret nga ay dhe shumë shërbime të tjera.Sot ndodhet për shërbim të atdheut ndë Elbasan.....”!

Ky njeri i mprehtë, diplomat dhe i cili i shkriu gjithë kontributin e tij jetësor, ashtu si edhe pasurinë familjare në të mirë të çështjes kombëtare dhe vendit të vet, në fund pasi me këshillat e tij ndihmoi që të ruheshin të paktën kufinjtë e shtetit shqiptar të përcaktuar nga konferenca e Londrës, vdiq në vitin 1926.

Këtë atdhetar fjalët e fundit në vlerësim të figurës së tij patriote e quanin si :”një njeri pozitiv......duke e përjashtuar nga bejlerët dhe pashallarët e liq”!

Duke u kthyer tek Haxhi Qamili, siç thotë Mit’Hat Frashëri :”Esadizma mori frymë dhe trup nën një trini apokaliptike; Esat Toptani, Myfti Musa Qazimi dhe Haxhi Qamili, tre krerë të një hidre që përfytyronin ambicionin, tradhëtinë dhe lakmimin, fanatizmën e verbër dhe injorante nën maskën e fesë, marrëzinë brutale jo në figurë letrare po reale”.

Pra ky Haxhi Qamili bënte pjesë aktive në këtë treshe, me merita të plota, por roli i tij ishte sidoqoftë i stisur dhe i mbivlerësuar.

Ky person, pati qenë siç thonë burimet e kohës :”në hekura si i prishur mendsh”!

Por ajo kohë për të cilën po flas, nga Mit’Hat Frashëri shpjegohet edhe kështu:”Në atë mot Shqipëria u bë dëshmonjëse e një sendi të paparë gjer atëherë; agjentët e Greqisë dhe të Patriarkanës të lidhur ngushtë me “fetarin” Musa Qazim; njerëzit që pretendonin se luftonin për din e dovlet (turkomanët e shumtë i kuptojnë këto shprehje anakronike) bashkëpunojnë me çetat destruktore greke; Esadi dhe partizanët e tij të “Sadai Mil’letit” bëhen vegla të shqehve dhe grekëve”.

Çfarë nevoje ka për më tepër fjalë të shkoqitura se këto rradhë të arta?

Kjo ishte periudha e fundit të sundimit turk mbi ne shqiptarët, një kohë kur turkoshakët e shumtë ngritën krye në mënyrë të armatosur për të fundit herë, duke kërkuar me zë të çjerrur sa “u dilte rryli i fytit”-(të bërtasësh me forcë sa të ikën zëri, në dialekt tiranas), kthimin e ndonjë palo sulltanuci osman të rënë nga fiku tashmë që vetë Perandoria Osmane ishte rrënuar njëherë e mirë.

Një kohë ajo, ku ndërthureshin perfektësisht arsyet dhe motivet e këtij shkrimi të sotshëm!

Kohë me turq, boshnjakë e shqiptarë, filo dhe anti-turq.

Vendlindja e Haxhi Qamilit, njeriut që përfaqëson dhe personifikon mrekullisht vegjëlinë orientaliste, të pagdhendur dhe përjetësisht turkdashëse shqipfolëse, ishte për rastësi Sharra e Tiranës.

Aty ku sot ndodhet për konçidencë edhe “varreza” më e madhe e kryeqytetit!

S’do mend, që aty ku lindi kjo monstër e vogël e antishqiptarizmit dhe e filoturqizmit, sot vetëm një varrezë mund të gjendej.

Sepse në varr desh përfundoi Shqipëria dhe pavarësia bashkë me të ardhmen e saj, si pasojë e bëmave të Haxhi Qamilëve dhe frymëzuesve të tyre esadistë e sulltanistë-osmanistë!

Shqipëria e mesme e atëhershme u kthye në një varrezë të madhe ku vdekja kapte çdo patriot e nacionalist shqiptar anti-turk të cilët guxonin të dilnin kundër fondamentalizmit anadollak.

Po ashtu, përmendorja e vetme e denjë për veprat dhe katrahurën e shkaktuar nga Haxhi Qamilët, është dhe do të mbetet sigurisht vetëm një VARREZË!

Të kemi të bëjmë këtu me një rastësi të fatit, apo me dorën e mistershme të diçkaje të mbinatyrshme, që ka vendosur të bëjë një varrezë, aty ku u lind drejtuesi fantomatik i revolucionit turkoman të atyre viteve, kjo gjë kurrë s’do sqarohet, por fakti që vendilindja e tij ndodhet e mbuluar nga një varrezë, të jep përshtypjen e një lloj shpagimi historik për bëmat e tij.

Në të kundërt, edhe një WC publike s’do të kishte qenë keq, por të mjaftohemi me këtë rreng të bukur që Zoti a historia i ka bërë atij palaço njeriu.

Shqipëria që doli akoma e gjallë pas asaj kryengritjeje DumBabiste, ishte thellësisht e plagosur, e gjymtuar dhe e copëtuar.

Duke cituar edhe njëherë të madhin dhe mendjendriturin Mit’hat Frashëri:”Barka e Shqipërisë kishte mbetur pa komandant, pa timon, pa rema, e lëkundur në një det të shfryrë, e rrahur prej tallazeve të pasionit.Në këto kondita çdo organizim, çdo politikë ishte e pamundur. Populli rënë në mizerje e anarki, po priste ngjarjet në mënyrë pasive, pa zhvilluar dot asnjë vullnet”!

Po qe se sot, varka e Shtetit Shqiptar, mund të konsiderohet se deri diku ka nisur të notojë në drejtimin e saj, me komandant e rrema në një det sado të trazuar, sidoqoftë anija e shqiptarisë, është ende në po ato ujëra që përshkruan mjeshtërisht ky citat.

Një popull akoma pranë mizerjes, që jeton në një gati anarki politike, në kushte ku çdo organizim dhe politikë në të mirën e tij, pra të popullit, është ende e pamundur!

Një popull përjetësisht pasiv në veprimet dhe qëndrimet e tij, i cili pret dhe vetëm pret, pa ditur kurrë që të zhvillojë një vullnet të tijin autentik dhe të padrejtuar dhe orientuar nga autoritetet politike përmbi të.

Një popull i mbetur akoma pre i valëve të një deti vazhdimisht të trazuar.

Në një varkë pa rrema e drejtim të përcaktuar, në dorë të erërave të ndryshme që këtë varkë shqiptarie e përplasin nga munden nëpër shkëmbinj të thepisur vdekjeprurës turq e osmanë, por edhe nëpër ishujt e Helladhës a deri tek brigjet e shkreta të Arabisë dhe Iranit, andej nga “Ura e Qabesë”, ku siç thonin dikur vargjet, venin e vdisnin nizamë të rinjtë shqiptarë, duke luftuar për turkun.

“Mbeçë more shokë mbeçë...përtej Urës së Qabesë, falëm me shëndet nënesë ”-thoshte ajo këngë vaji shqiptare!

Deri aty kanë përfunduar shqiptarët duke bërë luftën e turqve, të më thotë dikush ç’donin të rinjtë tanë në ato vise të djerra, të largëta e të vdekshme për çdo të huaj?

Po ja, do na dalin turkomanët e rradhës dhe do na thonë se ata luftonin për “madhështinë” e supozuar  të perandorisë së turqve!

Po me mbijetesën e vendit të tyre Shqipërisë ç’bëhej ndërkohë që ata shqiptarë linin kockat për turkun, në Arabi, Azi e Misir (Egjipt)?

Çfarë fitonte Shqipëria nga kjo gjë?

Humbte të rinjtë e saj, prapambetej dhe zhytej thellë e më thellë në gropën e qelbur thithëse të zgjedhës osmane dhe i largohej me hap galopant përparimit dhe iluminizmit europian, duke u injorantizuar, katundarizuar dhe verbëruar deri në palcë!

Në vazhdë të kësaj ideje po më kujtohen vargjet e një bejtexhiu të njohur shqiptar.

Hasan Zyko Kamberi thoshte:”Nizamë e xhelepë s’ka, është populli fukara”!

Dhe të thuash se bejtexhinjtë, përgjithësisht lëvronin një kulturë shkrimi dhe krijimi tipike osmano-turke!

Ata përdornin alfabetin arab për shkrimin e shqipes dhe vargjet e tyre i kishin të mbushura dëng me fjalë të pafundme turke.

Por edhe atyre u kishte ardhur në fyt shtypja dhe sjellja e turqve ndaj shqiptarëve.

Sepse turku merrte të rinjtë shqiptarë dhe i vërtiste në zonat më të humbura dhe të largëta të perandorisë, i linte andej për dhjetëra vjet dhe në shumicën e rasteve as që u binte më të ktheheshin të gjallë mbrapsh në vendlindjen e tye ndonjëherë.

Ja çfarë thotë Çajupi i madh për shembull për Misirin:”Fushë, fushë dhe fushë prapë, fushë e pasosur dhe shumë vapë”.

Mënjanë që në Misir-Egjipt sundonte një familje pashallarësh shqiptarë me origjinë nga jugu i vendit tonë, të cilët ishin gati komplet të pavarur nga sulltani dhe Porta e Lartë në Stamboll dhe që si rrjedhojë aty ishin strehuar mjaft shqiptarë.ky sidoqoftë është një përshkrim perfekt i cepave të perandorisë nga hidheshin shqiptarët prej turqve.

Por Çajupi u zgjuar dhe me humor largpamës shkruante dhe kështu në vjershën “Punërat e Perëndisë”...:

”Kur bëre derr’ dhe arinë,

Ç’deshe që bëre Turqinë?

Se të mos qënkej kjo farë,

bota do të vinte më mbarë,

dhe do të lulëzonte,

Shqipëria do t’gëzonte”.

Për t’u rikapur me fillin e shkrimit, i cili ndër të tjera flet edhe për boshnjakët, po kaloj tani sërish tek tema e tyre.

Ata supozohet të rrjedhin nga një grup sllavësh të quajtur Bogomilë, njerëz heretikë të persekutuar njëkohësisht sa nga serbët e krishterë ortodoksë e po aq nga kroatët katolikë.

Të dhënat e lashta, të cilat flasin për ardhjen e sllavëve në Ballkanin e sotëm, nuk të lënë ndonjë informacion të qartë për ta, pasi aty flitet vetëm për serbë, kroatë dhe sllovenë nga njëri krah.

Në krahun tjetër ishin shumë fise të vogla sllavësh të cilët më pas u përfshinë në etnicitetin e quajtur më vonë bullgarë, për shkak të mbisundimit të fisit turk të egër të bullgarëve mbi ta, të cilët më vonë u shkrinë me elementin mazhoritar sllav dhe krijuan kombet e sotme bullgare dhe maqedonase.

Bullgarët patën disa perandori të forta, me Car Borisin, Car Samuilin etj. përveç Khanëve të tyre të parë si Asparuhu e Krumi.

Ata u shtrinë për një kohë të gjatë edhe në territorin tonë shqiptar dhe kështu shpjegohen edhe emërtimet e shumta sllavo-bullgare në rajonet e Shqipërisë.

Emërtime që kryesisht u pranuan nga popullsia vendase edhe si kundërvënie dhe si pretekst për shmangie ndaj taksave të autoriteteve bizantine grekofone, duke zgjedhur kështu mburojën bullgare për arritjen e këtyre qëllimeve nga banorët shqiptarë të asaj kohe.

Serbët patën mbretëritë dhe perandorinë e tyre dushanase jetëshkurtër.

Kroatët patën po ashtu disa zhupanate të tyre të pavarura para se të hynin në shtetet e mëdha hungareze e austriake.

Sllovenët prapë gjenden të përmendur historikisht si pjesë e rajoneve me dominim gjerman apo austriak.

Ku janë boshnjakët në këtë mes, një Zot e di!?

Dihet që këta ish-bogomilët gjetën strehimin ideal tek pushtuesit e rinj turq dhe feja e importuar prej tyre.

Ata kthyen masivisht fenë dhe nisën të dallohen nga serbët dhe kroatët me të cilët ndanin tradita dhe histori të ngjashme përveçse një gjuhë të njëjtë.

Gjatë sundimit turk, ata u kthyen në bejlerë, çifligarë, agallarë e mëkëmbës të çfarëdolloji të turqve.

Sot e kësaj dite në Turqi, veç gjakut shqiptar që aq shumë trumbetohet, pjesa europiane e rracës së shartuar turke, përbëhet nga miliona boshnjakë të turqizuar dhe helenë nga banorët e Azisë së Vogël paraosmane.

Po këta njerëz, pas kalimit të Bosnjes nën suazën e Perandorisë dualiste Austro-Hungareze, e ndjenë veten të huaj dhe të papërshtatshëm me atë sundim të ri joturk dhe masivisht e lanë vendin duke u shpërngulur me dëshirë të lirë drejt Turqisë.

Ka të dhëna që tregojnë se jo pak por rreth 150’000 prej tyre e lanë menjëherë Bosnjen pas 1878-ës duke u nisur për Turqi, pasi nuk mund të ambientoheshin dot me dorën e re austriake dhe kërkonin të vazhdonin që të shihnin qendrën e tyre shpirtërore në Stamboll.

Punët e tyre rrodhën të qeta, deri në formimin e Republikës Federative Jugosllave të Bosnje Hercegovinës, në të cilën boshnjakët vetë ishin rreth 50% e popullsisë së përgjithshme.

Por pas “Bratstvo Jedinstvo” dhe viteve të bashkëjetesës me serbë e kroatë të një gjuhe por me fe dhe identitet të ndryshëm nga ata, boshnjakëve nisën t’u venë keq e më keq punët me fillimin e luftës civile në ish-Jugosllavi e cila e zuri menjëherë edhe vendin e tyre.

Vend i cili ndahej në vija etnike dhe fetare dhe sipas të cilave u zhvillua edhe konflikti i tmerrshëm që pasoi në vitet 1992-1995!

Kohë kur boshnjakët, të cilët për habi veten e quajtën sipas fesë së tyre dhe jo si nacionalitet më vete, ata u gjendën të vetmuar dhe të izoluar, shpesh në konflikt jo vetëm me serbët por edhe me kroatët dhe të ndihmuar jo rrallë nga vendet orientale, arabë, turq e iranianë.

Por në fund vetë lufta në Bosnje, ku humbësit e mëdhenj dhe viktimat e preferuara  ishin duke qenë vetë boshnjakët, përfundoi pas ndërhyrjes amerikane me avionët e NATO-s që bombarduan çetnikët serbë dhe në terren ushtrinë kroatë që avancoi pa u ndalur në brendësi të Bosnjes deri në hyrje të Banja Lukas (kryeqendrës se serbëve të Bosnjes), pasi kishin fshirë nga hartat Krajinën Serbe në Kroaci.

Boshnjakët, do thënë se ngjallën pak simpati në audiencën botërore për çështjen e tyre, megjithë masakrat çnjerëzore që po kryheshin mbi ta nga serbët, megjithë përdhunimet dhe krimet e padëgjuara si Srebrenica.

Pse ndodhi kjo?

Përveç apatisë konstante të Europës dhe pafuqisë kronike të fuqive europianë për të marrë vendime, përveç ushtarëve frikacakë dhe moskëkëçarës të dehur hollandezë që ia shtronin pijes me Mlladiçin ndërsa ca metra më tej pushkatoheshin në pikë të diellit të gjithë meshkujt e qytetit, kjo gjë ndodhi edhe për arsye të tjera.

Sepse boshnjakët jo vetëm që nuk e kishin një vend amë që t’i mbështeste, por ata po ashtu në vitet e luftës nuk bënë asgjë për të treguar  qartësisht një identitet të tyrin të veçuar nacional!

Për shembull, ata nuk luftuan siç ndodhi me të treja kryengritjet e ushtrive çlirimtare shqiptare në Kosovë, Presheve e FYROM, me simbolet kombëtare në krah dhe në emër të një çështje të pastër nacionale të pangatërruar me gjë tjetër.

Me siguri që po qe se Adem Jashari e pasuesit e tij do të kishin dalë me terma fetarë etj, në luftën e tyre vetëmohuese me serbët, çështja e Kosovës, s’do t’a kishte gjetur kurrë mbështetjen vendimtare ndërkombëtare që pati!

Ishte pikërisht identifikimi i luftës së guerriljeve shqiptare, si një përpjekje jetë a vdekje, për qëllime kombëtare, çlirimtare e për liri, objektiva këto mbifetare dhe joreligjioze, ndër të tjera ajo që i siguroi legjitimitetin e nevojshëm lëvizjeve kryengritëse shqiptare.

Kurse gjatë luftës së Bosnjes, Boshnjakët njiheshin dhe vetëquheshin sipas termit të tyre fetar dhe jo sipas identitetit nacional që do i dallonte etnikisht nga serbët e kroatët dhe po ashtu do i jepte luftës së tyre një natyre tjetër jashtë konotacionit religjioz.

Emri boshnjak për ta, hyri në përdorim vetëm pasi lufta pati mbaruar përfundimisht.

Pas lufte, në të kundërt të rastit të UÇK-ve, dolën në pah në atë vend edhe shumë mbeturina të kësaj politike dhe këtij qëndrimi  plotësisht të gabuar ndaj identitetit të tyre kombëtar.

Bëhet fjalë për tipa arabësh të ardhur gjatë luftës dhe që më pas u bënë problem serioz për zhvillimin dhe sigurinë e atij vendi.

Qindra-mijëra njerëz të pafajshëm të atij kombi humbën jetën dhe vendi i tyre u rrënua dhe kjo për faj sigurisht të serbëve gjakatarë, por edhe për shkak të kësaj mendjelehtësie fatale të vetë boshnjakëve, të cilët harruan që identiteti dhe liria nuk kërkohet me fe, por me dashurinë për komb dhe për atdhe!

Kjo gjë i është kanosur, do i kanoset dhe i kanoset ende mjaft shqiptarëve në trojet e tyre.

Ky bosnjizim apo bosnjifikim i qënies tonë shqiptare.

Ky barazim i fesë me identitetin nacional në një komb shumë konfesional si i yni, ku në momentin kur largqoftë do të niset të konsiderohet më e rëndësishme përkatësia fetare se ajo nacionale, atëherë edhe katastrofa do të jetë direkt prapa portës.

Bosnjifikim që thellë-thellë do të thotë thjesht dhe qartë....”TURQIZIM”, por nga ai i species shqipfolëse, siç ka edhe serbishtfolës të tillë.

Mbetjet e lëna pas nga turqit në Ballkan janë ato që janë.

Boshnjakë me identitet të dyshimtë dhe përherë në dyzim mes të qenit kombësi më vete apo serbë të myslimanizuar apo edhe turq ballkanas me gjuhë tjetër.

Pastaj kemi sanxhakasit e Serbisë dhe Malit të Errët, njerëz që herë hiqen si thjesht myslimanë dhe që si të tillë edhe e regjistrojnë vetveten, herë mbahen për boshnjakë me njëfarë identiteti më të sqaruar e herë janë edhe më serbë se vetë serbët, por me fe të ndryshme.

Mes këtyre të fundit fshihen edhe mjaft celula ekstremiste, si ajo që goditi ambasadën amerikane në Sarajevë para ca kohësh, me një shenjë shumë kuptimplotë “mirënjohje” për atë shtet që vëllezërit e tyre në Bosnje i shpëtoi nga shfarosja me ndërhyrjen e tij ushtarake ajrore kundër serbëve!

Kemi pastaj edhe boshnjakët e vetëidentifikuar si të tillë dhe të shpërndarë në Kosovë e FYROM, të cilët s’dihet se si kanë zbritur mirë deri në Kosovë, e cila edhe kufizohet me Sanxhakun, por deri në rrethinat e Prilepit e më poshtë nga kanë ardhur, apo kanë rënë nga qielli?

Apo janë shqiptarë ca të turqizuar në fe e ca të serbizuar në gjuhë?

Misteret e jetës këto të cilat s’ia kemi ngenë aspak që t’i shpjegojmë tani.

Më tej kemi goranët e Kosovës, deri diku të Shishtavecit tek ne dhe ata të FYROM-it.

Për të tanët s’bëj dallim me shqiptarët e tjerë, pasi me pak përjashtime kemi të bëjmë me njerëz që në shumicë jetojnë dhe flasin e mendojnë si shqiptarë, duke përdorur në jetën e përditshme edhe një dialekt të vjetër bullgar, të mbetur ndoshta nga ngulimet e shumë shekujve më parë gjatë zgjerimit të perandorive bullgare.

Për goranët e Kosovës pak di, por do vënë re se prej kohësh janë sulmuar si nga serbët që i shpallin si myslimanë të tyret, sa nga boshnjakët e sa nga bullgarët, ndërkohë që vetë vështirë t’a dinë se çfarë janë.

Këto ditë ndërkohë doli në shtyp lajmi se vajza e mitur gorane të cilës i ra sipër orteku i borës dhe që u shpëtua nga policia e Kosovës e dominuar nga shqiptarët, tani shfaqej në duart e hoxhës serbishtfolës të zonës së saj dhe paraqitej si trofe gjuetie para njerëzisë.

Punët e tyre sidoqoftë që nuk na interesojnë!

Kemi në fund edhe torbeshët e FYROM-it, maqedonishtfolës myslimanë.

Njerëz që jo rrallë quhen Agim a Fatmir dhe që deri tek brezi i etërve të tyre kanë qenë komplet shqiptarë, por që më pas janë sllavizuar duke ndjekur shkolla sllave dhe folur gjuhën e FYROM-asve të tjerë.

Të tëra këto shembuj flasin për një grup njerëzish me identitet gjithmonë në evoluim dhe pa një formim të vërtetë kombëtar.

Njerëz mbi të cilët mund të ngrihen hipoteza dhe të cilët shumëkush mund t’i pretendojë si të vetët.

Dhe mbi të gjitha njerëz më ndjenja dhe orientim të qartë filoturk!

Njerëz të cilët në shumicë kanë humbur identitetin e tyre origjinal për shkak të njëhësimit të etnicitetit të tyre me pushtuesin (turkun) dhe me fenë.

Prandaj edhe sidomos neve shqiptarët duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm me të tilla fenomene si ai i bosnjizimit të shoqërisë tonë.

Neve jemi një popull i cili ia ka dalë të triumfojë mbi armiqtë dhe pushtuesit e shumtë, mbi të gjitha për shkak të gjuhës sonë dhe ndjesisë sonë shumë të fortë nacionale e cila na bën të ndihemi më shumë shqiptarë se ortodoksë, myslimanë, katolikë, protestantë apo bekatshinj.

Po ashtu identiteti ynë i pathyeshëm shqiptar na bën më të fortë se ndjenjat tona filo-italiane, filo-turke apo filo-helene e filo-sllave!

Kjo është pasuria jonë më e madhe e momentit, uniteti jonë në diversitetin përherë në evoluim të qënies sonë unike shqiptare.

Po t’a humbim këtë gjë, do përfundojmë edhe më keq se të gjithë “të paidentitetshmit” e tjerë të Ballkanit dhe në fund do biem sërish në prehërin aziatik të turkut.

Por ky rrezik qëndron gjithmonë mbi ne si një tip “shpate Demokleu”, gati për t’i rënë përsipër fatalisht shqiptarit në momentin që ai do harrojë kush është në të vërtetë e do nisi të ndjekë karrocat e turqve a dikujt tjetër përtej tyre.

“Shqipërinë e mori turku, i vu zjarr.!....Shqipëtar mos rri po duku, shqipëtar”!-kështu vjershëronte dikur Çajupi, pa e ditur ndoshta as vetë se fjalët e tija, akoma do ishin aktuale edhe në ditët tona, shumë e shumë vite pasi ai i pati shkruar.

Fjalë të fuqishme, kushtruese që dyshoj fort se do t’a humbin ndonjëherë kuptimin e tyre, për aq kohë sa në këtë botë të ketë njerëz që vetes i thonë shqiptarë e të tjerë që quhen turq.

Kjo pasi në ADN-në tonë esenciale si shqiptarë është natyrale që të vetëmbrohemi nga shumëkush por së pari nga turqit dhe pasojat e tyre edhe njerëzore që na rrethojnë.

Por po aq sepse edhe në ADN-në e turqve nuk ka sesi të mungojë qëllimi i përhershëm për t’u hakmarrë ndaj atij populli që si fillim ua theu hundët sulltanëve dhe jeniçerëve të tyre dhe më pas megjithë përpjekjet titanike nga ana e turqve për shekuj me rradhë, asnjëherë nuk iu dorëzua hijes së errët turke.

Po e mbyll me Çajupin sërish, me këto vargje të mrekullueshme të cilat do jenë gjithmonë aktuale dhe kuptimplota.

 

Andon Zako Çajupi

 

SHQIPËTAR

 

Shqipërinë e mori turku, i vu zjarr!

Shqipëtar mos rri, po duku shqipëtar!

Mjaft punove për të tjerë, o fatkeq!

Kujto vendin tek ke lerë dhe tek heq!

Të ka bërë perëndia luftëtar,

Si s’të lodhi robëria, shqipëtar!

Erdhi dita të ngresh kokë, të kërkosh lirinë,

Bashkë me shokë të leftosh!

Mos bëni si keni bërë gjer më dje,

por të leftoni të tërë për Atdhe.

Pesëqind vjet kemi rruar me pahir,

Lidhur me kemn’ e duar me zinxhir!...

Myslymanë e të krishterë jemi keq!

Të ngrihemi që të tërë, djem e pleq!

Të ngrihemi të dëftojmë trimëri;

ja të vdesim ja të rrojmë për liri!

O moj Shqipëriz’ e dashur, mëmëdhe,

Të shoh me buzë të plasur, si më sheh.

U shkretove anembanë, Shqipëri,

se shqiptarët s’kanë dashuri.

Gjithë djemtë që ke qarë dhe mban zi,

për Morenë janë vrarë, për Turqi!

Zhvish rrobat e robërisë mëmëdhe,

vish armët e trimërisë që ke.

 

PS: Për të pakënaqurit dhe dyshuesit ndaj shkrimeve të mija,  u sugjeroj miqësisht që të mos marrin mundimin t’i lexojnë!

Shtypi,  media dhe interneti janë të pafund dhe kanë hapësira edhe për mendimet e tyre,  po kjo nuk është një e tillë dhe sa kohë që jetojmë në shoqëri pluraliste me liri mendimi,  neve do vazhdojmë të themi mendimet tona të lira.