E enjte, 28.03.2024, 09:49 PM (GMT)

Kulturë

Muharrem Sfarqa: Intervistë me Virgjil Kulen, autor i monografisë për Gjergj Kastriotin

E shtune, 30.06.2012, 07:39 AM


Vlerat universale të Skënderbeut që i flasin të sotmes.

Intervistë me Virgjil Kulen autor i monografisë  për  Gjergj Kastriotin - Skenderbeun   " Kryqtari i fundit "

Nga Muharrem Sfarqa

Virgjil Kulen e njohim dhe e mbajmë mend nga leximi prej tij  në TVSH i artikujve të " Zërit të Popullit " pas demonstratave të Kosovës në vitin 1981 sikundër është ai me titull "  Pse u përdor dhuna dhe tanket në Kosovë ", " Shtypi botëror mbi ngjarjet në Kosovë " etj. Por ai, pos një folës me zërin e tij të veçantë radiofonik, njihet edhe si drejtor i TV shtetëror dhe Tv private shqiptare, autor, regjizor e operator filmash dokumentarë, përkthyes letrar, njohës i disa gjuhëve të huaja, vizitues i një numri të madh shtetesh nëpër të gjitha kontinentet në kuadrin e punës si krijues me organizatën ndërkombëtare humanitare Mjekët pa kufi etj.

Tashmë Virgjil Kulen e njohim edhe si autor të monografisë për heroin e kombit, Gjergj Kastriotin - Skënderbeun  " KRYQTARI I FUNDIT " , një libër me rëndësi të shumfishtë për historinë dhe publicistikën shqiptare, i cili, qasjes së ndriçimit të figurës së kryetrimit shqiptar i ofrohet ekskluzivisht , duke publikuar sistemimin kronologjik të dokumenteve të kësaj periudhe dhe duke i vënë ato në rrafshin e hapsirës dhe kohës së veprimit  të tij,  në raport me forcat tjera relevante të Evropës, si dhe koordinimin e veprimeve ushtarake dhe diplomatike të tij , duke nxjerrë një Skënderbe superintelegjent, tek i  cili lexuesi sheh bazat  juridike të shtetit shqiptar  në njëqindvjetorin e tij jubilar te ekzistencës.

Këto ditë ky libër u prezantua  edhe në Zvicër e Gjermani dhe ne shfrytëzuam praninë e tij për një bashkebisedim për lexuesit tanë.

Zoti Kule, Ju patët një prezantim të librit tuaj në Evropë, ku ishin të pranishëm edhe autorë, albanologë e  të huaj ( sidomos në Essen të Gjermanisë ). Cilat janë përshtypjet tuaja dhe sa jeni të kënaqur me interesimet  e lexuesve ndaj botimit tuaj ?

Është fakt që libri është pritur me shumë interes nga lexuesit. Takimet e shumta që kam pasur si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj më kanë ndihmuar të kuptoj më mirë se cilat janë pikat më të forta të këtij libri sipas gjykimit të lexuesve. Kanë dalë shumë të tilla si korrektesa kronologjike, arësyetimet mbi bazë dokumentare, këndvështrimet për shumë çështje që kishin mbetur pezull deri tani, mënyra e tregimit të ngjarjeve dhe, përgjithësisht, skalitja për herë të parë e një Skëndërbeu që nuk është as i mitizuar dhe as i çmitizuar, por figura krejt njerëzore e një lideri shqiptar të aftë e të mençur. Lexuesit kanë vënë në dukje edhe faktin se libri i flet fuqishëm së sotmes ndonëse trajton ngjarje të shekullit të 15-te. Kjo më kënaq në mënyrë të veçantë sepse ky është edhe vetë qëllimi i studimit të historisë, që mësimet e saj t’i shërbejnë të sotmes dhe të ardhmes.

Të ndalemi këtu. Si realizohet dialogu me të sotmen në këtë libër?

Libri më shumë se për ngjarje flet për proçese. Në qendër të tij është një politikan, diplomat, burrë shteti e strateg ushtarak i nivelit shumë të lartë që i drejton këto proçese. Pra nuk janë ngjarjet, por proçeset ato që i flasin të sotmes. Në rrethana historike nga më të ndërlikuarat dhe më të pafavorëshmet për trojet shqiptare, Gjergj Kastrioti hartoi dhe zbatoi një projekt politik të guximshëm, nëpërmjet të cilit i dha mundësi popullit shqiptar që të bënte një kërcim spektakolar në histori dhe të ri-legjitimonte të drejtën e tij për të qenë i pavarur dhe vetvendosës. Sivjet festojmë 100 vjetorin e shtetit shqiptar, por pavarësia e 1912-tës e ka bazën e saj juridike dhe morale pikërisht në përpjekjet e Skënderbeut për të krijuar një mbretëri me bazë arbërore e më gjerë, të sunduar nga dinastia e Kastriotëve e të lidhur me fuqitë kryesore të Europës Perëndimore.

Por projekti i Skënderbeut nuk u realizua sepse organizatori i Kryqëzatës, Papa Piu II, vdiq në rrugë e sipër?

Është e vërtetë që projekti nuk u realizua plotësisht, por proceset politike, diplomatike, juridike e ushtarake që u zhvilluan brenda tij ishin po aq të rëndësishme sa vetë projekti, mbasi për herë të parë, gjatë 25 vjetëve u fol për një, federatë panshqiptare, për një front shqiptar, për një njësi gjeopolitike shqiptare, për interesa shqiptare, për politika shqiptare, për mbretëri shqiptare e kështu me radhë. Elementët e këtyre proceseve mbetën në histori dhe në kujtesën e njerëzimit për t’u shfaqur sërisht në fund të shekullit të 19 dhe në fillim të shekullit të 20 me një freski të habitshme.  Koha tregoi se sundimi i gjatë osman, megjithëse bëri kërdinë e vërtetë në aspektin demografik e kulturor të popullit shqiptar, nuk mundi ta zhdukte traditën e lashtë liridashëse e vetvendosëse të shqiptarëve, themelet e së cilës i ripërtëriu me sukses Skënderbeu në shekullin e 15.

Për Skënderbeun është shkruar në vazhdimësi, nga vendës e të huaj. Cilat janë të rejat për këtë Madhështi kombëtare që ne nuk i njohim ?

Tashmë, i sugjestionuar edhe nga komentet e  lexuesve, mendoj se të rejat kanë të bëjnë me përshkrimin e hollësishëm të  proceseve për të cilat fola më sipër. Monografia ime synon të qëmtojë te veprimtaria e Skënderbeut vlerat universale që i rezistojnë kohës, ato vlera që krijojnë traditë dhe që shërbejnë si shkollë për të sotmen. Prej shekujsh tashmë njihet si shembull i suksesshëm arti ushtarak i Skënderbeut, por kjo nuk është aspak e mjaftueshme për të shteruar figurën e tij,  aq më tepër që  arti ushtarak skënderbegas nuk i flet më të sotmes.  Po me çfarë i flet të sotmes Skënderbeu?  I flet fuqishëm me artin politik, diplomatik e juridik dhe, mbi të gjitha me integritetin e liderit. Nga Skënderbeu mësojmë se çdo të thotë dinjitet politikani, zgjuarsi diplomatike dhe ruajtje e barazisë së rangut në marrëdhënie me fqinjët dhe superfuqitë e kohës.  Njeri i ditur e pa kurrfarë kompleksesh inferioriteti, Gjergj Kastrioti i luajti nëpër gishta politikën dhe diplomacinë evropiane dhe otomane. Ai hyri mes tyre me guximin e politikanit që e ndjen se kur i vjen koha e duhur për veprim, me mjeshtërinë e diplomatit që di ta vendosë veprimin e vet politik mbi shtylla të forta aleancash dhe me zgjuarësinë e shtetarit që nuk shmanget kurrë nga objektivi final, që atëbotë ishte krijimi e mbretërisë arbërore, i asaj njësie politiko -administrative që do ta nxirrte mbi ujë kombin shqiptar në shkulmin e tallazeve të kohës.  Në këto procese gjënden vlerat universale të figurës së Skënderbeut.  Nëpërmjet tyre ai i flet të sotmes në nivel filozofik e moral njësoj si Macchiavelli me Princin e tij.

Cili është pra Skenderbeu, siç nuk e njohëm gjer tani?

Ai për të cilin duhet ngritur një institut studimor më vete dhe duhet gërmuar pafundësisht në dokumentacion  -  krenaria e vërtetë e kombit tonë, jo thjesht në kuptimin simbolik, por edhe në kuptimin e  krijuesit të bazave të një shkolle kombëtare për të ndërtuar respektin ndaj vetes si shqiptarë dhe për t’ia imponuar atë të tjerëve. Në çdo kohë i janë nevojitur shqiptarëve lidera si Skënderbeu, por mjerisht ata kanë qenë shumë të rallë, madje edhe të pakrahasueshëm me figurën komplekse te Skënderbeut.  Nga ana e vet historigrafia skënderbegiane nuk mundi të krijojë shkollën e vet ku të mësoheshin tiparet e lidershipit kompleks. Madje për një periudhë shumë të gjatë Skënderbeu u la në harresë dhe, kur u rishfaq sërisht nga pena e rilindasve, ndonëse erdhi legjendar, mbeti i paplotë. Mungonte tharmi jetësor i proceseve të përditëshme politike dhe diplomatike që ai ndoqi, mungonin hollësi domethënëse që dëshmonin për zhdërvjelltësinë e politikanit në veprim, mungonin ingredientët e vlerave universale që e bëjnë të pavdekshëm në kohë dhe, sidomos, procesi ndërveprimit me liderat e mëdhenj të kohës në skakierën ndërkombëtare. Skënderbeu u paraqit i vetmuar, një hero shpate që luftonte me sukses kuçedrën me shtatë kokë. Ndoshta kaq duhej atëhere sepse ai u thirr në skenë pikërisht kur kërkohej një mision lufte i popullit për pavarësi nga Perandoria Osmane. Po në kohë paqe? Pak ose aspak është thirrur në ndihmë Skënderbeu që të shërbente në kohë paqeje, kur politika dhe diplomacia janë më aktive se kurrë. Pak ose aspak është hulumtuar në drejtim të taktikave e strategjive skënderbegiane për të hyrë në klubin e njerëzve më të rëndësishëm të kohës dhe për t’i dhënë autoritet vetes dhe popullit të tij. Si rrjedhim këto aspekte te personalitetit të tij nuk u përpunuan në masën e duhur. Ato nuk u përfshinë në ndonjë histori zyrtare, por  u shpërndanë me kritere të dyshimta ndër referate e kumtesa që konsumoheshin në sesione shkencore, larg memories së popullit.  Figura e Skënderbeut mbeti kështu e njëanshme, më shumë legjendë se e vërtetë, gjë që iu dha dorë të ashtuquajturve çmitizues të hidhnin mbi të banalitete pa fund.  Herë i mitizuar e herë i çmitizuar, si ai metali që bymehet e tkurret kur ngrihet dhe ulet temperatura, personaliteti i Skënderbeut e humbi elasticitetin e vet historik. Gradualisht u kultivua një psikozë që e t’huajzonte heroin tonë nga substrati i tij i vërtetë.  Asnjë lider shqiptar nuk e shikonte më Skënderbeun si standart  të detyrueshëm për ta arritur dhe  imituar,  gjë që i dha dorë  lulëzimit të liderave ose tepër hermetikë ose tepër servilë,  të cilët konsideronin detyrën e kryer duke bërë kremtimin ceremonial të  përvjetorëve të Skënderbeut dhe jo krijimin e kushteve për përpunimin dhe zhvillimin e e shkollës politike që ai krijoi. Mos hedhja e bazave të shkollës politike dhe diplomatike të  Gjergj Kastriotit çoi  më tej në cungim të epistemiologjisë së kësaj figure, anashkalimin e  shumë prej vlerave të saj universale dhe, mbi të gjitha, në mangësinë historike të opinionit publik shqiptar për të kërkuar prej liderave të vet të çdo kohe efektivitetin politik që demostroi Skënderbeu.

Po mësimet që mund t’i nxjerrim si komb nga „Kryqtari i fundit“, sipas jush ?

Mësimet dalin vetë nga leximi i librit, brenda të cilit ka shumë politikë, diplomaci, gjeopolitikë dhe aspekte juridike.  Në të gjitha këto fusha ka shkëlqyer Skënderbeu duke bërë madje shembull frymëzimi e objekt admirimi, por edhe xhelozie nga lidera të tjerë ballkanikë. Një nga mësimet kryesore që del është ai që ka të bëjë me mënyrat e bashkëveprimit me kombet e tjerë për të siguruar një egzistencë dinjitoze dhe për të shfrytëzuar në dobi të saj rastet historike që rrallë përsëriten. Çfarë bëri në thelb Skënderbeu? Në momentin më delikat historik, atëhere kur Arbëria po gëlltitej nga Perandoria Osmane duke ndërruar fenë, zakonet, dhe kulturën e vet evropiane, Skënderbeu përpunoi dhe zbatoi një politikë ri-integrimi me Perëndimin. Ishte një ri-integrim me dinjitet, brenda standarteve më të larta të kohës. Në libër shpjegohet me hollësi ky proces, përshkruhen me detaje vështirësitë, pengesat dhe mënyrat se si Skënderbeu i tejkaloi ato. Sot shqiptarët kanë më shumë se kurrë nevojë për ri-integrim me Perëndimin, por të gjithë e dimë se për këtë na duhet të arrijmë standarte të caktuara sipas kërkesave të kohës. Pra kemi sërisht një proçes ri-integrimi, për të cilin Skënderbeu na mëson se nuk është një proçes i lehtë, se duhen sakrifica individuale dhe kolektive, se duhet vendosmëri dhe mos shmangie nga detyra, se duhen lënë mënjanë grindjet dhe dasitë provinciale, se duhen lidera me principe të larta morale dhe me integritet politik të fuqishëm. Në procesin e sotëm të ri-integrimit lufta kryesore e shqiptarit është ajo me vetveten, me traditat negative klanore e fisnore që minojnë demokracinë si edhe me vështrimin, deri diku statik, ndaj situatave ndërkombëtare duke mos dalluar në kohën e duhur ndryshimet që ato pësojnë dhe që mund të shfrytëzohen në dobi të cështjes shqiptare me anë të një diplomacie dinamike dhe pozitiviste.  Në kohën e vet Skënderbeu solli në atdheun e tij standartet më të përparuara të të bërit politikë dhe e kreu me sukses misionin e vet. Ai i shfrytëzonte situatat ndërkombëtare në mënyrë të përkryer duke adoptuar taktika afatshkurtra marramendëse, të cilat e hutonin armikun dhe ngjallnin admirimin e respektin e aleatëve.  A nuk është ky proces burim frymëzimi dhe përgjegjësie historike që duhet ta ripërsërisim ne, pasardhësit e tij, në kushtet tona konkrete?

Ju nxorët një Skënderbe tjetër,  i cili nuk ishte vetëm luftëtar, por një burrë shteti dhe një diplomat i aftë i cili bënte aleanca luftarake për mbrojtjen gjenetike shqiptare, sidomos me Vatikanin  ( Papatin ), si faktor tepër i rëndësishëm për  mbrojtjen e qytetërimit përëndimor nga Perandoria Osmane. A mund të na i elaboroni ma detajisht këto relacione ?

Aleancat e Skënderbeut janë një shkollë më vete për diplomacinë e çdo kohe. Në to shprehet më mirë se kudo zhdërvjelltësia politike e një lideri që ka një projekt, një qëllim dhe një objektiv final. U lidh me Papatin për të siguruar njohje ndërkombëtare dhe për marrjen e kurorës si mbret i Arbërisë, me mbretërinë e Napolit për të garantuar prapavijën strategjike ushtarake dhe politike të rezistencës së tij anti-osmane, me Venedikun thjesht për taktikë politike, me Raguzën kryesisht për çështje financiare e logjistike etj. Skënderbeu përdori me sukses aleancat e brendëshme për të zhvilluar ato të jashtmet dhe, kur e pa të nevojshme, veproi në mënyrë të anasjelltë. Në aleancat e jashtëme të Skënderbeut nuk vërehet kurrfarë nënshtrimi dhe servilizmi, aq më pak përdorim i tij nga të mëdhenjtë. Analiza e dokumenteve tregon se ai nxorri maksimumin nga këto aleanca, se në momente të caktuara, ai dinte t’u tregonte dhëmbët aleatëve për të marrë prej tyre me çdo kusht atë që i takonte. Skënderbeu e shiti shumë shtrenjtë pjesmarrjen e popullit shqiptar në frontin e madh anti-osman duke manovruar me sukses jo vetëm mes miqsh, por edhe mes armiqsh siç ishin midis tyre Mbretëria e Napolit dhe Republika e Venedikut. Për 25 vjet rresht Gjergj Kastrioti eci me mjeshtëri në telin e ekuilibrit delikat midis këtyre  dy superfuqive duke fituar, sipas nevojës, herë përkrahjen e njerit dhe herë të tjetrit. Jo më kot në libër ai është quajtur mjeshtër i diplomacisë së shfrytëzimit të konflikteve.

Me interes të veçantë është analiza që i bëhet fushatës ushtarako- diplomatike të Skënderbeut  në Italinë e Jugut.

Në libër përshkruhet me hollësi se si gjatë kësaj fushate ai ndërtoi imazhin e tij si lider i aftë për të komanduar trupat e një kryqëzate të krishterë. Pra Skënderbeu nuk është një lider lokal, por një lider i përmasave evropiane, gjë që duhet pasqyruar edhe në arte. Do të ishte me shumë vend p.sh, në Tiranë, një kompleks skulpturor ku, krahas Skënderbeut, të paraqiten edhe figurat më të spikatura politike të bashkëkohësve të tij në frontin e përbashkët anti-osman.  Sepse madhështia e Gjergj Kastriotit del më mirë  në pah vetëm kur jepet në bashkëveprim dhe krahasim me liderat e tjerë të kohës. Që aty fillon momenti historik integrues me Europën.  Këtë pak a shumë e bën ky libër duke evidentuar edhe disa koncepte politike të Skënderbeut  që i kanë rezistuar të gjitha kohrave.  I tillë është koncepti i ndërkombëtarizimit të një çështjeje të brendëshme siç ishte mbrojtja e Krujës më 1450. Qysh atëhere konceptin e ndërkombëtarizimit e kemi parë të përsëritet kudo në botë, madje edhe sot, në luftën kundër terrorizmit.  Të tilla  gjëra kam  parasysh kur flas për aktualizimin e shkollës skënderbegiane të politologjisë e diplomacisë. Ka ardhur vërtet koha që të funksionojë me strukturë të plotë një institut mbarëshqiptar për studimin e thellë të figurës së Skënderbeut sepse ai na e garanton vërtet biometrike pasaportën historike për integrim dinjitoz me Evropën.

A janë kushtet për këtë?

Padyshim. Dhe ato fillojnë nga vetë transformimet në mendjen e shqiptarëve. Shqiptari që jeton në kapitalizëm dhe në lirinë absolute të besimeve fetare është në gjendje ta perceptojë shumë më mirë Skënderbeun se shqiptari i viteve  ‘50-’90 të shekullit të kaluar. Konceptet mbi pronën, aleancat, partneritetet, kontratat dhe lobimet tashmë janë përvetësuar mirë. Këto koncepte ishin eferveshente edhe në epokën e Skënderbeut. Kalimi i kohës nuk i ndryshon fort tiparet bazë të mardhënive njerëzore brenda fazave të zhvillimit të një sistemi politiko shoqëror.  Shumë situata të asaj epoke, në një formë ose në një tjetër, janë të pranishme edhe sot.  Që kur Macchiavelli  shkruante “Princin”, politikanët dhe pushtetarët vazhdojnë të demonstrojnë thuajse të njëjtat karakteristika thelbësore, të cilat shpesh janë të pakuptueshme për publikun e gjërë.  Shumë veprime të tyre  justifikohen me  raison d’etat  dhe nuk mund të shpjegohen me kodin moral të jetës së përditëshme. Pikërisht në këtë zonë misterioze veprimesh e arësyetimesh  jam përpjekur të hulumtoj.  Skënderbeu ishte politikan, diplomat , shtetar e  komandant ushtarak.  Detyrimisht,  shpjegimi dhe kuptimi i veprimtarisë së tij  duhet të kalonte nëpërmjet analizës së  kompleksit të  raisons d’etat të asaj kohe. Një analizë mbi to i ndihmon sot shqiptarët të kuptojnë raportet me udhëheqësit e tyre, të dinë se ku dhe për çfarë t’i kritikojnë dhe ku dhe për çfarë të heshtin e të presin rezultatet.  Gjithnjë do të ketë ‘arësye shtetërore” për veprime të caktuara të politikës, sidomos në arenën ndërkombëtare, ndaj publiku i gjërë nuk mund të pretendojë se duhet të dijë e të profetizojë mbi gjithçka. Në veprimtarinë politike dhe diplomatike të Skënderbeut ka momente të shumta kur prioriteti i arësyeve madhore ka krijuar keqkuptime te disa prej fisnikëve shqiptarë që nuk arritën ta kuptonin vlerën e madhe të aleancimit strategjik me kryqëzatën anti-osmane.  Për shembull, vonë u kuptua nga Lekë Dukagjini politika largpamëse e Skënderbeut në raport me Europën, por atëhere ishte vërtet tepër vonë...

Në librin “Skënderbeu – Kryqtari i Fundi”  kam bërë sa kam mundur për përgjithësimin teorik të vlerave shqiptare me karakter universal të asaj periudhe, por një institut i specializuar për Skënderbeun mund të bëjë shumë më tepër. Mjafton të përmendim procesin tjetër që ka nevojë për studim të hollësishëm:  atë të integrimit të familjes së Skënderbeut me rangjet më të larta të dinastisë aragoneze dhe të fisnikërisë italiane pas vdekjes së heroit. Çfarë del prej këtij procesi? Dalin një sërë elementësh që e  kualifikojnë cilësisht krenarinë kombëtare mbasi flasin për një integrim dinjitoz, për një integrim që nuk kushtëzohet aspak me humbjen e identitetit, por me lartësimin e mëtejshëm të tij. Edhe sot e kësaj dite në zona të caktuara të Italisë e Jugut flitet për periudhën e gjatë të sundimit atje të familjes fisnike të Kastriotëve nga Shqipëria.

Tashmë ju keni hyrë me sukses në fushën delikate të shkrimit të historisë. Çfarë metode parapëlqeni?

Preferoj më shumë prerjen horizontale se sa atë vertikale të historisë. Të marrim nje shembull që ilustron të metat e përdorimit ekskluziv të  prerjes vertikale. A nuk e keni vënë re se të gjitha  ngjarjet e çuditeshme , mrekullitë, historitë e habitshme, bëmat mbinjerëzore etj. në nivel fisi apo komuniteti e më gjerë rezulton të kenë ndodhur gjithmonë në të kaluarën? Madje në një të kaluar jo preçize në kohë? Por po të gërmojë gjithsecili në të kaluarën e familjes së tij apo komunitetit të tij, pra vertikalisht,  nuk do te gjejë asgjë të tillë. Realiteti ka qenë i zakonshëm, më se i zakonshëm në çdo kohë, prandaj edhe historia shkencore nuk mund të studjohet me saktësi vetëm vertikalisht, pa bërë prerje të hollësishme e të shpeshta horizontale, të cilat nxjerrin në dukje pikërisht të zakonshmen e jetës. Nuk bëhet një litar i trashë e i qëndrueshëm  historik vetëm duke bashkuar tre, katër a pesë litarë më te hollë në mënyrë vertikale.  Pse? Sepse mungon mundësia për analizë. Fijet vertikale mbartin shumë material mitik që errëson realitetin.  Analiza bëhet duke bërë sa më shumë prerje horizontale. Po ta presim litarin me shume fije do të na dalin disa rrafshe që i përkasin të njëjtit dimension kohor e vendor (hronotopik). Krijohet kështu mundësia që këto  rrafshe të krahasohen e të lidhen me njeri tjetrin duke i xhveshur nga  mitet, legjendat, paragjykimet etj. Në fund përftojmë një rrafsh të vetëm që tregon saktë historinë që ngërthehet në të.  Këtë kam bërë unë. Si në një skaner, e kam prerë kohën dhe hapësirën horizontalisht duke rikrijuar fenomenin e trungut të pemës. Çdo të thotë kjo? Ashtu sikundër mund të lexosh historinë e pemës në rrathët e sipërfaqes së trungut të prerë, ashtu mund të rindertosh e të kuptosh historinë e nje individi ose te një kombi në një njësi kohore të caktuar.

Sa është trashësia minimale e prerjes  horizontale në rastin e periudhës së Skënderbeut?

Aq sa lejon intensiteti i dokumentacionit. Maksimumi 1 vit.  Këta vite, të rindërtuar më së ploti,  janë vendosur pastaj mbi njeri tjetrin. 25 vjet,  25 libra te lidhura organikisht me njëri tjetrin.  Nuk ka mes tyre asnjë gjurmë fiksioni, legjende, mitologjie, paragjykimi etj.  Ka vetëm realitet.  Në këtë kuptim kemi të bejmë me një kronologji analitike te veprimit politik te Skenderbeut.  Lexuesi e ben më mirë lidhjen midis ngjarjeve, njeh shkaqet dhe pasojat e tyre, bëhet pjesmarrës në to. Ah, për pak  harrova!  Në këtë libër prerjet vjetore  horizontale bëhen  jo vetëm për ngjarjet që kanë drejpërdrejt lidhje me Skënderbeun, por përgjithësisht edhe për ngjarjet kryesore që ndodhin në Ballkan dhe Evropë e më gjerë në njësitë kohore brenda të cilave analizohet heroi ynë kombëtar. Kjo më dha mundësinë që ta vendos Skënderbeun atje ku ka qëndruar, në plejadën e liderave më në zë të kohës, lider i përmasave kontinentale.

Kritika letrare dhe ajo historike, si e kanë pritur dhe vlerësuar librin tuaj?

Nuk e di në se ekzistojnë ende të tilla institucione të dobishme! Më duket se ato kanë kohë që e kanë lënë vetëm publikun e gjerë.  Por pavarësisht nga kjo, publikut shqiptar dhe sidomos brezit të ri, po i mprehet gjithnjë e më shumë intuita dhe aftësia analizuese.  Ka kohë që ai ka shprehur pakënaqësinë e vet ndaj trajtimeve sempliste, arkaike dhe folkloriste të figurës së Skënderbeut. Në përgjigje të këtij shqetësimi, që ka qenë edhe shqetësim i im, libri në fjalë i bën thirrje logjikës së lexuesit dhe jo thjesht të mësuarit përmendësh të ngjarjeve dhe datave kryesore historike. Kujtesa e karakterit  enciklopedik të thjeshtë (data e fakte) nuk është mjet i sigurt për të garantuar zhdërvjelltësinë e figurës së  Skënderbeut në çdo kohë.  Po nuk eci paralel me përvetësimin e linjave të  arësyetimit, kujtesa zbehet, heroi kalçifikohet dhe nuk rezaton më material jetësor.  Skënderbeu nuk e ka patur të lehtë që ta kryente misionin. Ka shumë pse-ra për veprimtarinë e tij,  të cilave jam përpjekur t’u jap përgjigje duke përfshirë edhe lexuesin në këtë proçes. Në këtë vështrim, libri ka edhe karakter  didaktik sepse nxit mprehjen e logjikës së lexuesit. Po ajo nuk është një didaktikë  thjesht afirmative ose thjesht kritike. Ajo nuk pretendon të shpallë “ të vërtetën absolute”, por ta pajisi lexuesin me një metodologji për ta kërkuar vetë atë brenda këtij libri dhe librave të tjerë në qarkullim. Lexuesit më thonë se e gjejnë shumë herë veten në pozitat e bashkëudhëtarit të Skënderbeut,  që instiktivisht kërkon të japë mendimin e vet për  mënyrën e zgjidhjes së  situatave në të cilat është ndodhur heroi.  Në thelb ky është një proçes identifikimi me heroin dhe, sa më intensiv të jetë ai, aq më mirë libri ia arrin qëllimit për të cilin është shkruar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora