E enjte, 25.04.2024, 04:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Zëri i zemrës dhe shpirti i fjalës

E premte, 29.06.2012, 08:00 PM


ZËRI I ZEMRËS DHE SHPIRTI I FJALËS

(Neki Lulaj, Bukuri e bekuar, Amanda Edit, Bukuresht 2012)

Dhe, kur dielli lind, shpirti i tij shndërrohet në det dashurie me reze shkëlqimtare dhe afshin e zjarrtë të përmallimit ndaj atdheut dhe bijve të shqipes që derdhën gjak për ta bërë Shqipërinë Shqipëri. Neki Lulaj është poeti i lirisë, skulptor fjalësh dhe mjeshtër i artit poetik, i ngarkuar me meditime filozofike, ëndërrime, fluturime, përjetime të ëmbla e të dhimbshme. Vargu i tij ka një  përmbajtje të thellë ekzistencialiste, art linguistik dhe një  ndjeshmëri të thellë ku reflektohet realiteti i shqiptarizmit në Kosovë dhe Diasporë. Në shtjellën e diskursit të tij lirik fshihen dëshmi energjishë morale e shpirtërore, dhe një bukuri e bekuar me shpirtin e fjalës që e kultivon ndërgjegjen e kombit.

Nga Baki Ymeri

I strukturuar në kapitujt Syri magjik, Lotët e Kurbetit dhe Shtegtim dashurie, i dinamizuar me një parathënie të Hasan Qyqallës, në kuadrin e Bibliotekës “Letërsi shqiptare”, këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht vëllimi i 4-të poetik i Neki Lulajt, Bukuri e bekuar. Autori i jep prioritet substancës poetike, afshit të dashurisë dhe sentimentit që përfaqëson zërin e zemrës dhe shpirtin e fjalës. Ai e ndjen veten të degdisur në mesnatë, duke parë se si biejnë yje dhe pëshpëritje nga qielli, fjalë të ëmbla dhe loti i heshtjes që të shoqëron. Shpirti i tij noton nëpër yje, duke tentuar ta prekë diellin e hënën dhe qiellin. Dhe, kur dielli lind, shpirti i tij shndërrohet në det dashurie me reze shkëlqimtare dhe afshin e zjarrtë të përmallimit ndaj atdheut dhe bijve të shqipes që derdhën gjak për ta bërë Shqipërinë Shqipëri. Neki Lulaj është poeti i lirisë, skulptor fjalësh dhe mjeshtër i artit poetik, i ngarkuar me meditime filozofike, ëndërrime, fluturime, përjetime të ëmbla e të dhimbshme, dhe, siç thekson autori i parathënies, vargu i tij ka një  përmbajtje të thellë ekzistencialiste, art linguistik dhe një  ndjeshmëri të thellë ku reflektohet realiteti i shqiptarizmit në Kosovë dhe Diasporë.

Poeti shëmbëllen me ushtarin, me famullitarin apo me flamurtarin e batalionit, kurse një libër i mirë është ai që na e kultivon shpirtin, duke na pajisur me ide të reja dhe mendime e ndjenja të bukura. Neki Lulaj ka një sensibilitet të veçantë. Para nesh kemi guximin dhe trimërinë, shpresat e pashuara, paltformën e pa/durimit me mikpritjen shqiptare dhe shtigjet e dashurisë, një gamë sintagmash  me gjurmë shpirti, me zjarr dashurie dhe shekuj drite, me mahnitje, ëndërrime e fluturime, me idile mëkatesh e mall zemre, me muzg mendimesh në faqet e jetës, me kullat e Dardanisë, liqenjtë e natyrës dhe lugina të bekuara. Frymëzimi buron nga syri magjik, gjaku i dashurisë dhe zëri i zemrës. Edhe në këtë vëllim të ri, defilojnë emocioni, dhembja dhe ballafaqimi me realitetin.

Lirika e Neki Lulajt është një forcë e gjallë e vitalitetit shqiptar me tingujt e gjallë të shqiptarizmit në diasporë: “Nëpër furtunën e detit/ Të lundrojmë së bashku/ Të dalim buzë Kepit/ Të Shpresës së Mirë/ Për ta ngritur Kalanë.” Ai dëshmon se e ka përvetësuar historinë dhe e ka ndjerë gjuhën shqipe si një xeherore të florinjtë për të krijuar vlera të reja. Poeti është mbret që e kupton letërsinë si një ansambël meditimesh sociale, patriotike dhe filozofike, që ta përkujton Kantin e dikurshëm, i cili e kundronte kulturën si një gjeometri shpirtërore ku zotëronte teoria e tij si një metaforë e kohës, hapsirës dhe mjeteve tjera për rrumbullakësimin e jetës, një kushtrim i bekuar që të fton ta dinamizosh ekzistencën duke rendur në hap me të dhe me evoluimin e saj. Inspirimet autentike dhe vargjet e Neki Lulajt, janë rezultati i një vokacioni poetik, autokton dhe të mirëfilltë. Me vlera të këtilla, letërsia shqiptare përfiton një eksponent ambicioz, që e kupton jetën si një betejë permanente për shërimin e shpirtit përmes fjalës.

Në sintezë, duke e kundruar personalitetin krijues të poetit, kemi vërejtur që nga fillimi një frymëmarrje të gjerë atdhetare, morale, sociale, filozofike dhe meditative. Në platformën e durimit të tij defilon shqiptarizmi me krenari shekujsh në dritën e shpresave mërgimtare. Poeti lë përshtypjen se është një maraton i durimit që din të skalisë emrat, frymëmarrjet dhe ndjenjat në qiellin e yjëzuar me dëshmi shpirtërore durimesh me trimëri të lashta dardane. Lirika e tij është oksigjen i fjalës që ta përkujton bekimin e shekujve dhe Dardaninë e sokolave të Kosovës me Altarët e Lirisë, me lulet e shpresës, me urtitë e shekujve dhe dhe shekujt me dritë.

Askush s’mund të preket për vlerësime të këtilla reale, sepse diskursi poetik i autorit është një perpetuum mobile që dëshmon se kemi të bëjmë me njërin nga shqiptarët më të frymëzuar të diasporës letrare, me një botë të mbrujtur me lulet e kurbetit dhe tingujt e mërgimit. Para nesh kemi barnatoren e gjallë të fjalëve të shëndetshme që e zbukurojnë luginën e bukurisë. Neki Lulaj është një poet i mirëfilltë me preokupime permanente intelektuale që nuk vuan nga mungesa e imagjinatës. Në shtjellat e vargut të tij fshihen figura stilistike, dëshmi morale e shpirtërore dhe një bukuri e bekuar me shpirtin e fjalës që e kultivon ndërgjegjen e kombit. 

Box

PËRSIATJE EMOCIONALE POETIKE

Në ligjërimin poetik të Neki Lulajt gjejmë një shtrirje të pakushtëzuar, gjithnjë në kërkim të tematikës harmonizuese e të konsoliduar poetikisht. Pamja e parë na jep një shfaqje deshifrimi shpirtëror dhe emocional, konvertuar me simbolikën e bukurisë, duke u nisur nga mitet e deri tek e sotmja. Poeti pikësëçari i jep prioritet atdheut, gjegjësisht kombëtares. Subjektivizimi ka vlera funksionale që tejkalojnë, ndoshta, edhe konturet e barasvlerës apo nivelizimit real në kohë. Si ilustrim kemi poezinë e parë “Lulet e shpirtit” që tingëllon po kaq bukur: Portretin e Atdheut/ Ta ruajmë në zemër/ Ta stolisim me ngjyra/ Duke shtuar bukurinë/ Me buzëqeshje...

Stilizim, ngjyrim, konfigurim, buzëqeshje, lot, oazë, thesare,...etj., janë elemente që hasim të konsoliduara prajshëm në stilin e ligjërimit. Në prapaskenë të krijuesit sikur na shfaqet një autor tjetër me imazhe riakumuluese shpirtërore e mendore, me ideale të ringjallura, falë kujtesës në retrospektivë kur kujton karvanet e ikjes. Prandaj shprehet në mënyrë sentimentale gjithë dënesje, përsiatje drejt mirësisë e shpresëbesimit se mbi çdo cep Arbërie do të lulëzojnë shekuj drite: “Në shekuj drite/ Me mall e dashuri/ E ushqyem jetën/ E kurrë s’u ndalëm/ Me fijet e jetës/ Duke i përcjellë/ Gjeneratat/ Nëpër stinë.”

Poeti betohet dhe mishërohet krenarisht në kopshtin e bukurisë së Adamit e të Evës, për  “Formulën e pagëzimit” të Pal Engjëllit, “Mesharin” e Gjon Buzukut, shpatën e Kastriotit, Flamurin e Ismail bej Vlorës, Gjuhën e ëmbël të Fishtës, Besë e Kanun, mirësinë e Nënë Terezës, urtinë Rugoviane, gjakun e varret e të parëve, deri tek trimëritë e sakrificat e luftës së lavdishme të Kosovës me komandantët Ahmet Krasniqi, Sali Çekaj, Tahir Zemaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani etj., pa i harruar edhe të pagjeturit e shumtë, nisë nga Ukshin Hoti e deri tek foshnja e sapo lindur ne arenën e betejave të përgjakshme e të pamëshirëshme, ku autori citon se Nënat, motrat, vëllëzërit e fëmijët presin zgjuar e “portat ende rrijnë hapur, në pritje”, “Derën e kullës dardane lënë hapur/ Duke shpresuar/ Se një natë/ Do të kthehet Ylberi.”

Konceptualiteti ligjërues mbivlerëson apo hiperbolizon kombëtaren karshi ndjeshmëris emocionale që shfaqet toleruese në krijimatrinë artistike. Nuk ka ekzagjirime të theksuara por mirë të ilustruara me harmoni ngjyrimesh e gjithësesi përfillëse. Autori dallon personazhet në vijueshmërinë bazike bilineare me kontraste të bollshme, bile shpërthyese mes atyre negative e pozitive, duke i dhënë përparësi sublimes kundrejt të shëmtuarës, ideales përballë surreales, etj.: “Mjerë nëna n’jetë që lindi/ Mjerë dielli që i dha dritë,/ Mjerë vendlindja që e rriti,/ Horr a pleshtë i pashpirtë!” Rrjedhimisht, pikënisje gjejmë përjetimet e vetë autorit në zhvillimet koherente, pa lënë anash edhe ndikimet e frytshme nga Rilindësit në situata të apostrofuara, si mërgimi, malli për kryepersonazhet e jetës: Nënën e Babain, pastaj për Kullën,  Atdheun, Diellin, Lirinë, Lulen, dashurinë që krijon një “gjerdan artistik”, siç thot edhe vetë poeti:  “E nga goja burojnë/ Metaforat e urta/ Urtakët / Terrin e zbusin me fjalë/ Diellin e kanë në  buzë/ Vargun e kthejnë/ Në hymn e ninullë.”

Autori ilustron bukur edhe kopshtin, pemishten, fushën, malin, lumin... Përndryshe nxjerrë peizazhe idilike për Atdheun, me theks të veçantë për Dukagjinin e Lekës përkatësisht vendlindjen e vet, pa harruar trimërinë, bujarinë, mikpritjen, kullën, oxhakun, pra bujarinë dhe fisnikërinë tradicionale: “Bukë misri/ Në çerep/ Kripë deti/ Djathë delesh/ E kajmak/.../ Kafe të pjekur/ Prej oxhakut/.../ Parodi e rrallë/ Mikpritje shqiptari.” Prandaj rezymojmë lirisht se zt. Neki Lulaj, posedon gjuhë komunikative me figura të kapshme letrare poetike. Në lirikën e tij dominon stili funksional, relativ, mbretëron individualiteti i nxjerrë si ekspoze çasti, drejt synimit të  së moderuarës së avansuar, mbase autori,  ma merr mendja se është mirë të heqë dorë nga zgjatimet e tepruara, modalitet i panevojshëm... Përndryshe, Neki Lulaj krijon relacione të ngushta me lexuesin pasionant, i cili do të bindet vetëm atëherë kur do ta shfletojë poetikën e tij që të josh që në lekturim të parë. (Hasan Qyqalla)



(Vota: 21 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora