Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Qorrfishekë kërçove dhe groshë tetove

| E merkure, 27.06.2012, 07:41 PM |


QORRFISHEKË KËRÇOVE

DHE GROSHË TETOVE

Nga:  KALOSH ÇELIKU

Fatkeqësisht, koha është sot shqiptarët t’i bien kokës jo me gisht, po me grushta. Përçarjen teknefese nëpër parti politike për interesa personale, familjare e grupore duhet përzënë nga mesi i tyre në theqafje. Edhe atë, në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. Motit Madh 2012. Ditë, kur patjetër duhet ta ndajmë grurin nga byku. Trurin e intelektualëve shqiptar sipas aftësive ta vëmë në kandar. Dushkun, siç thotë populli edhe në të ardhmen të mos lejojmë individë dhe parti politike të na e shesin për gogëla. Vlerë të „arrirë“ politike-kulturore e shkencore. Ballëlartë nëse duam të ecim me popujt e tjerë të civilizuar krah për krahu në histori. Tjetër punë është ajo se ne, në lëmë na ka mbuluar byku deri në fyt. Koka dhe duart na kanë mbetur jashtë për të dalë nga bataku shekullor, së paku ta shpëtojmë veten si popull. Vite me radhë ne kemi fshi me qe e kalë bereqetin në lëmë që nga koha e Baba Dovletit. Erë të fortë nuk kemi pasur për ta hedhur grurin në lëmë. Ose, siç thoshte shpesh Nëna ime plakë: nuk fryn Bukoçi. Byku që nuk e hanë as lopët me vite na ka mbetur bashkë me grurin mullarë-mullarë te pragu i derës madhe të Shtëpisë. Shkak ky, që gjatë këtyre viteve të ndryshimeve demokratike ne kemi hëngër bukë të përzier me byk. Groshë tetove me shkrum e qorrfishekë kërçove. Jo rastësisht, gati të gjitha partitë politike më të mëdha shqiptare selitë i kanë themeluar dhe i kanë në Tetovë. Qytetin historik e dy universiteteve. Një parti politike gjatë gjithë jetës Tetovën e proklamonte si kryeqendër politike e kulturore shqiptare. Politikisht hoqi dorë nga Shkupi, kryeqyteti i Dardanisë dhe ambasadave botërore, qyteti me më shumë shqiptar pas Tiranës. Pala tjetër „strategjike“ e koalicionit në Qeveri për „politikën e tyre madhore“ shqiptare u biente duarve shuplakë për fitore. Groshën e vënë të zihet në zjarr pa mish për darkë në Tetovë. Përmëkeq, gjatë këtyre viteve të ndryshimeve demokratike nuk i qitën ujë në vorbë. Gabim historik i shqiptarëve. Edhe pse, grosha e Tetovës për nga kualiteti dhe shija është e dëgjuar anë e mbanë Atdheut. Mos t’i përmendim këtu ëmbëltoret e tyre të dëgjuara nëpër botë. Larg specialitetit të tyre nuk janë edhe qorrfishekët e Kërçovës. Rasti ma kujtoi edhe t’im Atë kur shiste groshë në pazarin e Kërçovës. Pazarxhinjt, që donin të blenin groshë e pysenin: a, është e mirë grosha dhe t’ua thotë të vërtetën, a zihet shpejt me një ujë në zjarr? E dini si u përgjigjej im Atë? Jo, nuk e dini. Burra, unë e shes groshën dhe jo gruan time që t’ua përgadis juve në sofër për darkë. Interesant, ë?! Thënia e t’im Ati sa më përgjason sot me aftësitë e politikanëve shqiptar gjatë këtyre vrapimeve për pushtet me koka të huaja në qafë.

Ndryshimet demokratike ishin shansë e vetme që ne shqiptarët vetë me lopatë druri ta hedhim bereqetin në lëmë. Grurin ta ndajmë nga byku. Egjrën që tinëz përpiqet të na futet si bukë në magje. Arsye e fortë kjo, që thasët me drith duhet situr mirë maxhatoret tona shqiptare t’i mbushin me grykë, lidhin mirë me kordhë kanapi dhe dërgojmë në mulli për miell. Groshën ta vëmë në sofër për darkë si ushqim special tradicional. Nëna ime edhe sot më kujtohet me lopatë druri gati në dorë, kur priste të fryjë Bukoçi. Bereqetin e verës ta pastrojë me këmbëngulje mes lëmës nga byku e egjra. Falë saj, ne hanim bukë pa egjër. Edhe groshë për darkë pa shkrumb, që piqej gjithë ditën e gjatë në zjarr pranë oxhakut, po e qëndisur përsipri me tëlyen bagëtie sipas dëshirës së Babait.

Përçudi, partitë politike shqiptare sot nuk e presin të fryjë Bukoçi. Bereqetin nuk e hedhin si dikur nënat tona me lopatë druri në lëmë. Fytas janë rrokur me njëra-tjetrën për pushtet. Armët i kanë nxjerrë nga brezi në emër të popullit. Edhe atë, pa fije turpi e thirrin popullin për ndryshime politike: na e jepni votën t‘ju nxjerrim në dritë! Jetën gjatë qeverisjes sonë t’ua bëjmë parajsë me lule. Ne, do t’ju nxjerrim nga bataku në të cilin edhe u futëm përshkak gabimeve tona gjatë këtyre viteve sa qemë në pushtet. Merreni me mend, partitë politike që me votën e popullit e fituan pushtetin dy-tri e më tepër mandate. Mjaftë kohë gjatë këtyre viteve patën ta dëshmojnë veten, të mos bëjnë më gabime për ndryshime në jetën politike-kulturore të shqiptarve. Mjerisht, pakgjë bënë në ngritjen e këtij populli të përvuajtur nga armiqtë shekullor i rrethuar nga të katër anët me istikame. Gjithmonë e ngritën zërin vetëm para zgjedhjeve lokale e parlamentare me premtime demagogjike, kur u duheshte vota e popullit. Mjeranët, harronin se edhe politika ndrron si stinët e vjetit. Kurrë siç duket në jetën e tyre nuk e kishin lexuar poemën e Ndre Mjedjes: Bilbili. Vargjet e tij të famshëm:

 

Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po don m’u ndrrue:
Fillo me gëzue.

 

Gjithmonë, nuk është vetëm verë, ose dimër. Vjeshta vjen me shi, breshër dhe rrufe. Dihet, gjithmonë shti në lisa e kurrë, në ferra. Shqiptarët kanë pak lisa e shumë ferra edhe në rrugë. Argatët „besnik“ të dikurshëm të partive politike, shkaku humbjeve të posteve politike dhe interesave të tyre personale paralajmërojnë edhe themelimin e një partie të re me zgjebe politike shqiptare. Ose, koalicion me opozitën maqedonase neokomuniste për të dalur krah për krahu në zgjedhjet e ardhmshme parlamentare. Pavetëdije, ua zgjasin jetën partive politike shqiptare të pazoja gjatë këtyre viteve në pushtet. Publikisht e them: me një bërllok të tillë kontenieri të harxhuar vetëm për një përdorim, që vetë këto parti politike i kanë djegur me poste politike gjatë këtyre viteve në pushtet partizanët e tyre me pushkë shelgu në krah, nuk themeleohet parti e re politike shqiptare dhe nuk do të kemi ndryshime rrënjësore në politikën shqiptare. Përderisa, këtë bërllok shqiptar që na ka mbi në oborr, vetë me duart tona nuk e shkulim nga rrënja, themeli siç thotë Noli i Madh: „... KULTUROFAGËT, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten në plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i coptosh, po jo t’i ç’qitësh nga trupi që kafshojnë e thithijnë... që t’i ç’qitësh këta nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën po edhe këmbët e trupin...“

Shkaku kryesor ky, që partitë politike shqiptare pasi e merrnin pushtetin ia futnin gjumë në Qeveri e kabinete me kulturofagët qafë për qafe për shtatë palë qejfe. Edhe, vazhdojnë të na japin përditë të hamë bukë me egjër. Groshë tetove me shkrumb e qorrfishekë kërçove. Vetëm, hidhnu një sy kuadrove të tyre të „zgjedhura shkencore- politike“ nëpër institucione të shtetit të „përbashkët“, që na i servojnë si bukë të përditshme misëri të pjekur në çerep poreçe e përsipri saç me shpuzë të Destan Xhypit! Aspak nuk u vjen era bukë, po era egjër. Shkak ky, që ne si shqiptarë të nëpërkëmbur nuk na dhemb vetëm barku, po edhe koka. Koha është, shqiptarët njëherë e përgjithmonë ta ndajnë grurin nga byku. Mjaftë më, shkaku trusakatëve gjithë jetën hëngrëm bukë me egjër e qorrfishekë kërçove!

Vallë, nuk i shihni partizanët e tyre teknefesë sesi shtyhen me bërryla në emër të popullit për interesa personale materiale. Poste partiake duke u përpjekur të shtojnë pasurinë me djersën dhe gjakun e popullit shqiptar gjoja për shënimin e Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, flamurit kuqezi shqiptar?! Fajin duke ua hedhur të tjerëve pa arsye në mjetet e informacionit, që nuk derdhin mjete materiale  për xhepat e tyre të grisur si thasë Baba Dovleti. Askushët e djeshëm, që si turq „ehamdurila“ ishin nisur të shpërngulen me gjithë familje në Turqi. Mirë do të ishte të ikte edhe ky bërllok shqiptar. Ndoshta, do të shpëtonim nga „patriotizmi“ i tyre halldup, nuk do t’i kishim këto probleme politike që i kemi sot në Shkup. Shkaku prishjes së marrëveshjes mes Serbisë dhe Turqisë për shpërnguljen e shqitarëve në Turqi, na mbetën ferrë e keqe nëpër këmbë edhe sot e kësaj dite me zemër turku e veshje të rrejshme gjoja shqiptare „kuqezi“. Partizanë „besnik“ të partive politike, që kokën e kanë në parti e bythën në Turqi. Zhurmë politike, arsim, kulturë e shkencë bëjnë vetëm për poste partiake e përfitime materiale.

Amani, malli më ka marrë për pak bujqësi dhe blegtori. Përshesh me kos në mëngjes te pragu i derës. Barkun e kam plot me arsim, kulturë dhe shkencë. Ushqim të shëndosh kërkoj për trurin! Lëmsh na i keni bërë profesionet: Shkencën e keni përzier me turizmin e një sezone verore. Bujqësinë me fenë Islame. Politikën me prostitucionin nëpër shtëpi publike. Asgjë nuk na ofroni pëveç zhurmës arsimore, kulturore e demagogjisë politike. Ditenatë na shtroni në sofër përurime të librave e „konferenca shkencore“. Organizmi i një shoqërie moderne mendoni se mund ta mbaj veten gjallë vetëm me këto ushqime, që na i servoni edhe pa kripë. Gabim e keni sot e gjithë ditën, truri juaj nuk pjellë, e keni mushkë. Trusakatët na i keni vënë në ballë, që nuk janë në gjendje t’i ruajnë as buallicat e katundit, e ku më dhentë e bariut me gunën krahëve maleve të Sharrit Plak. Fyellit t’i biejnë lëndinave te Sytë e Sharrit, që dhentë të kullosin rehat te Lugu i Ymerit. Qentë t’i ndejllin rreth bagëtisë. Ujku, kurrë të mos u bie paprtimas si dje ndër dele. Gojën ta mbyllin, që para syve tanë të mos trumbetojnë para kamerave televizive arsim, kulturë dhe „shkencë“ shqiptare. Zhurmë e përditshme plot politikë deri në palcë që na i shurdhoi veshët. Edhe kush, pakurrizorët që partia pa kritere shkencore i mori nga rruga, u dha poste e tituj shkencor dhe i ngriti nga bërlloku i kontenierve në kuadro universitar.

Vorba mbi zjarr po vlon me gurgullimë, thotë populli. Kapaku i saj kërcen valle kaçake, derdhet grosha. Dramagjakut me kokë gjarpëri nga vapa i dridhen këmbët. Ndodhë, të dalë nga shpuza, ecë nëpër dhomë. Gojën ta hapë si kuçedër, vjellë zjarr. Motin e Madh do të na leni pa darkë në sofër. Ose, duhet qitur me kovë ujë të ftohtë groshës, ose duhet hequr vorbën nga flaka e zjarrit pranë oxhakut. Përndryshe, edhe gjatë kohë do të hamë bukë me egjër. Dhe, groshë tetove me shkrumb e qorrfishekë kërçove...