E premte, 29.03.2024, 12:30 PM (GMT)

Përjetësi » Lushaj

Zeqir Lushaj: Duhej të vdiste motra!

E merkure, 27.06.2012, 06:10 PM


Zeqir Lushaj, me kostum kombëtar. Pedagogjikas,Shkodër,  1964

DUHEJ TË VDISTE MOTRA!

- Kangët e vallet në gëzime festash,
Përjetsojmë në kështjella brezash-
-7 vjersha, për kalatë Shqiptare-

Nga Zeqir Lushaj

PSE LAZDROHEMI?

…!
Stërgjyshërit tanë,
Ilirët e famshëm,
Ndërtuan kala,
I kemi edhe sot krenari!

E ne, nip-sternipërit e tyre,
(Që rrëmisht i biem gjoksit),
Lazdrohemi nga mrekullia,
Kur ndërtojmë një shtëpi.

“Shtëpi të kohës”,
(Që nuk jetojnë as një shekull!)
Dhe rrudhim buzët poshtë Kalave:
-…Ç’është kjo gjë e vjetër?

…!?

 

KALA E SHKODRËS

-Rozafati-

Shikimin nga Deti,
Ja kthjellon,
Ujë-bollshmja,-Buna.

Shpindën,
Ja mbron ,
Kryeneçi-Dri.

Kiri-mbrapshtan,
Nga grykat e maleve,
Sjell fllad bjeshke–Veri.

Rozafa, mban “çelësat”,
E ruan Shkodrën,
Të mos e marri uji,

Siç pat ndodhë me Trojën,
Disa herë …,
E… dikurë.
…!
Pozitë e zgjedhur,
Lakmitare, mbi Tepe,
Syri i Liqenit-gjithmonë.

Na përshëndet, në heshtje,
Kalaja  krenare,
Me emrin e motrës tonë.


DUHEJ TË VDISTE MOTRA

Le të thonë të tjerët,
Ç’të dojnë.
Le të rishkruhet,
Mbarë e mbrapsht historia.

Unë, (siç po shihet) kurrë,
Nuk do ta kuptoj një gjë:
-Si ngjitën gurtë e Rozafatit,
…Në themele ish Tradhëtia!

…!
Tek ladroj kalin-histori,
Më dhëmb fati i Rozës,
Që u muros aty brënda.

Dhimbje-krenare...,
Duhej të vdiste motra,
Që të lindëte legjenda!

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Dita” nga Shtimja,  në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar “Rapsha 2009”


MBI KALA, KALA ME KANGË

-Shterron dielli e shteron hana,
Argjirosë, s’i shterron kanga…
(Kala e Gjirokastrës, 1988)

Ja bjen Sofrës, Shqipja Nanë,
Mbi Kala, kalanë me kangë,
Gjithë Shqipria, për një fjalë:
– Argjiro, Ty t’qofshim falë.

Për kohë t’mdhaja t’ngriti Lokja,
Pushkë e penë t’i njofti Bota ,     *
Themel guri, kështjellë pa morte,
Pishtar drite rruga Jote.

Kohët që shkojnë, brezat që vijnë,
Argjirosë ja shtojnë lavdinë,
Shterron dielli e shterron hana,
Kurr mbi Ty nuk shterron kanga.
./.
*Pushkë – Çerçiz Topulli,
Penë: – Ismail Kadare ,...Eqerem Çabej… …etj, etj.


KURR’ PËR KANGËN NUK ASHT’ VONË

– Kushtuar: Festivaleve Folklorike
dhe Kalave Shqiptare –

Me gjithë shpirt, Pashtriku i Hasit,
I çon mesazh Kalasë Beratit.
Kësaj kështjelle, qytezë-ari, 1)
Që shtron sofër Festivali.

Sheh Tomorri nga xhelozija,
Drejtë Shpiragut vija-vija! 2)
Argjiroja që e kem’ motër,
Shumë dekada e shtroj kët’ sofër.

Jug-Veri do t’shkojë kjo dasëm,
N’Tepelenë e n’Krujën e dashtun.
Rradhën pret Rozafa e Shkodrës,
Pret Kanina sipër Vlonës.

Elbasani po i thërret Lezhës,
Kur e kem’ rradhën e festës?
Kurr për kangën nuk asht vonë,
N’kala t’Prezës e n’Libohovë.

Kangët e vallet në gëzime festash,
Përjetsojmë në kështjella brezash.
./.
1) Autori, e quan qyteze-ari, se, Kalaja e Beratit, është e vetmja kala e banueshme
në Shqipëri, ndoshta edhe në Ballkan.
2) Simbas legjendës, mali i Tomorrit dhe ai i Shpiragut, zunë dashuri me Kalanë.
Tomorri, nga xhelozia, e goditi kaq fort me shpatë Shpiragun, sa Ai, u bë
gjithë vija-vija.


HUAZOVA LEGJENDËN

-I kërkoj falje Beratit…-

Më flen në hatër se,
Veleçiku e Cukali,
Kur panë Kalanë-Nuse,
Që rrinte “divan”…,

U harlisen nga xhelozia,
(Krisur në tepelek të kokës),
…Dolën në mejdan.

Taraboshin shenjuan,
(Si Tomorri Shpiragun),
E gjuajten me shpatë.

(Të verbuar  nga bukuria,
Burrat..,
Gjuajnë pa mëshirë,

Gjuajnë mbi njëri-tjetrin,
Që të terrorizojnë…,
– Gratë).

***
Dukshëm edhe Taraboshi,
I ka do brazda …, vija-vija,
Në emër të dashurisë,
Vuan…, edhe Perëndia.

Po nuk qe e vertetë,
Mos ma vini mendjen,
I kërkoj falje Beratit,
…Huazova Legjendën!

Kalaja e Krujës


ROZAFA… SHIROKA

Paska shumë mënyra,
Për të jetue.
Edhe tuj ba qef,
…Edhe tuj luftue.

…!
Rozafa e Shiroka,
Dy motra krenare,
Dëshmi të jetës,
Që nuk vdes.

Krahperkrah,
Në fate të ndryshme,
Me Bunën shkurtabiqe,*
…Mes-për-mes.

Rozafa, u flijue,
Për ne të gjithë,
Për t’i dhanë ,
Emër tjetër vendit.

Shiroka, (tana-herët),
Në fatin e lumtur,
(Kamp pushimi),
Në thembër të Taraboshit,
Në puhizën e valëve të liqenit.
* * *
Paska shumë mënyra,
Për të jetue.
Edhe tuj ba qef,
…Edhe tuj luftue.
./.
* Lumi Buna, është lumi më i shkurtër i Shqipërisë, (dhe ndoshta i krejt Europës).

(Ekskluzivisht për ZemraShqiptare, nga NJ, USA, qershor 2012)



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora