E marte, 16.04.2024, 05:38 AM (GMT+1)

Mendime

Ismail Kadare: “Ja e vërteta për komisionin e diktaturës që dënonte shkrimtarët”

E hene, 24.03.2008, 12:22 PM


Ismail Kadare ka qenë dje në Shkodër. Në mesditë, i rrethuar nga miq e adhurues të letërsisë, i ka ndalur hapat në një banesë të veçantë, shtëpia e shkrimtarit të njohur shkodran, Filip Shiroka, e cila tashmë është shndërruar në një restorant ku zotëron atmosfera e traditës. Kadare ka lidhje të veçanta me këtë qytet. Dje, mbase për herë të parë ka zbuluar shumë detaje nga marrëdhëniet e tij me diktaturën, dy vepra të rëndësishme të tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, apo eseja “Ardhja e Migjenit në gjuhën shqipe. Kadare ka folur dhe për situatën aktuale pas pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar të jashtëzakonshme, “pasi tashmë kombi ynë ka dy shtëpi, ka dy shtete. Është një kënaqësi që takimin po e zhvilloj në një lokal që dikur ka qenë shtëpia e vjetër ku ka jetuar shkrimtari i nderuar, Filip Shiroka”.

Z, Kadare, jemi në Shkodër. Ç’ju lidh me këtë qytet?

Me Shkodrën kam lidhje emocionale që nga kthimi nga Moska, ku isha me studime në universitetin “Gorki”. Ishte një shkollë e huaj, ku me shumë gjëra nuk kam qenë dakord, por kjo më ka shërbyer të mësoj për gjërat që nuk duhen bërë. Kjo ishte një mendësi e re që u krijua tek unë dhe me këtë mendësi kam ardhur në atë kohë në Shkodër. Lidhja emocionale qëndron në faktin se kur isha në hotel “Rozafa” të Shkodrës, për një javë që kam qëndruar kam shkruar “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. I pari që e ka lexuar ka qenë një piktor shkodran, një prej miqve të shumtë piktorë që kam pasur në Shkodër. Impresioni i tij i parë ishte se ky roman ishte ndryshe. Njohja me piktorët e talentuar të Shkodrës më ka shërbyer dhe në krijimtari. Ndër to veçoj piktorin Jakup Keraj. Kam parë një pikturë të tij nudo të mbuluar me një futë, pasi në Shkodër ishte marre me e vu në shtëpi një pikturë nudo. Nga piktori Keraj jam frymëzuar për të shkruar dy tregime.

Shumë personalitete të kulturës kanë jetuar këtu. Si ishin lidhjet tuaja me ta?

Kur erdha në Shkodër, vura re se ky qytet kishte shumë romantikë dhe një lidhje të natyrshme me letërsinë. Më kujtohet Llazar Siliqi. Ishte një shkrimtar komunist, i kufizuar, por që ishte një njeri i mirë, tepër njerëzor, i cili këtë ndjeshmëri humane e shprehte në letërsi. Llazari ishte nga ata shkrimtarë që ndihmonte njerëzit. Ndonëse ishte komunist, ai ndihmonte dhe shtresat e persekutuara. Një prej tyre ishte shkrimtari Pashko Gjeçi, përkthyes i Dante Aligerit, të cilin e ndihmoi të dilte nga burgu dhe të largohej nga puna në gurore. Llazari ishte ai që më njohu me shkrimtarët e asaj kohe prej të cilëve më la mbresa Pashko Gjeçi, një shkrimtar erudit i thellë dhe i talentuar. Pavarësisht këtyre dhuntive dhe përgatitjes së tij Pashkoja në atë kohë ishte disi i mbyllur, i heshtur, pasi nuk mund t’i harronte vuajtjet e burgut dhe të gurores. Por nëpërmjet Llazarit jam njohur dhe me muzikologun e talentuar Ramadan Sokoli, të ndarë pak ditë më parë nga jeta. Më tërhiqte Shkodra si një kujtim i një kohe që kishte perënduar, më kujtonte periudhën që qëndrova në Bashkimin Sovjetik.

Si e përjetuat kthimin nga studimet? Diktatura këtu ishte mjaft e ngurtë...

Në atë kohë, në Bashkimin Sovjetik vihej re njëfarë liberalizimi, por kur një shkrimtar mori çmimin Nobel, u turrën të gjithë për ta nënshtruar. Ndërkohë në vendin tonë regjimi ishte më i rreptë, pasi këtu të pushkatonin. Ne ishim ende stalinistë, ndërsa në Bashkimin Sovjetik e kishin hedhur poshtë me kohë. Kur u ktheva në Shqipëri pas studimeve, vura re se kishte prapë elitë shkrimtarësh pavarësisht sistemit, si Lasgush Poradeci. Shkrimtarë të tillë quheshin zotërinj, por njëkohësisht borgjezë. Të tillë i hasa edhe në Shkodër, një pjesë kanë zënë vend edhe në veprat e mia.

A ju ka mbetur diçka pa shkruar tek vepra “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”? Si e vlerësoni qëndrimin e kritikës së asaj kohe ndaj Migjenit?

Kjo vepër është shkruar në kohën e komunizmit. Në vepër ka ndikuar kufiri që vihej në atë kohë, kishte kufizime që i dija se nuk mund t’i kapërceja. Kjo vepër është një ese ku në përgjithësi paraqitet ajo çka mendoj për Migjenin. Vepra në fjalë ka mungesa, ka të gjymtuar pjesën e kohës kur jetoi dhe punoi Migjeni. Ajo është një ese dhe në diktaturë letërsia ishte më e lirë se eseja, e cila i kishte gjërat e përcaktuara, ndërkohë që kryeredaktorët fusnin emrat që i duheshin kohës. Në letërsinë e asaj kohe mund të gjesh mjaft gjëra me vlerë, por tek esetë është mjaft e vështirë t’i gjesh. Ka një keqkuptim dramatik për Migjenin që vazhdon ende. Nuk është faji i Migjenit që regjimi komunist persekutoi shumë shkrimtarë që jetuan në atë kohë. Ishte një periudhë kur bëhej transferimi i krimit të kryer nëpërmjet alibive djallëzore që vazhdojnë edhe sot nga shkrimtarë të asaj kohe, të implikuar me Sigurimin e Shtetit, që vazhdojnë edhe sot të përhapin mjegull. Kritika idiote komuniste e bëri Migjenin shkrimtar të realizmit socialist. Po ku e gjeti kjo kritikë lidhjen e Migjenit me komunizmin? Për të krijuar një lidhje të tillë, kritika e asaj kohe e komentonte diellin e shkruar në veprat e Migjenit, si figurë letrare që i drejtohej Bashkimit Sovjetik. Migjeni ishte shkrimtar impresionist jo i realizmit komunist. Një tjetër tezë idiote është edhe ajo e nxjerrjes së Migjenit me origjinë, apo pjesërisht sllav. Migjeni nuk ishte sllav, por edhe po të ishte, ai me veprat e tij kishte mohuar origjinën, kishte mohuar gjuhën, kishte përqafuar Shkodrën dhe gjuhën shqipe. Në këtë rast nuk duhej të kishte hatërmbetje nga studiuesit shqiptarë. Përkundrazi, të vetmit që duhej t’i mbeste hatri, nëse Migjeni ishte sllav, duhet të ishin malazezët dhe jo shqiptarët.

Përmendët alibitë djallëzore që bëheshin asokohe nga shkrimtarë të caktuar dhe implikimin e personave të lidhur me Sigurimin e Shtetit. Në ndonjë rast të veçantë është përmendur edhe një komision për vlerësimin dhe dënimin e shkrimtarëve, ku mes të tjerësh përmendet edhe emri juaj. Si është e vërteta?

Kur kam qenë në SHBA, më kërkuan një koment në lidhje me një komision të krijuar për vlerësimin e dënimin e shkrimtarëve nga Ramiz Alija, Nexhmije Hoxha dhe Ismail Kadare. Në të vërtetë, ai ishte një komision që nuk ekzistonte. Ishte një tendencë, një thashethem djallëzor, që donte të kalonte përgjegjësinë kryesore të dënimeve tek shkrimtarët, pra synohej të transferohej krimi. Përgjigja ishte fare e thjeshtë, pasi shkrimtarë të tillë si Fishta, etj, u ndaluan që kur filloi sistemi komunist në Shqipëri, në vitet ‘44-’45. Atëkohë unë isha vetëm 8-9 vjeç. Nuk mund të isha në komision. Për më tepër, për vendime të tilla sistemi nuk kishte aspak nevojë për shkrimtarë. Diktaturën e mbante krimi, jo shkrimtarët e kohës. Këto ishin vetëm justifikime. Përgjegjësi kanë edhe ata shkrimtarë që janë bërë pjesë e përkrahjes së diktaturës, por kurrë nuk mund të thuhet se kanë përgjegjësinë kryesore. Kurrë nuk kanë qenë pjesë e makinerisë së diktaturës.

Ç’mundësi kishte dikur, dhe ç’mundësi ka sot të shpërfaqet një shkrimtar?

Në periudhën e diktaturës kishte mjaft vështirësi, por ishte më e lehtë sesa sot, për shkak të mbështetjes që krijonte sistemi për talentet e reja. Ndërsa sot është më e vështirë, pasi një shkrimtar i ri gjendet i vetmuar. Kjo mosmbështetje e tanishme lë në hije talentet. Kjo vjen për shkak të mungesë së hierarkisë të cilën duhet ta bëjë kritika, por ndërkohë letërsia e sotme shqiptare është kthyer në dinasti, nuk është demokratike, ka sundim të një pakice. Ndërkohë e vlerësoj edhe punën e shkrimtarëve mediokër, të cilëve pavarësisht se nuk iu jeton vepra në afate të gjata, mbajnë dhe tërheqin mijëra lexues, çka arti i madh nuk arrin ta bëjë. Kjo është një anë tepër pozitive e kësaj kategorie shkrimtarësh. Por duhet që kritika të ushtrojë hierarkinë e saj dhe të mos kursejë fjalën e mirë për shkrimtarët e talentuar.
 
Kohët e fundit kanë gjalluar debatet për standardin e gjuhës shqipe. Keni një opinion mbi ndikimin e standardit në letërsi?
 
Në atë kohë, sistemi favorizoi dialektin e Jugut. Por përsëri ishte një dialekt i folur dhe i shkruar i gjuhës shqipe. Të dy dialektet ishin të pranueshme, por u mor më tepër ai i Jugut. Por mendoj se letërsia e mbajti gjallë dialektin e shkruar geg. Regjimi bënte çmos për ta eliminuar, por nuk mundi, pasi kishte mjaft vepra me vlerë të shkrimtarëve të mëdhenj si Migjeni, Mjeda, të cilët vlerësoheshin dhe i kishin veprat në atë dialekt. Unë jam plotësisht kundër ndërhyrjes gjuhësore për hir të përshtatjes me gjuhën standarde tek veprat e shkruara në gegërisht.

Kosova tashmë është e pavarur. Si e parashikoni të ardhmen e saj?

Është e rëndësishme që mes dy shteteve Shqipëri-Kosovë, të mos ketë disunitet, të mos ketë grindje, të cilën e kemi specialitet. Kjo do të ndodhte po të ishte për politikën apo kategori të tjera. Por fatmirësisht ka një arbitër të fortë. E vlerësoj qetësinë dhe mençurinë e Kosovës në rastin e krijimit të një flamuri të ri. Kosova e kuptoi situatën. Krijoi një flamur të ri, ndërkohë që flamuri kombëtar kuqezi ka mbetur thellë në popull, ashtu siç ka mbetur gjuha, traditat, zakonet. Kosova u tregua e mençur edhe në ideimin e flamurit që tashmë është më evropiani, duke e treguar veten si një bijë e vërtetë e Komunitetit Evropian.

A ju shqetëson multietniteti në Kosovë?

Nuk më shqetëson ky fakt, pasi nuk ka asnjë shtet unietnik. Në shtetin e Kosovës shqiptarët janë në shumicë absolute. Gjatë kësaj periudhe u vu në provë toleranca shqiptare.

A mund të ushqehet tashmë hapur ideja e një bashkimi me Kosovën?

Nuk duhet të nxitohemi për bashkimin. Do të vijë koha që vetë Serbisë t’i interesoje bashkimi, sepse me dy shtete shqiptarët do të jenë më të fortë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora