E enjte, 25.04.2024, 12:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme (V)

E diele, 24.06.2012, 06:22 PM


RRETH IDENTITETIT TË GJINISË ASNJANËSE NË SHQIPEN E SOTME

Nga Dr. Nuhi Veselaj

V. vendi i asnjanësve prejpjesorë në kuadër

                               TË PREJPJESORËVE TË TJERË                     

1)     Treshi sinonimik dhe emërtimi i proceseve

            tekniko-teknologjike në gjuhën shqipe

Siç e pamë vendi i asnjanësve të paparanyjëzuar ose të parmë si emra të mirëfilltë me kuptim të hershëm burimor përfshihej në kuadër të nënfushës që emërtoheshin përgjithësisht koncepte të gjësendeve a të lëndëve konkrete të panumërueshme e të tjera, vendi i asnjanësve prejmbiemërorë të nyjshëm që në fillim bënte pjesë në nënfushën e emrave abstraktë të profilit të cilësisë të një gjendjeje a të qeni që motivohej nga tema e qartë fjalëformuese mbi bazë mbiemërore, ashtu siç motivohej edhe emërtimi i asnjanësve të paranyjëzuar prejpjesorë nga tema foljore (pjesorja përkatëse) për të shprehur veprime të caktuara po nga fusha e abstraksionit, por të profiluar ndërkohë parësorisht në një nënfushë të veçantë semantike, që kishte të bënte me emërtimin e koncepteve të veprimeve përkatëse po brenda fushës së gjerë të abstraksionit, ashtu siç ngjan edhe me asnjanësit prejmbiemërorë. Në të vërtetë, këtë nënfushë semantike të asnjanësve prejpjesorë e shpjeguam dhe e konceptuam në një farë dore në kreun e mëparshëm, ndërsa tashti në këtë krye e në të tjerët në vazhdim na mbetet që ta qartësojmë edhe më mirë e më në hollësi po të njëjtën gjë, ngase në këtë mënyrë identiteti i asnjanësve të këtij tipi, del më i përkapshim. Pra, na mbetet që në vazhdim të bëjmë përpjekje që gjatë shtjellimit të ekspozojmë sa më shumë fakte të qarta dhe bindëse jo vetëm për lexuesit dashamirës, por edhe për studiuesit me ambicie të zgjuar të gjuhës sonë.  

 

Ç’është e drejta, rreth nënfushës semantike të asnjanësve prejmbiemërorë të paranyjëzuar dhe për nënfushën semantike të asnjanësve prejpjesorë  deri më tash nuk kemi ndeshur në ndonjë  punim monografik të hollësishëm, por konstatime me interes patëm rastin të lexonim nga materiali i   përfshirë në Gjuha letrare shqipe për të gjithë, të dhëna këto të vlerësuara shumë pozitivisht prej nesh në fillim të këtij punimi dhe në disa artikuj të prof. A. Zymberit. Mirëpo, në të vërtetë, ne, spontanisht në mënyrë të pavarur, pa i konsultuar burimet që bëjnë fjalë për temën në shqyrtim, specifikimin a prirjen rreth përcaktimit të nënfushës semantike të asnjanësve prejpjesorë e kemi pasë vënë re kalimthi qysh para 20 e sa vitesh në një punim, kur i patëm trajtuar emërtimet e proceseve tekniko-teknologjike të shqipes në ndërmarrje prodhimi.

Meqë ishte pothuaj rast unik sa i përket trajtimit të temave të tilla ndër ne e më gjerë dhe me qëllim që edhe sot përmbajtja e atij konstatimi të jetë më e qartë për lexuesin, po e riprodhojmë këtu vetëm pjesën që ka të bëjë me temën tonë të nxjerrë nga trajtesë-kumtesa me titull “Çështje rreth emërtimit të proceseve tekniko-teknologjike me foljet më -o/(-zo-), botuar në Seminari...1987 dhe të ribotuar në librin Foljet më -o- në shqipen e sotme (Prishtinë 2002, f. 24), ku tekstualisht theksohet:

 

Në këtë kompleks çështjesh (d.m.th., rreth emërtimit të proceseve tekniko-teknologjike) po cek vetëm dukurinë e bashkëjetesës së treshit sinonimik (emrave prejfoljorë) nga tema e njëjtë motivuese, si p.sh. shkrim / shkruarje / të shkruarit, çmim / çmuarje /të çmuarit, lëshim/ lëshuarje / të lëshuarit, shtrim//shtruarje /të shtruarit, kthim / kthyerje / të kthyerit etj., dukuri kjo që është e pranishme në jetën tonë të përditshme dhe ka raste të këtilla që dalin të shënuara e të përligjura edhe në fjalorin tonë shpjegues normativ. Gjithsesi studimi me kompetencë i kësaj dukurie, me mprehtësinë që meriton, mbase do të nxjerrë në pah se treshi sinonimik i sipërcekur në gjuhën tonë, mos vallë, do të konsiderohet si një begati, jo vetëm për të shprehur ngjyrime stilistike për të njëjtin koncept, por ato do të mund të cilësoheshin edhe si fjalë të veçanta (terma) për të shprehur koncepte të ndryshme, varësisht nga konteksti ose nga vetë dukuria që shprehet. Ç’është e vërteta, nga aspekti që po trajtohet këtu ndonjëri nga shembujt që u konstatuan mund të shërbejë si sprovë për një kundërvënie kuptimore, ngase me emrat e tipit: shkrim, çmim etj. shprehet rezultati i veprimit, me emrat e tipit: shkruarje,çmuarje etj.- shprehet vetë veprimi si proces në vazhdim (kryesisht) dhe së fundi, me emrat asnjanës të tipit të shkruarit, të çmuarit – shprehet  koncepti i temës a i procesit të caktuar.

Gjithsesi, theksonim aty, një kundërvënie e tillë kuptimore e sinonimeve në fjalë del më e qartë në raport me barasvlerësit përkatës të gjuhëve të huaja, jo vetëm në gjuhën e përkthimit, kur kemi të bëjmë me terminologji tekniko-shkencore e teknologjike, por edhe për koncepte të tjera të fushave të caktuara, ngase jeta shtron nevojën edhe për aso shprehjesh e nuancash konceptore, të cilat deri më tash nuk ishin aq të ndjeshme dhe të domosdoshme për t’u shprehur.

 

Ne, atëherë këtë çështje e lamë të hapur, e cila mjerisht nuk zgjoi interesim e duhur te faktorët tanë përgjegjës normëvënës, ashtu si mjaft çështje të tjera të iniciuara ndërkohë prej nesh. E themi me keqardhje pse kërkesa jonë mbeti amull, d.m.th. ende vendnumron, sepse nuk pati lëvizje as jehonë tash a sa vite, ndonëse mendojmë, siç tregojnë faktet, se kishim plotësisht të drejtë. Edhe sot ngulmojmë se numri i asnjanësve të ngjashëm, të tipit si b.f. të menduarit, të folurit, të përthyerit që dalin si terma të mirëfilltë të njohur ligjërisht, sipas terminologjisë tekniko-shkencore të shkencave filozofike, filologjike ose fizike, mund dhe duhet të shtrihen lirshëm edhe në nënfusha të tjera të veprimtarive përkatëse, madje me shembuj ligjërisht të drejtë që mund të kalojnë në model a si me thënë në prodhim serik, ngase këtë e mundëson vetë struktura përkatëse në kuadër të sistemit emëror e foljor të gjuhës sonë, strukturë kjo që ndërlidhet në mënyrë komplekse me të gjitha nënfushat e caktuara përkatëse semantike.

 

 

2)    Shembuj tipikë të treshit sinonimik të gjuhës shqipe në krahasim

                     me dy gjuhë të huaja në kontakt

 

Atë që e thamë rreth specifikimit  të nënfushës semantike në kuadër të treshit sinonimik, duke e pasur parasysh gjithnjë në qendër të vëmendjes asnjanësin  prejpjesor në raport me  prejpjesorin e prejardhur më -im ose -je e vërteton vetë praktike edhe në krahasim me gjuhët e tjera, krahasim ky i domosdoshëm kur kemi parasysh faktin se në jetën bashkëkohore të gjitha proceset tekniko-teknologjike që ndërlidhen  pothuajse me të njëjta fusha të prodhimtarisë së të mirave materiale e të tjera janë pothuajse të ngjashme. Sa për ilustrim po i shënojmë dy shembuj të emërtimeve përkatëse në të tri gjuhëve në kontakt: shqip, serbisht dhe italisht:

---------------------------------------------------------------------------------------

.        shqip                           serbisht                        italisht                        .     

     1. të bindurit                 ubedjivanje                  convicimento,

bindje-a                     ubedjenje                     condizione;

      2. të detyruarit               obavezanje                  obligacione,

          detyrim                       obaveza                      obligo.

 

            Shembuj të ngjashëm në përdorim të përditshëm janë të shumtë. I ndeshim normalisht si barasvlerës, patjetër, siç shihet nga shembujt e mësipërm, edhe në raport me gjuhët e tjera, andaj vendi i asnjanësit si element i domosdoshëm assesi nuk duhet të sillet në dyshim. Në të vërtetë, ne jo vetëm nuk e sjellim në dyshim as dukurinë e treshit sinonimik, por e quajmë të domosdoshme në kontekste të caktuara, andaj kërkojmë që diferencimi kuptimor sipas nënfushave që mbulojnë trajtat e caktuara detyrimisht duhet të njihet më mirë nga të gjithë. Kështu, pra gjithsesi përkufizimet e dhëna në fragmentin e punimit tonë të riprodhuar më sipër sipas tipave të treshit sinonimik prejpjesorë, mund të vërtetësohen mjaft mirë në kontekste të tjera të caktuara, siç do të përpiqemi ta bëjmë tash fill. Pra, sa për ilustrim po japim edhe dy shembuj të tjerë po nga këto tri gjuhë fqinje me përmbajtje të treshit sinonimik:

 

        shqip                               serbisht                            italisht               .

1                                          2                                      3

-----------------------------------------------------------------------------------

1) çmoj (me çmue)              ceniti (oceniti, proceniti)        apprezare

     çmim                               cena                                       prezzo

     çmuarje                           cenjenje                                 estimo

     të çmuarit                     ocenjivanje, procenjivanje       volutacione;

2)  rrit (me rritë)                   rastiti                                     crescere

      rritë-a                              rast                                         crescita

      rritje                                porast                                     creasciuto

      të rriturit                          rastenje                                crescione.

 

(Shih për këtë FSHSK 1981 dhe Fjalor shqip-italish, Durrës 1992, Fjalori i Toçit (1993) dhe Taliansko-hrvatshki ili srpski rjeënik, Zagreb 1980 e në burime të tjera.)

            Jemi të vetëdijshëm se barasvlerësit përkatës që mund të ndeshen sigurisht në raport edhe me gjuhë të tjera, për koncepte të caktuara mund të këmbehen edhe me sinonime të tjera mbase edhe më të përshtatshme, varësisht nga natyra e gjuhës  përkatëse, por ne kemi për qëllim të vëmë në pah ose të tregojmë se kjo vlen sidomos për përkthyesit, pse jo edhe për studiuesit përkatës, se në gjuhën shqipe për konceptin e caktuar nuk ofrohet vetëm njëra nga trajtat e prejpjesorit me prapashtesën me -im ose -je që zakonisht del e favorizuar në fjalorët tanë përkatës si barasvlerësi më tipik për korresponduesit përkatës të gjuhëve të huaja, por për të njëjtin destinim mund të paraqiten edhe të dy trajtat e tjera sinonimike e ndër to nuk duhet anashkaluar assesi as trajta e asnjanësit përkatës si trajtë e padiskutueshme barazvlerëse për konceptin përkatës.

 

Me thënë të drejtën, atëherë, kur ne e patëm shprehur konstatimin e mësipërm, aspak nuk sillnim në sprove-dyshimi qëndrueshmërinë e asnjanësit, siç nuk e sjellim as sot, por dilte i diskutueshëm për ne raporti  i prejpjesorëve të panyjëzuar prapashtesorë i emrave të veprimit me -im dhe -je, të cilët kanë fjalë-temë të njëjtë prodhuese  Ngase, siç na është e njohur nga gramatika, prapashtesa -je, sipas rregullës fjalëformuese semantike del e specializuar vetëm për temat e foljeve me bashkëtingëllore, kurse prapashtesa -im del e specializuar mbi temë të foljeve me zanore a tog zanor -oj, -uaj dhe -ej (pjesërisht).

 Atëherë shtrohet pyetja pse u shfaq kjo dukuri që nuk është pa gjurmë edhe pa prirje jetësimi edhe sot? Përgjigjja s’mund të jepet aq lehtë e thjeshtë. Do të përpiqemi ta elaborojmë sadopak pa humbur kohë. Sigurisht një alternativë e tillë doli nga nevoja, nevojë kjo që për mendimin  tonë ekziston edhe sot. Këtë e ndjejnë më së miri ata që merren ose ballafaqohen me probleme të tilla barazvlerësie, jo vetëm në kuadër brendapërbrenda gjuhës sonë, por aq më tepër në raport me gjuhët e huaja. Atëherë në notes, përveç shembujve të sipërcekur që i kishim ndeshur në burimet tona përkatëse të kohës që e ndiqnin zyrtarisht e rigorozisht normën, i kishim të shënuar edhe shembuj të tjerë po mbi bazë të foljeve më –oj, -ej dhe –uaj tek të cilat veç prejpjesores më –im dilte në përdorim mbi të njëjtën temë prodhuese edhe ajo e diskutueshmja me prapashtesën –je, Ja disa shembuj që po i nxjerrim nga notesi:

 

zgjuarje (zgjim, të zgjuarit), dërguarje (dërgim, të dërguarit), vluarje (vlim, të v(a)luarit), rrezuarje (rrezim, të rrezuarit), dëbuarve (dëbim, të dëbuarit), paguarje (pagim e pagesë, të paguarit), limuarje (limim, të limuarit), ftuarje (ftim e ftesë, të ftuarit, lëmuarje (lëmim të lëmuarit), shfryrje (shfrim, të shfryrët), shkëlqyerje (shkëlqim, të shkëlqyerit, e ndonjë tjetër.

 

Këto janë, pra disa nga trajtat që i patëm vërejtur, madje disa herë të përdorura në burime të ndryshme të kohës, por për të njëjtin destinim, po me kuptimësi të dalluar në kuadër të treshit sinonimik.  Po e përsërisim me të tjera fjalë se këtë dukuri e kemi pasë vërejtur, pikërisht atëherë, kur norma në fuqi te ne respektohej edhe në mënyrë të disiplinuar dhe me eufori, andaj, siç e thamë, dilnin të diskutueshme vetëm trajtat me -je dhe assesi trajta e asnjanësve përkatës ashtu si edhe trajtat me -im.

Meqë rregulla e cekur prej nesh është gjithnjë në fuqi po rrëfehemi se për mendimin tonë rastet e tilla me -je, kur përdoren nga nevoja që shtron konteksti, asnjëherë nuk duhet të cilësohen si shkelje e normës. Themi kështu, sepse në raste të tilla emrat përkatës me -im si dhe -esë (që theksohen sipas rregullës), si b.f. te folja shkruaj: shkrim, shkresë, konstatohet se kishin kaluar në nënfushën tjetër semantike, jo në emërtimin e procesit a të veprimit përkatës. Pra kishin kaluar përkatësisht në emërtimin e rezultatit të veprimit ose të një gjësendi konkret, ndërsa koncepti i emërtimit (abstrakt) të vetë procesit ose ishte zbehur shumë ose kishte mbetur i pambuluar. Prandaj në raste të tilla u ofrua dhe u pranua menjëhershmërisht  (automatikisht) trajta sinonimike mbi bazë të pjesores së letrarishtes së sotme, siç është tipi shkruarje (emërtim i procesit). Krahaso: shkrim-i (emërtim i dokumentimit të veprës reale të shkruar), shkresë-a (emërtim i dokumentit konkret), ndërsa shkruarje-a, pra, emërtim i procesit të veprimit ose veprimi i konceptit të të shkruarit. Për të qenë edhe më të qartë, po përsërisim, kur emri më –im kalon në fushën e emrit konkret ose mbulon koncept të përafërt me të, atëherë vetvetiu  emri me –JE fiton të drejtën e ndërhyrjes në përdorim, ashtu si edhe trajta e asnjanësit përkatës. Por, kur trajta më –IM mbetet si emërtim i veprimit, atëherë, as asnjanësi përkatës, jo e jo, por as trajta më –JE s’ka vend aty, ngase s’del e nevojshme me u përdorë, por ajo, duke e lënë nën hije asnjanësin, si me thënë, qëndron, si e parë në radhë në pjesën e rezervës dhe kështu si forcë e rezervës brenda sistemit ligjërimor pret rastin për aktivizim ose, si të thuash, qëndron e gatshme si rezervë për shërbim. Fundja, kur dihet se pjesorja e letrarishtes mbaron me konsonant, atëherë si temë fjalëformuese formalisht nuk qëndron kundër rregullës, që nga të gjitha foljet me konsonant emri prejpjesor i veprimit merr prapashtesën -je. Me fjalë të tjera, kur koncepti i emërtimit abstrakt i vetë procesit del i zbehur ose mbetet si kuti e zbrazur vakuum, andaj trajta me -je, kur gjen kuti të zbrazët, s’ka arsye të mos e zërë vendin e liruar nga sishoqja me formantin –IM (mësim / mësuarje), madje sipas prirjes që kemi vërejtur, trajta me -JE më shumë ka të drejtë të intervenojë se sa asnjanësi përkatës, pra në këto raste kur është çështja tek emërtimi i vetë  procesit, por jo të konceptit..

Sipas shembujve që dhamë shihet qartë se të gjitha trajtat dalin të shënuara sipas modelit të pranuar nga trajta e pjesores së letrarishtes, d.m.th. të toskërishtes. Nuk dimë se nga trajtat barasvlerëse të versionit të gegërishtes do të ketë pasur shfaqje të tillë apo jo.? Dihet se edhe më përpara miratimit të normës në fuqi, në toskërishte një dukuri e tillë kishte përhapje të dukshme, e cila u la jashtë norme, për arsye thjeshtëzimi. Pra, norma e sotme në fuqi e përjashton trajtën hutuarje, duke e pranuar për të njëjtën koncept të normëzuar vetëm trajtën hutim nga folja hutoj (me (u) hutue),  e kështu me radhë.

Pasi trajta paralele e gegnishtes, si te shembulli hutuarje /hutuemje, nuk dimë se do të jetë cekur diku, prandaj për ne shembulli nduemje (me ndue) si dhe ai vumje (me vu) të shënuara krahas trajtave të asnjanësve të nduemit dhe të vumit, që i ndeshëm të regjistruara në Fjalorin e M. Elezit (Aty f. 387.), dilnin mjaft simptomatike dhe jo pa interes. Mendojmë se këtu erdhi rasti të rikujtojmë se ka shpjegime, që nuk kontestohen se edhe emri me -im qysh në lashtësi, kishte dalë nga pjesorja e foljes me zanore,(mbase *paskajorja e hershme sintetike!) si p.sh.: -Oj. (*-ONj, *On*Oj), ndërsa O-ja me rastin e emërformimit ka rënë, por që në raste të tjera është diftonguar (*OU/UO)-UA/UE pra, *shkrONj: shkrO + IM - shkrim, e kështu me radhë, proces ky që për gjendjen e sotme nuk del fort i qartë dhe i lehtëpërkapshëm, sikurse del b.f. rregulla tjetër mbi bazë të pjesores së sotme të foljeve me konsonante fundore që mbi te temën e qartë prodhuese formohen prejpjesorët me -JE, si b.f. dal(ë) (me dalë) dal-je, analogjikisht: shkruar shkruar-je ose shkruem (me shkrue(m) shkruem-je.

 Sidoqoftë, edhe kjo e vërtetë del e nevojshme të thuhet dhe njëherazi edhe të njihet edhe më mirë. Së këndejmi, atë që e thamë lidhur me prapashtesën -JE, vërtetohet edhe nga asnjanësit prejpjesorë të nyjshëm te nëngrupi a) të vjelë nga Fjalori i shqipes së sotme (2002), ku të gjitha sinonimet sqaruese janë dhënë me tipin e emrave më –JE, përveç një rasti pagë+esë pagesë (të paguarit), ashtu si edhe te nëngrupi b) ku janë dhënë dy raste me mbaresë zero: sosë-a (me (u) sosë të sosurit) dhe tekë-a (me u tekë, të tekurit), ndërsa në nëngrupin c) emrat sinonimikë dalin të llojllojshëm sa i përket ndërtimit, veç me prapashtesën –je qëlluarje, shkruarje e me –im: dëgjim, mendim, shkrim, pagim; dalin në veprim edhe formante të tjera si -esë pagesë (të paguarit), pastaj, pjesore e emërzuar (sipas mënyrës pandajshtesore): rrojë (të rruarit), emër i nyjshëm: e qëlluar-a (të qëlluarit), d.m.th. në gjashtë raste kemi 9 sinonime alomorfe të ndryshme. Pra, përveç atyre me prapashtesën –im dhe –je kemi nga një rast me –esë (pagesë-a), një me -ojë fundore (rrojë-a) dhe një emër të nyjshëm me mbaresë zero ( e qëlluar-a).

Nga sa u tha më sipër kuptojmë një fakt me interes se rrëgjimi i asnjanësve është zbatuar vetëm tek emrat e parmë a asnjanësit e mirëfilltë të paparanyjëzuar, ndërsa tek asnjanësit e paranyjëzuar prejmbiemërorë dhe sidomos tek asnjanësit prejpjesorë nuk shfaqet, pothuajse, fare një dukuri e tillë rrëgjuese, por ata dalin kuptimisht të spostuar në një nënfushë tjetër semantike jo të largët, por të përafërt me procesin e veprimit përkatës.

 

       3) Nënfushat semantike në raportin asnjanësi

                 prejpjesor/ barasvlerësi sinonimik

 

Pra, është fakt se edhe asnjanësit e  nyjshëm prejpjesorë, por jo si ata të panyjshmit, por ngjashëm me prejmbiemërorët, konkurrohen vetëm për ndonjë pjesë koncepti nga format e tjera, por jo për konceptin e temës së procesit përkatës.

Prandaj, për me pasë më të qartë këtë fenomen, d.m.th. nënfushat semantike në raportin asnjanës prejpjesor ndaj barasvlerësit sinonimik, ashtu siç e morëm nga një shembull (të mirët e të madhtë) për prejmbiemërorët, tashti, nga tipi e asnjanësve prejpjesorë nga foljet më -oj, po e veçojmë shembullin: të mësuarit, të cilin po e zbërthejmë, duke e krahasuar ndërsinonimisht me përgjegjësit e tjerë, brenda  këtyre fjalive:

 

a) Të mësuarit sjell fitim b) Nga mësimi ose Nga mësimet vjen fitimi. c) E mësuara nuk harrohet lehtë ose Të mësuarat nuk harrohen lehtë. ç) Nga e mësuara ose të mësuarat kanë dobi të gjithë. d) Nga i mësuari ose të mësuarit kanë dobi të gjithë.

 

Po përmendim ndonjë veçori gramatikore (morfologjike) e semantike të emrave të nënvizuar në fjalitë e mësipërme, sipas radhës:

a) Të mësuarit  - emër abstrakt, njëjës i shquar, gjinia asnjanëse, d.m.th. shprehet koncepti vepror që ndërlidhet me veprimin e të mësuarit, përgjithësisht.

b) Mësimi ose mësimet - emër abstrakt, njëjës e shumës, shprehet procesi i veprimit  i të të mësuarit me elemente të rezultatit të veprimit.

c) E mësuara  ose  të mësuarat – emër abstrakt, gjinia femërore njëjës e shumës, d.m.th. shprehet vepra e mësuar ose veprimi i njohur më parë i procesit të të mësuarit.

ç) E mësuara ose të mësuarat - emër, gjinia femërore, njëjës e shumës, emër i përgjithshëm i njeriut me kuptim pësor, jo vepror.

d)  I mësuari ose të mësuarit  - emër, gjinia mashkullore njëjës e shumës, emër i përgjithshëm i njeriut me kuptim pësor, jo vepror.

 

 Nga shembujt e mësipërm po veçojmë këto veçori dalluese:

 

1) Nga shembulli i parë, pika a), shohim se asnjanësi si emër abstrakt ka njëfarë afrie semantike vetëm me emrin gjithashtu abstrakt të gjinisë femërore në njëjës e shumës, pika c), por që gramatikisht u ndryshon gjinia gramatikore dhe nyjë-mbaresa shquese. Krahaso: të mësuarit / e mësuara, të mësuarat, Kuptohet se e mësuara ose të mësuarat si koncept abstrakt shprehin një proces që tashmë nënkuptohet si i kryer, d.m.th. ka ngjarë në të kaluarën, ndërsa me asnjanësin të mësuarit shprehet koncept që nuk del si veprim i konkretizuar kohësisht, madje as që nënkupton qartësisht procesin e veprimit dhe as të rezultatin e një veprimi të tillë, i cili shprehet më mirë  me trajtën tjetër mësim mësimi ose mësimet. 

2) Është e vërtetë se me shumësin e shembullit d) emër i përgjithshëm i gjinisë mashkullore njëjësi i asnjanësit ka ngjashmëri formale, por semantikisht ka mospërputhje diametralisht të kundërt. Njëjësi i emrit abstrakt, në njërën anë dhe shumësi i emrit të njeriut, në anën tjetër semantikisht u takojnë, si me thënë, dy poleve të ndryshme kuptimore, sepse, përveç treguesve kategorial njëjës/shumës ndryshimi del shumë më i thellë në fushën tjetër: abstraksion i lartë / konkretizim si dhe dallimi në karakterin diatezor vepror/pësor. Megjithatë, ka propozime që asnjanësi  në rasën emërore të marrë nyjë-mbaresën -ët, të mësuarët, ndërsa shumësi i mashkullorit të paranyjëzuar ta ruajë nyjë-mbaresën -it. Krahaso: të mësuarët (*të mësuenët ose të mësuem’t a të mësuemët) ndaj të mësuarit (të mësuemit – njezëit e mësuem).

3) Siç po shihet te shembuj nën pikën c) dhe ç) që të dy shembujt janë emra femërorë që si homoforma që janë kanë ngjashmëri të plotë formale: shqiptimore e shkrimore dallimin i tyre mund të bëjë vetëm konteksti, andaj në analiza praktikohet që si trajtë përfaqësuese për emërtimet e njerëzve mjafton të  merret vetëm trajta e gjinisë mashkullore.

   4) Te rasti i dytë nën b) nuk u shënua sinonimi mësuarja (Mësuarja(!) sjell fitim), që cekej si mundësi zëvendësimi në raport me treshin sinonimik, mundësi kjo e njohur për të shprehur konceptin e veprimit, sepse në fjalinë (kontekstin) që e shprehëm ne nuk shihet se është lënë vend i zbrazët (vakuum), ngase trajta mësimi nuk ka kaluar në nënfushë tjetër semantike që ka të bëjë me rezultatin e veprimit, ku nënkuptohen të implikuara edhe elemente konkretizimi.

     

                               *  *  *

 

Sidoqoftë, për të treguar dhe përforcuar faktin se ashtu siç nuk goditet kuptimisht në gjendjen e sotme trajta e emrit asnjanës prejmbiemërorë në koncept nga  emrat e tjerë sinonimikë, siç ishin edhe emrat e prejardhur me prapashtesat: -si, -i, -ri etj., po ashtu edhe trajta e asnjanësit prejpjesor, aspak nuk goditet nga emrat prejpjesorë të prejardhur me prapashtesat përkatëse: -im, -je, - esë e të tjera dhe për të pasur ide edhe më të qartë lidhur me këtë, më poshtë po paraqitim skemën e treshit sinonimik të një numër të konsiderueshëm të shembujve ku mund të dallohet një zhvillim i tillë sipas kuptimësisë përkatëse. 

Mirëpo, tani, para se të japim skemën me shembuj konkretë që lidhen me tri nënfusha të ndryshme semantike të treshit sinonimik po japim një konstatim me vlerë që çdo lexues mund të këtë vërejtur, nëse gjatë përcjelljes së analizës së deritashme e ka pasur vëmendjen zgjuar:  

Ndonëse prejmbiemërorët dhe prejpjesorët i dallon tema e ndryshme, por e qartë motivuese fjalëformuese sipas prejardhjes përkatësisht mbiemërore / pjesore, këta tipa i bashkon nënfusha e njëjtë semantike që e mbulojnë, d.m.th. abstraksioni i veçantë që ka të bëjë pikërisht me konceptin në shkallën më të lartë të procesit në kuadër të fushës së shkallëzuar të abstraksionit.

 E theksuam këtë konstatim të rëndësishëm, i cili edhe do të sforcohet, në vijim me material të ri, sipas skemës së paralajmëruar, prandaj ia vlen të ndjekim paraqitjet  vijuese edhe më vëmendshëm:

 

 

4) Skema e shembujve të treshit sinonimik,

          sipas nënfushave semantike të tyre

 

Pra, në skemën e mëposhtme në rubrika të veçanta do të ndahen tri nënfushat e cekura semantike (3,  4,  5), por do të parashoqërohen edhe me dy rubrika të tjera (1,.2), të cilat u janë rezervuar trajtave përfaqësuese të foljes:

1. njëjësi i dëftores,

2. paskajorja e mirëfilltë,

3. koncepti i veprimit si abstraksion i lartë (asnjanësi), 

4. emërtimi i veprimit (emër kuptimi),

5. emërtimi i rezultati konkret të veprimit.

                 

     1

Folja përkatëse

 

bluaj

mësoj

fundërroj

 

kulloj

 

trajtoj

çoj

shkarkoj

 

shtroj

 

dëshmoj

hutoj

kafshoj

rralloj

prodhoj

 

qëlloj

shkruaj

 

ushqej

çaj

kthej

ngrij

rrit (rris)

vij

dal

dredh

bërtas

fryj

 

pres

pres (prej)

tres (tret)

përziej

lyej

begenis

 

çudit

kërcej

kris

ngut

       2

Paskajorja e mirëfilltë

 

me blue

me mësue

me fundërrue

 

me kullue

 

me trajtue

me çue

me shkarkue

me shtrue

 

me dëshmue

me hutue

me kafshue

me rrallue

me prodhue

më qëllue

me shkrue

 

me ushqye

me ça

me kthye

me ngri

me rritë

me ardhë

me  dalë

me dredhë

me bërtitë

me fry

 

me pritë

me pre

 

me tretë

me përzie

me lye

me begenisë

me çuditë

me kërcye

me krisë

me (u) ngutë

 

       3

 Koncepti i veprimit

 

të bluarit

të mësuarit

të fundërruarit

të kulluarit

 

të trajtuarit

të çuarit

të shkarkuarit

të shtruarit

 

të dëshmuarit

të hutuarit

të kafshuarit

të rralluarit

të prodhuarit

të qëlluarit

të shkruarit

 

të ushqyerit  të çarit

të kthyerit

të ngrirët

të rriturit

të ardhurit

të dalët

të dredhurit

të bërtiturit

të fryrët

 

të priturit

të prerët

 

të treturit

të përzierët

të lyerët

të begenisurit

të çuditurit

të kërcyerit

të krisurit

të nguturit

       4

Emërtimi       i veprimit

 

bluarje-a

mësim

fundërrim

 

kullim

 

trajtim

çuarje

shkarkim shkarkuarje

shtruarje

 

dëshmuarje

hutim

kafshuarje

rrallim

prodhim

 

qëlluarje

shkruarje

 

ushqyerja

çarje

kthyerje

ngrirje

rritje

ardhje

dalje

dredhje

bërtitje

fryrje

 

pritje

prerje

 

tretje

përzierje

lyerje

 

begenisje

çuditje

kërcim

krisje

ngutje

                5

E Emërtimi i rezultatit  të veprimit etj.

 

E blim-i blojë-a

   mësojë-a, e mësuara

Ffundërresë,  fundërri,

T fundërrojë, fundërrinë

T kullojë, kullore,

    kullojsë, kullor

tr trajtesë, trajtë-a

Ç çojë-a, çueshmëri

S shkarkesë, shkarkojë

   shkark-u, shkarkor-i

Sshtrim,shtresë,shtrojë                   s  shtromë, e shtruar-a

  dëshmi, dëshmim

h hutojë, hutesë, hutosë

    kafshim, kafshatë

     rrallojë, rrallesë  

   prodhimtari,

    prodhueshmëri

e   e  qëlluar, qëllatë-a

 sshkrim,shkresë, shkrojë

 s e shkruara, shkruesi-a

u ushqim, ushqyeshmëri

ç  çajë-a,  çallë e çallatë

k kthim, kthesë

n ngrijë-a, ngricë-a,

rr rritë-a, rritshmëri

e e ardhura, të ardhurat

e  e dala, të dalat

d  dredhë-a, dredhi-a(!)

   bërtimë-a, së bërtituri

fr frymë-a, e fryme-ja,    fr  frysë-a

   pritë-a, e pritura,

e  e preme-ja, presë-a,

     presore

 t  tretësirë  (tretje*)

    e përzierja, e pëziemja

    e lyera, e lyemja                       

b    begeni, së begenisuri                      

 

ç  çudi, çudë

    kërcejë-a*, e kërcyera

     krismë, krisë-a

   ngutësi, së nguturi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

                   Konstatime nga skema e mësipërme

 

Nga  skema mësipërme mund të nxjerrim disa konstatime e ne po i veçojmë këto:

 

E para, nga konkretja mësoj (e tashme e dëftores) në sistemin foljor ngjitet abstraksionit deri te kulmi me mësue (paskajore e mirëfilltë), ndërsa nga asnjanësi të mësuarit a të mësuarët, d.m.th. nga kulmi i abstraksionit të sistemit emëror më të lartë zbritet në emërtimin e procesit mësim dhe kalon shkallë-shkallë drejt konkretizimit, rezultatit të veprimit mësojë-a, mësimmarrje e më tutje: e mësuara, mësojtore, mësues-i etj.

Po marrim një shembull tjetër: nga shkruaj (me shkrue) doli të shkruarit a të shkruarët, së këtejmi doli procesi i veprimit shkruarje-a dhe si rezultat i veprimit: shkrimi (dokument a vepër e shkruar) dhe pastaj emrat gjithnjë më afër konkretshmërisë: e shkruara, shkresa, shkroja, shkrola, shkruesja, shkrueshmëria, për të dalë edhe në nënfusha të tjera semantike, siç janë emërtimet e njerëzve shkrues-i, emërtimi i vendshërbesave: shkrimtore, shkresori, të sendeve konkrete shkresor-i , shkresore-ja etj.

Sidoqoftë, ndërlidhja kuptimore e tyre del e shprehur edhe më qartë në kontekste të caktuara, e vërtetë kjo që do të ritheksohet ose do të qartësohet edhe më mirë kur të bëhet fjalë rreth identitetit plotësues të asnjanësve të paranyjëzuar në kreun vijues.

E dyta, vihet re se vetëm koncepti i veprimit, d.m.th. asnjanësi i nyjshëm prejpjesor (rubrika 3) mbetet i pandryshuar shkrimisht, kurse në nënfushën tjetër (rubrika 4) lëvizin tipat e emrave prejpjesorë të veprimit  –im  ose më –je.  

E treta, në rubrikën 4 dhe atë 5 lidhur me emërtimin e procesit ose të rezultatit të veprimit etj. dalin të dyja trajtat e emrave me -im dhe me -je. Në të vërtetë, siç mund të shihet më shumë raste dalin me  –im te rubrika 5 (rezultati i veprimit), por nganjëherë sipas kontekstit ka ndonjë rast që del edhe me prapashtesën –je, siç është shembulli trejtje e ndonjë tjetër. Në të vërtetë, në FSHS më tepër emra konkretë më -je formohen mbi termë emërore, si barkje, bishtje, kripje, rrethje, bukje etj. (Shih: N. Veselaj, Çështje të shqipes standarde ... I, Prishtinë 1997, f. 83.)

E katërta, ndonëse nënfushat semantike të sipërcekura nuk dalin përherë të specifikuara qartësisht, ato parimisht shënojnë prirje për një specifikim të tillë të pranueshëm dhe të kuptueshëm ligjërisht që mund të formëzohet lehtë si model, ndërkohë e me kohë, prandaj poqëse favorizohet institucionalisht nga faktorët tanë normëzues, specifikimi i tillë sipas metodës së përdorur prej nesh, atëherë mendojmë gjuha jonë do të fitojë shumë dhe do të ishte edhe më e denjë t’u përgjigjej më me sukses të gjitha sfidave që i imponohen nga koha, duke përfshirë edhe presionin e globalizmit të sotëm që vjen nën ndikimin e gjuhëve të huaja ose nga zhvillimi i bashkëkohor i shoqërisë.

E pesta, zgjojnë interes foljet e huazuara, tipi me -is  e -it, tipi: begenis, çudit,  nga të cilat me prapavajtje, në analogji me emrat abstraktë  të shqipes me prapashtesën -i, u formuan jo vetëm asnjanësit të begenisurit, të çuditurit, por edhe emrat e tipit begeni (nga begenis me begenisë) si dhe çudi (nga çudit, me (u) çuditë, shembuj këta që aspak nuk i konkurrojnë opozicionisht konceptit të trajtës së asnjanësit përkatës të tipit: të begenisurit, të çuditurit. Po sqarojmë se në turqishte begeni nuk është emër po preterit, është trajtë e foljes përkatëse, po ashtu çudi (nga çuditi) nuk është emër në serbishte, po rrënjor i  infinitivit të saj. Këta emra në shqipe dalin të përfshirë në emrat e formuar me prapashtesë-mbaresën -i dhe kanë qëndrueshmëri përdorimi.

 E gjashta, në rubrikën e rezultatit të veprimit (rubrika 5) që i afrohet pothuajse plotësisht konceptit të konkretizimit, siç po shihet nga shembujt përveç emrave më –im, dalin edhe emra me prapashtesa e forma të ndryshme. Më poshtë po japim të gjithë shembujt duke i dalluar  elementet e caktuara fjalëformuese:

 

1) më –jë fundore: mësojë, ndërrojë, shkro(n)jë, hutojë rrallojë, kërcejë, shkarkojë, shtrojë, çojë  ose çajë, ngrijë;

2) më –im: shtrim, kafshim, shkrim, ushqim;

3) me –ë fundore: pritë,  derdhë, nisë;

4) me –esë: presë, kthesë, trajtesë, shkresë, hutesë, rrallesë, fundërresë;

5) me –atë: kafshatë, qëllatë, çallatë;

6) me -së e –cë: frysë, hutosë, kullojsë, ngricë;

7) me nyjë të përparme: e mësuar-a, e shkruar-a, e qëlluar-a, e fryme, e preme, e përzieme, e kryeme

8) me -më: krismë, shtromë, frymë, britmë

9) me –i, -shmëri, -si: njohuri, dëshmi, dredhi, fundërri; prodhimtari çueshmëri, ushqyeshmëri, pritshmëri, prodhueshmëri, ngutësi;

10) me prapashtesa të tjera sipas shembujve: -inë: fundërrinë –ore:, kullore,  presore, -or: kullor, -irë: tretësirë,  -je: tretje.

 11) me formime prapavajtëse: begeni, çudi.

 12) me pluralia tantumët femërorë të nyjshëm: të ardhurat, të dalat.

13) po në këtë rubrikë i kemi shënuar tre shembuj që në të vërtetë edhe këta janë asnjanës  prejpjesorë, por të formuar me nyjën arkaike së, si:

së bërtituri, së begenisuri, së ngrehuri   etj.

të cilët për arsye të tipareve të veçanta që kanë, ngase përdoren zakonisht në shprehje prejrrjedhore, në punimin tonë, siç e kemi cekur më sipër e do të shohim më poshtë, trajtohen si tip më vete.

 

 Sipërfundim

 

Të gjitha këto formime me prapashtesa e forma të ndryshme që pothuajse të gjitha kanë mbështetje në pjesoren e foljes përkatëse si temë prodhuese fjalëformuese bashkëjetojnë dhe nuk rrezikojnë njëra tjetrën, ngase i kanë të specifikuara nënfushat semantike që mbulojnë, ndonëse nuk mohohet as konkurrenca lojale, kur sadokudo prekin kufijtë në nënfushat semantike që mbulojnë, brenda fushës së gjerë zakonisht të abstraksionit, por edhe me elemente dalluese të konkretizimit, prandaj e pranojmë me rezervë dhe vetëm pjesërisht i quajmë të drejta konstatimet e prof. Sh Demirajt, kur thotë se: 

Në një fazë të caktuar (pas emrave prejpjesorë me -ë, procesi i mbiemrave të nyjshëm erdhi e u bë një nga mjetet kryesoren  për pasurimin e  klasës së emrave me njësi të reja leksikore” dhe “në krye të herës për këtë qëllim emërzoheshin kryesisht format e gjinisë asnjanëse të mbiemrave të nyjshëm që ishin  më të përshtatshëm për të shprehur nocione abstrakte, po më vonë kur gjinia asnjanëse u dobësua në ndërgjegjen popullore, atëherë emrat asnjanës të paranyjëzuar  erdhën e u zëvendësuan pak nga pak  ose me format gjegjëse të gjinisë femërore ose me emra të prejardhur  prapashtesorë (Shih: Gram. historike .... f. 157.),

ashtu si edhe  konstatimet e prof. I. Ajetit (vepra e cit. 95) dhe të tjerëve, ngase ne nuk e shohim aq të mënjanuar as të zëvendësuar asnjanësin prejmbiemëror (as atë prejpjesor), sepse, siç u provua prej nesh, emrat e tillë nuk u zëvendësuan, por dolën të specifikuar. për të shprehur vetëm një pjesë të nocionit të gjerë të abstraksionit që, si të themi, e ndanë  përpjesëtimisht atë fushë, qoftë me emrat e nyjshëm femërorë, tipi e mira të mirat, qoftë, me emrat e prejardhur me prapashtesim, tipi, mirësi mirësitë me të cilët bashkëjetojnë sot e gjithë ditën në harmoni relative, duke u specifikuar për të shprehur konceptin që ka të bëjë me cilësinë, gjendjen ose të qenët të procesit përkatës.

            Gjithashtu edhe mendimin tjetër të prof. Sh Demirajt që ka të bëjë ekskluzivisht me prejpjesorët  e tipit të bërë-t, tip ky i cili sipas tij:

“ka ardhur duke u mënjanuar gjithnjë e më shumë pas krijimit të formave të pashtjelluara të tipit për të bërë, me të bërë, një të bërë, duke u zëvendësuar kështu ose me emra prejfoljorë prapashtesorë, ose me formën femërore të emrave prejpjesorë të paranyjëzuar. Natyrisht në rastin e fundit ka ndikuar edhe dobësimi i gjinisë asnjanëse”. (Shih Sh. Demiraj, Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Prishtinë, 1988, f. 1009.),

 pjesërisht e quajmë të drejtë, ngase edhe asnjanësin prejpjesor nuk e shohim të zëvendësuar, madje as aspak të dobësuar ose të rrudhur tek format e pashtjelluara foljore të sipërcekura, ngase pikërisht asnjanësi prejpjesor sipas nesh del i ndërlidhur qëndrueshëm për nënfushën e qartë semantike të formave të tilla si dhe për rastet që kanë të bëjnë me konceptin primar të veprimit, por pa e përjashtuar tkurrjen a spostimin për nivele a nënfushë tjetër të caktuar kuptimore po në kuadër të fushës së gjerë të abstraksionit, siç u sqarua më sipër me shembuj konkretë prej nesh.

            Po ashtu edhe mendimin e prof. A. Kostallarit, kur thotë se:

 

“Shqipja e sotme letrare njeh vetëm  tipin e  paranyjëzuar të emrave asnjanës si tip veprues si: të dalët të ecurit, të ftohtët, por ...(sipas tij) “edhe ky tip po  rrudhet dhe po përvijohet ndaj një sistemi njëgjinor me ndarje dihotimike në emra mashkullorë e femërorë. Vendin këtyre emrave po e zënë në shkallë të gjerë  emrat foljorë me -im dhe -je. Kjo është një prirje ligjësore e shqipes së shkruar që nga Rilindja e këtej, (Shih Studime mbi leksikun... III, Tiranë 1980, f. 22.)

 

pjesërisht e quajmë të drejtë. E marrim me rezervë pjesën që ka të bëjë “zëvendësimin shkallë - shkallë” etj., ngase faktet tregojnë se kjo rrudhje që nga Rilindja e këtej, madje edhe më përpara, vlen vetëm për tipin e asnjanësve të mirëfilltë (primitivë) të paparanyjëzuar,  dhe jo edhe për dy tipat e tjerë. Është e vërtetë se si në burime të caktuara, por më fort këtë e vërteton realiteti ynë ligjërimor, sepse aktiviteti i asnjanësve të tillë të paranyjëzuar assesi nuk ka pushuar së vepruari që nga Rilindja e këndej, andaj gramatikanët a standardologët e sotëm këtë fakt të pamohueshëm, duhet ta kenë parasysh dhe ta zbardhin më mirë.

            Vetëm kështu, duke e respektuar të vërtetën në mënyrë normale mund të arsyetohet përdorimi i formave të caktuara të tri a katër formave ndërtimore dhe njëherazi qartësohet rruga se nga secila pjesore ose mbiemër mund të përftohen emrat përkatës e në këtë kuadër edhe ai i asnjanësve paranyjëzorë, të cilët duke qenë të pozicionuar në mbulimin e nënfushës përkatëse të veçantë semantike patjetër kanë dhe do të kenë edhe  të ardhme.

 

Së fundi, po përsërisim sqarimin tonë se asnjanësit prejpjesorë e prejmbiemërorë mbesin të qëndrueshëm për të shprehur konceptin e veprimit, por jo edhe emërtimin e vetë veprimit ose të rezultatit të veprimit, aq më tepër, kur këto koncepte ndërkohë janë mbuluar me emra tipash të tjerë, kryesisht me emra të prejardhur, ashtu siç është cekur nga  profesorët tanë të nderuar: Sh. Demiraj, A. Kostallari, Idriz Ajeti e të tjerë.

Prandaj njohja e një fakti të tillë rreth diferencimit dhe bashkëjetesës së asnjanësve të paranyjëzuar me sinonimet përkatëse do të shërbejë sigurisht për të mirë të zhvillimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të gjuhës sonë sipas stileve përkatëse funksionale, por njëherazi do të ndihmojë e sforcojë dukshëm ballafaqimin me sukses të gjuhës sonë me gjuhë të tjera.

Pra, patjetër lypset riinterpretuar dhe qartësuar disa konstatime, ngase me të vërtetë asnjanësit në nënfushën e procesit të veprimit dhe të rezultatit të veprimit, mund të thuhet se e kanë humbur luftën e konkurrencës, po ata kanë gjetur jetë në një nënfushë tjetër të përafërt dhe aty me forca të akumuluara e ruajnë identitetin e vet, vetëvetësi kjo që do të sqarohet dhe përforcohet edhe më mirë në kreun vijues.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora