Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Mani: Si kthehet padituria në dituri?

| E hene, 25.06.2012, 06:16 PM |


Letra e IV-të

SI KTHEHET PADITURIA E PLOTË NË DITURI TË PLOTË?

-Dialektika e Mendimit Njerëzor-

Nga Kadri Mani

Njeriu (normal) ka pesë shqisa: shqisën e të pamit (sytë), shqisën e të dëgjuarit (veshët), shqisën e të nuhaturit (hunda), shqisa e të shijuarit (gjuha) dhe shqisa e të prekurit (lëkura).

Me anë të shqisave, njeriu merr informatat e para nga rrethi objektiv: sheh, dëgjon, nuhat, shijon, prek. Populli thotë: Bukën e grunjtë e njoh nën plaf! Pra, me anë të të prekurit, jo vetëm që i njohim vetitë fizike të objekteve: ftohtë-nxehtë, fort-butë, rrumbullakët-qosheli,...por edhe cilësinë e bukës... Me anë të të nuhaturit: erë e mirë- erë e keqe; edhe përtej murit ne nuhasim e mësojmë në ka një livadh me lule apo një stërvinë? Me anë të të shijuarit: gjellë, pije... e mirë- e keqe?- e thartë- e ëmbël...

Këto njohuri (të cekta shqisore), ndryshe i quajmë: njohuri të para (lëndë e parë!),- i përcjellim në kokë (tru). Atje përpunohen informatat, prej nga nxiret teoria përparimtare. Dhe vetëm pastaj, konkluzionet tona i shpallim me gojë ose me shkrim. Populli thotë: me të rrudhurit vetullat, në kokë krijohet një plan. Pra, me anë të të menduarit të thellë, mendimimit të gjatë dhe rropatjes torturuese për një çështje,- del teoria e shëndoshë: Njohuria Racionale.

Ç‘është kjo?- me Njohurinë Racionale shkencëtarët e kanë krahasuar kokrrën e drithit: teorinë e ke sikur kokrrën e drithit në shuplakë të dorës; por edhe si e tillë, sërish është e vdekur! Sikur kokrra e drithit që mbillet, dhe nga një kokërr, marrim 10,100...Pra fitojmë në sasi dhe në cilësi, edhe teoria zbatohet dhe verifikohet në praktikë. Nga praktika e re në të menduar, nga nxjerrim një teori edhe më përparimtare, dhe sërish në praktikë... Kjo mënyrë ciklike e të menduarit, quhet mënyra Dialektike e Mendimit Njerëzor.

Metoda realiste ishte tepër e kufizuar dhe nuk shkonte më tej.

Këtu hyjnë edhe: interesimet dhe dispozitat e vetë personit, njohuritë paraprake të fituara nga bisedat me njerëz dhe nga leximet, pësimet dhe mësimet...

Shkencëtarët teorinë revolucionare e kanë krahasuar me muzikën, kurse praktikën revolucionare e kanë krahasuar me vallen: pa teori revolucionare, s‘ka praktikë revolucionare, ani se praktika është më e rëndësishme se teoria, dhe teoria verifikohet në praktikë. Njajze sikur që pa muzikë s‘ka valle, ani se vallja është më e rëndësishme se muzika: kur fillon vallja, shikuesit shikojnë vetëm këmbët e valltarëve dhe as iu bie ndërmend ta dëgjojnë muzikën!

E treguar me skemë, duket kështu: shigjetat shkojnë nga shqisat në tru, nga truri në gjuhë,-komunikim. Kurse tek ata të cilët shigjetat nga njohuritë shqisore shkojnë drejt e në gjuhë, ata nuk janë njerëz, ata janë: njerifonë, gojafonë- në krahasim me aparatet magnetofonë...

15 prill 1997

Juaji, Kont Urani- (Kadri Mani)

(Kadri Mani: ”SHQIPTARËT JANË ATJE!”, Shtëpia Botuese ”KOHA”, Tiranë, 1999, f. 88-89)