E hene, 22.07.2019, 02:59 AM (GMT+1)

Kulturë » Muzikë

Flet Violeta Simoni, këngëtarja e mirënjohur shqiptare e viteve `50-`70 ...

E hene, 25.06.2012, 06:05 PM


“Estrada e Tiranës, e mbushur me dritë dhe duartrokitje në mendjen time”

Nga Albert ZHOLI

...Violeta Simoni u lind më 10 tetor 1942 në Tiranë. Që e vogël ishte e apasionuar pas muzikës, aktrimit & televizionit. Ka mbaruar Liceun Artistik për mësuese muzike. Paraqitjen e parë skenike e ka pasur në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar viti 1962 me këngën “Mos më Qorto” , ku u vlerësua me çmimin e tretë dhe u cilësua si “Miss Festivali”. Më pas ka punuar për disa vite si këngëtare profesioniste në Estradën e Tiranës, ku këndoi duete me Pavlina Nikaj, Arta Babaramo, Tonin Tërshana etj.. Në repertorin e saj shënohen këngë që kanë mbetur në fondin artë të muzikës së lehtë shqiptare si : “Mos më qorto”, “Erdh’ Enveri nga Malësia”, “Kitara partizane” etj.. Është cilësuar si një nga ikonat e artit shqiptar për zërin e magjishëm, prezencën në skenë dhe madhështinë e të interpretuarit. Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, sot 70 vjeçe rrëfen ekskluzivisht për “Telegraf”, fëmijërinë e saj, pasionet e vegjëlisë, dashurinë e madhe për muzikën dhe opinionin për artistet e rinj. Le ta zbulojmë më poshtë...

Përshëndetje znj. Violeta, sot jeni 70 vjeçe dhe duhet thënë se dukeni vërtet në formë. Mund të na tregoni, cili është sekreti i bukurisë tuaj ?

Te falënderoj për komplimentin more djalë. Në fakt gjithmonë e kam mbajtur veten, që në atë kohë e jo me sot kur janë të gjitha mundësitë. Me thënë të drejtën kujdesem shumë për veten, duke filluar që nga ushqimi, i cili është i pasur me shumë perime e supra dhe mbi të gjitha ushtrimet gjimnastikore që bëj çdo mëngjes.

Cilat janë disa nga këngët në repertorin tuaj?

Janë të shumta, saqë dhe nuk i mbaj mend. Përmend këtu  “Mos më qorto”, “Erdhi Enveri nga Malësia” etj..

Ju jeni cilësuar si një nga ikonat e artit shqiptar, çdo të thotë për ju ky fakt?

Është e vërtetë që brezi im ka qenë i mbushur me këngëtarë cilësorë dhe për këtë emërtim sigurisht që ndihem mirë. Kjo për vetë faktin se ndjehem e vlerësuar dhe e nderuar.

Cila është këngëtarja shqiptare më e dashur për ju ?

Anjeza Shahini, ajo vajzë është një artiste e kompletuar dhe Vaçe Zela e dytë mund të them. Por sigurisht, Vaçja mbetet Vaçe. Zëra të tillë janë të rrallë në historinë e muzikës së një kombi.

Cili është idhulli juaj në botën e televizionit & spektaklit?

Arian Çani, është një njeri i mrekullueshëm dhe shumë i përgatitur. Krijon situatë dhe humor. Nuk e bën emisionin të bezdisshëm. Pavarësisht që në disa raste disa pyetje janë paksa të guximshme por në fund të fundit duhet të  thyhen tabutë. Jetojmë në një shoqëri të hapur, ku njeriu duhet të jetë i lirë në atë që shpreh dhe thotë me koshiencë.

Cili është personazhi shqiptar i veshur më mirë, sipas jush?

Sot bota e spektaklit ka shumë personazhe. Për çdo ditë në ekranet e televizioneve dalin figura që me të vërtetë vlejnë për t’u përmendur dhe për t’i bërë prezent, por unë dua të them se janë disa drejtues të emisioneve të veçanta  që kujdesen për vetën, ku një ndër ta është dhe Hermes Nikaj, Balerini & Modeli i njohur. Aktualisht në moshën e tij ka shumë të rinj që ecin me guxim në këtë rrugë të vështirë, por të bukur.

A ka qenë e vështirë të këndoje në periudhën e sistemit komunist?

Në atë periudhë muzika pëlqehej shumë për vetë faktin se, aktivitet  kulturore ishin të kufizuara dhe nuk mund të shihje  në televizion stacione të huaja. Çdo gjë ishte e lidhur me koncertet brenda atdheut. Por çdo gjë ishte tejet e politizuar e ideologjizuar. Këngët në më të shumtën e rasteve drejtoheshin për partinë dhe shokun Enver. Edhe unë kam kënduar një këngë të tillë. Sot jemi të zhveshur nga këto ideologjizma dhe me thënë të drejtën, muzika ka shumë hapësirë. Nga ana tjetër edhe kjo liri e tepërt ka bërë që shumë këngëtarë të huazojnë. Ne kemi muzikën tonë, kemi të veçantat tona në muzikë dhe s’kemi pse të huazojmë.

Në cilin festival në RTSH keni marrë pjesë?

Në Festivalin e vitit 1962 me këngën “Mos më Qorto”. Festivalet në atë kohë kishin shumë kërkesa dhe ngarkesë. O zot çfarë stresi. Të ngjiteshe në skenë kaloje në vrimë të gjilpërës. Sa ankth, se një gabim të kushtonte shumë. Edhe lëvizjet ishin të kronometruara. S’mund të ishe në skenë e lirë, me lëvizje.

Si e kujton Estradën e Tiranës së asaj kohe?

Estrada e Tiranës ka qenë institucion i madh më vete. Ishte një institucion që prodhonte gjithmonë variante të reja. Gjithmonë që, jepnim shfaqje salla ishte e mbushur plot. Duhej të kishe miqësi për bileta. Kishte radhë për bileta. Por ama kishte artistë, aktorë dhe këngëtarë të shkëlqyer. Kur kalonim rrugës s’linte njeri pa na përshëndetur. Ajo Estradë nuk vjen më. Sot populli ka më shumë nevojë për humor.

Sot flitet shumë për bashkëjetesën, mendimi juaj?

Jetojmë në demokraci, ku çdo njeri zgjedh vetë se si do të jetojë. S’ka asgjë të keqe mendoj për bashkëjetesën. Çdo gjë ka kohën e vetë.

Pro apo kundër kirurgjisë plastike?

Shumë pro.

Pro apo kundër martesave gay?

Shumë pro, tashmë është viti 2012.

Znj.Violeta, shohim se keni një tatuazh ne trup, çfarë mund të na thoni ?

Në fakt tatuazhi ka qene një ëndërr imja rinore. Por atëherë njerëzit kishin frikë,  mentaliteti dhe paragjykimet. Ka një muaj që e kam bërë duke ja plotësuar vetes këtë dëshirë. Është një yll, i kuq e zi pasi jam dhe atdhetare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT