E enjte, 25.04.2024, 10:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Viron Kona: Flamuj dhe libra

E diele, 24.06.2012, 07:08 AM


Flamuj dhe libra

Shënime për vëllimin me tregime “Kur takohen flamujt”, të shkrimtarit Hamit F. Gurguri

Nga Viron KONA

Midis miqve të shumtë, që takova gjatë kohës sime të qëndrimit disa ditor në Boras më 17- 21 maj 2011, pata rastin të njihem edhe me  shkrimtarin Hamit F. Gurguri. Biseduam bashkë si koleg të letrave dhe këmbyem libra. Gjatë mbrëmjes përuruese të përkthimit të librit tim “Eh, more Bubulino!” gjetëm kohë edhe të shëtisnim dhe të këmbenim mendime rreth letërsisë dhe arteve. Biseda jonë ishte e sinqertë dhe rrodhi natyrshëm si vazhdim i një bisede të mëparshme, sikur kishim kohë që njiheshim. Aty, Hamiti më dhuroi librin e tij,  “Kur takohen flamujt”, botim i vitit 2009. E falënderova dhe, sigurisht, edhe unë i dhurova libra.

Kur erdha në Shqipëri, i nxitur nga dëshira dhe kureshtja nisa ta lexoj librin e Hamitit. Fillimisht tërhoqi vëmendjen time fakti, se nga profesioni, Hamiti është jurist, por, siç shprehet recensenti i librit të tij, Bedri Tahiri, Hamiti  “nuk resht së krijuari  vepra të bukura letrare....”

Gjatë leximit të librit “Kur takohen flamujt”, nga faqe në faqe  vëreja se kisha përpara një shkrimtar  të talentuar, që shkruan bukur dhe, me një penë të hollë, krijon e përshkruan skena, ngjarje, episode, që të bëjnë për vete. Madje, gjatë leximit habitesh sesi koha kalonte aq  shpejt e pa u ndjerë. Libri të rrëmben. Personazhet dhe ngjarjet  kalojnë në përfytyrimin e lexuesit si sekuenca filmike, që të nxitin për ta vazhduar me dëshirë leximin dhe të ndjekësh me interesim rrjedhën e natyrshme të ngjarjeve. Kjo ndodh qysh me tregimin e parë “Petriti i Konicës në Suedi”, subjekti i të cilit zhvillohet në vitin 2009, në prag të pavarësisë së Shqipërisë. Kureshtja për të mësuar vazhdimin, bëhet gjithnjë e më tërheqëse. Aq më tepër, kur përfytyron se, atje, në skajin e largët të banuar të rruzullit tokësor,  interesimi për  Shqipërinë ka qenë përherë i madh dhe i dukshëm. Shteti dhe diplomacia suedeze, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve janë treguar  aktivë në veprime dhe e kanë thënë fjalën pro Shqipërisë me tërë forcën dhe autoritetin e tyre ...

Duke ndjekur rrjedhën e leximit, sillja ndërmend se suedezët kanë qenë të interesuar për Shqipërinë që në vitin 1774, kur shkencëtari Erik Hans Thunman, para danezit Pedersen, shprehej për origjinën ilire të shqiptarëve. Më pas Gustav Adolfi, takoi Ali Pashë Tepelenën, të cilit i dha një relikë të çmuar, shpatën e Karlit të XII, që Pashai i Janinës, e vuri me krenari përkrahë karabinës së falur nga Napoelon Bonaparti. Ndërkaq, shteti dhe mbreti suedez Gustavi i XVI, ishin ndër të parët që njohën pavarësinë e Kosovës, kurse, tashmë një personalitet  tjetër i shquar, albanologu  Ulmar Kvik, me veprën e tij historike dhe shkencore, po ritregon se suedezët po shfaqen si gjithnjë, miq të vërtetë të shqiptarëve...

Ngjarjet në prozën e Gurgurit zhvillohen me ritëm dhe dramacitet, ato kanë forcë tërheqëse dhe përshkruhen nga dialogu  transparent e domethënës. Ndërkohë, që subjekti ka si skenografi kryeqytetin suedez Stokholm, një familje intelektuale suedeze si dhe universitetin e vjetër dhe emër-ndritur të Uppsalës, i cili ka nxjerrë personalitete që kanë fituar respekt me emrat e tyre, jo vetëm në Suedi, por edhe në botë... Stili i përdorur nga Gurguri, ku ngërthehen natyrshëm arti i letërsisë me ngjarje historike, ku shfaqet temperamenti dhe karakteri i vendosur i shqiptarit, përshkrimet e bukura e tërheqëse etj., të gjitha këto, janë mbresëlënëse dhe zënë vend në kujtesën e lexuesit, rritin interesin për të ndjekur zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Shkrimtari, duke iu shmangur stilit deklarativ, përdor suksesshëm  bashkëbiseda tërheqëse mes personazheve,  retrospektiva dhe dialogë, që shprehin fakte jetësore dhe erudicion kulturor. Teksa lajtmotivi i përpjekjeve për çlirim nga pushtimi i gjatë osman, tingëllon në mënyrë ritmike gjatë gjithë faqeve të tregimit. Madje, ai na sjellin ndërmend motivin udhëheqës të hungarezit të madh Shandor Petëf “Për dashurinë fal jetën, për lirinë jap dashurinë”. Rruga  dhe ardhmëria e jetës së personazhit kryesor shoqërohet me ëndrrën dhe dëshirën e flamurit të  lirisë që po vjen...

Ndërsa lexova tregimin “E shpëtuara e detit Jon”, përjetova me dhimbje të thellë  atë masakër të rëndë të një shteti fqinj, ndaj një popullsie të pafajshme. Duke lexuar atë tregim, brenda lexuesit pështillen ndjenja  dhe lëmshe të zjarrtë, që të përvëlojnë dhe të turbullojnë, të bëjnë të mbash qëndrime të ashpra për ato qenie të  shpërfytyruara dhe antinjerëzore, që arrijnë të zhdukin nga dita e diellit, popuj fisnikë dhe vende paqedashëse. Në këtë tregim dramatik, Gurguri shpreh talent, nivel artistik, por edhe një mesazh të fortë demaskues kundër terrorizmit, duke treguar me gisht autorësinë e tyre gjëmëzezë. Më tej, autori i tregimit,  arrin të ngrihet mbi dhembjen dhe të tregoj se në botë ka edhe njerëz, popuj e shtete të civilizuar e të përparuar si suedezët, të cilët dinë t`i vijnë në ndihmë dhe të tregojnë ngrohtësinë e duhur për njerëzit fatkeq, të pafuqishëm dhe në nevojë. Ndërsa nga njëra anë, lexuesi tronditet nga rrëfimi i ngjarjes së dhimshme të goditjes dhe mbytjes së qëllimshme të anijes së mbushur me shqiptarë të pafajshëm, të shpërngulur me dhunë nga vendi i tyre, nga ana tjetër ndjen respekt për ekuipazhin e anijes transoqeanike suedeze, që arrin të marrë në mbrojtje jetën e një vajze, që simbolizon Shqipërinë dhe trevat e vuajtura dhe të shtypura të asaj kohe. Natyrisht, që, me shqiptarët ngjarje të tilla, nuk janë raste të vetmuara. Te shqiptarët, është ende i afërt viti 1997, kur Sibila, anija luftarake italiane, përplasi në Otranto Katrin e Radës, një anije shqiptare me refugjatë, që shkonin për një jetë më të mirë në Itali, por që në vend të parajsës që ëndërronin, anija shkatërrimtare - goditëse  Sibila  italiane, duke goditur si një tigër gjahun e tij, hapi dyert e ferrit për 84 jetë të pafajshme, shumica gra dhe fëmijë.

Me ritëm dhe, ngjarje pas ngjarjesh, vijon edhe tregimi i gjatë “Kujtimi për Naumin”, ku përpara lexuesit shfaqen tipa, karaktere, ngjarje dhe episode interesante, por dhe ku shfaqen ato cilësi të përbashkëta që popujt i kanë kudo dhe kurdoherë të nevojshme, ardhja në ndihmë në çaste të vështira dhe mbështetja  e jetës. Duke lexuar këtë tregim, nuk di pse më vinë ndërmend shprehja se “Kush shpëton një jetë, ka shpëtuar të gjithë botën”. Ndërsa të mbetet në mendje për dhembjen që shkakton tregimi “Motrat binjake nuk u takuan”, tregimi tjetër ”Marta nga Shpuzi”, që rrëfen nëpërmjet një retrospektive ( një ditari lënë amanet), se, hakmarrjet dhe vetëgjyqësitë, sjellin pasoja të rënda shpirtërore...Duke qenë jurist, Hamit Gurguri analizon  në rrjedhën e saj zhvillimin tragjik të ngjarjes që përshkruan, duke treguar njëherazi fatin e keq të njeriut të pambrojtur...

Tregimet lexohen shpejt dhe të vënë në mendime, sepse tek e fundit, një krijim i mirë, fillon pasi ke përfunduar leximin e tij. Vetëm atëherë, lexuesi bën “bilancin” e ngjarjeve dhe nxjerrë konkluzione, por edhe kalon në mendje episode, situata, zgjidhje dhe përjeton gjithçka në përfytyrimin e tij. Kjo është magjia e artit, që të bën të të mbeten në mendje fabulat dhe karakteret tipikë, me të gjithë detajet. Hamit Gurguri e afron lexuesin në ngjarje dhe, ai, herë është vizitorë i afër i ngjarjes, herë dëshmitarë dhe, herë “pjesëmarrës” aktiv në zhvillimin e saj. Në tregimin ”Motra norvegjeze Berit”, Hamit Gurguri shprehet me respekt për ata njerëz me qytetërim dhe civilizim të lartë, trima dhe të guximshëm siç është Motra norvegjeze Berit, e cila sakrifikohet në dobi të përparimit dhe kulturimit të një populli, fiton dashurinë e tij dhe ndjehet si një pjesëtare e familjeve shqiptare. Por, tregimi rrëfen  në mënyrë origjinale edhe traditat e nderimit të njeriut, zakonet shqiptare të respektit, e dhembshurisë dhe  ndershmërisë njerëzore, që janë karakteristika të popujve të vuajtur, siç tregohet edhe populli ynë, ndaj atyre njerëzve zemërartë, që  duan të mirën, përhapin frymën e vëllazërimit dhe sakrifikojnë për  dashurinë njerëzore.

Tregimi “Ndihmoji Suedinë”, trajton fatkeqësinë e një familje shqiptare nënë regjimin e urryer serb, si dhe mbështetjen që ajo familje e vuajtur gjeti në një vend të përparuar si Suedia. Tregimi ka sens filozofik, ku shfaqen disa mendime të avancuara qytetëruese, suedeze, dashuria për vendin e tyre, dashuri që e shpreh gjithkush në mënyrën e vetë dhe origjinale. Kjo është dhe befasia e këtij tregimi, sa tronditës, aq edhe me ndërthurje të elementëve qytetërues, ku roli i humanizmit dhe dashurisë njerëzore suedeze merr përparësitë e nevojshme artistike. Në disa tregime të vëllimit, Gurguri tregohet mjeshtër i kalimit të situatave nga një mjedis në një mjedis tjetër, e sidomos nga vendlindja Kosova dhe trevat shqiptare, drejt vendeve Skandinave, ku shumë shqiptarë kanë gjetur atje ardhmërinë e jetës dhe të fëmijëve të tyre.

Vazhdojnë tregimet mbresëlënëse njëri pas tjetrit “Mallkimi i babait”, “Ankthi i një vrasësi”, “Ndarja  e të traumatizuarve”,   “Shteti dhe ambienti”,   “Pusho e qetë, nënë! ” dhe, përfundon me tregimin që i ka dhënë titullin librit “Kur takohen flamujt”. Dita e librit në Suedi përkon me ditën e flamurit në Shqipëri. Një koincidencë interesante dhe mbresëlënëse për dy popuj miq. Ndërkaq, sjell ndërmend fjalët e Gurgurit në një intervistë dhënë para disa kohësh:“ Suedia, para 100 viteve, ka qenë shumë e varfër dhe për këtë shumë suedez emigruan për në SH B A, por ata nuk e harruan vendin e tyre,  kapitalin e tyre edhe intelektual, edhe ekonomik e sollën ne Suedi... Prandaj them, pse të mos e japim edhe ne kontributin tonë reciprok, në mënyrë që vendi  ynë të jetë, vend me perspektivë evropiane”.

Hamit Gurguri, në tregimin “Kur takohen flamujt”, të thjeshtë në pamje, por të thellë në mendim dhe me mesazhe të forta në përmbajtje, ashtu si edhe në të gjitha faqet e këtij libri, e shfaq veten si një shkrimtar të talentuar, që ka aftësinë dhe nivelin e duhur krijues për të shprehur ndjenjat dhe mendimet që i vlojnë në zemrën dhe shpirtin e  tij të bukur e fisnik. Urime Hamit Gurguri! Urime për mesazhet e bukura, që në çdo faqe të vëllimit i thurin himn vendeve paqedashëse, i bëjnë jehonë jetës...

Për ribotim- Kadri Mani

/etnike@gmail.com/



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora