Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


“Ditët e Zamputtit me Gjergj Fishtën dhe Ndre Mjedën”

| E enjte, 06.03.2008, 10:49 AM |


  Nga Oliverta Lila

Vdekja fillon aty ku mbaron puna. Filloje në mëngjes me entuziazmin e një të riu dhe mbaroje në mbrëmje me mençurinë e një plaku". Me këtë moto, Injac Zamputti punoi deri në fund të jetës së tij. Bashkëkohësi i Ernest Koliqit, Migjenit, Vinçens Prendushit, nxënës, shok e mik i At Zef Pllumit, veprimtarinë e tij e nisi në lëmin kulturor, për të spikatur më vonë si historian. Njohës i italishtes dhe latinishtes mesjetare, mbi bazën e dokumenteve të ndryshme arkivore zbardhi periudhën mesjetare. Në dhjetëvjetorin e vdekjes (i lindur në Shkodër më 1910 dhe vdiq më 1998 në Itali), kolegët e tij, historianë si Luan Malltezi, Neritan Ceka, Ferid Duka apo gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj, shprehen për dimensionin e pavlerësuar të tij. Nuk do të harrohej asnjëherë që origjina e tij ishte italiane (gjyshi kishte ardhur si mjek në Shkodër). "Ishte i fesë katolike, nxënës dhe mik i At Zef Valentinit dhe dihej qëndrimi ndaj tyre", - shprehet Musa Vyshka. Në këtë takim përkujtimor u fol për modelin e punonjësit shkencor dhe historianit që studimin e vuri mbi baza dokumentare. "Janë mijëra faqe të përkthyera nga italishtja dhe latinishtja mesjetare, duke dhënë një korpus gjigant që do t'i referohen breza të tërë për studime të dokumentuara mbi Shqipërinë", - thekson Ferid Duka. Zamputti e filloi veprimtarinë e tij me përkthimin e një drame së bashku me Zef Pllumin. Më vonë do të merrej me publicistikë, do të shkruante poema dhe drama. Pas çlirimit do të spikaste si historian i periudhës mesjetare. Në një kohë që shumë studiues i referohen shkrimeve të tij, në këtë takim është bërë thirrje për botimin e një vëllimi të plotë të veprës. Në vitet e vona, studimet e tij gjenden kryesisht në periodikë shkencorë të kohës. Në shtëpinë e vajzës së tij, Maria, bashkëshortja e Musa Vyshkës, ruhen vetëm disa shënime të vogla. Dorëshkrimet që mori me vete drejt Italisë ia ka lënë djalit, Jozefit dhe pjesa tjetër gjendet në shtëpinë në Tiranë. Vyshka shprehet se veprat më të rëndësishme janë botuar, por ata do të "rrëmojnë" edhe njëherë mes atyre që ruhen në sirtare. Për botimet dhe ribotimet e mundshme të veprave letrare në 100-vjetorin e lindjes, ai thekson se "do t'i ndajmë në vepra publicistike (ka qenë nga publicistët e parë të "Hyllit të Dritës", "Leka" dhe "Këmbanat e së dielës". Ka qenë tregimtar që i takon romantizmit në prag të realizmit, ka shkruar dy drama shumë interesante, "Guri i Rozafës" dhe "Damiani himariot". Si kritik ka shkruar "Ekskursion në veprat e Kadaresë", duke folur për dimensionet e tij si shkrimtar dhe "Gjergj Fishta, koha, jeta, vepra". Vajza e tij, Maria kujton punën e jashtëzakonshme të atit. Miqësinë e tij me Gjergj Fishtën e Mjedën dhe orët e tëra mes dokumenteve që i sillnin nga Italia.

Si janë për ty dhjetë vjet pa Injac Zamputtin. Çfarë kujtoni prej tij?

E kujtoj si baba, si mësues të parë dhe si historian. Ka qenë mjaft i përkushtuar ndaj nesh, edhe pse ishim gjashtë fëmijë dhe u rritëm në vite të vështira. Është parë gjithmonë me syrin e një italiani dhe ka jetuar vetëm falë punës së jashtëzakonshme. Në momentet më të vështira ai krijoi kryeveprat. Ishte koha kur luftonte në Tiranë me fletërrufetë dhe kur motrën, mjeke që kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera dhe djali, që mbaroi për matematikë, i çuan në zonat më të thella. Në pleqërinë e thellë ai botoi dy veprat studimore, "Gjergj Fishta, koha, jeta dhe vepra" dhe "Ekskursion në veprat e Kadaresë". Madje, të parën e ka botuar kur unë isha shumë sëmurë.

E ka njohur nga afër Gjergj Fishtën apo vetëm veprën e tij?

Babai ka pasur relata me Fishtën. Uleshin në një tavolinë, ka jetuar me të, me humorin e tij, me mençurinë e jashtëzakonshme të Fishtës. Pavarësisht se babai ishte shumë i ri në moshë, ishte mik i ngushtë me Fishtën. Po ashtu, miqësi ka pasur edhe me Ndre Mjedën. Unë kujtoj ato çka ai na tregonte. Gjashtë vitet e fundit të jetës Mjeda i kaloi si mësues në kolegjin saverian. Gjithë rrugën për në shkollë e kalonte duke folur me të. Po në këtë kolegj im atë u caktua mësues më pas. Me Kadarenë nuk ka pasur njohje, por e ka studiuar mirë veprën e tij.

Si ka qenë marrëdhënia mes jush?
 
Unë kam mbaruar për letërsi dhe babai më ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme. Tre vitet e para të punës si mësuese, punoja çdo darkë me të për letërsinë e mesjetës. Kujtoj që vetëm për zbërthimin e një tercine të Dante Aligerit kalonim orë të tëra diskutimi.

Po ditët e tij të punës, si i kujtoni?

Ishim jashtëzakonisht ngushtë në shtëpi. Kujtoj që ngrihej në dhomën e gjumit ku kishte një tavolinë të vogël, në orën tre të natës hidhte një kapotë krahëve dhe niste të punonte me makinën e shkrimit. Pas disa kohësh fitova dhe unë imunitet nga zhurma e saj. Babai punonte shumë. Kishte dosjet dhe libra të shumtë, por e dinte shumë mirë ku i kishte vendosur. Ndërsa punonte dhe mbi dokumente arkivore, që historianët e tjerë i sillnin nga Vatikani. Atë nuk e lejuan asnjëherë të shkonte në Itali për shkak të origjinës. Dokumentet ishin në latinishten e mesjetës dhe qëndronte për orë të tëra me lupë për t'i zbardhur. Aty kishte hieroglife dhe nuk e di se si i zbërthente. Rezultatet e punës së tij na jepnin kënaqësi të madhe. Sidomos kur arriti të zbulojë mes të tjerash që Pjetër Budi nuk u mbyt aksidentalisht apo kur hidhte teza për prejardhjen e gjuhës shqipe më herët se Gjon Buzuku në "Çështje të fillimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe", botuar në "Hylli i Dritës" të At Zef Pllumit.

Ju vet e thatë që ai shikohej me syrin e italianit. I trembeshit kësaj?
 
Asnjëherë nuk e harruam se survejoheshim për shkak të origjinës. Kur ndodhte që mamaja të fliste ndonjë fjalë italisht, babai reagonte. Po ashtu, kishim kujdes kur na mësonte violinën me partitura të huaja.

Çfarë ruani nga dorëshkrimet e tij?

Një pjesë të tyre i mori me vete pas viteve '90-të kur iku në Itali, pasi vëllai kishte marrë nënshtetësinë. Ato ruhen atje nga vëllai. Janë kryesisht dorëshkrime të veprave historike. Për herë të fundit unë e takova në vitin 1996, pas operacionit që kishte bërë. Amaneti i tij qe që të varrosej në Shqipëri, aty ku kishte punuar dhe kjo dëshirë iu përmbush. Do të shohim për botimin e ndonjë dorëshkrimi apo ribotimin e veprave të tjera.