E merkure, 18.09.2019, 04:45 AM (GMT+1)

Kulturë » Gorica

Poezi nga Pëllumb Gorica

E diele, 24.06.2012, 07:32 PM


POEZI

YJET E QIELLIT I KAM KRUSHQ

Nga Pëllumb Gorica

Kohë për shi

Pamja më vidhet në qiellin e ngjyrosur
Si s’po shoh pakëz  kaltërsi,
Shkel pëlhurës së zhubrosur
po piklat gënjeshtare lozin me sytë e mi.
 
Si deshë rroken retë prej erës së marrë,
hapësirën gjëmimet përpijnë,
Errësira trishtimin ma bën më të gjallë
Ndaj fshihem mes tij si klandestinë.

Yjet e qiellit i kam krushq

Mbrëmë qiellit u var hëna, si një grua,
ndaj heshtja e bukur ka rënë,
Sonte ajo vjen apostafat për mua,
takim buzë detit  me të kam lënë.
 
Në plazhin e heshtur, rri një meduzë,
vala krijon me erën një refren.
Gjithë yjet e qiellit i kam krushq,
zemra  ime tek ti ç'kërkon, gjen.
 
Po varet një hëne mbi qiellin e trishtë,
tek - tuk yjet kuqëlojnë nëpër natë.
Dëshira arsyen thellë ma gërvisht,
ëndrrat rreth gjithësisë lëvizin si kometë.
 
O hënë e bukur, veç ti më kupton
çdo brengë në rendje ditësh- mall,
Ëndrrat e mia dëshira i shpon,
Largësia le të shporret në djall....
  
A thua ishte ëndërr?!
 
Në lajkat e ëndrrës tinzare,
Gjumi, atë natë, m’u trazua.
Më joshe, më dehe, lozonjare,
Parajsë, gjithçka bëre për mua.
 
Dora ime ajrin ledhatoi përgjëruar,
Të të prekja desha ty, Gërzhetë,
Ëndërrat e buzëve për puthje malluar
Errësirën e ndriçoi si kometë.
 
Me  jehonën e zërit kumbues, ëndrra
E trembur, u step si e ndjerë në faj
Kraharori vetveten s’e mbajti brenda
Dhe mbeti mahnitur prej saj.

Psherëtima miqësie

U  fikën  yjet  përmbi  Dajt,
Fjala  hesht,  si  zog i vrarë.
Kujtimet  më  çojnë larg,
Atje, ku kam miqtë e parë.
 
Përmbi  rrafshnalta  pikëllimesh,
Ballkone shpirtrash, pa kufi,
Me ju kam lënë data takimesh,
E s’më pengon askush të vij.
 
O miqtë e mi të paharruar,
Varganë stinës gjethe plot.
Me ju flas si pa kuptuar,
Herë si një diell, herë si lot.
 
Përbrenda meje keni mbetur,
Si klorofili nëpër pemë,
Ndaj një ditë, kur të jem tretur,
Mes jush prapë do të jem!

Dashurikëputura

 Si krahu i zogut në fluturim
 Në udhët e jetës sime hareshëm
 Pranverë poleni shkunde shpirti im
 Ngjyra jete, ngrohtësi zemre dehshëm.

 Ti hyre pandjerë si një muzë
 Valëzime yjesh, gazmend pa kufi
 Sot brengë, gjysëmfjale në buzë
 Se me dikë tjetër, je ti.

 Si endacake në rrugën pa kthim
 Ëndërrat tona zezojnë qiellit gri
 Vakumi më vret çdo kujtim
 Dhe ajri më klith me bezdi.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT