E marte, 14.07.2020, 06:53 PM (GMT+1)

Plus » Historia

Halim Purellku: Rreth pozitës ndërkombëtare të shtetit shqiptar, 1914-1915

E marte, 26.06.2012, 08:05 PM


RRETH POZITËS NDËRKOMBËTARE TË SHTETIT SHQIPTAR

NË VITET 1914-1915

Nga Halim  PURELLKU

Në këtë punim studimor pozita ndërkombëtare e Shqipërisë gjatë viteve 1914-1915, është trajtuar në suaza të teorisë së sferave të interesit. Gjithsesi se edhe asokohe Shqipëria e shqiptarët kishin peshën relevante, në kuadër të sferave të interesit jo vetëm të Fuqive rajonale,  por edhe të Fuqive Europiane. Sepse, vendosja e kontrollit mbi Shqipërinë, dhe shfrytëzimi i potencialeve të faktorit shqiptar nga cili do nga ato shtete, i krijonte atij mundësi për vendosjen e kontrollit mbi pjesën jugore të bregdetit lindor të Adriatikut, por dhe për forcimin e pozicioneve në Ballkanin jug-perëndimor dhe qendror.

Shqipëria, edhe në periudhën e të quajturit “kontrolli fiktiv” nga ana e Fuqive të Mëdha, sipas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, mbeti dhe më tej sferë e interesit, pos tjerave, e Italisë dhe e Serbisë. Rivaliteti midis Italisë dhe Serbisë asokohe  influenconte shumë jo vetëm zhvillimet politike në Shqipëri por dhe pozitën ndërkombëtare të saj. Qëllimet e Italisë ishin që nëpërmjet posedimit të Vlorës, të përforconte pozicionet e saja në Adriatik dhe në mënyrë indirekte edhe në Mesdheun qendror, si dhe të krijonte ura mbrojtëse për depërtime/penetrim të mëtejshme në Ballkan. Ndërkaq, është e njohur politika imperialiste e Serbisë ndaj Shqipërisë deri në fillimin e Luftës I Botërore. Mirëpo, tani, kurë Serbia ishte në luftë me Austro-Hungarinë e pastaj dhe me Bullgarinë, rritej shqetësimi i sajë mbi qëndrimin e faktorit shqiptar si ndaj Serbisë ashtu dhe ndaj Italisë. Në momentin e dhënë, nëse eventualisht shqiptarët nuk ishin në gjendje që të krijonin një front të ri të luftës kundër Serbisë, atëherë ata kishin potenciale të destabilizonin kufirin shtetëror dhe prapashpinën e Serbisë. Prandaj, alternativa e favorshme për politikën serbe, do të ishte që shqiptarët t‘i kundërshtonin pretendimet italiane në Shqipëri dhe me këtë edhe në Ballkan.

Mirëpo, si Serbisë ashtu dhe Italisë u nevojitej mbështetje nga faktorë të tjerë për të realizuar programet e tyre strategjike në Shqipëri, ndaj dhe ato ishin të detyruara që të bënin edhe kompromise e marrëveshje me to. I tillë ishte rasti me Traktatin e Londrës (26.o5.1915), kurë Italia qe e detyruare të bëjë dhe kompromise.[1]

 

Në fillim të vitit 1914, Çështja e Shqipërisë sërish qe riaktualizuar dhe u rikthye në rend dite në marrëdhëniet ndërkombëtare, në radhë të parë, për shkak të krizës së brendshme politike e shoqërore që e çonte vendin drejt anarkisë dhe kaosit.[2] Gjatë muajve janar, shkurt dhe mars të vitit 1914, Shqipëria ishte në kaos të vërtet, si pasojë e përplasjeve të ashpra të grupeve të interesit mbi baza formale politike apo mbi baza krahinore etj.[3] Kriza politike në Shqipëri vazhdonte të thellohet, sa që në fillim të dekadës së dytë të majit 1914, gjendja në Shqipëri i afrohej anarkisë së plotë.[4] Nga faktorët e brendshëm kryesor që e thellonin kaosin në Shqipëri, gjatë muajve prill-maj të vitit 1914, ishin “Lëvizja epirote” dhe “Kryengritja osmanliste” kundër princ Vidit.[5] Çështja e Shqipërisë së jugut (apo e “Epirit”), gjithmonë i shkaktonte Qeverisë shqiptare brengën më të madhe dhe ndikonte negativisht në gjithë veprimtarinë e saj.[6] Trazirat që kishin shpërthyer, vazhdonin ta mbanin të pa ndryshuar situatën politike në Shqipëri, edhe në muajin qershor të vitit 1914.[7] Epilog i të gjitha këtyre zhvillimeve dhe të situatës së krijuar ishte, mbetja e Shtetit shqiptar asokohe pa asnjë pushtet qendror.[8]

Ndërkaq, Roma zyrtare si motivuese dhe nxitëse të trazirave në Shqipëri i potenconte dhe i akuzonte, në maj të vitit 1914, propagandat serbe, greke dhe aksionin e xhonturqve. Gjithashtu edhe gazetat italiane, si “Tribuna” dhe “Giornale d’Italia”, e gjykonin aksionin serb në Shqipëri.[9] Se Serbia i mbështeste elementet turbulluese e anarkiste në Shqipëri kjo ishte më se e vërtetë, këtë e vërtetojnë dhe marrëveshjet e Qeverisë serbe me Qamilin (haxhi Qamilin) dhe me Esat pashën, në korrik të vitit 1914.[10]

Kur çështja shqiptare sërish u rikthye në rend dite në marrëdhëniet ndërkombëtare (në fillim të vitit 1914), u riaktivizuan lojnat intrigante të diplomacive të shteteve pretenduese në Shqipëri. Nën pretekstin se shqiptarët nuk janë në gjendje të konsolidojnë shtetin dhe të sigurojnë ekzistimin e Shqipërisë, ata  hodhën idenë e pushtimit të huaj të Shqipërisë. Që në janar të vitit 1914, qeveria italiane hodhi idenë e pushtimit italo-austriak të Shqipërisë, nën pretekstin se është e brengosur për gjendjen kaotike në Shqipëri dhe se angazhohej për vendosjen e rendit dhe të qetësisë në këtë vend, me qëllim që sa më parë të sigurohet ekzistimi i saj (Shqipërisë).[11] Në këtë frymë ishte edhe apeli i gazetës së Romës “Tribuna”, e 26 janarit 1914, e cila, në një artikull të saj redaksional, apelonte që Europa të ndërhyj dhe të vendosi qetësinë dhe rendin në Shqipëri, nëse nuk është në gjendje ta bëjë këtë atëherë le të autorizon për këtë Austrinë dhe Italisë.[12]

Ndërkaq, sipas burimeve diplomatike serbe, në janar të vitit 1914 ishte arritur një marrëveshje ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë, mbi ndarjen e sferave të interesit në Shqipëri.[13] Mirëpo, sekretari shtetëror italian, më 29 janar 1914, i kishte deklaruar Mihajlloviqit, ministrit serb në Romë, se nuk ekziston asnjëfarë marrëveshje politike midis Italisë dhe Austrisë për ndarjen e sferave të interesit në Shqipëri.[14]

Megjithatë, Qeveria serbe për të penguar jetësimin e opsionit italian mbi okupimin italo-austriak të Shqipërisë, po në janar të vitit 1914, kishte hedhur kundër idenë për një okupim ndërkombëtar të Shqipërisë,[15] por me pjesëmarrje të barabartë të të gjitha Fuqive të Mëdha. Qeveria serbe angazhohej për një opsion të këtillë, me qëllim që të shmang ndikimin e plotë austriak e italian në Shqipëri. Në këtë kuadër, Qeveria serbe taktizonte dhe manipulonte me propozimin formal mbi sigurimin e pavarësisë dhe të neutralitetit të Shqipërisë. Që nga fundi i janarit-fillimi i shkurtit 1914, Qeveria serbe e udhëzonte Legatën e saj në Paris, që të gjej mënyrë adekuate, për të njoftuar parlamentin e Anglisë dhe të Francës mbi ndërhyrjet e Italisë dhe të Austrisë në Shqipëri, dhe të influencohet tek ata për shmangien e ndikimin austriak e italian në këtë vend (Shqipëri). Për këtë, Qeveria serbe shpresonte edhe në ndihmën e qeverive të Francës dhe të Anglisë, kurse sa i përkiste mbështetjes së Rusisë për Serbinë është e ditur që ishte permanente.[16] Serbia kurë po kërkonte një okupim ndërkombëtar të Shqipërisë si antitezë ndaj kërkesës italiane, njëkohësisht ajo i kërkonte Britanisë, por dhe Fuqive tjera të Mëdha, edhe rektifikimin e vijës së kufirit shtetëror me Shqipërinë në favor të sajë; te Dibra, Luma dhe Prizreni, që ishte dhe qëllimi i vërtet i gjithë kësaj loje diplomatike serbe.[17] Mirëpo, Anglia dhe Franca ndonëse ndiqnin zhvillimet në Shqipëri, nuk ishin të gatshme për ndonjë ndërhyrje konkrete të tyre. Anglia, që në janar të vitit 1914, deklaroi se nuk dëshironte të merr ndonjë obligim afatgjatë ndaj Shqipërisë,[18] kurse, Franca, nga fundi i marsit-fillimi i prillit të vitit 1914, vlerësonte se situata në Shqipëri nuk është e mirë, dhe se në këtë moment Esad pasha është zotërues absolut.[19]

Nga ana tjetër, Qeveria serbe edhe gjatë muajve prill-maj të vitit 1914, vazhdonte të iu kërkonte Fuqive të Mëdha; Britanisë, Francës, Rusisë, Gjermanisë dhe Italisë,  rektifikimin e vijës së kufirit shtetëror me Shqipërinë, në favor të sajë.[20] Këtyre kërkesave të Serbisë secila nga Fuqitë e Mëdha iu përgjigjën në varësi të pozicioneve dhe interesave të tyre. Rreth çështjes së rektifikimit të kufirit në favor të Serbisë, Britania (ministri Grej) angazhohej për gjetjen e një zgjidhje të mesme ndërmjet kërkesave serbe dhe pikëpamjeve të delegatëve në Komision të Aleancës Trepalëshe, kurse Rusia dhe Franca mbështesnin plotësisht kërkesat e Serbisë. Ndërkaq, rreth kërkesës tjetër të Serbisë për “dalje ekonomike” në Adriatik, nëpërmjet të një hekurudhe, sipas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), kishte qëndrime të ndryshme ndërmjet Anglisë dhe Francës. Lidhur me këtë, Grej tërhiqte vërejtjen se vendimi i Konferencës nuk i është komunikuar zyrtarisht Serbisë, ndaj dhe ky nuk mund të llogaritej si obligim i plotë ndaj saj.[21]

Zhvillimet politike brenda në Shqipëri dhe ata diplomatike në marrëdhëniet ndërkombëtare, sërish, edhe nga fundi i majit/fillimi i qershorit të vitit 1914, rezultuan me riaktualizimin e idesë së pushtimit italo-austriak të Shqipërisë. Kjo ide rrodhi nga vetë Italia, ndonëse ishte e vetëdijshme se propozimi i sajë, mbi pushtimin ndërkombëtar të Shqipërisë, vështirë se do të pranohej në Evropë. Riaktualizimi i kësaj ideje nga ana e Italisë, sërish u kundërshtua nga Serbia. Qeveria serbe, nëpërmjet kanaleve diplomatike, i njoftonte Fuqitë e Mëdha, në radhë të parë Rusinë, me qëndrimin e saj se pushtimi eventual austro-italian jo vetëm që do të thellonte krizën, por do të detyronte Serbinë të merrte masa për mbrojtjen e interesave të saj në Shqipëri. Prandaj dhe, sipas Qeverisë serbe, masa më e mirë për qetësimin e Shqipërisë do të ishte pushtimi ndërkombëtar i saj, me pjesëmarrje të barabartë të të gjitha Fuqive të Mëdha. Rusia jo vetëm që e mbështeste propozimin e Qeverisë serbe mbi pushtimin ndërkombëtar të Shqipërisë, si opsion i favorshëm për Serbinë, por që nga fundi i majit 1914 ajo e këshillonte Serbinë që për këtë të kërkonte mbështetjen e Fuqive të Mëdha. Mirëpo, një ide të këtillë nuk e miratonin Fuqitë e Mëdha,  Franca, ishte e bindur se pushtimi ndërkombëtar i Shqipërisë do të kundërshtohej nga Anglia, kurse qeveria e Francës pastaj do të duhej të mbante qëndrim të rezervuar.[22] Kështu, po nga fundi i majit të vitit 1914, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia nuk ishin të gatshme të angazhohen në ndonjë intervencion/okupimin ndërkombëtar të Shqipërisë, për motive të ndryshme. Në këtë kuadër, vetë Rusia deklaroji se nuk ishte e gatshme të merr pjesë në asnjë intervencion në Shqipëri, sepse një akt të atillë e konsideronte të pa nevojshëm.[23]

Një qëndrimi i këtillë i Fuqive Europiane ndaj idesë italiane dhe serbe mbi pushtimin ndërkombëtar të Shqipërisë, i detyroi si Italinë e Austro-Hungarinë ashtu edhe Serbinë e Greqinë të heqin dorë përkohësisht nga variantet e propozuara të tyre mbi pushtimin ndërkombëtarë të Shtetit shqiptar. Prandaj edhe për momentin Shteti i pavarur shqiptar mbetej kompromisi më i pranueshëm për Fuqitë Evropiane. Austro-Hungaria ishte e vetëdijshme, se në rast të një pushtimi të njëanshëm të Shqipërisë do të përballej me gjithë Evropën. Ndërkaq, Italia edhe ashtu  nuk ishte fort serioze në propozimin e vet, dhe tani ajo formalisht  do të shpallë se mbështet një Shqipëri të lirë e të pavarur,[24] gjë që një qëndrim i këtillë i Italisë, në momentin e dhënë, formalisht ishte identik edhe me qëndrimin e Serbisë për këtë çështje.[25] Serbia pasi që nuk gjeti mbështetje për realizimin e pretendimeve territoriale ndaj Shqipërisë, jo vetëm nga ana e Fuqitë e Mëdha por as edhe nga ana e Greqisë, Pashiqi më 30 maj të vitit 1914 i dha instruksione ministrit serb në Londër që t’i njoftonte ambasadorin rus dhe atë francez atje, se Serbia pajtohet “me autonominë e Shqipërisë vetëm me kusht, që të  na sigurohet dalje e lirë ekonomike në detin Adriatik”.[26] Kurse, Qeveria greke në fund të majit 1914 doli me qëndrimin  se shtetet ballkanike me asgjë nuk duhej të demonstronin se dëshironin të shfrytëzonin ngjarjet në Shqipëri, sepse kjo do të ishte në favor të të tjerëve.[27]

Ndërkaq, pas atentati të Sarajevës, 28 qershor 1914, ndonëse “miqtë e vërtetë” e këshillonin Serbinë që të tregojë maturi sa më të lartë në të gjitha aspektet, në këtë kuadër edhe me çështjen e Shqipërisë,[28] Serbia, edhe në kushtet e luftës me Austro-Hungarinë, nuk hoqi dorë nga pretendimet territoriale ndaj Shtetit shqiptar. Nga fundi i gushtit të vitit 1914, kurë, sipas ambasadorit francez dhe atij rus Shqipëria “nuk ekzistonte më”, Serbia i kërkoji leje Britanisë që së bashku me Greqinë të pushtojnë Shqipërinë. Mirëpo, Britania nuk e miratoji një kërkesë të këtillë të Serbisë, sepse druante se mos po provokohet Italia dhe të intervenon e të pushton Vlorën.[29] Njëkohësisht as qeveria e Greqisë nuk e mbështeti këtë kërkesë të Serbisë. Qeveria greke ishte e mendimit se copëtimi territorial i Shqipërisë nga Greqia, Italia dhe Serbia ishte i pamundur pa aprovimin e Fuqive të Aleancës Trepalëshe.[30] Megjithatë, Qeveria serbe edhe një herë, në dhjetor 1914, kishte vendosur që situatën në Shqipëri ta zgjidh me pushtimin e “Pikave strategjike”, por për këtë qe penguar nga qeveritë e Fuqive aleate dhe të qarqeve të caktuara ushtarake serbe.[31]

Pushtimi i Vlorës nga Italia më 25 dhjetor të vitit 1914, do të rezulton me ndërlikimin edhe më të madh të pozitës ndërkombëtare të Shtetit shqiptar gjatë vitit 1915, por dhe ashpërsimin e rivalitetit italo-serb në Shqipëri.  Deklaratat e Genadievit dhënë shtypit italian, nga fundi i janarit të vitit 1915, se pas pushtimit italian të Vlorës (25-28 dhjetor 1914) Italia dhe Bullgaria “mund të kishin interesa të përbashkëta në Ballkan”, i shqetësuan qarqet diplomatike europiane.[32] Ndonëse, në janar të vitit 1915, ministri italian i PJ e siguronte Mihaloviqin, legatin serb në Romë, se “Italia nuk do të ndërmerr asgjë më shumë” në Shqipëri, kurse vetë Mihajloviq vlerësonte se Italia nuk mund të angazhohej për asgjë e vetme,[33] që nga mesi i shkurtit të vitit 1915 vazhduan  përgatitjet ushtarake të Serbisë për invadim në Shqipëri, nën pretekstin e mbrojtjes nga gjoja sulmet dhe  provokimet e  shqiptarëve ndaj trupave serbe përgjatë kufirit. Në rajonin Resnjë-Ohër-Strugë, Qeveria serbe kishte përqendruar, në shkurt 1915, rreth 3000/4000 trupa ushtarake shtesë,[34] kurse në maj ishin të përqendruara rreth 15.000 trupa serbe, me synim të pushtojnë Pogradecin dhe pastaj Elbasanin.[35] Përgatitjet e Qeverisë serbe për invadim në Shqipëri apo për “për tu mbrojtur nga Shqipëria”, si thoshte Grej, ministri britanik, ishin aprovuar edhe nga Britania që në maj të vitit 1915.[36] Mirëpo, kur filloji pushtimi serb në Shqipëri, dhe kur më 1 qershor të vitit 1915 serbët pushtuan Pogradecin dhe po përgatiteshin të pushtonin Elbasanin,[37] Qeveria britanike druante nga ndonjë komplikim të ri të marrëdhënieve me Italinë për shkak të pushtimit serb në Shqipëri. Ajo, në fund të majit, e këshillonte Qeverinë serbe që trupat e sajë të mos depërtojnë përtej “Pikave strategjike” apo  “rajonit strategjik” e as në Elbasan.[38]

Mirëpo, ndonëse ambasadori italian në Stamboll i kishte deklaruar legatit serb se “Italia nuk do të kundërshtonte që gjysma veriore e Shqipërisë t’i jepej Serbisë”, Italia rreptë e kundërshtoi invadimi serb në Shqipëri.[39] Si duket reagimi i Italisë, e shtyri Qeverinë britanike që t’i kërkoj Serbisë, në mbrëmjen e 16 qershor 1915,  të ndalon agresionin dhe me këtë të përfundojnë operacionet e trupave serbe në Shqipëri, sepse kjo mund të shkaktonte ndërlikim të situatës.[40]  Gjithashtu, reagimi i vendosur i Italisë, i detyroi edhe Rusinë dhe Francën që të ia tërhiqnin vërejtjen Serbisë, për rrezikun e angazhimit italian në Shqipëri.[41] Serbia ishte e detyruar të ndërpres invadimin ushtarak të Shqipërisë. Pashiqi kishte deklaruar për gazetën “Politika”, të Beogradit, se “Shqipëria nuk është pushtuar e as që dëshirohet pushtimi i saj. I ndërmorëm sulmet dhe u ndaluam në pikat strategjike përderisa nuk vendoset një pushtet i fortë në Shqipëri, apo deri sa Fuqitë e Mëdha nuk vendosin mbi fatin e më tejshëm të Shqipërisë.”[42] Mirëpo, qëllimet e vërteta të intervencionit ushtarak të Serbisë në Shqipëri, nuk ishin ato ushtarake por ato politike. Me këtë invadim ushtarak në Shqipëria, Serbia, në radhë të parë, synonte të arrinte dy qëllime: I pari, të rrënonte prestigjin/autoritetin e Italisë në Adriatikun e jugut; I dyti, nëpërmjet të defokusimit të vëmendjes së opinionit me pushtimin ushtarak në Shqipëria, të relativizohet presioni i Aleatëve ndaj Serbisë mbi koncesionet territoriale për Bullgarinë, me një kompensim territorial edhe për Serbinë në Shqipëri.[43] Ndërkaq, gazeta bullgare “Bëllgarija”, përfundonte se pushtimi ushtarak serb i pjesëve të Shqipërisë, u bë për motive të sigurimit të interesave strategjike serbomëdha pas luftës. Serbia, përfundon gazeta, nxitoj të pushton pjesë të bregdetit të Adriatikut, për të krijuar kështu “fait aceompli” (aktin e kryer) pas luftës, në Konferencën eventuale ndërkombëtare.[44]

Ndërkaq, Italia vazhdonte politikën e saj për të fituar protektoratin mbi Shqipërisë. Flitej se  Aleanca Tripalëshe i kishte premtuar Italisë, pos aneksimit të Vlorës me 4000 m2, edhe protektoratin mbi Shqipërinë.[45] Por, Italia ishte e vetëdijshme se do të detyrohet të bënte kompensim-koncesione në Shqipëri në favor të Serbisë, ndaj dhe gjatë muajve korrik-gusht 1915 kundërshtonte një paqe të përhershme për çështjen e Shqipërisë.[46] Ndoshta, një qëndrim i këtillë i Italisë, kishte shty Foreign Office të i përgjigjet Serbisë, gusht 1920, se ajo është përjashtuar nga koncesioni territorial në Shqipërinë e veriut deri në Dri, dhe për fatin e këtij territori shqiptar do të do të vendoset pas përfundimit të luftës dhe arritjes së paqes.[47] Gjithsesi, Serbia nuk iu nënshtrua një vendimi të këtillë.

Mirëpo, rëndësia e Shqipërisë për pozicionet e Serbisë në frontin e luftës, u rrit dhe më shumë, kur Fuqitë e Antantës vendosën (tetor/nëntor 1915) që të i dërgonin ndihma ushtarake Serbisë nëpërmjet porteve shqiptare, nën drejtimin e Italisë. Pashiqi, druante se mos vallë Italia do ta shfrytëzon pozitën e rëndë në të cilën ndodhej Serbia dhe rrethanat e reja të krijuara, për ta pushtuar të gjithë Shqipërinë, ndaj dhe i kërkoji Esat pashës vendosjen e një batalioni ushtarak serb në Durrës, te cilën kërkesë Esati e refuzoji.[48]

Rivaliteti italo-serb në Shqipëri do të merr dimensione të reja në dhjetor të vitit 1915, kurë në Vlorë zbarkuan trupat italiane dhe lëviznin drejtë Shqipërisë së mesme. Qeveria italiane synonte që ta shfrytëzonte pozitën e vështirë të ushtrisë serbe, për të marrë garancionin nga aleatët e Antantës për një Shqipëri të pas luftës me kufij të zgjeruar dhe nën protektoratin italian.[49] Gjithashtu, edhe Qeveria serbe vazhdonte politikën e dëshmimit të përparësisë së interesave serbe në Shqipëri, si para aleatëve e në veçanti para Italisë, duke manipuluar edhe me Esat pashën. Por, përpjekjet e Qeverisë serbe në këtë drejtim, nuk rezultuan të suksesshme. Në fund të vitit 1915, Britania vazhdonte ta konsideronte Shqipërinë sferë të interesit të Italisë, kurse Franca kishte dërguar një mision ushtarak në Shqipëri.[50]


[1]  .) Андреј Митровић, Албанци у политици Аустро-Угарске према Србији 1914-1918, Срби и Албанци у XX веку, Београд, 1991, f. 82, 85-88.

[2]  .)  САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ.  VII, свеска I, 1/14. Јануари-30. aприл/ 13. мај 1914, Приредил Владимир Дедијер и Живота Анић, Београд, 1980, dok. nr. 64, f. 189-191.

[3]  .) Po aty, dok. nr. 24, f. 140 dhe nr. 271, f. 407-408.

[4]  .) САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ. VII, свеска 2, 1/14 мај- 22 јули/ 4 август 1914, Приредил Владимир Дедијер, Живота Антић, Београд, 1980, dok. nr. 75, f. 206.

[5]  .) Po aty, dok. nr. 38, f. 162 dhe dok. nr. 37, f. 169-170.

[6]  .) Документи о спољној политици Краљевине Србије..., Књ. VII, свеска I, dok. nr. 596, f. 761.

[7]  .) Документи о спољној политици Краљевине Србије..., Књ. VII, свеска 2, dok. nr. 152, f. 287 dhe dok. nr. 248, f. 381.

[8]  .) Документи о спољној политици Краљевине Србије..., Књ. VII, свеска I, dok. nr. 24, f. 140.

[9]  .) Документи о спољној политици Краљевине Србије..., Књ. VII, свеска 2, dok. nr. 48, f. 178-179.

[10]  .) Државен Архив на Република Македонија (më tej: ДАРМ), Скопје, Фонд бр. (më tej: Ф) 18- Краљевско српско посланство-Лондон (1879-1918), Кутија (më tej: К.) 6, арх.  един. 4, лист 5 (në vazhdim sipas këtij shembulli: ДАРМ, Скопје, 18.6.4/5), Шифрирана телеграма Бр. 4527, 21.о8./3.o9.1914, Ministria e PJ, Legatës në Londër; Документи о спољној политици Краљевине Србије..., Књ. VII, свеска 2, dok. nr. 391, f. 526-536, nr. 392, f. 536, nr. 398, f. 541-542, nr. 443, f. 580-581, nr. 453, f. 587-588 dhe nr. 481, f. 617-620; Душан Т. Батаковић,  Косово и Метохија у српсско-арбанашким односима, Друго допуњено издање, Београд, 2006, f. 207. (Administrata shtetërore serbe njësimin e kohës e bënte sipas kalendarit të vjetër gregorian, i cili dallonte nga ky i sotmi për 13 ditë).

[11]  .) Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ. VII, свеска I..., dok. nr. 24, f. 140 dhe dok. nr. 64, f. 189-191.

[12]  .) Po aty, dok. nr. 64, f. 189-190.

[13]  .) ДАРМ, Скопје, 18.6.4/5, Шифрирана телеграма Бр. 28, Београд, 12/25.1.1914, Ministria e Punëve të Jashtëme (MPJ), Legatës serbe në Londër.

[14]  .) Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ. VII, свеска I..., dok. nr. 77, f. 201.

[15]  .) Po aty, dok. nr. 18, f. 137.

[16]  .) Po aty, dok. nr. 108, f. 230-231.

[17]  .) Po aty, dok. nr. 141, f. 271.

[18]  .) Po aty, dok. nr. 66, f. 193-194.

[19]  .) Po aty, dok. nr. 453, f. 596.

[20]  .) САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ. VII, свеска 2..., dok. nr. 13, f. 138-142.

[21]  .) Po aty, dok. nr. 71, f. 201-202.

[22]  .) Po aty, dok. nr. 98, f. 228-229.

[23]  .) Po aty, dok. nr. 116, f. 245.

[24]  .) Po aty, dok. nr. 175, f. 306.

[25]  .) Po aty, dok. nr. 296, f. 430, nr. 317, f. 455..

[26]  .) ДАРМ, Скопје, 18.6.13/18-19, Пов. N= 1810, Београд, 17/30.о5.1914, Letër e Nikolla Pashiqit për Boshkoviqin, legati serb në Londër.

[27]  .) Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ. VII, свеска 2..., Књ. VII, свеска 2...,, dok. nr. 116, f. 245.

[28]  .) Po aty, dok. nr. 380, f. 516, nr. 285, f. 422. nr. 286, f. 422, nr. 287, f.423, nr. 289, f. 424.

[29]  .) ДАРМ, Скопје, 18.6.38/55, Телеграма Пов. Бр. 171, 27.о8./...1914, Telegram i Legatës serbe, në Londër, MPJ, në Nish.

[30]  .) Po aty,18.6.21/32-33, Шифрирана телеграма N=. 355, Атина,  11/24.о8.1914, Ballugxhiq, MPJ.

[31]  .) Душан Т. Батаковић,  Косово и Метохија...., f. 213.

[32]  .) ДАРМ, Скопје, Фонд бр. 17-Министерство за надворешни работи-Београд: (Јован Јовановиќ-Пижон), Кут. 2, арх. един. 38, стр. 80 (në vazhdim sipas këtij shembulli: ДАРМ, Скопје, 17.2.38/80), Телеграм N= 60, Пов. Бр. 887, из Лондона-Ниш, 25.о1/.1915, Nga Ballugxhiq, ministri serb në Londër, Ministrisë së Punëve të Jashtme në Nish, Mbi qëndrimin e qeverisë angleze.

[33]  .) Po aty, 17.2.14/21, Телеграма N= 29, Пов. Бр. 455, Рим, 13/26.о1.1915, Nga Mihajlloviq,Romë, MPJ,në Nish, Mbi lajmin në gazeta për misionin e Genadievit në Romë.

[34]  .) ДАРМ, Скопје, Ф. 1034.9.88/553-554, Nr. 26128, Raport i vice konsullit britanik në Manastir, Manastir, 16.02.1915 (i pranuar më 6.o3.1915).

[35]  .) ДАРМ, Британски конзули во Македонија 1797-1915, Документи, Редакција М-р Драги Ѓорѓиев, Скопје, 2002, dok. nr. 230, f. 442.

[36]  .) ДАРМ, Скопје, 18.6.184/248, Пов.Бр. 476, Лондон, 25.о4/...1915, Letër e Legatës (Boshkoviqit), nga Londra, MPJ, në Nish.

[37]  .) Британски конзули во Македонија 1797-1915..., dok. nr. 230, f. 442.

[38]  .) ДАРМ, Скопје, 17.2.203/421-423, Телеграма N= 595,  Лондон, 30/.о5.1915,  Nga Boshkoviq, Londër, personalisht për Pashiqin, kryeministër i Serbisë, përkatësisht përgjigje për telegramin e tij nr. 1436.

[39]  .) ДАРМ, Скопје, 18.6.14/21, Шифрирана телеграма N=. 123, из Београда, 24 maj/...1915, Pashiqi, Legatës serbe në Londër.

[40]  .) Po aty, 17.3.20/35-36, Телеграма N= 612, Лондон, 4/17.о6.1915,  Nga Boshkoviq, Londër, personalisht për Pashiqin, kryeministër i Serbisë, përkatësisht përgjigje për telegramin e tij nr. 1477.

[41]  .) Душан Т. Батаковић,  Косово и Метохија...., f. 214.

[42]  .) ДАРМ, Скопје, 17.3.18/30-31, Телеграма N= 306, Пов. Бр. 6273, Софија, 5/18.о6.1915, Nga Çollak Antiq,  MPJ, në Nish, mbi komentet në gazetënBëllgaria”-pushtimi i Shqipërisë.

[43]  .) Душан Т. Батаковић,  Косово и Метохија...., f. 214-215.

[44]  .) ДАРМ, Скопје, 17.3.18/30-31, Телеграма N= 306, Пов. Бр. 6273, Софија, 5/18.о6.1915, Nga Çollak Antiq,  MPJ,në Nish, mbi komentet në gazetënBëllgaria”-pushtimi i Shqipërisë.

[45]  .) Po aty, 17.4.7/10-11, Телеграма N= 780, Лондон, 1/148.1915,  Nga Boshkoviq, Londër, personalisht për Pashiqin, përkatësisht përgjigje për telegramin e tij nr. 8144; Po aty, 17.4.9/14-15, Телеграма N= 793, Лондон, 1/148.1915,  Nga Boshkoviq, Londër, MPJ, mbi përmbajtjen e notës kolektive të cilën po e përgatisnin fuqitë Aleancës Tripalëshe.

[46]  ,) Po aty, 17.4.150/306-308, Телеграма N= 1160, Петроград, 27.о8/.1915,  Nga Spallajkoviq,  për Pashiqin.

[47]  .) Po aty, 17.4.9/14-15, Телеграма N= 794, Лондон, 1/148.1915,  Nga Boshkoviq, personalisht për Pashiqin, mbi përgjigjen Foreign Office; Po aty, 17.4.20/42-51, Memoari i Fuqive të Antantës (në gjuhën frenge dhe përkthimi në gjuhën serbe) , 2/15.o8.1915, Nish, dhe shënime të Jovanoviqit mbi bisedat e zhvilluara me përfaqësuesit diplomatik të këtyre Fuqive.

[48]  .) Душан Т. Батаковић,  Косово и Метохија...., f. 219.

[49]  .) Po aty, f. 229.

[50]  .)  Po aty, f. 230.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora