Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: A i meritojmë ne shqiptarët heronjtë që kemi?

| E diele, 24.06.2012, 07:55 AM |


A i meritojmë ne shqiptarët heronjtë që kemi?

Nga Elvi Sidheri

Dikujt kjo ndoshta do t’i dukej një pyetje në mos retorike, deri diku edhe provokuese.

Qartësisht dhe pa qoftë edhe një fije dyshimi, ky nuk është qëllimi as për së largu.

Heronjtë tanë, tashmë prej vitesh, shekujsh e kush e di edhe mijëvjeçarësh, kanë kohë të mjaftueshme që përbalten me përpikmëri të “admirueshme”.

Ky nuk është qëllimi im kurrësesi.

Por shumëçka më vjen ndër mend, ndërsa vihem të mendoj për ato personazhe historike të cilët Shqipërinë e kanë transportuar përpara gjatë rrjedhës së saj të trazuar ekzistenciale.

Sepse ujërat ku shqiptari dhe vendi i tij kanë notuar, rrallë herë kanë qenë të qeta e po aq të paqta.

Përgjithësisht “vorbullat”, ku ose jemi futur vetë me këmbët tona, ose siç rëndom ka ndodhur, na kanë futur me pahir të tjerët, ato gati përherë kanë qenë të trazuara, si vrima të zeza, nga të cilat kemi dalë të vrarë në trup e shpirt dhe thellësisht të dëmtuar në ndërgjegjen tonë nacionale.

Nga ato stuhi e uragane kohore, kemi dalë prej forcës tonë jetësore, e cila është formësuar me shpirtin e shqiptarit, qëkurse njerëzit e parë të rracës sonë pellazge, arritën mjëra vite më parë në ato toka të cilat ende sot shërbejnë si “habitati”  ynë natyral.

Heronj kanë qenë gjithë ata njerëz me gjak të njëjtë si i yni, të cilët përgjatë mugëtirave të historisë, ja kanë dalë që t’a imponojnë prezencën tonë në këto territore dhe mos t’a lejojnë farën tonë ilire, që të zhduket njëherë e mirë.

Prandaj në idenë time, çdokush që është quajtur me vullnetin e tij të lirë “SHQIPTAR”, ka jetuar denjësisht si i tillë dhe në atë mënyrë ka lindur e rritur edhe fëmijët e tij, të gjithë këta njerëz brez pas brezi, e kanë merituar të njihen si “Heronj” të vërtetë.

Kushdo që ka respektuar gjakun shqiptar i cili i ka rrjedhur krenarisht ndër vena, ka merituar të gjejë pjesëzën e tij personale, në të kuqen e flamurit tonë.....

-Është aty ku gjendet memoria e ekzistencës së tij si bir i këtij populli të lashtë, atje është përjetësuar bashkë me atë simbol të tonin kombëtar, i cili i ka prirë shqiptarëve në secilën betejë a arritje të tyren prej ngritjes së tij të parë në Krujë në 28 nëntor të 1443-shit.

Në ditët e sotme, do konsiderohej që jemi disa miliona njerëz që mund t’a mbajmë me nder epitetin “Heronj”, për shkak të ruajtjes së identitetit tonë dhe të mos hedhjes poshtë në mënyrë tejet të turpshme, të asaj trashëgimie që të parët tanë na kanë lënë pas.

Në këndvështrimin tim, heronjtë nuk dallohen vetëm prej gjesteve të tyre sublime në fusha betejash, cepash të thepisura malesh, apo përballje në fusha të hapura me armikun.

Të tilla raste dhe njerëz, tradita jonë shqiptare ka me shumicë, i njohim ne sot ata apo jo!

Por statusi i heroit të përditshëm, sipas mendimit tim modest, zbret dhe bëhet më tokësor dhe realist, sa më tepër  që ne depërtojmë në përditshmërinë e shqiptarit të thjeshtë.

Njeriut i cili ka për t’u ballafaquar me çfarëdolloj vështirësie ditore.

Njeriut që rrallë ushqen besim ndaj shtetit të tij dhe institucioneve të cilat konsiderohet (shpesh shumë gabimisht) se duhet të jenë përfaqësueset e tij.

Njeri që jetesën e ka të ndarë midis fëmijësh për të rritur mes njëmijë problemesh, kulture për t’u dhënë atyre, pune për të gjetur e kryer vetë dhe sa e sa kërkesash të tjera të përditshme ndaj të cilave duhet të përgjigjet, gati gjithmonë pa ditur se si?!

Prandaj çështjet e nacionalizmit a nderit kombëtar, rrallë dalin në vend të parë tek popujt si i yni, ashtu siç jemi në një gjendje të vazhdueshme kërkimi për të shtyrë edhe ditën apo muajin e rradhës, pa pasur  mundësinë e sigurinë për të ardhmen.

Kështu qëndrojnë punët.

Siç thotë populli ynë me një tjetër shprehje të tij inteligjente...:”Aty fle lepuri”!

Shumëkush mund të mendojë se kjo është një dobësi e jona, një lloj mungese e shtyllës kurrizore të ndërgjegjes sonë kombëtare, gjë që shkakton pastaj edhe probleme nga ato tipiket shqiptare, të cilat mirë i njohim të gjithë ne.

Dhe ka shumë mundësi që kjo të jetë e vërteta!

Ka mundësi që ndërgjegjësimi ynë të ketë zbritur në nivelin e “unit” personal dhe të familjeve tona.

Por ky nuk është aspak një fenomen i ri dhe as mund të pohohet që si dukuri t’a kemi importuar totalisht nga Perëndimi, i dalluar për kompetivitetin mes individëve, izolimin shoqëror dhe idetë mjaft egoiste lidhur me zhvillimin individual dhe social të atyre shoqërive.

Tek ne nuk ka ekzistuar një politkë apo strategji e mirfilltë shtetërore apo kulturore, e cila t’ia ketë induktuar popullsisë një këndvështrim të tillë ndaj realitetit.

Gjërat kanë rrjedhur vetë në atë drejtim si pasojë e shumë zhvillimeve të njëkohëshme dhe sot ndodhemi në këtë pikë që jemi.

Por ajo që mund të vihet re pa frikë, është që ndërgjegja jonë kombëtare, edhe nga këto vite demokratiko-kaotike, s’ka pësuar aq dëmtime sa ç’dikush do kishte menduar a predikuar!

Jo, kjo gjë nuk ka ndodhur e për fat të Zotit, as mund të verifikohet mes njerëzve që janë, ndihen,  mendojnë e flasin si shqiptarë.

22 vjet pas rënies së regjimit totalitar në Shqipëri, shumë gjëra të pakëndëshme kanë ndodhur me siguri.

Mjaft punë kanë shkuar keq e shumë kohë është humbur nëpër labirintet e pafundme të stisjes së krizave e çështjeve inekzistente, të cilat i kanë rënduar kurrizit të shumëlodhur e të kërrusur të shqiptarit.

Shumëkush ka vendosur që këtë vend t’a lërë përkohësisht apo përgjithmonë.

Kush ka ikur e kush është kthyer!

Pushtetet janë ndërruar, politikat kundrejt shumë sferave të jetës sonë, kanë ndryshuar e evoluar.

Por ajo që s’ka lëvizur, është forca e paimagjinueshme e qënies sonë shqiptare.

Ai regjim që kaloi, na ra aq shumë në qafë, sa rreth 50 vjetëshi i i sundimit të tyre, na imponoi një frenim tjetër në garën tonë të çmendur me kohën, për të arritur hapin jo vetëm ekonomik po mbi të gjitha mendor dhe kulturor e intelektual të zhvillimit të Europës, nga e cila kriminalisht ishim ndarë me dhunë, gjatë 4 shekujve e gjysëm të errësirës osmane mbi trojet tona.

Por në atë kohë, e cila perëndoi përfundimisht dy dekada e ca më parë, disa gjëra thuheshin hapur e nuk gënjehej kaq paturpësisht sa ç’bëhet sot ditën për diell.

Librat tanë të historisë, na tregonin kush ishim e nga vinim.

Na thuhej me të vërtetë çfarë historie kishim, kush ishin stërgjyshërit tanë, me kë dhe ndaj kujt patëm luftuar dhe në fund niste ndërhyrja “arnuese” në librat e historisë, aty ky udhëheqësisë komuniste të kohës, fillonte t’i prekej interesi i saj i ngushtë.

Aty fshiheshin emrat e nënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë në 1912-ën, apo përgojoheshin dhe shpalleshin  armiq gjithë nacionalistët jokomunistë, të cilët regjimit nuk i dilnin të favorshëm ndaj qëllimeve dhe vizioneve të tij.

Aty mbreti Zog, deklarohej si “satrap” etj, Gjergj Fishta si filofashist e i biri i Abdyl Frashërit, Mit’hat Frashëri, ky njeri jashtëzakonisht i kulturuar e erudit, posedues i një bibiloteke madhështore, i servirej dijenisë popullore, si tradhëtar i kombit e injorant.

Por atij regjimi, historia i leverdiste “me ndërhyrje” deri në atë pikë kur ajo përplasej me interesat e partisë dhe të përfaqësuesve të saj.

Davutoglu e pasuesit e tij, t’ia tregojnë tjetërkujt gënjeshtrat për atë që neve paskemi mësuar historinë e Enverit në shkolla dhe prandaj s’i duam turqit dhe bijët e tyre renegatë.

JO, historinë e partisë e mësonim vërtetë, por gjithëçka kishte ndodhur para 1912-ës, e kemi mësuar me realizëm të admirueshëm edhe atëherë.

Për më tej, ne mësonim në shkolla se vinim nga Ilirët e lashtë, na flitej për paraardhësit tanë sipas të gjitha të vërtetave të cilat deri në atë moment koha i njihte dhe i kishte verifikuar.

Nuk na mashtronte njeri për mesjetën tonë, për osmanët e Skënderbeun dhe po aq me realizëm historik, na tregoheshin edhe ngjarjet e Rilindjes sonë Kombëtare.

Për 1912-ën na thuhej nëpërmjet të dhënave të plota dhe të vërtetuara, se si kishin rrjedhur ngjarjet deri në 28 nëntorin e 1912-ës dhe po ashtu tipat atdheshitës si Esat Pasha, merrnin edhe historikisht plumbin e turpit, si ai që Avni Rustemi qëlloi në Paris në 1920-ën, ndaj këtij prototipi të bukëshkalit shqiptar.

Tani, çfarë po ndodh këtu e njëzet vjet?

Mos jemi përmirësuar gjë ndopak?

Kemi ditur gjë që të rregullojmë e studiojmë gabimet e qëllimshme që regjimi totalitar na la trashëgimi në mësimin e historisë sonë?

Pa qenë sidoqoftë një specialist i fushës në fjalë, pra historisë, sërish shumë pak do të thosha!

Në vend që të thellojmë njohjen me historinë tonë para çlirimit nga ombrella e rëndë dhe e prapambetur turko-osmane dhe njëkohësisht, të shmangim mashtrimet e komunistëve për ngjarjet pas pavarësisë dhe figurat jokomuniste të cilat regjimi i baltosi për shumë kohë, neve jo vetëm që s’i bëjmë këto gjëra, por jo rrallë ka nga ata që i hyjnë me zell barbar të shkatërrojnë edhe ato që tashmë dimë dhe që na nderojnë historikisht.

Ndaj them dhe ashtu mendoj vërtet, se pyetja fillestare e këtij shkrimi, lidhur me meritimin apo jo të heronjve që ka populli dhe vendi ynë, lind spontane dhe është e mirëbazuar!

Para pak ditësh, ishte përvjetori i një ngjarje të ndodhur një ditë të qershorit të 1920-ës.

Atëherë Avni Rustemi, qëlloi për vdekje në mes të Parisit Esatin që mbahej për Pasha (dhe që si pashallëk të tijin privat,  kishte pasur në mend të shpallte Shqipërinë e Mesme, që do të mbeste e pashitur tek fqinjët nga vetë ai)!

Ai (Avniu) zbrazi armën e tij mbi personin që kishte shitur Shkodrën tek malazezët dhe i cili kishte hyrë në marrëveshje të ulëta me secilin nga pushtuesit e shumtë të vendit tonë.

Pashai  pra i cili kishte luftuar princin gjerman të caktuar nga fuqitë e mëdha për atdheun tonë të porsalindur dhe i cili kishte mbajtur krahun e DumBabistëve fondamentalistë filoturq, gjatë revoltës së tyre prapanike dhe të përgjakshme, me objektivin e kthimit të murtajës osmane në trojet tona.

Njeri i cili nga historia serbe, ende sot po të vihesh e të lexosh të dhënat e tyre, njihet si aleati i vetëm i rëndësishëm që kanë pasur në Shqipëri gjatë epokës së ngatërruar të viteve pas-pavarësisë dhe Luftës së Parë botërore.

Njeri të cilit i njohin meritën e mbështetjes së ushtrisë serbe, gjatë tërhqjes së tyre të rraskapitur nëpër territorin shqiptar në dimrin e 1915-ës.

Ja çfarë thonë vetë serbët për këtë njeri dhe ato ngjarje...:”Nakon što se srpska vojska privukla pod pritiskom evropskim silama, u Dra?u je ostavljena pro-srpska vlada Esad paše Toptanija, koga je oružjem i novcem pomagala Paši?eva vlada.

Kjo në shqip do të thotë:”Pasi ushtria serbe u tërhoq si pasojë e presionit nga Fuqitë e Mëdha, në Durrës u la qeveria pro-serbe e Esat pashë Toptanit, e cila ndihmohej financiarisht dhe me armatime nga qeveria e Nikolla Pashiçit.

Dhe me tej vazhdon kështu...:”U Albaniji su upu?ene manje srpske snage kako bi obezbedile južne granice Srbije, i pomogle Esad paši u borbi sa njegovim suparnicama.....!

Që në shqip domethënë...:Në Shqipëri u nisën trupa të serbe që të siguronin kufirin jugor të Serbisë (diku nga lumi Shkumbin sipas tyre) dhe që të ndihmonin Esat pashën në luftë me kundërshtarët e tij.

Dihen botërisht paktet tradhëtare të Esatit me Nikolla Pashiçin, ashtu siç dihet edhe “Pleqësia” turkomane e përbërë nga analfabetë të shumtë fshatarë, agallarë e klerikë të frymëzuar prej tij, e cila kundërshtonte qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë dhe mbillte përçarje mes shqiptarësh, duke quajtur si të pafe gjithë nacionalistët antiturq të kohës dhe çdo shqiptar tjetër të feve që s’i ishin prurë nga turqit.

Kjo “gjindje” e drobitur nga largimi i turqve, i kërkonte Esatit që të merrte frerët e situatës në duar deri në ardhjen e ndonjë turku halldup në krye të shqiptarëve sërish.

Siç thoshte Mit’hat Frashëri, njeriu i nëmur për shumë vite nga komunistët më pas, dhe i cili ende nuk e ka rimarrë rehabilitimin historik që vërtet meriton.....:”Esat Pasha, u bë foleja drejt së cilës rrodhën gjithë ç’mund të kishte të keqe në Shqipëri:tradhëti, konservatorizëm, ambicie, lakmim, frikë prej dritës së të mirës.Ai u bë qëndra e të gjithë atyre që ndiqnin një qëllim kundër Shqipërisë.Fuqia e tij vinte sa nga shkaqet e brendëshme, sa prej relacioneve të jashtme, mbi intrigat që kishte lidhur me Serbinë e Malin e Zi, pa vonuar shumë u shtuan edhe ato me Greqinë.

Po ky njeri ishte urdhëruesi i vrasjes së Hasan Riza Pashës në Shkodër, në bashkëpunim me shtabin XhonTurk të qytetit, para se ky komandant, i vetmi turk i papërlyer i historisë së marrëdhënieve shqiptaro-turke, të ngrinte flamurin shqiptar në Rozafë.

Qytet që e shiti tek sllavët malazezë për rreth 80’000 lira turke të kohës, siç thonë burimet Britanike për shembull.

Ai akt madhor për botën shqiptare, bëri bujë të padëgjuar atë kohë jo vetëm në Shqipëri, por gjithëkund nëpër Europë dhe si vepër ajo do të përshkruhej në mënyrë të tillë nga avokati i trimit shqiptar gjatë gjyqit në Francë...:”Si krim pasional, me nxitjen dhe shtytjen e një populli të tërë”!

Siç thuhet nga burimet e huaja për këtë ngjarje, ajo u pa si një heroizëm dhe si një sinjal i përçapjes së borgjezisë së re filoperëndimore kundër  traditave turko-feudale të Shqipërisë dhe si një urë dhe etapë themelore në kalimin e vendit dhe shoqërisë tonë, në tranzitimin drejt vlerave të reja demokratiko-borgjeze.

Avniu ishte djali nga Libohova fisnike, drejtues i patriotëve të “Djalërisë së Vlorës”, antar që në moshë të mitur i çetës legjendare të Çerçiz Topullit dhe përfaqësues i spikatur i rinisë dhe i mendimit intelektual të kohës kur jetoi dhe punoi.

Fjalë të tijat, tingëllojnë fort ende me gjithë peshën e tyre, në kushtet kur vendi ynë akoma vuan nga marrëdhënia pozitë-opozitë dhe mbi të gjitha nga mos kërkesa dhe dhënia e llogarisë në lidhjen shtet-qytetar.

Ai citohet të ketë shkruar...:”Kur qeveria, nuk plotëson nevojat më me rëndësi që ka kombi, atëherë kjo nevojë do të realizohet me interesimin e pjesës së organizuar të popullit e t’a bëjmë qeverinë që t’a ndjejë këtë nevojë”!

Sa aktuale dhe realiste duken këto fjalë edhe sot, 88 vjet të gjata pas vrasjes së tij dhe shuarjes së asaj jete të re, që sidoqoftë nuk mundi dot në asnjë mënyrë të ndalë përhapjen e mendimeve, idealeve  dhe qëllimeve të atij personazhi karizmatik të historisë shqiptare!

Por para pak ditësh, kur koinçidonte data e vrasjes së Esatit nga dora patriote shqiptare e Avniut, askush nuk u kujtua për këtë vepër dhe për kurajon e guximin e pashoq të atij djali të ri.

Asnjë televizion s’i kushtoi qoftë edhe ndonjë minutëz të shkurtër nga programacioni ditor, përkujtimit të kësaj ngjarje.

S’u gjend mbi dheun shqiptar atë ditë, asnjeri që t’a ndjente nevojën të fliste për këtë vepër dhe rëndësinë e saj për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe për raportet e vendit tonë me rrjeshtin e gjatë të tradhëtarëve të këtij kombi, të cilët rrallë kanë marrë dënimin e merituar si në këtë rast specifik.

Ndoshta po ia ha të drejtën dikujt me këto fjalë, ndoshta dikush në ambiente private a atdhetare, nga ato që nuk kanë akses në ekranet televizive apo skenat e mëdhaja publike, edhe e ka kujtuar Avniun dhe guximin e tij!

Por thelbësisht, si në shumë raste të tjera, shtetit dhe shumëkujt, për këtë gjë, këtë akt dhe këtë njeri, as që iu bë vonë fare, as që e çanë lehtësisht kokën për t’i kujtuar, qoftë edhe për të “larë gojën” siç thotë gjithmonë populli, burim i pashtershëm shprehjesh të përshtatshme në të tilla raste.

Kjo është përgjithësisht mënyra se si neve përballemi me historinë tonë dhe sigurisht edhe me protagonistët të cilët atë histori e kanë bërë dhe shkruar me veprat dhe punën e tyre vetëmohuese, shpesh deri në flijim.

Trimat si Avni Rustemi, apo edhe shumë të rinj të tjerë që vitet më të mira të jetëve të tyre ia dhuruan atdheut, kishin luftuar në atë periudhë, për fat të keq me të njëjtat fenomene me të cilat, një Zot e di se përse, edhe neve kaq breza pas tyre, akoma ballafaqohemi.

Sot si edhe atëherë, veprimet që synojnë afrimin e Shqipërisë dhe çështjes tonë shqiptare me Perëndimin dhe në përgjithësi nacionalizmi modern shqiptar, shihen nga bashibozukët turkomëdhenj tani, siç bënin esadistët DumBabistë dikur, si lëvizje e pafe që ata i largon pakthyeshmërisht nga mëma Turqi dhe sulltanizmat e anadollizmat e shumta që vijnë erë të keqe orienti osman.

Revolta Haxhi Qamilase, kishte udhëheqës të ndryshëm në plan të parë dhe Esatin në prapaskenë, por kryesisht përbëhej nga xhonturq, panturkistë e antishqiptarë të tjerë, si dhe përfaqësuesit e disa ngulimeve sllavishtfolëse myslimane, të ardhur rishtaz në vendin tonë.

Por qëllimet e saja ishin në të njëjtën sintoni dhe valë mendimi me turkofilët e antishqiptarët e sotëm shqipfolës.

Dhe për konçidencë të fortë, prapa asaj kryengritje të turpshme antikombëtare, qëndronin agjenturat serbe, turke e greke, siç edhe sot qartësisht pas shumë “lëvizjeve” të tilla qëndrojnë po të njëjtat shërbime sekrete dhe agjentë të vendeve të tjera tej në lindje të Turqisë, tek ajatollahët buzë Gjirit Persik.

Në fund, në 1914-ën, diku nga data 6 shtator e atij viti, kryengritësit filoturq kapën Durrësin dhe brohoritën me forcë drejt qiellit plot re të një Shqipërie të pushtuar, vrarë e copëtuar, emrin e sulltanit dhe ngritën me shpejtësi flamurin e dashur  (për ta) turk!

Gjë që e përsëritën figurativisht, disa turqdashës të tjerë vjet, në stadiumin e ekipit tonë kampion në futboll, të cilët përballjen me një skuadër qipriote, e shfrytëzuan për të shfaqur dashurinë e tyre të pakufishme ndaj “vëllezërve turq” dhe çështjes së tyre të pazgjidhur në Qipro, ishullin e perëndisë së lashtë Afërdita (afër-dita, pranë ditës në shqip).

Vend ku turqit si shumëkund tjetër janë veçse pushtues dhe asgjë tjetër.

Aty këta pseudo-shqiptarë, gjetën rastin të ringrenë brenda një stadiumi tonë, flamurin turk, të cilin e kishin lidhur bashkë me atë shqiptar dhe e plotësonin veprimtarinë  e tyre jashtëqitëse, me një diçiturë debile ku thuhej se Qipro është Turqi!

Kuq e zi e quanin veten këta njerëz, që normalisht s’kanë fare të bëjnë me ngjyrat e flamurit tonë, por maksimumi të zezën e kanë si korba të zinj që janë vetë dhe të kuqen mund t’a kenë huazuar nga flamuri turk para të cilit falen natë e ditë.

Këta “patriotë të vërtetë” turq, sepse vetëm të tillë mund të kenë qenë, përderisa shqetësimi i tyre më i madh doli të ishte se deri ku shtrihej territori i nënës së tyre të vërtetë Turqi e jo atdheu i tyre i supozuar shqiptar.

S’e vë aspak në dyshim, se në ëndërrat më fatlume të gjithë turkdashësve në anët tona, kjo është ëndërra e tyre më e bukur “në diell”.

Kjo datë e largët e 1914-ës, me siguri e kalon për nga rëndësia, në peshoren e tyre të mbrapshtë historike, edhe pushtimin e Krujës nga osmanët në 1878-ën.

S’ka datë e ditë më emblematike për ta në jetë.

Esat Pasha është heroi i tyre i vërtetë, figura e venerueshme nga i cili marrin shembull përgjatë veprimtarive të tyre agjituese dhe përçarëse që si përherë synojnë rikthimin nën hijen e përjetshme turke.

Por si atëherë, për ta arritur këtë qëllim “madhor”, tipat e tillë që i ngecen vendit tonë nëpër këmbë si shkurre helmuese të pashkuluara e të mbjella për shekuj të tërë nga turqit në trojet tona, ata nuk ngurojnë që të shiten dhe të shesin popullin e tyre tek kushdo që i ndihmon në realizimin e këtij objektivi jetësor për ta.

Esati i atëhershëm dhe esadistët e sotëm, janë i njëjti lloj.

Ai shiste këdo dhe çfarëdo, mjafton që të siguronte privilegjet e tija personale dhe t’a drejtonte vendin sërish drejt orientit turk.

Për t’a bërë këtë gjë, ai bashkëpunonte hapur me cilindo që të kishte interesa antishqiptare dhe ashtu secila palë, arrinte qëllimet e saj.

Pasuesit e  tij të ditëve tona, kanë të njëjtën strategji.

Ata ndjekin linjën  e tij të veprimit, por kanë mprehur e i kanë sofistikuar mjetet për t’a realizuar këtë qëllim.

Pasi tashmë, copa toke shqiptare për të shitur e shkëmbyer me favoret e armiqve të Shqipërisë, nuk ka më, ata afrimin me Turqinë e fryjnë me çdo mjet tjetër të mundshëm dhe njëkohëisht zhvarrosin gjithë traditat prapanike turke që mendonim se i kishim harruar prej kohësh.

Kështu, ambienti shqiptar, është degdisur si një lloj i veçantë filmi me të vdekur që ecin (Zombies).

Që në këtë rast janë turqizmat e shumta që po na ringjallen e po dalin nga vrimat e skutat ku i kishim groposur vetë apo ku ishin fshehur ato zgjuarsisht, në pritje që të vinte dita kur do rihynin në shoqërinë tonë, e cila kurrë në 100 vjet, nuk diti të çturqizohet komplet.

Turqizmat, sjelljet, traditat, fjalët, shprehjet, mënyrat e të menduarit e të vepruarit, bashkë me investimet moderne të shtetit turk në trojet tona, janë këta “zombit” e botës tjetër, që nga ana e qoftëlargut, kanë ardhur në dimensionin tonë jetësor prapë edhe njëherë dhe kështu po na bëjnë që të rijetojmë makthet turkomane, në përditësinë e jetës sonë.

Ky është realiteti i vdekur turk që po mundohen me çdo mjet modern (pasi për pushtime e dhunë s’bëhet më fjalë e s’kanë më as fuqi etërit neo-otomanë të kësaj ideje në Anakara), që t’a sjellin në realitetin tonë, duke e nxjerrë nga bota e përtejme ku pas shumë vështirësish e kishim hedhur para një shekulli.

Këto dukuri e fenomene të botës tjetër, të ferrit turko-osman, janë luftuar me penë e armë në dorë nga rilindasit tanë, të paktën qysh nga De Rada e Vëllezërit Frashëri e deri tek Fishta, Gurakuqi etj. në vitet 30-të të shekullit të kaluar.

Skënderbeu dhe burrat e tij, i luftuan turqit me shpatë e shtiza në duar që në fillim.

Dhe këtë s’e bënë sepse thjesht po mbronin posedimet e tyre familjare, apo për ndonjë alenacë, ndër të tjera fare natyrale me princat italianë, me të cilët ishin të lidhur familjarisht për shkak të martesave të ndryshme dhe afërsisë natyrore mes tokave shqiptare dhe atij gadishulli.

Ata e bënë atë luftë heroike, sepse e kuptuan që në fillim rrezikun e tmerrshëm që këmba turke do të sillte mbi tokën shqiptare ku do të shkelte.

Siç kishte bërë para tyre edhe kushuriri i largët Atila, ”ku shkel turku nuk mbin bari”, por padyshim që mbin ndonjë bimë toksike me origjinë anadollake, nga ato që hashashojnë (drogojnë rëndë) trutë e popullsisë dhe duke kaluar nëpër ato faza haluçinante na çojnë sërish të përkundemi në prehërin e nipave të sulltanëve osmanë, tashmë të quajtur zyrtarisht turq.

Kurse pas luftës me ta nga 1443-shi deri në 1468-ën, gjithë shqiptarët që u vunë kundër osmanëve, patën së pari punë me pjellat e tyre në trojet tona.

Sepse turku kishte qenë aq dinak sa të merrte masat dhe të krijonte një mburojë e cila përfshinte disa nivele filoturqish, të shpëlarë apo jo nga trutë, por edhe mjaft njerëz plotësisht të vetëdijshëm për atë që bëjnë, të cilët  përbëjnë rregullisht muret mbrojtësë, apo lëvozhgën që del në pararojë dhe lufton për babën turk.

Heronjtë tanë, nga më antikët, deri tek ata të kohës ku jetojmë, nuk është e thënë të kenë luftuar të gjithë në një betejë vetëm ndaj turqve apo trashëgimisë së tyre (edhe njerëzore shqipfolëse) .

Por ajo që i bashkon ata me njëri-tjetrin, ka qenë “dëshira dhe qëllimi”, siç thotë edhe himni ynë, i urryer nga shumë jo vetëm filoturq, ishte pra synimi për t’a parë Shqipërinë të lirë, moderne, të përparuar dhe pjesë të kontinentit të cilit i përket historikisht dhe kulturalisht, EUROPËS!

Prandaj, sa kohë që këto prerogativa nuk janë plotësuar edhe kaq vjet pas shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë, atëherë edhe ne nuk e kemi nderuar luftën e tyre, nuk kemi përmbushur qëllimin e tyre në jetë dhe nuk jemi shkëputur akoma nga kthetrat e armiqve tanë dhe më të rrezikshmit mes tyre, turkut.

Kështu neve tregojmë se ende nuk i meritojmë këta heronj që kanë ndërtuar ngrehinën e identitetit, shtetit dhe ndërgjegjes shqiptare.

Mënjanë që, për t’i lënë pak pa u marrë me turqit, ka hapësira të shumta ku ata s’kanë asnjë ndikim dhe ku neve sërish nuk shkëlqejmë aspak.

Tirana, kryeqyteti i shtetit tonë, por edhe çdo qytet tjetër, bën pak ose fare, për të kujtuar ngjarjet dhe personazhet tona historike.

Ndërsa rreth nesh kemi popuj pa histori ose lecka të qepura shkel e shko, me të cilat kanë realizuar atë që ata duan dhe që e paraqisin si traditë të tyren, neve çfarë bëjmë nga ana jonë?

Jo vetëm s’duam t’ia dimë për heronjtë, mitet, kongreset, lidhjet, antikitetin e gjuhën tonë, por edhe ca s’luftojmë kur dikush nga fqinjët tenton të na mohojë atë ç’është e jona me të drejtë nga Zoti e ca zbehim e harrojmë qëllimisht të kaluarën tonë.

Qytetet tona janë të mbushura me rrugë me emrat e çdo partizani që ndoshta s’e ka parë ndonjëherë pushkën me sy, por emrat e mbretërve e princave tanë të lashtë e mesjetarë, ose s’i gjen të kujtuar askund, ose u janë vënë ndoca rruginave periferike për turp të Zotit!

Nëpër kartat turistike tregojmë çdo tyrbe pashai të parëndësishëm osman dhe s’na bie në mendje të tregojmë origjinën fisnike e familjet e mëdhaja princërore arbërore a ilire të qyteteve tona të lashta me histori mbi 2500 vjeçare si Shkodra, Berati, Durrësi etj.

Kur me historinë merresh mbrapsh, së prapthi do të shkojnë edhe punët pastaj domosdo.

Edhe vend për turqit e nipërit të tyre do ketë padyshim më pas.

Kjo amnezi e jona e pajustifikuar, i ka bërë dhe i bën vend filoarmiqve shqipfolës mes nesh dhe turqve a serbëve e helenëve.

Kur një popull vetëamnezohet, historinë e tij çdokush është i lirë t’ia rishkruajë siç ia ka ënda t’a bëjë.

Tek ne, këtë punë po e bëjnë me entuziazëm të theksuar armiqtë e vetvetes dhe të të qënit shqiptar, të cilët nuk janë përherë domosdoshmërisht filoturq, por të cilët tek ky vend dhe tek ajo traditë e egër antishqiptare, kanë gjetur aleatin më të mirë për të realizuar qëllimet e tyre të mënxyrshme ndaj ekzistencës tonë shqiptare.

U kujtova qëllimisht për një hero të madh shqiptar si Avni Rustemin, pikërisht për këtë arsye.

Për shkak të ndërlidhjes së habitshme që ndodhi tek gjesti që bëri ai njeri, duke palosur në tokë me plumbat e tij, tradhëtarin më emblematik të historisë moderne shqiptare.

Sepse njeriu që ai goditi për vdekje, ishte simboli i jo vetëm turkomanëve tanë, por edhe i gjithë atdheshitësve të tjerë, gjuhëurryesve të shumtë të cilët tek shqipja shohin një armike për t’u dialektalizuar dhe për t’iu përshtatur përkthimit copy-paste nga sllavishtja titiste që kanë njohur e folur me zell dikur, apo për t’u fshatarizuar sipas çdo zone ku flitet dhe turqizuar në palcë me anë të bombardimit më fjalorin turk.

Esat Pasha, ishte njeriu tipik i cili përmblidhte perfektësisht të gjitha tiparet e shqiptarëve anitshqiptarë, njerëzve të cilët do e digjnin me themel gjithë vendin e tyre, edhe pa ia kërkuar dikush nga idhujt a kushurinjtë e tyre turq, sllavë a helenër.

Kështu që Avniu dhe brezi i rilindasve të fundit si ai, e rrëzuan pikërisht atë mit anitshqiptarie që ajo specje esadiste mishëronte.

Por Avni Rustemin dhe secilin hero tjetër të tonin, ne nuk e meritojmë për sa kohë që veprën dhe mesazhet e tyre akoma nuk dimë t’i çojmë në vend dhe për aq kohë që lufta më e ashpër ndaj identitetit dhe trashëgimisë sonë historike, vazhdon të udhëhiqet e drejtohet akoma nga shqipfolës antishqiptarë, nipa të denjë të Esat Pashës.