Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fotaq Andrea: Justin Godart, një mik i madh i kombit shqiptar

| E shtune, 23.06.2012, 02:54 PM |


JUSTIN GODART,

MIK I MADH I KOMBIT SHQIPTAR

Nga Fotaq Andrea

Në qershor 2006, me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Justin Godarit, një shesh në Paris mori emrin e tij, duke nderuar kështu figurën e Atij që është quajtur me cilësimin më domethënës e të veçantë: “I Drejti i Kombeve”. Po kush është konkretisht “I Drejti i Kombeve” Justin Godar, kjo figurë e shquar historike e Republikës III Franceze, dhe ç’përfaqëson ai për vetë ne shqiptarët?

Justin Godar (1871-1956), është para së gjithash një figurë e shquar e Radikalizmit francez në fillim e në mes të shekullit XX, duke qenë në shumë funksione dhe duke zënë poste të nderuara, si deputet, senator, nënsekretar shteti, ministër i Punës e i Higjenës, ministër i Shëndetësisë, etj. Është konsideruar Njeri i përplotë në tërë fushat: doktor në Drejtësi, dy herë Kryetar i Konferencës Ndërkombëtare të Punës, këshilltar bashkiak dhe Kryetar bashkie, mbrojtës i shumë kauzave të popujve, veprimtar për mbrojtjen e minoriteteve. Militoi kundër të gjitha formave të antisemitizmit e të racizmit, përkrahu çështjen e popujve të Ballkanit e në mënyrë të veçantë të Shqipërisë, duke i bërë asaj një mbrojtje të shkëlqyer në arenën ndërkombëtare. Është Kryetar nderi i Shoqatës së parë Francë-Shqipëri dhe mik i madh i kombit shqiptar e Shqipërisë, të cilin e vizitoi shumë herë në vitet 20, duke shkruar me penë të shkëlqyer për shqiptarët, me një simpati të veçantë për ta, madje duke botuar edhe dy libra me vlerë të rrallë historike, si dhe artikuj e reportazhe të shumtë. Është dekoruar nga 14 vende, ndër to edhe Shqipëria, e cila i ka akorduar “Urdhrin e Skënderbeut”.

Në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë kombëtare dhe të themelimit të shtetit shqiptar vijmë e përshëndesim nga zemra kujtimin e këtij personaliteti të shquar francez që u bë copë për mëvetësinë e Shqipërisë dhe lartësimin e identitetit dhe dinjitetit historik shqiptar. Një rrugë në Tiranë mban emrin e tij, por tashmë, për fat të keq, është shndërruar në një shteg mes zaptime pronash e ngrehinash të reja, pikërisht ajo rrugë aq shumë e rrahur në vitet e para të demokracisë që çonte nga Rruga e Kavajës pas Ambasadës greke, në krah të ish Stabilimentit “Mihal Duri”. Aty, në krye të saj, në kërthizë të Tiranës, do duhej ngritur shtatorja e tij për të përjetësuar veprën dhe kujtimin e këtij miku të madh të shqiptarëve, që diti me aq guxim, largpamësi dhe zhdërvjelltësi politike e diplomatike t’i thotë JO! planeve për copëtimin dhe aneksimin e territoreve etnike e historike shqiptare. Sepse Ai u vu në krye të kauzës së kombit shqiptar shi në ato çaste dramatike të viteve 20, kur Fuqitë e Mëdha luanin me fatet e popujve të vegjël pas Luftës së parë botërore për të kënaqur orekse përherë grabitqare të fqinjëve të Shqipërisë. Dhe në këtë përpjekje fisnike e heroike të tij, ai ka pasur përherë në krah të tij figurën tjetër të ndritur të demokracisë franceze, diplomatin dhe politikanin D’Estournelle de Constant, laureatin e Çmimit Nobel të Paqes më 1909, një mik tjetër i madh i kombit shqiptar.

I nderuar e i pavdekshëm qoftë kujtimi i tyre!

Po botojmë më poshtë shtatë shkrime të Justin Godarit mbledhur e përkthyer nga ana jonë, që shquhen për realizëm, drejtësi, largpamësi e dashuri për kauzën shqiptare, duke pasur edhe një theks të fuqishëm aktual, nga ku mund të nxjerrim mësime të mëdha për të ardhmen dhe përparimin e kombit shqiptar.

SHQIPËRIA DASHURON FRANCËN1 nga Justin GODART

Ky popull i ri, punëtor, i disiplinuar, i pasur, i ka gjithë mjetet për t’u bërë shpejtazi një shtet modern e demokrat. Franca duhet ti ndihë.

Le Matin, 3 qershor 1921, P A R I S

Shëtita gjithë Shqipërinë.

Kur shkoja nga fshati Zervaskë, duke vajtur prej Korçë në liqenin e Ohrit, u çudita duke parë shtëpitë të mbyllura dhe rrugët e zbrazëta. Por duke vazhduar udhën, gjeta në hyrjen e një simiteri2, banorët dhe nxënësit e shkollave me flamurët frëng e shqiptar në duar. Kryetari i t’yre më shpjegoi se ishin mbledhur n’atë vend që të më përshëndoshnin mua, me që atje preheshin ushtarë frëngj, dhe se gjithë popullsia e qarkut desh të nderonte Atdheun tim përpara varreve të vëllezërve të mi të vdekur për lirinë e botës.

Kryqet e drunjta ishin të stolisura me lule. Kur i salutova, i shoqëruar nga populli serioz, djelmosha e vashëza këndonin Marsejezën3 frëngjisht.

Kudo, në këtë Shqipëri të vrazhdë e të bukur, prita për vendin tonë çfaqjen e simpative të thella e të sinqerta.

Në Tiranë – qytet i vogël, i çuditshëm dhe i vjetër, që u bë kryeqytet – Parlamenti, lindur nga zgjedhjet e marsit të këtij viti, vendosi të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme që të më pritte mua.

– Kur të ktheheni në vendin tuaj, më tha kryetari, ju lutem nxehtësisht t’u komunikoni bashkatdhetarëve tuaj që, në këtë sinisi të Ballkaneve, gjendet një popull të vogël po me vetëdije, i cili ka ushqyer gjithmonë admiratën më të madhe e më të sinqertë për Francën.

Veç këtyre ndjenjave, të çfaqura në mënyrë të prekshme, si në Zervaskë, ose kudo përgjithërisht, me një entusiazmë kremtimesh popullore, pata nga Shqipëria  përshtypjet që dua t’i përmbledh këtu.

Shqipëria, e cila u pranua se fundmi si pjesëtare në Shoqërinë e Kombeve, ka një Qeveri, e cila njihet në tërë viset. Themeloi qetësinë e rregullin, që i mbron me një Gjandarmari të disiplinuar fare mirë. Siguria që mbretëron në Shqipëri është e tillë që munt ta kenë zili edhe shumë nga kombet e mbëdhenj.

E drejtuar nga një këshill’e lartë me 4 veta dhe nga një kabinet me 6 ministra, Shqipëria përgatit një Koshtetutë, e cila do jetë, pa dyshim, fjesht demokratike.

Vepra e organizimit në Shqipëri është e madhe. Turqia e mbante këtë Krahinë në një gjendje të paqëndrueshme, pa urdhra (ligje), pa Shkolla, pa gjithë mjetet që të zhvillohej materialisht e intelektualisht, me qenë se ishte rebele dhe e rreptë, dhe malet e saj ishin plot patriotë të paepur.

Sot autonome, pasi luftoj kaq shekuj për independencën e saj, Shqipëria gjendet përpara një problemi tepër të madh : transformimi i saj në një Shtet modern.

Vallë do dijë ta zgjidhë?

Nga sa pashë, mundem të them se po.

Mundimi i madh i një pune të rëndë e durmitare, që kërkon përparimi i një populli të mbetur pas e të dashur, lyp bashkimin, një vullnet të qëndrueshëm veprimi, elemente këto të prodhimit të të mirave materiale.

Shqipëria i kâ gjithë këto.

Me gjithë propagandën e huaj që hyn fshehtazi nën rrobën e fesë, katolikët, myslimanët, ortodoksët janë para së gjithash Shqiptarë. Në asnjë vend s’mbretëron toleranca si në Shqipëri: dhe ditën e afërme kur do formohet Kisha ortodokse kombëtare, veç kur do zhduket shkaku më i madh i turbullimeve që hyjnë nga jashtë.

Të gjitha mendimet janë kthyer përkundrejt përmirësimeve që duhet të realizohen. Shqipëria kâ, pa dyshim, njerëz të formuar, por meqenëse një pjesë e tyre  ka mësuar në Stamboll, një pjesë në Boston, një pjesë në Romë a në Paris, do jetë zor - nga shkaku i ndryshimit të kulturës së tyre -, të bashkohen për të kapur e për të zbatuar një program të  gjerë. Gjithashtu, qeveritarët thërresin organizatorë të huaj, e veçanërisht frëngjër. Ata që do vendosin të venë atje, kanë të siguruar një të ardhme të bukur, përveç interesit që do krijojnë në një vend të ri.

Më në funt, Shqipëria është e pasur. Ari dhe ergjëndi merret e jepet lirisht edhe në pjacat më të vogëla. Toka veç të lëvrohet fare pak dhe është pjellore. Nëntoka ka sigurisht shtrate të tëra mineralesh të pa-kërkuara.

Pyje madhështore presin të rregullohen e të priten me sistem. Fusha të pa-numurta, që përthahen lehtë, mund të japin sasira të mëdha pambuku. Në pazaret, tregtarët tanë mund të shesin mjaft prodhime tonat. Po nuk duhet të presin gjer sa të zihet vendi nga të tjerë.

Interesi i Francës pra është t’i përgjigjet miqësisë që po shfaq Shqipëria dhe, për paqen e Evropës, kombet e mbëdhenj duhet t’i ndihmojnë këtij Shteti të ri. Ai ka nevojë për këtë ndihmë, meqenëse drejtësia që u është premtuar popujve të vegjël në Luftën e madhe, si dhe respekti i detyruar ndaj kombësive nuk janë siguruar akoma plotësisht. Kufijtë që i janë caktuar Shqipërisë nuk respektohen dhe vazhdojnë të kanosen. Qeveria e saj , e cila dha provat e duhura, nuk është njohur nga vendet e tjera. Veç kësaj, pa nonjë arsye të kthjelltë e që mund të përballë gjykimin e mendimit botor, lihet në pa-siguri, për fatin e tij, një Komb i vlefshëm, i cili ka dhënë mjaft prova gjallërie dhe shembëlla kryelarta kundra shtypjes dhe i cili, në këtë pikë, na përngjan ne, frëngjëve.

Duke vajtur n’Elbasan, - përmes pyllit qendror të Shqipërisë -, arrita në Brezhdë pas një dite të gjatë udhëtimi me kalë ndënë shi. I zot’ i shtëpisë, ku isha mysafir, dhe të ftuarit e tjerë që rinin gjithë rrotull mua, përpara zjarrit ku thahesha, më pyetnin me dëshirë të madhe përmbi Francën. Në Shqipëri, frëngjishtja që mësohet në shkollat e para, përdoret po thua lehtësisht. Një plak me sharrkël më tha:

– Këtu neve pamë, në kohën e luftës, Austriakët, të cilët nuk ëndërronin gjë t’jatër veç si-e-si të fortifikoheshin; Gjermanët, të cilët flisnin vetëm për heroizmin dhe pushtimet e tyre ushtarake; pasandaj Frëngjërit. Një mbrëma, një ushtar i tuaj, fshatar si neve, rrinte në vendin ku jeni ulur zotrote. I bëmë darkë ; e dëgjonim. Ahere na zbuloi Francën kur na tha : « Ne, që ta dini ju, ne luftojmë për lirinë ».

Një heshtje e gjatë pasoi n’atë dhomë mbushur në tym. Në këta malësorë para meje po ndjeja të mallëngjyer shpirtin e përbashkët të Francës e të Shqipërisë.

JUSTIN GODART

Deputet

Ish Nënsekretar i Shtetit

Gazeta “Drita”, 5 qershor 1921.

SHQIPËRIA DHE PANAIRI I LIONIT

Artikull i botuar në korrik 1921, në revistën mujore franceze  Expansion Commerciale, n° 13, nga Justin Godart, deputet i Rhonës, i ngarkuar në atë kohë me mision në Shqipëri

Shqipëria e dha pëlqimin e saj për të marrë pjesë në Panairin e Lionit. Kur ky komb i ri të dalë nga vështirësitë që po i krijojnë si fqinjët ashtu dhe diplomacia e Fuqive të mëdha, kur të mund të njihet më mirë, ai do çudisë Evropën me vitalitetin e vet, me vullnetin për paqe e punë, me origjinalitetin e cilësive dhe të karakterit të popullit që ka, i cili, prej shekujsh ka flijuar gjithçka për pavarësinë e tij.

Unë sapo i rashë kryq e tërthor mbarë Shqipërisë dhe mora ngado shprehjen e admirimit dhe të miqësisë së saj për Francën. Nuk mungova të mbledh, gjatë rrugës, të dhëna të domosdoshme që të mund të lidhen marrëdhënie të fuqishme dhe të nevojshme midis vendit tonë dhe Shqipërisë. Fola për Panairin e Lionit dhe pashë nëpër pazaret e qyteteve gjithçka që mund të dërgohej aty si mostër.

Domosdo, mund të mbushej pa vështirësi një pavion i tërë gjithë interes për t’u vizituar me objekte që i përgjigjen një gjendjeje qytetërimi tashmë të tejkaluar. Do të ishin për shembull armë të shkëlqyera veshur krejt në argjend dhe punuar me shije të hollë. Do të ishin veshje, xhybe gjithë qëndisma ari, fijeholla si të argjendarëve, të një stili të lartë. Do të ishin filigrane azhur tepër të çmuara, me dantella të metalta shumë të holla, që riprodhojnë modele mjaft të lashta.

Mund të merreshin gjithashtu, në dyqanet e vogla të atjeshme prodhimet e nxjerra me kujdes nga duart e artizanëve. Ja opingarët, që me forma të spërdredhura modelojnë, në lëkurë të kuqe a të zezë, mbathina me majuc çuar përpjetë dhe tërë xhufka. Ja rrobaqepësit që në cohë të trashë të leshtë prodhuar në avlëmende familjare presin kostume tradicionale burrash, jelekë të shkurtër, poture të bardha shiritosur në të zezë me bythçakë të gjerë varur, bërë më shumë për të ndenjur ulur këmbëkryq mbi qilimat e shtëpisë sesa për të ecur.

Nuk duhen lënë kurrsesi pas dore veshjet e mëndafshta, endur gjithë përkujdesje në shtëpi nga gra myslimane që rrallë dalin jashtë, veshjet e kadifenjta mbi të cilat gjilpërat e shkathëta vizatojnë mozaikë ari apo vargje të Kuranit, qilimat me ngjyra vegjetale të ndezura dhe që nuk nxjerrin bojë, prodhuar në avlëmende të ngushtë druri që gati e ruajnë lëkurën e tyre.

Gjithë kjo, si dhe prodhimet  e shumta gjithë shije, u përgjigjen dokeve dhe nevojave të klientelës së vendit dhe as që janë bërë për ekspozitë të gjerë.

Por, nga ana tjetër, mallrat e huaja po depërtojnë në vend. Shqipëria, në gjendjen e sotme, është para së gjithash një konsumator interesant. [...]

Franca nuk ka dërguar asgjë në Shqipëri. Por i ka mundësitë, duhet të zërë vendin e saj. Të mos presë sa të zihet gjithçka nga konkurrentët e saj.

Ka edhe më.

Gjithçka është për t’u bërë në Shqipëri. Regjimi turk me dashje e ka lënë  të djerrë dhe pa organizim këtë rajon që asnjëherë nuk mundi ta nënshtrojë. Rrugët mungojnë, nuk ka as edhe një metër hekurudhë; hapësira të pafunda pjellore, që drenohen pa vështirësi, mund t’u kushtohen kulturave të drithit, të pambukut, që gjen terren të përshtatshëm; metodat moderne të bujqësisë mund të nxjerrin nga një tokë, pak e shfrytëzuar, prodhime të shkëlqyera; shfrytëzimi i pyjeve të gjera në lis dhe gështenjë do t’i jepnin tregtisë së drurit atë çka kjo nuk e gjen më në malet tona të zhveshura.

Vënia e Shqipërisë në rendiment të lartë është për t’u ndërmarrë. Kapitalet franceze, francezët që do ti kushtohen kësaj vepre janë të sigurt se do tia dalin mbanë. Dhe nuk po flas këtu thjesht për qymyrin e bardhë4 që mund të merret kudo e të përdoret për ndriçim dhe transport urban, për pasuritë e nëntokës, ende pak të njohura, por që, ku këtu, ku atje, shfaqen e dhurohen, si bitumi i Selenicës, nafta e Prashovicës, kromi i Pogradecit, qymyri i Memaliajt.

Sikur thashë, ka aty jo pak për të ngjallur kureshtjen e atyre që do të kërkonin tregje, apo që dëshironin të zhvillonin veprimtarinë e tyre në terren të ri.  Dhe Shqipëria do dijë t’i presë me shumë dëshirë.

Ata do zbulojnë kështu një vend të mrekullueshëm malor, qytete me piktoresk të pakrahasueshëm, brigjet më të bukura të Adriatikut, një popull besnik, të denjë, kalorsiak, që i pëlqen të kërkojë në të kaluarën shumë të largët origjina të përbashkëta midis tij dhe nesh.

Shqiptarët, përgjatë shekujve, për të mbetur shqiptarë, bënë qëndresë si ne nga 1914 gjer më 1918, ashtu sikurse dhe në shumë raste të tjera. Dhe pikërisht për këtë, a s’duhet të tregojmë ndaj tyre një simpati të pafundme?

TË MBROJMË INTERESAT E  SHQIPËRISË

Letër drejtuar Mithat Frashërit

Gjenevë, 26 tet.1921, Hotel Bellevue

I dashuri Zotëri e Mik,

Për keqardhjen time më të thellë, nuk munda, para se të nisesha nga Parisi, t’ju telefonoja, ashtu siç ju kisha premtuar. Sikurse ju kisha vënë në dijeni, pata një bisedë mjaft të gjatë me ministrin. Nuk pranojnë të kenë penguar apo dekurajuar drejtorin e shkollës dhe dy mësuesit për të vajtur në Shqipëri. Përkundrazi, bëjnë përpjekje për t’i nxitur dhe Z. Laroche apo Z. De Peretti janë të gatshëm të presin personat në fjalë për t’u dhënë një rekomandim shumë të favorshëm. Megjithatë, i kërkova Kryetarit të Këshillit të bëjë kujdes që si në Ministrinë e Punëve të Jashtme ashtu dhe në atë të Arsimit Publik të mos nxirren pengesa për funksionarët që duan të shkojnë në Shqipëri. Lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj këtij apo atij fqinji tuaj, do zhvilloj me ju një bisedë gjatë udhëtimit tim të ardhshëm në Paris. Nuk mund t’ju shkruaj dot letër për këto gjëra. Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve është pezulluar lidhur me Kastratin, në kushte që janë të favorshme për ju: projekti përmban veç përcaktimit të kufijve, edhe njohjen e qeverisë suaj.

Besoni i dashur Zotëri e Mik në sigurinë e ndjenjave të mia më të përzemërta.

Firma : Justin Godart

P.S. Shtypshkronjësi im më përcolli letrën e Z. Berati lidhur me ekzemplarët që ju dëshironi nga libri im5. Është në siklet për t’u përgjigjur, sepse nuk është ai botuesi, domethënë nuk e ka ai në ngarkim botimin, i cili varet nga unë, dhe siç mund ta merrni me mend, jam unë që kam mbuluar shpenzimet e tij. Për t’i bërë gjërat më të thjeshta, a mund të më thoni se sa kopje dëshironi dhe çfarë shume mund të caktoni ju vetë për regjistrimin e tyre; sigurisht, do keni nga ana ime avantazhet më të mira. Do kisha nevojë në këtë rast për një përgjigje të shpejtë me qëllim që të përcaktoja tirazhin.

RUAJ MIQËSINË MË TË ÇILTËR DHE PËRKUSHTIMIN MË TË MADH

PËR JU DHE ATDHEUN TUAJ

Letër drejtuar At Gjergj Fishtës

Dhoma e Deputetëve

Tiranë, 30 korrik 1923

I dashuri im At Fishta,

Dita ime e fundit në Skutari ka qenë aq shumë e zënë, sa nuk munda të vij e t’ju takoj, siç kisha dëshirë. Ju shpreh keqardhjet e mia më të çiltërta dhe ndjesën time më të madhe. Dëshiroj t’ju them se sa shumë ju jam mirënjohës për ndjenjat që shprehët ndaj meje kur erdhët e më takuat dhe ju siguroj se ndaj personit tuaj dhe ndaj Atdheut tuaj ruaj miqësinë më të çiltër dhe përkushtimin më të madh.

Pranoni, i dashuri im At Fishta sigurinë e ndjenjave të mia më të përzemërta.

Firma : Justin Godart

Arkivat Qendrore të Shqipërisë,

Fondi 17, Dosja 63, fleta 9.

KUJT I PËRKET MONASTIRI I SHËN NAUMIT ?

SHQYPNIËS ?

SERBIËS ? 6

Nga Justin Godar 

Kallugjeri (murgari) Naum, nxënës i Cirilit e Methodit, qe dërgue prej carit Boris, me mision, në krahin e kufijve të Perëndimit të së madhes perandori bullgare. Ndodhia ngjan në fillesë të shekullit X.

Nuami u nis e shkoj e xuni vend në mes t’atyne popullsive që në brigjet e liqenit Ohrisë sigurojshin rrojtjen e tyne me gjueti të peshkut e me mbjellje tokësh. Këtu, ky i mësoi banorëve ato pak dije besimi që dinte vetë, e çka asht ma mirë, i dha shembëlltura për punim.

Në një ditë të punës, në zheg, vjen një harushë (ari) e e pret njenin nga dy qetë që ishin të lidhun në qerrin e Naumit. Kur ky u çue prej gjumit dhe pa damin e banum, e tuej iu drejtue harushës, e cila ishte tuej hangër, ka me i bërtitë me qortim për gjaksinë e bame, tuej i treguem njiherit se kurrgja s’e pengonte me vijue! Se si e në çë mënyrë mujte tashti vetëm me një ka me çamun vija të fella e të drejta!

Kjo vërejtje e arsyeshme, e bame aq thjesht, gandoj aq fort harushën, sa kjo erdhi e u nënvue nën zgjedhë pranë kaut të gjallë.

Ky nuk u tremb, as nuk lujti fare; kështu parmenda e mbajtun prej Naumit dhe e ngrehun prej kësaj pendës së re, vazhdoi në çeljen e tokës pjellore. Me kët çudi, fshatarët, të cilëve i ishte i njoftun zakoni jo i pëlqyshëm i harushave, kuptuen se Naumi kishte një fuqi të mbinatyrshme e nga ky shkak, e adhuruen, dhe mbas vdekjes, e vuenë në radhë të Shejtnave.

Kët ngjarje e lëçita në Shqypni të shkrueme me piktura të lehta gjatë mureve të Monastirit Shën Naumit.

Arsyja për të cilën jam tue e rrëfue, äsht pse kjo ndodhi na sjell në nji ndodhje të historis së soçme, që për pagjene për t’ardhshme të Balkanit ka nji randësi të çmueshme.

*     *     *

Monastiri i Shën Naumit asht ngrehë mbi nji kep të bregut linduer të Liqenit Ohrit. Të dy krahët e ndërtesës, prej të cilve njeni mante nji bibliothekë të begatshme, qenë djegë prej Allemanve në kallnduer 1918. Në midis të oborrit, nji kishë shum e vogël, por edhe shum e çmueshme, punuë mbas mjeshtrisë së bizantinve, e ngjyrës së qelibarit të nximun prej tymit, ngrehë kuben e saj mbi vorrin e Naumit. Kjo kishë asht çë prej të XIV-it shekull. Mbrenda kisha asht shum e terrshme, por mbas nji copet që hyhet, mbushet prej nji shumicës figuresh të pikllueme në mure që shifen në dritën e lëshueme prej qirinjve të bamun me dyllë të verdhë.

Nga çdo anë shëndrisin kunorët shenjtore e të këqyrnit e figureve që gjallnojnë në dritë.

Bri kishës, nën vëneshtë të shpeshtë, tre ushtarë frengj pushojnë nën at tokë që erdhnë me mprojtë…

Shën Naumi ishte, me të vërtetë, në front të ushtrisë s’onë lindore.

Mbas armë pushimit, monastiri i Shën Naumit qe xanë prej serbvet. Kujt duhesh t’i jepshe plotësisht ? Serbiës ase Shqypinës ?

Kjo çështje qe për nji kohë të gjatë landa e studimeve të nji komisionit ndërkombëtar të dërguem prej Fuqive të Mëdha në vend për me shënjuem kufinin e Shqypniës. Komisioni njohtoj se Monastiri i Shën Naumit ishte tokë shqyptare.

Konferenca e Ambasadorve forcoj ket vendim e i a njoftoj të interesuemvet.

Por, sot, nën shtytje të Belgradit, Konferenca e Ambasadorvet qet prap në bisedim se kujt i përket Shën Naumi. Kjo punë në Shqypni shkakton nji dhimë shumë të thelltë e nuk ka me mungue me turbullue si e pa pritme edhe n’Evropë ata të cilët e dijnë mirë se sa dame shkakton politika e mbajtun me hatër.

*     *     *

Për ata që e njofin ket krahinë Balkane, Sh.Naumi âsht fjesht vend shqyptar. Atje ka gurrën Drini, nji nga ma të parët lumë të Shqypniës, atje janë të nguluna thellët, zakonet e vjetra të besimit të shqyptarvet. Adhurimi i Shën Naumit nuk ka qenë kurr nji nga zakonet e besimit të popullsisë serbe. Nga rrjedha bulgare si çdo zhvillim qytetnuer i krahinës së Ohrit, qi në shekujt X e XVII qe nën sundimin e patriarkut bullgar, nderimi besimtar i Shen Naumit prej shum kohe, qe pranue e nderue me shum dashuni prej shqyptarve.

Këto të vërteta qenë pamun [parë] edhe prej komisionit ndërkombëtar, i cili dha vendimin e vet. Miqtë t’onë serbët për m’e anulue kët vendim nuk tregojën tjetër veç se dëshirin e tyne.

Kërkesa e tyne, në qoftë se merret jo nga pikpamja e kësaj rasë, por gjykohet në barasim me çashtjen e përgjithshme të kufive, del edhe ma fort e teprueme. Hap mbas hapit komisionet ndërkombëtare shkunë në male e në fusha, qenë përcjellë prej njerzve të zot me qellimqë të dajshin e të caktojshin kufijt e Shqypniës. Për me kryem mirë punën e vet, me pa anësi e mbas arsyes praktike, anëtarët e komisionit, ndër disa vende banë, herë në dobi të Jugosllavis, herë në dobi të Shqypniës (kët të fundit më rrallë) disa shkrimje tokësore.

Vend, vend, kan shkëputë nji copë tokë shqyptare, por ma vonë kjo shkëputje asht shdamtue tue i lanun diçka mangut nga toka që do t’i mbetet Jugosllavis. Mbas disa vjetësh punimi, kufini shqyptar u caktuë e kjo caktimë qe kurdoherë mbas kontrollimit e pëlqimit, të dhanun copë për copë nga Konferenca e ambasadorëve.

Puna pra âsht përgjithësisht e ndrequn. Jemi në të drejtë të thona që të ndrequnit e këtij veprimi vetëm në nji vend e për dam të Shtetit ma të vogël e ma të ligësht ishte qenë nji mëkat.

U baftë që prej atje nalt shpirtmirë Shën Naum i ndiçonte ata të Konferencës së ambasadorëve me arsyetim e me mende të qendrueshme siç e ka aj vetë.

Justin Godart

Deputet

Marrë nga gazeta « Elbasani »

E mërkurë, 26 Vjesht e I-rë 1923, nr. 26.

SHQIPËRIA DHE ITALIA

Justin GODART, gazeta “lEre nouvelle”, 22 qershor 1921.

Këtë çast, mblidhet në Gjenevë Këshilli i Shoqërisë së Kombeve. Shqipëria i ka drejtuar një thirrje prekëse. Të gjithë ata që merakosen për drejtësinë dhe paqen shpresojnë se ajo do të dëgjohet.

Shqipëria është anëtare e Shoqërisë së Kombeve. Pranimi i saj ishte një nderim që i bëhej një populli heroik. A s’ka ditur ky popull, shekuj të tërë, të ruaj të pacenuara - dhe me çfarë sakrificash! - traditat e veta, karakterin e vet dhe nga dita kur mori në duart fatet e tij, t’i hyjë punës për t’u organizuar dhe përshtatur kushteve të jetës moderne?

Mirëpo, gjithë kjo e kaluar që ka një madhështi historike, gjithë kjo e tashme që ka një interes evropian, po vihen në rrezik.

Qeveria e Shqipërisë ende nuk është njohur zyrtarisht nga qeveritë e tjera.

Kufijtë që i janë caktuar Shqipërisë më 1913 po kundërshtohen.

Kjo krijon një gjendje të rëndë në Ballkan.

Lakmitë territoriale në kurriz të Shqipërisë nxiten nga pasiguria në të cilën Fuqitë e mëdha po lënë këtë vend për sa i përket qeverisë së tij me të cilën nuk duan të krijojnë marrëdhënie. E megjithatë, unë sjell dëshminë zyrtare se kjo qeveri është e fortë, autoriteti i saj është i plotë, ajo ka vendosur rendin dhe sigurinë; organizoi zgjedhjet e Parlamentit në qetësinë më të plotë. Përpjekjet e saj janë dhe do të jenë të shumta, sepse bashkimi i shenjtë i të gjithë shqiptarëve i mbështet ato.

Tashmë, territori i Shqipërisë është dhunuar në krejt kufirin verior. Në Jug, një frikë e vazhdueshme e mban popullsinë nën tension dhe e pengon të merret me punët e veta në qetësi.

Qeveria shqiptare i kërkon Shoqërisë së Kombeve të ndërhyjë me qëllim që, mbi bazën e të drejtave që i takojnë, të konstatuara dhe të kontrolluara nga një Komision hetimor, të përcaktohet kufiri brenda së cilit, përfundimisht, të mund të zhvillohet veprimtaria kombëtare.

Këshilli i Shoqërisë së Kombeve nuk mund t’i shmanget detyrës që i propozohet në këtë mënyrë.

Na takon të përpiqemi ta bëjmë një gjë të tillë.

Le të bëhet opinioni publik gjykatës i mohimit të drejtësisë ku duan ta orientojnë Këshillin.

Shqipëria është anëtare e Shoqërisë së Kombeve. Ajo u drejtohet perëve të saj. Këta, në bazë të nenit 10, e kanë për detyrë të marrin në dorë kauzën e saj. Dhe s’ka pse të tërhiqnin dorën e tyre, ndërkohë që ajo dorë do duhej nderur pa ngurrim drejt një kombi të vogël!

Të kundërtën shpresojnë ndoca prej tyre. Ata po punojnë për të çuar në Konferencën e Ambasadorëve kërkesën e Shqipërisë. Kështu, nga Gjykata e lartë e paanëshme dhe publike e Shoqërisë së Kombeve, çështja do zbritej në një mbledhje diplomatësh me dyer të mbyllura, të gatshëm për marrëveshje të fshehta dhe kompensime. Gjë kjo edhe më e frikshme. Kurse Përpara Shoqërisë së Kombeve, Shqipëria ka mundësi të dëgjohet. Në të kundërt, përpara Konferencës së Ambasadorëve, ajo do mungonte, sepse qeveria e saj, po e përsërisim, nuk është njohur ende.

Për këto arsye, nuk besoj – edhe pse po jap alarmin – që Këshilli i Shoqërisë së Kombeve të katandiset gjer aty sa të hedhë poshtë ankesën e themeltë të një prej anëtarëve të saj.

Në këtë rast, çfarë autoriteti do mund t’i njihej institucionit ndërkombëtar të lindur, që do t’ia dalë mbanë vetëm me anë të drejtësisë, vetëm duke qëndruar fort përmbi ambiciet e shfrenuara, vetëm duke pranuar hapur tërë përgjegjësitë e veta, nëse nesër ai do braktiste një prej anëtarëve të vet – dhe më të dobëtin – se kështu do t’ia ketë qejfi një konference të shurdhët duke e mbajtur larg vetë atë.

Jam i mendimit se në Gjenevë, zëra bujarë do të ngrihen kundër vendimit të mospranimit të kërkesës së Shqipërisë, që kështu të mos dobësohet aspak besimi i demokratëve ndaj Shoqërisë së Kombeve.

A do të bëhet Franca avokatja mbrojtëse e Shqipërisë?

Ky do të ish roli i saj i dëshiruar. Sepse pritet atje, në malet e ashpra - dhe me çfarë besimi të fuqishëm! -  që ajo ta luaj këtë rol.

A do parapëlqejë ajo ta lërë aleaten tonë Italinë të mbështesë interesa që janë të lidhura më drejtpërdrejt me të sajat?

Nuk e di.

Por s’ka si vihet në dyshim që gjithçka që do cenojë autonominë dhe integritetin e Shqipërisë, do të jetë, për kundërgoditje, një dështim i vetë politikës së motrës sonë latine.

Në fakt, Italia ka qenë e para që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Më treguan në kështjellën e Gjirokastrës, qytet mysliman aq pastërtisht shqiptar, sheshin ku, në emër të mbretit të vet, gjenerali Ferrero e shpalli Shqipërinë të lirë. Dhe kjo është në nderin e Italisë, e cila e ka ndjekur këtë politikë të duhur dhe e ka vërtetuar edhe në raste të ndryshme.

Italia duhet të ndjekë të njëjtën politikë edhe në çastin e tanishëm. Të mos e lërë t’i shpëtojë rasti i mirë që shfaqet para saj, për të mbajtur në Këshillin e Shoqërisë së Kombeve qëndrim të vendosur, kundër mohimit të kërkesës, për t’i treguar kështu Shqipërisë qëllimet e saj miqësore, duke mbështetur një tezë tërësisht të drejtë.

SHQIPËRIA MË 1925

Justin Godart, parathënie për numrin e parë të revistës “Albania, 1925-1939” , drejtuar nga arkeologu francez Leon Rey.

Shqipëria është juridikisht një komb i ri. Faktikisht, është një prej vendeve më të lashta të Evropës. Historia e saj e gjatë provon se sa e vështirë është të nënshtrosh një popull fisnik e me tradita, se edhe sikur të mundohen ta zhdukin nëpërmjet forcës, as që kanë për t’ia arrirë në atë punë të urryer.

Përgjatë shekujve, krenare dhe e rreptë, Shqipëria bëri kujdes të mbetej përherë në kujtesë. Me Skënderbeun, ajo u shndërrua në kështjellë të qytetërimit perëndimor kundër dyndjes turke. Si krahinë e perandorisë turke, vazhdimisht u revoltua ndaj uzurpatorit. Duke u vënë vullnetarisht nën tutelën e Fuqive të mëdha nënshkruese të Traktatit të Londrës më 1913, arriti të ketë kësisoj kufij, një kushtetutë, një princ. Po ja që s’kish pse mburrej me të tillë bujari. Princi i vet, veç kur u largua nxitimthi. Kushtetuta e vet, as që hyri ndonjëherë në fuqi. Sa për kufijtë, shpejt do të nëpërkëmbeshin, duke qenë se një traktat i ri i Londrës, i fshehtë këtë radhë, më 1915, vinte në pikëpyetje vetë të qenët e Shqipërisë. Më në fund, Shoqëria e Kombeve i dha një status dhe përkrahjen për mbështetje solidare.

Me vullnetin e vet për të qenë e lirë, Shqipëria pra ngadhënjeu. Dhe me këtë, fitoi admirimin e patriotëve të tërë vendeve, si dhe një respekt të çiltër.

Ja pra e shkuara e saj. Po kush do jetë e ardhmja e saj?

Akuzohet Shqipëria për pavendosmëri në politikën e saj të brendshme, për ngadalësi në organizimin e saj ekonomik. Nga ku arrihet në përfundimin se ajo është e paaftë për t’u vetëdrejtuar apo, e njëjta gjë, e paaftë për të jetuar falë djersës së saj.

E vërteta është se barra që ka marrë përsipër është e rëndë. Edhe pse ka pasur vazhdimisht në Shqipëri një frymë të përbashkët pavarësie, një marrëveshje të plotë mendimi për të sakrifikuar për çështjen e lirisë, prapëseprapë, ende nuk është formuar një mendim publik për mbështetje të drejtuesve. Të mbrosh shtëpinë dhe arat e tua në male rrëpirë është një gjë, por të administrosh komunën apo shtetin, është tjetër gjë. Lypset t’i jepet pak kredi luftëtarit të djeshëm, që ai të mund të shndërrohet në qytetar veprues të sotëm.

Dhe ky besim që u duhet bërë shqiptarëve nuk do ketë nevojë për zgjatje të tepërt në kohë.

Sepse, në të vërtetë, një përpjekje e duhur është bërë tashmë prej tyre për të çuar përpara zakonet e tyre të lashta drejt metodave të një shteti modern.

Ata e ndjenë menjëherë se para së gjithash duhej përhapur arsimi. Dhe kudo kanë ngritur shkolla, gjë të cilën e kishin të ndaluar gjer më 1912.

Pas ndoca ngurrimesh, vendosën për formën republikane të qeverisjes, gjë që nuk i çuditi aspak ata që njohin regjimin demokratik të zbatuar në tërë kohërat nga fiset malësore.

Janë kureshtarë për tërë përparimet që njeh njerëzimi dhe janë punëtorë të mirë. Për aq kohë sa i trembeshin dyndjeve nga ana e fqinjëve të tyre, plaçkitjeve apo vjeljes së lirave turke, ata e kufizonin prodhimin gjer në atë masë të ngushtë sa e kishin të domosdoshme për jetesë.

Duke fituar siguri, ata shpejt do dinë të vlerësojnë tokën e tyre pjellore dhe të përdorin tërë mjetet e prodhimit. Një ndërmarrje franceze e thirrur për të ndërtuar urat në Shqipëri, rekrutoi në vend krejt fuqinë punëtore, nga e cila, megjithëse e pamësuar me të tilla punë, inxhinierët francezë nxorën një rendiment të shkëlqyer.

Ne nuk dyshojmë se shpejt Shqipëria do të bëhet një faktor rregulli dhe lulëzimi në Ballkan.

Nuk duhet harruar gjithë sa ajo ka bërë gjer më sot, dhe që e ka bërë për të tërë, edhe pse pa kurrfarë ndihme; për mendimin tim, nuk ka shembull tjetër për një vitalitet të tillë.

Mjaft t’i jepet Shqipërisë diçka e paktë si ndihmë e ndershme, mjaft të shkojë tek ajo diçka e paktë nga kapitalet e huaja, jo për të spekuluar, po për të shfrytëzuar pasuritë e saj natyrore, që janë të mëdha, për të mbjellë me kultura lymishtet e saj pjellore, dhe do shihet se si Shqipëria, e transformuar, do të jetë një vend i lumtur paqeje dhe bukurie.

Sepse Shqipëria është e bukur. Lashtësia ka mbjellë në tokën e saj mbetjet e shumë qytetërimeve. I sheh të flenë nën zambakët e egër apo lartojnë mbi shkëmbishta kullat e çallatuara të kështjellave.

Shqipëria është vendi i përrenjve të rrëmbyeshëm, i grykave të thella, i pyjeve të dendur, i fushave gjithë butësirë dhe i liqeneve malore. Banorët e saj janë mikpritës dhe çobani i dhuron të huajit kalimtar kos e bukë misri me një dinjitet e mirësjellje prej njeriu që ndihet gjithnjë i lirë.

Kjo revistë, për të cilën unë ndihem i lumtur dhe krenar që po shkruaj artikullin e parë, do t’i sjellë Shqipërisë shërbimin e madh që do ta bëjë të njohur, apo për t’u njohur edhe më mirë.

Përgëzoj Z. Léon Rey që ndërmori nismën për botimin e saj. Bukuria e Shqipërisë e ka bërë për vete, ashtu siç ka ndodhur me të gjithë ata që kanë vizituar trevat ilire. Dhe ai do dijë të përcjellë vlerat e saj, duke bërë kështu një veprim të bukur.


 

1  Shkrimi botohet i plotë sipas tekstit të gazetës shqiptare Drita, 5 qershor 1921, pa ndërhyrje redaksionale nga ana jonë, për të qenë sa më pranë origjinalit.

2  Nga frëngjishtja cimetiere, varrezë.

3  Marsejeza, himni francez.

4  Ujërat, kapaciteti energjetik i tyre.

5  Është fjala për librin e Justin Godarit “Shqipëria”, botuar më 1921.  

6  Ky artikull i Justin Godarit është botuar në numrin 26 të gazetës Elbasani, (E mërkurë, 26 vjesht e I-rë 1923). Artikulli është marrë nga gazeta franceze Le Matin. Edhe në këtë rast, sikurse për artikullin Shqipëria dashuron Francën të të njëjtit autor, shkrimin po e botojmë të plotë, pa asnjë ndryshim redaktorial, për respekt të shtypit shqiptar të kohës.