Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: E, ku unë...?

| E premte, 22.06.2012, 06:13 PM |


Sejdi BERISHA:

E, KU UNË...?
(Pyetje që duhet lakuar)

E, ku po ikën...
Kah po shkon
Ke këmbë për të ecur
Vetëm edhe një hap
Deri tek pragu
Dorezën e hapjes për ta prekur
Çelësin për ta kërkuar
Një derë për ta hapur
Pastaj
Për ta tretur çelësin
Dhe pastaj dera
Përgjithmonë hapur të mbetet
Si zemra që nuk dëshiron
Kurrë të pushojë

E, ku po shkon...
Nuk e vëren
Drita bën terr

Po, pse kështu...
Rrugëtimi nuk ka formulë
Edhe pse mendja është bilur
Por ecjet hidhërohen
E, unë fare katandisem

Ku je nisur fjala ime...
Të lutem
Në sofrën pa bukë shto bereqet
Edhe buzëqeshjen në vend ushqimi
Le pak vend edhe për kënaqësi
Se lumturia sikur diku do jetë

Kah, tash...
Me laps në dorë
Me letër pa shkrim

E, ku po ikën...
E tërë kjo dashuri
I tërë ky rrëfim

E, kah tash...
Të fluturoj lartë në qiell
Si shqiponjë e etur
Dhe të lëshohem drejtë në det
Për t’i rrëfyer ujit
Për lëndimin e shpirtit

Kah tash...
Sërish të ngjitem lartë
Derisa ta takoj njeriun
Që i ngjanë lumturisë
Që ushqim ka dhembjen
Që fytyra i buzëqeshë
Që këndon për dritën e qiriut

E, ku tash...
Tash rri ulur këtu
Pranë lapidarit pa emër
Nëse mundesh
Ngjitu lartë sa ai

E, po tash...
Tash vetëm përqafo
Mos prit se të përqafojnë të tjerët

E, kah tash...
Tash sërish rrugëto
Tash prapë
Nëse mundesh këndo