E enjte, 28.03.2024, 12:31 PM (GMT)

Kulturë

Flet këngëtarja e mirënjohur Alma Hyska Civeja

E enjte, 21.06.2012, 05:00 PM


“Albumi i ri me këngë miks do të jetë surprizë”

Nga Albert ZHOLI

Ajo ka ngjitur skenat e mëdha që në adoleshencë dhe kurrë nuk është dehur nga sukseset. Për një kohë të gjatë në Gjermani ajo këndon anglisht, gjermanisht duke mos lënë kurrë pas dorë këngët shqiptare. Tashmë ajo po realizon një klip të ri me këngë mikse, ku ajo thotë se do të jetë surprizë pasi realizohet në një nga studiot prestigjioze gjermane.

Kënga nuk vjen rastësisht tek një njeri. Kënga tek njeriu është diçka e brendshme që vjen  qysh fëmijë. Si erdhi kënga tek Alma?

S’e di kur konkretisht, por mbaj mend që këndoja në shtëpi këngë të ndryshme që kur isha fëmijë. Sa herë dëgjoja ndonjë këngë të re në radio apo televizion lija çdo punë dhe e dëgjoja me shumë vëmendje. Kënga më çonte në një botë tjetër. Më çonte në ëndrra pakufi, por edhe më relaksonte.

Kur këndoje në shtëpi, prindërit nuk të tërhiqnin veshin?

Jo. Përkundrazi më nxisnin të këndoja. Gjeta një ambient të ngrohtë për atë ç’kisha dëshirë.

Si filloi aktivizimi?

Filloi natyrshëm. Fillova të aktivizohem me Shtëpinë e Pionierit të qytetit të Kuçovës. Në periudhën e sistemit monist në Kuçovë qytetin tim të lindjes kishte shumë aktivitete. Jeta artistike ishte shumë e kultivuar. Gjithmonë çdo fundjavë do të kishte diçka artistike. Isha me fat që u linda në atë qytet.

Kur keni kënduar për herë të parë në skena të mëdha?

Kam kënduar në Festivalin e RTSH të vitit 1989 këngën "Për njeriun jeta flet". Kjo ditë shënoi pikën time kulmore për atë periudhë. Sa e gëzuar kam qenë edhe sot e kujtoj atë ditë. Isha shumë e re dhe kurrë se mendoja se do të ngjisja ato shkallë. Ishin shkallë magjike për mua. Sa herë netëve në gjumë ëndërroja të kisha një fat të tillë... dihet rëndësia aq më tepër që unë vija nga një qytet i vogël si Kuçova.

Po më pas në çfarë kompeticioni me përmasa të tilla keni marrë pjesë?

Më pas kam marrë pjesë  me këngën “E duam jetën tonë"  në Festivalin e Pranverës Tiranë 1991. Ky ishte hapi im i dytë i suksesit aq më tepër që për dy vjet mora pjesë në dy kompeticione shumë të rëndësishëm. Ishin vite kur unë mora tamam drejtimin e duhur. Mendova se kisha hyrë në radhët e këngëtarëve që pretendojnë, e kam fjalën për këngëtarët e rinj si unë.

A kishit mbështetje në atë kohë?

Asnjë mbështetje. Mbështetja e vetme ishte zëri im. Punoja ditë e natë me këngën. Interpretoja këngë të ndryshme në çdo kohë.

Po kur u larguat për në Gjermani si vazhdoi jeta artistike e Almës?

Mendova se pas krijimit të familjes dhe shkuarjes në Gjermani jeta ime artistike do të zbehej. Në atë kohë në emigracion ikën shumë këngëtarë të njohur. Por aty gjeta shumë këngëtarë shqiptarë, por edhe këngëtarë të huaj, që pëlqenin vokalin tim. Dua të them se unë u përshtata shumë shpejt me gjuhën gjermane dhe me jetën aty. Në Gjermani ka shumë aktivitete dhe mbi të gjitha ka shumë emigrantë shqiptarë, në fillim u lidha me shoqatat kur bëheshin aktivitete të ndryshme. Aty kam njohur  dhe këngëtaren e mirënjohur Alida Hiskun, e cila më dha përkrahjen e saj.

Pra, ju këndoni dhe këngë shqiptare dhe të huaja?

Sigurisht. Repertorin tim më të mirë e kam me këngë angleze dhe me këngë gjermane. Unë tashmë kam grupin tim me të cilin lëviz në të gjithë Gjermaninë. Këndoj në ambiente me qytetarë gjermanë, por edhe me të huaj, sigurisht pa u ndarë nga aktivitete me shoqatat shqiptare. Në çdo aktivitet shoqatat më thërrasin dhe unë këndoj.

Kur ndiheni më mirë kur këndoni në shqip , apo kur këndoni këngë të huaja? Ndihem mirë në të dy rastet. Kënga është art dhe artisti nuk bën dallime. Me grupin tim lëviznim në gjithë territorin gjerman, por edhe në Austri.

Po me shoqatat e ndryshme shqiptare çfarë aktivitetesh keni bërë?

Kam bërë shumë aktivitete. Kam lëvizur në Angli, Austri, Francë, Itali, Belgjikë, etj..janë disa shoqata të grave që bëjnë aktivitet kudo dhe mua më ftojnë për të kënduar.

Cili ka qenë aktiviteti i fundit?

Ky që po zhvillohet në Tiranë një Konferencë për Gratë në Diasporë, pas aktivitetit në Angli.

Si ndiheni në Shqipëri pas një emigracioni afërsisht 20- vjeçar?

Shqipëria ka ndryshuar shumë. Më parë unë kam ardhur shumë rrallë dhe nuk kisha parë shumë ndryshime, ndërsa tani e them me plot gojën se ndryshimet janë të dukshme sidomos në infrastrukturë dhe ndërtime luksoze.

Me se po merret tani Alma?

Po përgatis albumin e ri. Ky album do të jetë miks me këngë të huaja dhe me këngë shqiptare. Besoj se do të ketë shumë surpriza aq më tepër që po e realizoj në një shtëpi diskografike gjermane shumë cilësore, ku dihet kërkesat janë shumë të mëdha.

Veshja karakteristike e Almës?

Duke qenë shumë në lëvizje veshja ime e preferuar është ajo sportive. Rrallë herë mund të vishem në mënyrë klasike. Më pëlqejnë pantallonat xhins.

I jepni kohë lukut?

Si femër e respektoj veten, por kurrë nuk e teproj. Bëj një tualet shumë të lehtë.

Ku i bëni pushimet?

Në vende bregdetare pëlqej bregdetin shqiptar.

Ushqimi i preferuar?

Ushqimet tradicionale dhe frutat.

Ndiheni e lodhur me gjithë këtë aktivitet?

Lodhem kur rri. Në punë ndihem më rehat. Kur gjej kohë të lirë merrem tërësisht me familjen.

Çfarë vlerësoni tek një njeri?

Sinqeritetin dhe korrektesën.

Çfarë vlerësoni më shumë tek vetja?

Thjeshtësinë dhe rigorozitetin. Jam tip i shoqërueshëm.

Keni peng?

Deri tani jo. Kam kohë, që pengjet t’i realizoj të gjitha.

Thoni se dashuria me kalimin e kohës zbehet, po me Almën çfarë ndodh?

Për mua besoj se jo. Përkundrazi them që forcohet më shumë si vera që sa më shumë kalon aq më mirë  është. Kam kaluar dhe kaloj shumë mirë me tim shoq dhe më duket se jam e sapo dashuruar. Kam një bashkëshort të shkëlqyer.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora