Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Nëpër udhëkryqet e jetës kërkon vetveten

| E enjte, 21.06.2012, 06:34 PM |


NËPËR UDHËKRYQET E JETËS KËRKON VETVETEN

Shënime për vëllimin poetik “Nëpër ikjen e ditëve” të  poetit durrsak Pirro Minguli.

NGA PËLLUMB GORICA

Udhëkryqeve të jetës, poeti mediton dhe pasi gërmon thellë në ndërgjegjen e tij poetike e gjen rrugën e duhur drejt horizonteve.

Në vëllimin poetik “Nëpër ikjen e ditëve“, Pirro Minguli tregon se është një poet që e jeton intesivisht çdo orë të ditës e çdo muaj të vitit. Në ardhjen dhe ikjen e ditëve ai futet natyrshëm me penën e tij dhe për një çast duket sikur humbet në morinë e tyre. Ai është gjithmonë vetvetja, jo vetëm kur merr penën e shkruan poezi, por edhe kur është në një aktivitet, kur bisedon me shokët, edhe kur jep mendime për një ngjarje apo fenomen.

“Po unë,

Ku jam unë në këtë ardhje e ikje ditësh,

kërkoj vetveten

Nëpër udhëkryqet e jetës”

Koha, si pjesë e realitetit objektiv, edhe si një formë reale e ekzistencës së shoqërisë, është element kryesor në vëllimin me poezi “Nëpër ikjen e ditëve“ të poetit Pirro Minguli. Si koncepti i kohës edhe nocioni i zhvillimit është vlerësuar nga poeti. Simbolika është domethënëse që në titullin e vëllimit. Nëpër ikjen e ditëve poeti i përjeton të gjitha, shijon nektarin e ëmbël apo të hidhur të jetës dhe mundohet të kapë ritmin e tyre. Mesazhi poetik është i qartë: Koha ikën e më nuk kthehet. I lumtë atij që di të përshtatet me kohën dhe të shfrytëzojë në maksimum çdo sekondë të saj. Duke ndjekur materialisht zhvillimin, për të është e qartë se objektiviteti është i pakufizuar në hapësirë dhe i përjetshëm në kohë. Për poetin koha është jeta ku çdo qenie merr frymë e vetëpërshtatet, është dita që fillon me mëngjesin e bezdisshëm për të shkuar në punë kalon edhe me një kafe apo shaka mes shokësh. Koha është edhe tringëllima e orës së madhe të qytetit, është dinjiteti njerëzor, bashkëjetesa në familje, është nata dhe gjithësia, që poeti me figuracionin e tij mundohet që nga thellësia e ndjenjave kërkon të zbulojë misteret.

“ Dita rrëshqet nëpër gishtat e kohës

Si trupi i brishtë i një vajze

Përpiqemi ta kapim

Por sa e prekim lehtë, pak sa”

Jeta dhe koha janë të lidhur pazgjidhshmërisht me njëra -tjetrën në poezinë e Pirro Mingulit. Koha jep mundësinë e zhvillimit të jetës si nocion fiziologjik, por edhe jeta sakrifikon shumë për t’iu përshtatur asaj. Të jetosh e të ecësh me ritmin e kohës për poetin është thelbësorja, alfa e filozofisë dhe dinjitetit njerëzor. Poeti Pirro Minguli, duke shkruar metaforikisht, ka evokuar intensitetin dhe brishtësinë e rrjedhave kohore. Pak si me melankoli i vjen keq për mënyrën se si ecën jeta, duke kujtuar se çdo orë e minutë ikën dhe lum ai që regjistroi diçka të bukur e të mirë në fletët e librit të madh të jetës:

“Ditët me dhëmbët e orëve

gërryejnë monotonisht trupin e jetës

ditët palosen mbi njëra – tjetrën

si korale duke formuar ishujt e viteve”

Për poetin jeta është edhe dhimbje, edhe gëzim, edhe lot edhe këngë, edhe vrull edhe plogështi, edhe sëmundje edhe vdekje. Megjithëse poeti është i ndërgjegjshëm se nuk i shmang dot as sëmundjen e rëndë e as vdekjen si procese fiziologjike, ai përsëri kërkon të sfidojë në emër të ardhmes së shëndoshë të të gjithë njerëzimit. Dhe si poet i zhvillimit Pirro Minguli nuk e duron as një çast plogështinë, sëmundjen, mërzitjen, ngecjen në vend, por vrapon pas nervit jetësor, duke e kthyer atë në himn.

“ditë sëmundjesh, ju urrej

dhe ju luftoj“

Poeti ka një zemër të madhe e kërkon të fusë brenda saj tërë frymëmarrjen dhe pulsin e një jete që ripërtërihet e rilind breza:

“Dhe unë që dua të jem në petalet e jetës

me blerimin e përhershëm të ndjenjave

mes oshtimës së zërave njerëzorë

ku gurgullon rrjedha e hijshme e mrekullisë së dritës

ku ruhen në përjetësi

kufijtë e jetës“

Çdo njeri e ka vetë në dorë të ndërtojë jetën ashtu siç e dëshiron ai, duke i bërë vend vetes. Dhe para vrullit të jetës nuk duhet të bjerë kurrë në fatalitet. Thelbësore është që njeriu t’i marrë në dorë vetë me guxim frenat e jetës dhe të orientohet në udhët e bleruara e të praruara ku dëshiron ai dhe jo ta marrë jeta zvarrë e ta përplasë honeve të fatkeqësive dhe poshtërimit.

“kam hapur kaq e kaq dyer ditësh

për të gjetur të gjelbrën e jetës”

“Çmoje veten dhe gjej vendin midis njerëzve”- thotë një i ditur. Ndaj këtë mesazh të madh dhe frymëzues kërkon të japë poeti Pirro Minguli edhe në vëllimin e tij “Nëpër ikjen e ditëve“ kur shkruan në një nga poezitë e tij të bukura:

“Mënyrën e rendjes së ditëve

në dorë e kemi vetë”