Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Daniel Gazulli: Europë

| E enjte, 21.06.2012, 05:01 PM |


Daniel Gàzulli:

Europë

(Jo vetëm përshtypje udhëtimi)

1. Kthim në të shkuemen.

Gjatë muejve prill-qershor m’u dha rasti të shëtisja në disa vende të Europës.

I kthyem në Lezhë, ndjeva nevojën të ndaja me ju përshtypjet e udhëtimeve  të mia të shkurta e ndonjë reflektim, që lind vetiu.

Kisha shumë kohë pa u kthye në disa qytete të Italisë.

Kësaj radhe e fillova me Torinon, ku vija mbas nandë vjetëve.

Ishte një befasim i kandëshëm rikthimi në qytetin e Sabaudëve. Zakonisht në qytete të mëdha e të vjetra nuk ke pse pret ndonjë ndryshim. Por Torinon kësaj radhe e gjeta mjaft të ndryshueme.

U ktheva edhe një herë tek ato pasuni të papërsëritëshme të këtij qyteti shumë të vëmendshëm ndaj historisë, kulturës dhe natyrës. U riktheva tek Muzeu Egjiptian (Museo Egizio), ma i pasuni në Europë dhe i dyti në botë (mbas atij të Kajros, natyrisht), që të shpalosë agun e historisë së njerëzimit atje buzë Nilit. Vizitova edhe selinë e gjahut të familjes mbretnore në Venaria, por që mirëfillit asht shumë ma shumë se një seli e zakonshme mbretnore: ajo asht një libër i madh e i hapun historie.

Në mes të gjelbrimit torinez.

Nuk mund të largohesha nga Torino pa u çlodhë edhe në parqet e mrekullueshme natyrore, sidomos Parku i “Colle della Madallena”, Parku Europa dhe ai i “Villa della Regina”.

Torinezët kanë qenë gjithmonë shumë të vëmendshëm e xhelozë për mbrojtjen e përkujdesjen e parqeve, por kësaj here vërejta me shumë kënaqësi se respekti për natyrën tashma asht kthye në nevojë.

Qendra e qytetit ishte çlirue nga makinat dhe tashti ishte vërtetë nën pushtetin e shëtitësve të mbasdrekave e darkava.

Por në qytetin dikur të famëshëm industrial, mjaft të kujtojmë Fiatin, në takime me torinezët, ashtu dhe me miq të mijë mërgimtarë shqiptarë, më bahet ma e prekëshme kriza ekonomike, që po kalon Europa sot. Asht mirëfillit krizë që ka ardhë nga një ramje drastike e demokracisë dhe e moralit sidhe nga tejkalimi i pushtetit nga kastat partiake.

Gjatë qendrimit në Itali më bani shumë përshtypje një fenomen domethanës: Rritja e popullaritetit e një lëvizjeje politike, e quejtun “Lëvizja 5 Yjet” (M5S) e drejtueme nga komiku gjenovez Beppe Grillo. Sondazhet e japin këte lëvizje në vendin e dytë, menjëherë mbas Pd e para PDL (partisë berluskoniane). Kjo lëvizje, sa folklorike, aq edhe anarkike, me përkrahjen masive edhe në votimet e pjesëshme lokale të muejt maj, asht shprehje e mllefit të qytetarëve ndaj një klase politike të korruptueme e të inkriminueme. Mjaft të mendosh se 30 %  parlamentarëve italianë kanë një proçes penal apo civil të hapun.  Mjaft të mendosh se kasta burokratike e një shteti buzë gremine nga pikëpamja financiare, lundron në mirëqenje me një pafytyrësi të pashembullt. Gjithçka dihet, asgja nuk asht nën rrogozë, kostoja e politikës dinozaure randon pa mëshirë në koston e jetës së italianëve punëtorë e plot fantazi për të kapërcye vështirësitë. Ambasadori italian në Berlin paguhet sa dyfishi i kancelares gjermane Merkel; drejtori i përgjithëshem i policisë italiane merr pothuej dyfishin e pagës së presidentit Obama; parlamenti italian ka një kosto 2,3 herë ma të naltë se parlamenti gjerman; edhe një kryetar komune në Siçili merr ma shumë se Merkel.

Dhe ja kur qytetarët italianë, në votimet e fundit lokale, shpërblejnë komikun çjerrës bindëshëm me vota, pikërisht atë që gazeta londineze “Financial Times” e cilësoi kohët e fundit si trashëgimtar të Musolinit. Asgja për t’u çuditë: Të gjithë diktatorët e shekullit të XX kanë ardhë në emen të klasës punëtore e të mbrojtjes së shtresave të vorfëna, të gjithë shfaqeshin nëpër tribuna si aktorë groteskë: Kështu erdhen në pushtet Stalini, Hitleri, Musolini, Enver Hoxha dhe Pol Poti. Por fenomeni Grillo asht në radhë të parë rrjedhojë e kalbjes politike të këtij vendi fqinj, që e duem dhe e respektojmë si djep të kulturës njerëzore, por që nuk kemi përse ta marrim si shembull.

Tue zbritë nga Torino, ndalem në Asti të takoj kushrinën time, Amazonen. Qytetin e vogël e gjej “të rrudhun”. Këtu pesha e krizës duket edhe ma qartë.

Por edhe kriza nuk ndjehet kudo njëlloj. Në Emilia, ku mbas pak javësh do të binin një seri termetesh rrënimtare, punët janë disi ndrysh. Këtu njerëzit janë jo pak të politizuem, por shumë ma pak të ndërvarun nga politika: Punëtorë të zellshëm, që nuk i huton as termeti, emilianët e kanë sfidue krizën ma me forcë se të tjerët (Duhet thanë se ka edhe dy-tre rajone të tjera italiane, si Veneto, Trentino e Friuli, që sikur jetojnë jashtë peshës së “çizmes” – siç quhet për konfiguracion gjeografik Italia – e nuk u tremben sfidave. Shembull tipik ishte vendosmënia e emilianëve për të shërvjelë mangët, me gjithë damet e mëdha të termetit, pa u ankue e pa u qa, si ndodh në krahina të tjera, veçanarisht në Jug të vendit).

Kam kujtue shpesh këto dit qytete si Reggio nell’Emilia, Modena, qytetin e vogël, por shumë të kandëshëm të Carpit, Coreggion etj., që pata rast t’i vizitoja. Jam i sigurtë që ata do të dijnë t’i mbyllin plagët që u hapi termeti dhe ua uroj me gjithë zemër.

2. Në veri të Italisë.

Me datë 17 maj marr rrugën për në Verona, ku më pret miku im Çlirim Uça. Do të nisemi së bashku për në Austri, për në Salzburg.

Ndërsa përshkojmë Trentinon, përmes maleve gjithë gjelbrim të Dolomiteve, befasohemi nga dëbora që gjejmë në dy anët e rrugës. Një ditë ma parë ka qenë mjaft ftohtë e këtu ka ra jo pak borë.

Vërtetë kalojmë me shpejtësinë e makinës, por edhe pse në kalim, nuk mund të mos vesh ore një Itali tjetër: Këtu gjithçka asht e ruejtun me xhelozi, natyra, ndërtimet tipike tradicionale e deri tek racat vendase të gjedheve. Janë zona ku mund të marrish frymë me gjithë mushkni, sepse ndotja, ndrysh nga zona si Lombardia,  asht pothuej e papërceptushme.

Do të kalojmë në Austri. Në vendin ku dikur ka qenë kufini në mes dy shteteve asht një tabelë jo fort e madhe, që të kujton se ke kalue në një shtet tjetër, asgja ma shumë. Vetiu të shkon mendja tek policia kufitare e dikurëshme, tek dogana, gjithësesi, tek ajo ndamje e pakuptimtë në mes shteteve (Natyrisht, nuk ishte një ndamje me tela me gjemba si tek ne, as të priste plumbi nëse kaloje nga një shtet tek tjetri, por prap, dhe atje kishte polici kufitare).

Kam qenë edhe herë tjetër në Austri. Më ka lanë përshtypje të thellë respkti i jashtëzakonshëm për natyrën, rrugët e sistemueme, të pastërta, rregulli, disiplina që u imponohet vetiu të gjithëve, vendasve apo edhe të ardhunve e vizitorëve.

Ngjitja drejt Salzburgut bahet në pjesën e saj ma të madhe nëpër territorin e Gjermanisë. Edhe pse kanë kalue rreth shtatë orë udhëtim, nuk ndjehet lodhja, sepse je i rrëmbyem nga bukuritë natyrore ku mendja e dora e njeriut ka rolin kryesor: asht ajo që i ka mbrojtë, i ka sistemue e zbukurue edhe ma tej.

Takimi me Xhenc Bezhin në Salzbug asht një befasi tjetër.

E gjejmë Xhencin para selisë së kompleksit muzeal të Red Bull. Asht një godinë moderne, ku vendin kryesor e zen pjesa muzeale: Avionë historikë (ndër ta edhe avioni personal i komunistit Josif Broz Tito), makina të Formula Uno (ajo e Vetel), motoçikleta që kanë ba histori në sport apo në ndonjë film etj.

 

Në Salzburg me Xh. Bezhin

Ka aty edhe bare e restorante: janë për pakicën që vjen nga të gjitha anët e botës për të vizitue qytetin e Mozartit – tepër të shtrejta për ne tokësorët. Një gjetje interesante: Këtu çdo muej ndrron shefi i guzhinës (veò shefit të përgjithëshëm mbikqyrës). Asht gjithmonë një shef i ri, një fitues konkursesh ndërkombtare, nga shtete prej të gjithë kontinenteve. Një muej këtu mund të gjesh guzhinë meksikane, muejn tjetër guzhinë japoneze apo franceze.

Po kemi ardhë të vizitojmë një ndër qytet ma të bukur të Austrisë, si thamë, qytetin e Moxartit. Këtu mbahen çdo vit manifestime ndërkombtare të muzikës së kultivueme. Këtu Moxartin e gjen kudo: tek një urë, tek një lulishtë, deri në kështjellen, ndër ma të bukurat në Europë, pa folë për shtëpinë e lindjes e ate ku ka banue deri sa ndrroi jetë.

Rregulli, qetësia, shërbimi i kulturuem ndeshet në çdo hap. Thonë se këtu kostoja e jetesës asht ma e shtrejta në Austri (Kam qenë vite ma parë në Vjenë dhe më kanë befasue çmimet e ulta në restorante etj.). Por për ata që vijnë nga jashtë, nuk asht e lehtë të pranohet se këtu kostoja e jetesës asht e naltë. A nuk kushton ma lirë gjithçka, nga restoranti tek paketa e cigareve, pa folë për karburantet që janë rreth 30 % ma të lira se në Itali? Asgja për t’u çuditë: Në Austri klasa politike drejton vendin, nuk e masakron ate me taksa për të mbajtë kasten politike dinozuare si në Greqi, Portogali, Spanjë e Itali.

Më thonë se kriza ekonomike këtu as që ndjehet, përkundrazi, të dhanat e fundit flasin për rritje të punësimit.

Mbas dy ditësh të njeten gjendje do ta gjeja edhe në Gjermani, në Mynih.

Vizitat në Austri, Gjermani e Zvicër më dhanë mundësinë “me prekë me dorë” shtetin social, atë të vërtetin, që përcakton ndjeshem nivelin e jetesës së shumicës së qytetarëve.

 

Askush nuk mund të jetojë nën një nivel të përcaktuem jetese. Nëse një familje ka të ardhuna nën këte nivel, atëherë taksat e studimeve universitare, autobuzat e trenat për fëmijtë, e deri qiranë e shtëpisë e përballon komuna (bashkia do të thonim na për të ba dallimin fshat-qytet, që në Itali, Austri, Zvicer, Gjermani nuk egzioston).

 

Lucerna – Zvicër

Askush nuk vrapon për të sigurue një pension gjysëm të merituem në Zvicër, sepse përsëri nuk do të merrje ma shumë; praktikisht, me apo pa pension, të ardhunat e familjes i plotëson komuna.

Koha asht e pamjaftueshme për të vizitue perlat e Salzburgut: fortesen Hohensalzburg, Katedralen e famëshme dhe Rezidencen muzeale, Kishën Françeskane, mbi të gjitha, Shtëpinë e Moxartit.

Vetem sa ndalemi në Mynih e lodhja e udhëtimit ka ba punën e vet për ta vizitue Zvicrën ma me qetësi.

Kam premtue se do të kthehem. 

3. Intermexo ekonomike.

Europa asht e shqetësueme për krizen ekonomike, veçanarisht në disa shtete si Greqia, Italia apo Spanja. Nga qytetari i thjeshtë, deri tek politikani i nivelit ma të naltë, këtu e ndjejnë shumë e pa paragjykime nacionaliste këtë shqetësim.

Rasti e solli që disa dit ma vonë të lexoja një intervistë të ish ministrit të punëve të jashtme të Gjermanisë, Fischer.

Ai fliste me shumë shqetësim për gjendjen në Greqi, por edhe shumë i zemruem me vendin e tij, sidomos me kancelaren Merkel, që e akuzonte për poshtnim të një populli tjetër, në këte rast të Greqisë. Mbi poshtnimin e Greqisë nga supërfuqitë ekonomike, Banka Botënore, FMN-ja, por edhe Gjermania e Franca, do të fliste po ato dit edhe kryeministri italian Monti.

Po sjell një fragment shumë domethanës nga intervista e Fisher:

«Dy herë, në shekullin XX, Gjermania, me mjete ushtarake ka shkatrrue vetveten dhe rendin në Europë. Mandej ajo e bindi Perëndimin se e ksihte marrë leksionin e duhun: vetëm me mbështetjen e plotë të Europës, kemi arrijtë të marrim pelqimin për ribashkimin e vendit. Do të ishte një ironi tragjike nëse Gjermania e bashkueme tashma, me mjete paqësore e me synimet ma të mira, të sillte shkatrrimin e rendit europian për të tretën herë. E pra ky rrezik asht konkret »

«Jam i shqetësuem - vijon Fisher – që strategjia e sotme nuk funksionon. Ajo nuk asht demokratike, siç e dëshmojnë rezultatet e zgjedhjeve në Greqi, Francë e Itali. Teprimi në shtërngimin ekonomik në vendet në krizë çon, ashtu si në vitin 1929,  në depresion ………. Fatkeqësisht, të parët që po e harrojmë këte përvojë të hidhun jemi pikërisht na gjermanët ».

Elementet e zgjidhjes së krizës – simbas Fisher – janë katër: Bashkimi politik, bashkimi fiskal, rritja e punësimit dhe reformat strukturale ....

Kalimi i masës në trajtimin poshtnues të Greqisë ka ba që votuesit t’i drejtohen një partie pa të ardhme, që as asht në gjendje e as dëshiron të qeverisë, por asht shprehje e pakënaqësisë së popullit grek nga masat shtërnguese të imponueme, ndërsa klasa politike vazhdon babëzitjen e saj: Një president inegzistent si Papulias merr ma shumë se presidenti Obama. “Zotnia e tij” ka tregue bujari tue i ulë vetes 20 % të pagës, që asht përsëri 80.000 Euro ma e madhe se ajo që merr kancelaria gjermane Merkel. Fakti asht se partitë politike të ekstremit të majtë, antieuropiane, në zgjedhjet e 17 qershorit moren rreth 31 % të votave e po kështu partia me frymëzim nazi-fashist, “Agimi i praruem”, rreth 7 %.

Pikërisht gjatë ditëve që ndodhesha jashtë shteti, u përsërit shpesh zani mbi nevojen e një bashkimi të vërtetë politik të Europës, diçka për të cilen njerëzit e thjeshtë pyesin e çuditen prej vitesh e vitesh përse nuk realizohet. Por politikanët europianë, sidomos ata të shteteve të Jugut të Europës, tremben mos humbasin previlegjet nga një bashkim i vërtetë politik.

Kriza e viteve 2008-2012 nuk asht krizë e mirëfilltë ekonomike. Ajo asht krizë financiare, ma saktësisht krizë e bankave, krizë e sistemit të kreditimit. Asht kritikue shumë Europa kohët e fundit për shqetësimet që sjell edhe për pjesën tjetër të botës. Harrohet se, përveç kalbëzimit të kastes politike europiane, veçanarisht mbas ramjes së Murit të Berlinit, kur e vetëkënaqun për çka kishte arrijtë, i njohu vetes të drejten e kthimit të çdo përfitimi në favor të saj, duhet thanë se vatra e krizës së sotme ishte dhe janë Shtet e Bashkueme të Anmerikës. Shumë shpejt në Amerikë duen të harrojnë fenomenin “LehmanHYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/Lehman_Brothers" HYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/Lehman_Brothers"Brothers”, që falimentoi me 15 HYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/15_settembre"sHYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/15_settembre"htatorHYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/15_settembre" 2008 e HYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/15_settembre"ngjalliHYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/15_settembre" HYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/15_settembre"sisteminHYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/15_settembre" HYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/15_settembre"zingjirHYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/15_settembre" tHYPERLINK "http://it.wikipedia.org/wiki/15_settembre"ë falimentimit të instituteve të kreditimit, e kështu, si ortek, mori me vete shumë institucione krediti jo vetem në SHBA, por në mbarë botën e në radhë  të parë në Europë.  “Lehman Brothers” e një seri bankash të tjera amerikane janë shembulli tipik i spekullimit dhe teprimeve financiare (kreditimit të konsumit, jo prodhues), që kanë çue botën në këte gjendje dhe ende sot nuk asht veçse në fillim të shërimit të plagëve.

Atje ku sistemi i kreditit ka qenë dhe asht i kontrolluem, si bie fjala në Gjermani e Belgjikë, kriza ka sjellë vetëm përfitime e nuk i ka damtue aspak ata vende.

Por, simbas mendimit tim modest, çdo zgjidhje do të kishte efekte të përkohëshme pa një zgjidhje të mirëfilltë politike: Bashkimin politik të Europës.

4. Roma eterna

(Roma e përjetëshme)

Rikthimi në Romë të sjell gjithmonë emocion. Historia dhe kultura greke e latine nuk asht që u përkasin dy popujve, ato janë pasuni e mbarë njerëzimit.

Ajo që ka vlerë të veçantë në këtë qytet, i quejtun “i përjetëshëm” (Roma asht “vetëm” 2.800-vjeçare), asht ruejtja me xhelozi i ndërtimeve të lashta me vlera të mëdha arkitektonike, historike e kulturore.

Zona muzeale si ajo e Koloseut, Foro Romano, Castel Sant’Angelo etj., janë një pasuni e pallogaritëshme për njerëzimin.

Lashtësisë i janë shtue shekuj brilantë të Rlindjes europiane e këtu  mund të ndeshish gjeninë e Mikelanxholes, Berninit, Brunaleschit e sa arkitetktëve a e skulptorëve të shquem.

Vizita në Katedralen e Shën Pjetrit gjithashtu të sjell emocione të veçanta.  Kam qenë edhe ma parë këtu. Kësaj here u ndala tek altari madhështor në krahun e majtë të altarit të quejtun papal, Altari i Shë Jeronimit prej Ilirie.

Por në Romë nuk mund të mos emocionohesh edhe tek viziton sheshet e famëshme, Piazza Navona, Piazza della Repubblica, Piazza di Spagna, Fontana di Trevi e sa mrekulli të tjera arti.

Nuk kisha hy ndonjëherë ma parë mbranda Koloseut. Pamjet që na ofron televizioni, apo ndonjë film, nuk munden kurrë të të japin përmasat mahnitëse të këtij kompleksi arkeologjik, që konsiderohet një prej shtatë mrekullive të botës ende në kambë.

 

Koloseu – pamje nga mbrenda

Emni i vërtetë i Koloseut asht “Amfiteatri Flavio”. Ai mund të mbante deri në 50.000 spektatorë ulun, apo 75.000 vetë gjithsej, bashkë me lozhat mbi shkallare. Ai ka formë eklipse me një perimetër prej 527 m dhe akse prej 187,5 dhe 156,5 m. Pjesa e mbrendëshme e teatrit asht 86 x 54 m, me një sipërfaq prej 3.357 m². Sot naltësia e Koloseut asht  48,5 m, por ai arrinte ma parë naltësinë 52 m (para rrëzimit të harkut të fundit).

Por ajo që të ban ma shumë përshtypje janë viztorët nga e gjithë bota. Italianët këtu janë pakicë. Të krijohet përshtypja sikur gjendesh vërtetë në Kullen e Babilonit të 100 gjuhëve. Janë me mijra vizitorët çdo ditë: spanjole të zhurmëshme e amerikanojugorë malinkonikë, japonezë kureshtarë e të mirëinformuem dhe indianë mistikë, afrikanë të veshun me shije e amerikanë tepër të shëndoshë e shpërfillës, gjermanë të heshtun e të dijtun dhe kinezë të rijë, që po mbushin përditë e ma shumë sheshet e Europës.

Shoh edhe një kinezkë topolake, e shoqnueme me truproje, dy anash e dy mbas saj. Me siguri asht e bija e ndonjë “zengjini të ri”, si themi na në Shqipni, ku të punësuemit në ndërmarrjet e tij marrin 30 dollarë në muej, kurse ai fiton 30 milon në ditë.

Tue vështrue kinezkën trupvogël, mendja më shkon përsëri tek kriza ekonomike. Mbase ajo në Europë e në SHBA do të mbyllet mbas pak vitesh, sepse këtu ekonomia asht ma e konsolidueme, por kriza kineze, për mednimin tim e paevitushme, mund të trondisë jo vetem kontinentin aziatik, por edhe gjithë ekonominë botënore. Në Kinë bankat janë në gjendje vërtetë të randë. Ato mbahen gjallë në saje të injeksioneve gjigande e të vazhdueshme nga buxheti i shtetit. Kur kjo kështjellë prej terrakote kineze do të bjerë, bota e tana do të gjendet para një problemi shumë ma të vështirë e ma të randë se kriza e sotme për t’u zgjidhë.

Të sugjestionuem nga podhimi global, harrojmë se prodhimi për banor i SHBA asht rreth 46.000 $, Austria 45.000 $, Gjermania 41.000 $ (ka pasë ramje të ndjeshme mbas bashkimit me DDR), Italia 34.000 $, kurse Kina 3.600 $ për banor.

Këtu asht edhe shpërpjestimi ma i madh i zotnimit te kapitaleve private: 0,13 % e popullsisë zotnon 87 % të kapitaleve private.

Deri kur populli kinez do të pranojë raportin 30 dollarë me 30 milon dollarë? Rreziku i një krize të thellë sociale, me rrjedhoja të paparashikueshme, asht real.

Por le të vazhdojmë viziten në Romë.

Të lodhun, ndalemi në Piazza Navona të marrim nga një akullore. Shitësja na dëgjon të flasim shqip, dhe po shqip, na thotë: “Marrni akulloret, mandej pagueni “, dhe një buzëqeshje e ambël i ndriçon gjithë fytyren.

Si hamë akulloret, na thotë se kishte qenë kënaqësi t’na i ofronte ajo.

Më erdh vështirë t’i kërkoja emnin, sepse nuk ishte e vetme, ishin katër vajza që shërbenin, por buzëqeshjen e saj do ta ruej si kujtim dashamirësie.

5. Natyra dhe njeriu

Vizitën e fundit e bamë në liqejt e Veriut: Lago di Garda e Lago Maggiore.

Kanë qenë tri dit që më kanë mahnitë: Bukuria e natyrës, nën përkujdesjen e dorës së njeriut, këtu asht magjepëse.

Banojmë në një hotel në gadishullin e vogël, që futet si gjuhë në Lago di Garda, në Sirmione. Hoteli asht vetëm pak metër larg vilës së lashtë, dymijëvjeçare, të poetit Catullo, një vendndodhje arkeologjike e jashtëzakonshme, me përmasa madhështore, 167 x 105 metra. Të nesërmen, tek ngjiteshim anës së majtë të liqenit, pak mbi Salò (Gardone Riviera), ndalemi e vizitojmë një vilë tjetër, ma mire me thanë një kompleks ndërtimesh, prej kopshtijesh te rralla, tek teatri etj., e quejtun Vittoriale, ish pronë e poetit dhe kritikut të artit Gabrielle d’Annunzio. Vetiu më shkon mendja: Dikur poetët mund të kishin luksin edhe të kishin vila të tilla madhështore. Poetët ishin të zgjedhunit e shoqnisë. Kanë ndryshue kohët.

Rezidenca e G. d’Annunzio

Por ajo që do të më linte përshtypje vërtetë të pashlyeshme, ishte vizita në një ishull fare të vogël në Lago Maggiore. Quhet “Isola bella”. Tepër pak për t’u quejtë “ishull i bukur”; jo, ai ishte i mahnitëshëm e për shumë arsye.

Sipërfaqja e ishullit asht aq sa zen vila e familjes Borromeo (shek. XVI ) dhe kopështi i saj i një bukurie të pashoqe: Kam qenë në shumë vende, po një kopësht të tillë nuk e

kisha pa ma parë.

Vila, një kryevepër arkitektonike sidomos në mjediset e mbrendëshme të saj, me raporte hapsinë/dritë që nuk i gjen dikund tjetër, bashkë me kopështin, numëron aq shtatore, sa nuk besoj të ketë në gjithë Shqipninë. Në qendër të saj asht një ndër biblotekat private ma të pasuna me mbi 30.000 vëllime.

 

Villa Borromeo – Lago Maggiore

Sigurisht ajo ka qenë laboratori i atyne shtatoreve të mrekullueshme: ku ka një biblotekë, ka edhe shtatore, ka të shkueme e të ardhme.

Mbasi ke vizitue këte mrekulli, lind pyetja: Si ka mundësi që janë ruejtë kaq mirë?

Përgjigja asht e thjeshtë: Sepse prona private në Perëndim nuk u tjetërsue kurrë: Ata nuk paten fatin tonë të keq që “ku vuni kambë turku, aty nuk mbiu ma as bar”, e as të shpronësoheshin deri tek pulat nga regjimi komunist.

Ndrronin sistemet, kishte edhe psuhtues, por prona ishte dhe mbetej e shejtë.

Ka një dhomë në Vilën Borromeo ku ka fjetë Bonaparti, pushtuesi i atëherëshëm i Italisë. Kërkoi ta blinte këte vilë, por pronarët nuk ia dhanë. Përsëris: Kërkoi ta blinte, jo ta shpronsonte.

Shumë të kamun të tjerë kanë provue ta blinin këte vilë, po familja e fisme Borromeo kishte vendosë t’ia linte kombit, jo “parellijëve”. Provoi Fordi e dështoi. Ofroi 1.000.000.000 (njëmiliard) dollarë Billy Gates e dështoi. “Atëherë, më thoni, sa kërkoni”? – u tha manajti i microsoft-it. Përgjigja ishte lapidare: “Andërrat nuk kanë çmim”.

Ajo vilë asht vërtetë një andërr.

Udhëtoj. E përsëri kthehem këtu, në Atdhe.

Kam edhe unë një andërr: Ta shoh vendin tim si të tjerët.