E premte, 29.03.2024, 10:47 AM (GMT)

Kulturë

Flet, Akad. Prof. Dr. Salvator Bushati

E merkure, 20.06.2012, 06:20 PM


Akademia do të jetë kurdoherë në mbështetje të kërkimeve shkencore

Për çdo ditë po forcohen mardhëniet me Akademinë e Shkencave të Kosovës

Nga Albert ZHOLI

Këto ditë në Akademninë e Shkencave në kuadrin e aktiviteteve të ndryshme me rastin e 100-vjetorit  të Shpalljes së Pavarsisë u promovua një libër shkencor për pemtarinë  dhe vreshtarinë, frut i një bashkëpunimi ndërmjet shkencëtarëve në institucione brenda e jashtë vendit, me projekte në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Akademive të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Për këtë aktivitet ne biseduam me referuesin kryesor z Salvator Bushati.

Në Akademinë e Shkencave u promovua një libër (botim) i ri ku ju ishit një ndër referuesit. Mbi të gjitha në botimet e saj Akademia i është përmbajtur tematikave të ndryshme.  Cili ishte cilësimi juaj për këtë botim?

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në përputhje me misionin të saj, në sistemin e kërkimit shkencor është e përqendruar në realizimin e objektivave në fusha prioritare në bashkëpunim multidisiplinorë me shumë institucione, me të cilat bashkëpunohet në mënyrë të programuar e jo rastësore, në veprimtari të përbashkëta si projekte, botime etj.

Një prej tyre është edhe aktiviteti i sotem promovues i botimit të këtij studimi, frut i një bashkëpunimi ndërmjet shkencëtarëve në institucione brenda e jashtë vendit, me projekte në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Akademive të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, në gjirin e së cilës kontribuojnë me aktivitetin e tyre shkencor e botues, akademikë e shkencetarë të shquar.

Pse është i rëndësishëm ky botim?

Fundi i viteve ’90 të shekullit të kaluar dhe ky dhjetëvjeçar i parë i këtij shekulli të ri, ka sjellë shumë ndryshime të mëdha në pemëtari dhe vreshtari që prekin pronësinë mbi blloqet, llojet dhe kultivarët e mbjellë, origjinën e materialit mbjellës, dhe teknologjinë e re që është futur në menaxhimin e pemëtoreve dhe vreshtave të reja.

Investimet e shumta në këtë sektor, që kanë edhe mbështetjen direkte të politikave të vendit në këtë fushë, kanë rritur interesin për botime shkencore dhe këshillimore në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë për ato në fushën e mbrojtjes së bimëve. Kjo nevojë lidhet me njohjen e mirë të sëmundjeve dhe dëmtuesve të shumtë që prekin këto kultura dhe kujdesin e madh që ka sot tregu vendas dhe ai europian për cilësinë e frutave dhe mbetjet kimike në to.

Në këtë kuadër të përgjithshëm, ishte i kërkuar një botim i tillë i ri e bashkëkohor, si nga përmbajtja ashtu edhe nga formati, për sëmundjet e pemëve dhe të vreshtave. Shumë vite më parë kemi patur botime të pjesëshme nga kerkues te talentuar në këtë fushë, por që sot me kërkesat extensive të kohës, një libër i tillë i përditësuar e në shqip, do të plotësonte më mirë nevojat e sotme të specialistëve dhe fermave tona.

Një bashkpunim i frytshëm ndërmjet Akademisë sonë dhe asaj të Kosovës. Cili është mendimi juaj për këtë bashkpunim dhe personalisht për z. Latif Susuri?

Nuk është e rastit që një nga autoret e librit që po promovojmë sot është Akademik Latif Susuri. Është libri i 4-të ky, i realizuar në bashkëpunim me specialistë të Shqipërisë. Ky libër pasqyron përvojën e tij të gjatë në fushën e fitopatologjise, si themelues i saj në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës, me një përvojë të gjatë shkencore-hulumtuese, mbi sëmundjet e bimëve të shkaktuara nga kërpudhat, bakteret, viruset dhe fitoplazmat, veprimtari e cila është çertifikuar në revista të njohura shkencore edhe jashtë vendit (SHBA, Gjermani, Itali, Hungari, Slloveni, Kroaci, etj.) dhe të paraqitura me mjeshtëri në këtë botim në bashkëpunim me Prof. Asoc. Arben Myrta, i njohur tashmë si koordinator dhe botues shkencor i 16 librave me temë virusologjinë bimore dhe mbrojtjen e bimëve, si dhe bashkëautor në mbi 200 artikuj shkencorë të botuar në 32 revista të ndryshme shqiptare dhe të huaja, që ka merituar edhe ‘Mirenjohje’ nga Universiteti Bujqesor i Tiranës (2001) dhe me vlerësimin ‘Encomio’ nga Instituti Agronomik Mesdhetar i Barit (2008) me motivacionin për arritje në drejtimin e punës eksperimentale për vleresimin dhe regjistrimin e preparateve të reja për mbrojtjen e bimëve në Itali dhe Europën jugore.

Si do ti shërbejë ky botim bujqësisë?

Bashkëpunimit disavjeçar të dy autorëve në disa projekteve shkencore në fushën e fitopatologjisë i shtohet edhe ky botim. Ai do të japë ndihmesë në praktikat e fermerëve: në vlerësimin e gjendjes të dru- frutoreve dhe hardhive, në njohjen e gjendjes fitosanitare me rëndësi të dorës së parë në të ardhmen e prodhimit të fidaneve të kultivarëve ekzistues dhe atyre të rinj të pa infektuar, në mbështetje të strategjive të zhvillimit edhe në këtë fushë. Këto do të sjellin shtim vlerash në traditën e hershme në kultivimin e pemëve frutore dhe vreshtave, dëshmitari më i mirë i të cilës është prania e shumë kultivarëve të vendit me interesa si ekonomike ashtu edhe shkencore.Botimi është një produkt shkencor me vlera në zbatimet praktike, e si i tillë është i vlerësuar si një studim me vlera për zhvillimin e me standarte në fushën e bujqësisë.

Po nga pikpamja shkencore çfarë paraqet punimi?

Nga ana tjetër studimi është një shëmbull i efektivitetit të bashkëpunimit të gjeneratave të ndryshme të brezave të shkencëtarëve.

Kapacitetet e kërkuesve shqiptarë në fushën e kërkimit shkencor dhe zbatimeve të tyre në zhvillimin e praktikave prodhuese me teknologji të reja, që sigurojnë parametra sasiorë e cilësorë më të mire të produkteve, janë të shumta e premtuese për arritje të botimeve të tjera edhe në këtë fushë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të jetë kurdoherë në mbështetje të kërkimeve shkencore e promovimit të produktit shkencor, të krijimit të hapësirave për certifikimin e tyre në praktikat prodhuese e inovative, e gjithashtu edhe të promovimit të kërkuesëve në përgjithësi e veçanërisht atyre të rinj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora