E premte, 19.04.2024, 11:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Një hartë e re e letërsisë shqipe në gjuhën rumune

E merkure, 20.06.2012, 08:11 PM


Një hartë e re e letërsisë shqipe në gjuhën rumune

(Marius Chelaru, Me shpirtin në buzë, vëll. II, Editura Fundatiei Culturale Poezia, Jash, 2012). Hulumtuesi rumun, në këtë kontekst, shkruan me kompetencë, implikim dhe kuriozitet, ndërsa tekstet e tij ndihmojnë që peisazhi i letërsisë shqipe të reflektohet në mënyrë sa më reale në pasqyrën e kulturës rumune, duke krijuar kështusoj një hartë që mund ta orientojë çdokend që është i interesuar të udhëtojë në këtë rrugë të bekuar të botës shpirtërore shqiptare.

Nga Baki Ymeri

Ekziston një mendim filozofik sipas të cilit shpirti është shkenca e shkencave. Ky është përkufizimi i fundit dhe qëllimi suprem. Që nga botimi brenda një viti, i „Hijes së ëndrrave” të Halil Haxhosajt e deri te „Ekzili i shpirtit të Sali Bashotës” të cilit iu bë një lansim historik në zemër të Bukureshtit (2004), kritika rumune krijoi një admirim të hatashëm ndaj shpirtit shqiptar. Halili gëzon respektin tonë sepse është shqiptari i parë i Kosovës që e porositi një vëllim bilingv, siç vepruan pas tij edhe mbi 30 poetë të tjerë, shumica nga Kosova dhe diaspora shqiptare. Para disa vitesh e pa dritën e botimit vëllimi i parë me vështrime kritike të poetit Marius Chelaru „Me shpirtin në buzë” (Timpul, Jash, 2006). Nuk ia zëmë për të madhe faktin se një titull i këtillë ndërlidhet më shumë me poezinë se sa me kritikën letrare, sepse ky njeri, së bashku me autorin e librit „Dardania e zemrave tona” (Mihai Antonescu), apo „Kosova letrare” e poeteshës Monika Mureshan (Monica Mure?an), është poeti dhe kritiku letrar që vjen para opinionit edhe me vëllimin e tij të dytë me ese kritikë, me të njëjtin titull (Me shpirtin në buzë, II), që del me 220 faqe, me nëntitullin “Një vështrimi mbi hartën e letërsisë shqipe”.  Vlera estetike e kësaj vepre ka për substrat admirimin ndaj vlerave shqiptare në fushë të poezisë, prozës dhe dramaturgjisë.

Libri del në bashkëpunim të Fundacionit Kulturore Poezia dhe Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, duke patur në paskopertinë vlerësimet e Xhelku Maksutit, Luan Topçiut dhe autorit të këtij shkrimi (B. Y.). Sipas të parit: “Marius Chelaru është njëri nga autorët e rrallë të Rumanisë që e njeh në thellësi letërsinë shqipe, jo vetëm përmes krijimeve të autorëve bashkëkohorë, por edhe të atyre që ia përcaktuan historinë kësaj letërsie. Përndryshe, ky libër e dëshmon këtë përmes 80 teksteve kushtuar autorëve që trajtojnë një tematikë të gjerë për librat e tyre të botuara jo vetëm në Rumani, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Zvicër, Amerikë, Gjermani e gjetiu.” Sipas Dr. Luan Topçiut: “Marius Chelaru për kulturën shqiptare është bërë një mik i përzemërt. Është si një mysafir që të viziton në shtëpi shpesh e më shpesh, derisa bëhet një mik që mund të hyjë në shtëpi pa trokitur në derë. Apo, më mirë, një mik i mirë që bëhet anëtar i familjes. Tekstet e zotërisë së tij, të përkthyera në gjuhën shqipe, të botuara në revista letrare të një tirazhi të lartë, kanë zgjuar një interes të jashtëzakonshëm, duke kuptuar përmes tonalitetit të tyre edhe atë që ta thot një mik yti i mirë, një mik i mirëseardhur në familjen e letërsisë shqipe.”

Sipas vlerësimit tonë në paskopertinë: “Libri i këtij njeriu të mirë është një analizë e thellë e letërsisë së sotme shqipe, ashtu siç shihet nga krijimet e atorëve tanë të rikënduar në gjuhën e Emineskut, por edhe në gjuhë të tjera europiane. Njëkohësisht, kjo vepër është një argument dhe një ndihmesë e jashtëzakonshme për ata që e shpiejnë më tej flakën e kulturës shqiptare në botë, dhe sidomos në brigjet e gjuhës rumune, duke dëshmuar se puna e tyre është e respektuar.” Këto tekste, de facto, janë botuar në revista të botuara në Rumani, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, SHBA, Zvicës, Gjermani, Angli, Kanada etj., në gjuhët shqipe, angleze, rumune, franceze, gjermane etj. Autori shpreh konsideratë ndaj disa mediave shqiptare, si Zemra Shqiptare, Bota sot, Drini, Kosova sot, Tribuna Shqiptare, KosovariMedia etj. që kanë hapur shtyllat e tyre për prezantimin e reçensioneve të tij kushtuar letërsisë shqiptare,

E dinamizuar me një parathënie të Dr. Luan Topçiut (kritik letrar dhe ministër-këshilltar i Ambasadës së Shqipërisë në Bukuresht), vepra e mikut të shqiptarëve, Marius Chelaru,  hapet me disa shpegime dhe burime në gjuhën angleze, duke shtuar: “Nuk kam ndjekur në këtë libër në mënyrë të veçantë krijimet/tekstet e emrave më të njohur të letërsisë shqipe, por më parë një pasqyrë të “hartës së shkronjave”, ashtu siç është ajo, me drita dhe nyanca, por edhe nga spektri se si kundrohet në Rumani, me pjesët e ndodhura më pak apo më shumë në vizionin e publikut apo të historive letrare, të kierarkive të njërës, apo të mënyrës tjetër. Bëhet fjalë për libra që i kam patur në disponim, të botuara në Rumani, Kosovë, Shqipëri, apo në vende tjera ku gjallërojnë dhe shkruajnë në gjuhën amtare autorët shqiptarë, si dhe disa vëllime të disa autorëve rumunë që flasin për kulturën, historinë dhe spiritualitetin shqiptar, apo, të atyre që i përkthejnë këta në gjuhën rumune.”

Një „hartë” komplete dhe komplekse të letërsisë shqipe

Nga parathënia e Dr. Luan Topçiut kuptojmë se Marius Chelaru, mes tjerash, është një kritik fort i mirë letrar, një kronist i përsosur i letërsisë rumune, një njeri me një kulturë të hapur ndaj kulturave të popujve të tjerë, një shkrimtar me një shije intelektuale edhe për letërsitë e të tjerëve.  Marius Chelaru jeton në shenjën e vërtetë të fjalës, në atë që Goethe e lajmëron për herë të parë përmes termit Weltliteratur më 1827 (në bashkëbisedimet e tij me Eckermann-in), që do të bëhet baza e konceptit të ardhshëm për letërsinë universale, që zu fill në gjysmën e dytë të shek. XVIII-të, duke u bazuar në idenë e nevojës që letërsia të thotë më shumë se sa vlerat e secilit popull në vete.  Përkthimet, ndërkaq, kanë shënuar fillimin e karierës universale të veprave të mëdha kombëtare, ndërsa romantikët gjermanë kanë qenë ata që kanë instauruar në të vërtetë klimatin e përshtatshëm të studimit të letërsive të botës.

Sipas autorit të parathënies, poeti dhe kritiku rumun nuk e shfleton nga një kuriozitet i thjeshtë letërsinë shqipe që del në Rumani, por, përkundrazi, ai lexon dhe shkuan me përkushtim një kritikë të veçantë për këtë letërsi, siç dëshmon edhe kjo vepër, „e veshur” me gjuhën farefisnore të shqipes, që është gjuha rumune... Hulumtuesi rumun, në këtë kontekst, shkruan me kompetencë dhe implikim, me kuriozitet dhe në të njëjtën kohë, edhe me një farë distance. Tekstet e tij ndihmojnë që peisazhi i letërsisë shqipe të reflektohet në mënyrë sa më reale në pasqyrën e kulturës rumune, duke krijuar një hartë që mund ta orientojë çdokend që është i interesuar të udhëtojë në këtë rrugë të bekuar të botës shpirtërore shqiptare.

Siç mund të vërehet edhe nga ky vëllim i dytë, thekson Dr. Luan Topçiu, Marius Chelaru është në rrjedhë me të gjitha botimet e përkthyera nga letërsia shqipe në gjuhën rumune dhe në gjuhë të tjera. Ky kritik letrar, përmes kuriozitetit të tij intelektual, din ta vlerësojë tjetrin, dhe kjo dëshmon një gëzim dhe dashuri të veçantë të cilin e ushtron në profesionin e tij si njeri i kulturës. Autor i antologjive poetike „Në shuplakë të historisë” (Jash, 2006), dhe „Urat e fjalëve” (Jash, 2009), me krijues shqiptarë,  dhe i një numri të madh reçensionesh të botuara në shtypin e shtypur të këtij vendi, për krijues shqiptarë (shumica të përkthyer nga B. Y.), Marisu Chelaru është një observator fin i jetës letrare dhe fenomenit kulturor. Ai dëshmon se është një njohës i mirë i historisë së shqiptarëve, i historisë së kulturës shqiptare, i autorëve shqiptarë, i fenomenti të ri në peisazhin e kulturës shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në diasporën shqiptare dhe në Rumani, në Europën Qëndrore dhe tejmatanë Oqeanit.

„Harta” e letërsisë shqipe në këtë libër është e fisnikëruar me personalitete të shquara të letërsisë së sotme shqipe, nga të cilët shumica kanë patur shansin të përkthehen në gjuhën rumune. Ndër ta, po i përmendim vetëm disa: Ismail Kadare, Besnik Mustafaj, Fahri Balliu, Visar Zhiti, Sali Bashota, Sabile Keçmezi Basha, Basri Çapriqi, Skënder Sherifi, Ibrahim Berisha, Miradije Ramiqi, Ramiz Gjini, Engjëll Koliqi, Albina Idrizi, Nuri Plaku, Kostaq Duka, Remzi Limani, Hysen Këqiku, Nexhat Rexha, Adem Zaplluzha, Sadik Krasniqi, Fehmi Kelmendi, Sabit Rrustemi, Ramadan Mehmeti, Rozi Theohari, Sarë Gjergji, Vezir Ukaj, Muhamed Kërveshi, Ibrahim Kadriu, Liman Zogaj, Vilhelme Vranari, Mëhill Velaj, Rizah Sheqiri, Jeton Kelmendi, Adelina Dokja, Skënder Zogaj, Veli Veliu, Skënder R. Hoxha, Fatmir Salihu, Sadik Përvetica, Brahim Avdyli, Mexhid Mehmeti, Jusuf Zenunaj, Radije Hoxha, Izet Shala, Mardena Kelmendi, Leom Kolmnela etj.

Kjo vepër, konform vlerësimeve të autorit të parathënies, meriton mirënjohje nga ana e shkrimtarëve shqiptarë që kanë hyrë në qendër të vemendjes së Zt. Marius Chelaru, ndërsa mirënjohja jonë ndaj këtij kritiku letrar që i shpërblen krijuesit shqiptarë me vlerësime, analiza, konstatime dhe sinteza, përbën një „hartë” komplete dhe komplekse të letërsisë shqipe.



(Vota: 16 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora