Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fazli Maloku: Mbrëmje dinjitoze dhe mjaft e këndshme në familjen e z. Kadri Mani

| E shtune, 29.07.2017, 05:28 PM |


Mbrëmje dinjitoze dhe mjaft e këndshme në familjen e z. Kadri Mani

Koktej me rastin e tre përvjetorëve: 75 vjetori i lindjes së z.Kadri Mani, 75 vjetori i lindjes së z. Shukrije Bunjaku-Mani dhe 55 vjetori i veprimtarisë letrare e publicistike të z. Kadri Mani

Nga Fazli Maloku

Në lokalet e Kishës Protestante Shqiptare në Prishtinë, z. Kadri Mani me familje kishin ftuar dhjetëra miq, shokë, familjarë... që me një koktej modest, të gjithë tok, t’i festojmë tre përvjetorët e lartëcekur. Z. Kadri Mani me familjen e tij të respektuar vërtet krijuan një atmosferë të këndshme për gjithë të pranishmit. Pas fjalës përshëndetëse të përfaqësuesit të Kishës (në mungesë të Pastorit) foli z. Telki Berisha, i cili na uroi edhe mirëseardhje, me pak fjalë tregoi për dashurinë dhe respektin që kanë për z. Mani dhe familjen e tij. Pastaj fjala iu dha z. Mani, i cili në fillim përshëndeti ngrohtësisht dhjetëra pjesëmarrës: miq, shokë e familjarë, por si gjithherë edhe më parë nga modestia nuk deshi të flas për vetën e tij, por me pak fjalë shpjegoi veprimtarinë e tij Letrare e Publicistike, për dekada me radhë, por edhe për ndihmën e pakursyer që pati nga familja e tij, e sidomos nga bashkëshortja e tij z. Shukrije, e cila me besnikëri dhe virtyte të vashave të mëdha shqiptare, të cilat lanë gjurmë në rrugën plot sakrifica e vështirësi për Çlirim e Bashkim Kombëtar, nuk iu nda për asnjë çast burrit. Pak më shumë z. Mani u ndal tek libri i tij i fundit:”ShQIPTARËT JANË ATJE” me publicistikë mbi 600 faqe, e cila pritet që sëshpejti të dalë nga shtypi. Por edhe me këtë rast nga modestia z. Mani nuk deshi që të shpalos më shumë nga libri, duke ua lënë mundësinë lexuesve që ta shijojnë vetë gjatë leximit. Pas fjalës së z. Mani folën shokë, miq e familjarë ku po veçojmë disa prej tyre:

Z. Xhelil Rama, profesor, ish i burgosur politik dhe i dënuar me vite burg nga pushteti sllavo-komunist-fashist jugosllav, si dhe ish Drejtor i shkollës fillore “Rilindja” në Keqekollë, në të cilën shkollë z. Mani punoi si arsimtar i gjuhës dhe i letërsisë. Z. Rama për të pranishmit evokoi kujtimet e tija për veprimtarinë e bujshme të z. Mani në procesin Edukativo-Arsimor:

“z. Kadri Mani, ishte njëri nga arsimtarët më të mirë në gjithë Gallapin. I dashur për nxënës dhe për shokë. Punën e arsimtarit e kryente siç ishte më së miri. Në procesin mësimor bëri renesancë të vërtetë. Tok me të ndjerin Mehedin Dili hapi Revistën  shkollore “Ylli i Parë”, e cila ishte shumë e pasur dhe cilësore. Tok me Idriz Zeqirajn organizoi sjelljen e Revistës “Pionieri”, “Rilindja-për fëmijë” (të Prishtinës), “Gëzimi”, “Fatosi” (të Shkupit), për herë të parë në këto anë, duhet të kemi parasysh se kjo punë bëhej në vitet e gjashtëdhjeta; z. Kadri ishte një arsimtar atdhetar dhe revolucionar për çeshtjen e pazgjidhur shqiptare. Guximshëm propagandonte se populli shqiptar dhe Shqipëria është copëtuar padrejtësisht, dhe më shumë se gjysma e tokave shqiptare janë pushtuar nga Jugosllavia, prandaj shqiptarët duhet të çlirohen dhe të bashkohen me Shqipërinë. Për këto ide revolucionare kombëtare z. Kadri vazhdimisht ndiqej këmba këmbës nga “udbashët”jugosllavë. Me këtë rast z. Kadri i dëshiroj shëndet e lumturi personale e familjare.”

Ndërsa bashkëvuajtësi i burgut z. Hetem Ajeti shpalosi kujtime nga burgu i Nishit:

“Me z. Kadri Mani u njoha për herë të parë në Burgun e Nishit. Ishte njeri me karakter të fortë dhe moral të lartë. Ishte ai që me dinjitetin e tij na brumoste edhe neve të tjerëve. Qëndrimi i tij në Burgun e Nishit ishte frymëzim për ne. Ne dy bashkë e formuam qelulet dyshe dhe mbanim mbledhje ilegale në burg! Z. Kadri luftonte me guxim kundër çdo padrejtësie që ju bëheshin të burgosurve politikë shqiptarë. Me këtë rast i dëshiroj shëndet e pleqëri të rehatshme si dhe lumturi gjithë familjes Mani”.

Edhe bashkëvuajtësi tjetër i burgut në Burgun e Nishit, z. Kadri Llugaliu, foli me admirim për qëndrimin e dinjitetshëm të z. Mani:

“Me z. Kadri Mani u njoha fizikisht për herë të parë në Burgun e Nishit. Për të dhe veprimtarinë atdhetare të tij më kishte folur shumëherë para se të bija në burg shoku im i Ilegales z. Fazli Maloku. Z.Kadri Mani më doli edhe më madhështor se që kisha dëgjuar për te. Lirinë e kishte në shpirt dhe qysh herët e kishte vrarë frikën. Sot është vështirë t’ia shpjegosh dikujt gjithë atë që e bënte z. Kadri në Burgun e Nishit. Ishte intelektual i vërtetë dhe njohës i mirë i Historisë Kombëtare shqiptare. Shpesh na mbante ligjërata se si do të duhej vepruar ne shqiptarët që ta fitojmë Lirinë dhe Bashkimin Kombëtar. Sot kur e shoh  nuk mund të ju besoj syve të mi, se si ia doli ta përballojë gjithë atë dhunë çmendurie për dekada me radhë. Z. Kadri dhe Bashkëshortës së tij z, Shukrije ju dëshiroj edhe shumë vite të tjera me shëndet e në lumturi!

Për ta bërë sa më të këndshme atmosferën, z. Kadri tregonte ndonjë barcoletë me humor që na bënte të gjithëve me qeshë.

Z. Fazli Maloku, shok i idealit dhe i ilegales, nën presion të emocioneve evokoi ca kujtime nga veprimtaria atdhetare e shokut Mani:

“Z. Kadri Mani jetën, e sidomos rininë, ia dhuroi Kosovës e duke mos i kërkuar si shpërblim asgjë. Kur vepronte z. Kadri me shokë, Çlirim e Bashkim Kombëtar po thuaj nuk dukej as “xixa në fund të tunelit”. Z. Kadri Mani, bashkëshortja e tij, z. Shukrije si edhe e gjithë familja e tij, ishin frymëzim i pashtershëm për gjithë shokët. Në këtë familje gjenim fuqinë dhe frymëzimin për të vepruar. Kur krahasoj vuajtjet e z. Kadri me ato të z. Shukrije, e cila jo vetëm i ndejti besnike dhe e palëkundur bashkëshortit të saj, në këtë rrugë plot rreziqe e të papritura, por ajo ia doli, ta mbajë shtëpinë, t’i rrisë tre fëmijët, t’i shkollojë e t’i edukojë siç është më së miri, të gjithë kanë të kryer shkollim të lartë, maddje vajza Hida, qysh si studente e ndoqi fati i babait dhe u burgos, duke mbajtur me vite burg... më del se z. Shukrija ka vlerë aq sa burri, për të mos thënë se ka peshë edhe më të madhe. Z. Mani dhe familja e tij, edhe sot janë shembull për të gjithë, se si ruhet dinjiteti familjar, harmonia familjare, dashuria për njeriun, dashuria për Atdheun, dhe mbi të gjitha Liria. Me këtë rast ju dëshiroi jetë të ëmbël dhe të begatë! Familja ime është e nderuar që është në miqësi për dekada të tëra me familjen Mani.”

Pastaj ceremonia vazhdoi me këndimin e dy këngëve përmbajtësore të përcjellura me Kitarë nga v ashat  e Korit të Adhurimit të Kishës.

Edhe djali i z. Kadri, Rabiti, evokoi mendime se si fëmijë kujtonte çaste kur vinin policia për ta arrestuar babain dhe “një moment njëri nga policët i ofroi bonbone vëllait tim më të vogël, Ylberit, dhe kur ky deshi t’i merrte, motra jonë që është këtu prezente, reagoi ashpër, duke i thënë:” Jo. Ylber, mos i merr, se këta nuk janë njerëz tanë siç po mundohen të paraqitën, këta janë banditë e katila. Po na arrestojnë babain tonë pa asnjë arsye, duke na lënë edhe pa baba edhe pa bukën e gojës”. Kështu familja Mani përballonte fatkeqësitë të cilat ua krijonte sistemi pushtues serbosllav me sahanlëpirësit shqiptarë.

Rreth veprimtarisë atdhetare të z. Mani si dhe letrave të shkruara deri me tash foli z. Nexhat Rexha, prof. -kritik letrar:

“Veprimtaria atdhetare, por edhe ajo publicistike e letrare e z. Mani është e çmueshme dhe për admirim. Me padurim presim edhe daljen nga botimi edhe librin e tij në botim e sipër.”

Për gjyshin e saj foli edhe mbesa e tij Ermira, studente e drejtësisë, e cila, pos tjerash, tha:

“Unë gjyshin tim shumë e dua dhe e çmoj. Nga gjyshi unë mësova si duhet Atdheu, çka është Liria dhe si duhet me i shërbye Atdheut e popullit. Po nga gjyshi fitova shprehinë e leximit. Gjyshi më brumosi që të jem shpirtplasur, e dashur për njerëzit e mirë, por edhe ta urrej të keqën dhe padrejtësinë. Gjyshit dhe gjyshes ua uroj nga zemra Ditëlindjen e 75, duke ju dëshiru shëndet e jetë të rehatshme në pleqëri!”

Dhe krejt për fund, të falëminderit bacë Kadri, që na e dhurove një pasdite të këndshme dhe të paharrueshme për kohë të gjatë! Shëndet dhe lumturi në pleqëri!

Zemra Shqiptare, 20/06/2012