E premte, 29.03.2024, 08:41 AM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Dashuria e fshehtë e Garibaldit

E shtune, 05.04.2008, 09:38 AM


Xhusepe Garibaldi
Historia e një ndjenje që lidhi për dhjetë vjet rresht heroin italian me gruan e një deputeti britanik

Letrat drejtuar zonjës angleze që i rrëmbeu zemrën gjeneralit

Me shumë se heroi i dy botëve, ai ishte një qenie e gjallë: është ky Xhusepe Garibaldi, letrat e të cilit i publikojmë në këtë artikull. Një njeri me shije, kavalier, i sjellshëm dhe i zellshëm për t‘u pasionuar jo vetëm me revolucionet. Bëhet fjalë për letërkëmbimin që Garibaldi mbajti për më shumë se dhjetë vjet me zonjën e fisme, Meri Seli, gjatë qëndrimit të tij në Angli në vitin 1864. Një ngjarje mediatike e paprecedentë, shembulli i parë i një rasti publik, ndiqej hap pas hapi nga gazetat. Korrespondentë nga e gjithë bota rrëmuan dhe pasqyruan çdo aspekt publik të Garibaldit anglez. Por pjesë dhe histori nga jeta e tij private mund t‘i kuptojmë vetëm duke lexuar këto letra. Gjatë qëndrimit të tij në Britaninë e Madhe, Garibaldi pranoi ftesën e deputetit progresist, Çarls Seli, për të kaluar një jave në shtëpinë e tij në ishullin Uaijt. Dhe këtu lindi dashuria ndërmjet Garibaldit dhe gruas së Çarlsit, Meri. Gruaja fisnike u dashurua me Garibaldin dhe gjenerali dukej se ndiente të njëjtën gjë, duke alternuar konfidenca shumë personale me rrëfime të hidhura mbi ndërtimin e Italisë së bashkuar. Një marrëdhënie epistolare për të cilën, ashtu siç shihet edhe në letra, ishte në dijeni edhe bashkëshorti i Merit. Duket qartë që idetë progresiste nuk i kishte vetëm në Parlament, por edhe brenda mureve të shtëpisë.

Betohem, kam parë fantazmën e tij me petkun e kuq

Shkrimtari meksikano-spanjoll rrëfen mitin e dy botëve, famën e tij dhe rimat që xhaxhai i tij i recitonte kur ishte fëmijë...

Pako Injaço Taibo II

I parë nga larg, Garibaldi duhet të ngjajë totalisht ndryshe nga mënyra se si e shohin italianët. Për ne që nuk jemi të tillë, ai është një eko paksa e dobët dhe jo shumë e shpeshtë, por gjithmonë interesi dhe kurioziteti kanë qenë të mjaftueshëm për të studiuar dhe njohur atë. Bëj një kërkim ndër miq dhe mikesha, i cili më jep disa rezultate interesante:

Duhet të ketë një arsye që sheshi më interesant i qytetit të Meksikës mban emrin e tij? Sheshi ku qindra të pastrehë dhe të dehur qajnë për fatkeqësitë e tyre të dhimbshme.
Mjaftojnë vetëm panketa e tij e kuqe dhe këmishat e kuqe të vullnetarëve të tij që ai të jetë më simpatik, madje kam një simpati të madhe për të. Cilido që do të ngrejë në këmbë një ushtri fshatarësh të veshur me këmisha të kuqe, më pëlqen.
A ishte një halë në sy për Vatikanin? Edhe vetëm për këtë më pëlqen. Ajo çfarë vlerëson një personazh janë armiqtë e tij dhe Garibaldi kishte armiq të fortë: perandori, priftërinj, Papën...
Është italian, por ka pamjen e një meksikani (thënë nga një meksikane).
Duket argjentinas (thënë nga një adoleshent lindur në Meksikë nga prindër argjentinas).
Duket shumë italian (thënë nga një miku im shkrimtar).
Sekreti është stili. Garibaldi kishte stil. Ishte ai stili i fortë i popullit. Ajo elegancë me të cilën shihte rëndë autoritetet.
Gjëja që më pëlqen më shumë mua është kur ai ishte i moshuar, madje i plakur dhe hipi në karrocën e tij për të shkuar e luftuar me komunarët e Parisit.
Gjynah që kur shkoi në Amerikë, qëndroi në jug, sikur të kishte ardhur në Meksikë për të luftuar bashkë me liberalët kundër perandorisë së Maksimilianit. Por i vetmi Garibald që erdhi ishte një frikacak, madje erdhi pasi revolucioni kishte filluar. Një Garibald i dorës së dytë.
Ishte si Çe Gevara.
Askush nuk u përgjigj duke pyetur: "Kush Garibaldi?" ose "Garibaldi kush?". Dukej sikur bëhej fjalë për një person pak të njohur. Të gjithë më kanë pyetur nëse do të kishte qenë puna ime e ardhshme, libri im i ri. Më është dashur të përgjigjem se, edhe pse i kuptoja mirë dashuritë e tij, personazhi më qëndronte larg, edhe për mua ishte një eko e zbehtë.

Disa nga të intervistuarit më kanë kërkuar pamje, foto, vizatime të Garibaldit për t‘i bashkuar me fotot personale, të ngjitura me dashuri në derën e frigoriferit, pranë fotos së Çe Gevarës ose asaj të Emiliano Xapatës. Jam përgjigjur se do të mund të sillja vetëm pamje të fotografuara. Askush nuk qeshi me shakanë, janë mësuar tashmë.

Gjatë fëmijërisë, xhaxhai im më këndonte këngë të çuditshme antiklerikale që ia kishte mësuar gjyshja e tij. Ndër to, ishin këto vargje: "Cuando Garibaldi/ toca la corneta/ todos los soldados/

se suben la bragueta" (Kur Garibaldi/i bie bririt/të gjithë ushtarët/tërhiqen mbrapsht). Besoj se ka qenë një dëshmi e forcës së çuditshme të Garibaldit dhe njerëzve të tij. Akoma nuk e di se ku e kishte gjetur atë këngë. Ndër dashuritë dhe pasionet e mia janë edhe revolucionarët e brigadave ndërkombëtare në luftën civile spanjolle. Njerëz që luftonin pa pasur një vend për t‘u kthyer më vonë. Një herë pashë Garibaldin. Isha në Torino, sapo kisha mbërritur dhe isha tepër i lodhur. Rrugët ishin mbuluar nga mjegulla. Ndërmjet rrugës ku ndodhej restoranti në të cilin kishim drekuar dhe hotelit ku do të qëndronim, humba, edhe pse iu isha betuar miqve të mi se nuk do të kishte ndodhur diçka e tillë. Në fund të rrugës pashë disa drita dhe një panketë të kuqe. Mbante një kapelë tiroleze. Nuk duhej të ishte ai, por për një moment besova se ishte ai. Mos ma vini veshin, po të njëjtën natë, ndërsa kthehesha për në hotel, pashë edhe Nuvolarin. Nuk e kam treguar kurrë këtë histori.

Do të thonë se ne latino-amerikanët në Itali, shohim fantazma. Dhe me të drejtë. Por pse italianët nuk shohin?

Përgatiti Endrit Veleshnja

Kaprera, 19 mars 1866

Zonjë e sjellshme!

Këto ditë kemi provuar bukurinë e madhështisë, diçka e mrekullueshme. Shumë janë kujtimet e mia, aq sa për mos t‘ju harruar më kurrë, për mos të harruar një krijesë kaq të çmuar sa ç‘jeni ju. Një përshëndetje të ngrohtë për të gjithë familjarët nga i Juaji

Xh. Garibaldi

Kaprera, 13 qershor 1864

Zonja ime e dashur, Seli!

Letra juaj e këtij fillim muaji më bëri të ndihesha vërtet mirë. Pak subjekt i melankolisë, unë bëhem i qeshur duke ju kujtuar ju, mikja ime e shtrenjtë dhe ardhja e letrave tuaja për mua është një festë e vërtetë. Duke kujtuar se si mbështesnit krahun në një mënyrë engjëllore kur hipnit dhe zbrisnit shkallët, përkujdesja juaj ndaj meje në çdo moment dhe fytyra juaj që e mbaj gjithmonë të ngrirë në shpirtin tim, unë harroj çdo hidhërim dhe ndihem i lumtur. Të dashurit e mi bëhen një mijë herë më të dashur vetëm pse ju i keni përmendur dhe kjo vërteton zemrën tuaj të mirë. E gjithë familja ime ju përshëndet me dashuri. Përshëndeteni dhe ju tuajën. Ju dashuron me të gjithë qenien i Juaji për jetë.

Xh. Garibaldi

Kaprera, 26 shtator 1864

E dashur zonjë!

Në një xhep në krahun e majtë të këmishës time të kuqe, pra pranë zemrës, janë dy letra nën firmën e Merit dhe Çarls Sili, 2 dhe 3 korrik "Princes Gate". Më bien rastësisht në duar dhe mendova që t‘i bashkoja bashkë me të tjerat. Por ndiej shumë kënaqësi, përmend emra të dashur që nuk kam pasur mundësinë për t‘u kthyer përgjigje. Faleminderit për portretet e mikut tim të dashur dhe shpresoj se do të më bekoni duke më dërguar tuajin. Një përshëndetje nga zemra për të gjithë familjen. I Juaji përgjithmonë!

Xh. Garibaldi

Kam prerë këtë xhufkë flokësh nga koka e gjeneralit Garibaldi, në bibliotekën e "Brook House", në ishullin Uaijt, më datë 6 prill 1864

Kaprera, 16 tetor 1864

E dashur zonjë!

Opinioni im mbi çështjen romake mbështet faktin se do të zgjidhet vetëm ditën kur do të kemi burra në këtë qeveri. Por le të kalojmë në gjëra më interesante. Rrepat e "Brooke" po rriten në mënyrë të shkëlqyeshme! Dhe i shoh çdo mëngjes, me të njëjtën kënaqësi siç do të takoja një mik, duke e menduar veten me ëmbëlsi dhe dashuri në vendin e tyre të lindjes. Shumë lumturi Çarlsit dhe të gjithë familjes. I Juaji përgjithmonë!

Xh. Garibaldi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora