E merkure, 24.04.2024, 01:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhevat Muqaku: Kosova e kullave të heshtura erdhi së bashku me rrezet e diellit

E marte, 19.06.2012, 06:37 PM


Kosova e kullave të heshtura erdhi së bashku me rrezet e diellit

Nga Xhevat Muqaku

Me iniciativën e bashkatëdhetarit tonë me vendqëndrim në Böblingen të Gjermanisë dhe kontributin e disa të tjerëve, pjesmarrës të Promovimit të librave të poetëve mërgimtarë në Singen, të organizuar nga Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Gjermani, këto dit u botua libri me poezi "  Kosova e kullave të heshtura " i Poetes Flora Peci.

Më poshtë do të keni mundësi të lexoni pjesë nga parathënja, mendime kritike një vështrim të shkurtër për librin në fjalë dhe disa shënime tjera marrë nga libri.

Nga parathënja e librit: „Kosova e kullave të heshtura”, një kujtesë historike letrare

“Kosova e kullave të heshtura”, kështu e ka titulluar librin e saj të parë me poezi autorja nga Mitrovica, Flora Peci. Që nga titulli i librit, lexuesi parapërgatitet se në faqet e tij “Kosova e kullave të heshtura” rënkon dhimbja dhe shpirti i një gruaje, që ritualin e brengës për vendin e saj, nga mungesa e njerëzve më të dashur, si vëllai dhe babai, bashkëqytetarët e bashkëkombësit që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, i mblodhi si një buqetë me lulezemre, për t’i vendosur si kurorë poetike në vargjet e faqet e këtij libri interesant, si kujtesë historike letrare.

Autorja Flora Peci, me shqisat e një gruaje intelektuale, e një edukatoreje për gjeneratën e re në Mitrovicë, end këtë pëlhurë dhimbjeje poetike, duke apeluar, të mos harrojmë të djeshmen dhe të ndërtojmë të ardhmen e vendit tonë, duke ruajtur të shenjtë kulturën dhe trojet tona.

Shpirti poetik i autores Peci, rreket dhe prekë çdo detaj të realitetit, atë të sakrificës së popullit për pavarësinë e Kosovës dhe shqetësimin për incidentet e kohëve të fundit në Veri të Kosovës. Dhe këtë emocion, e prekim që në poezinë e parë të librit, “Boshësi”, ku lexojmë gjendjen shpirtërore të autores, në kërkim të dashurisë të vëllait të saj, Afrimit, i cili “Ka ik... ka ik me engjëjt lart.../Për liri e për vatan.” Dhe më pas, autorja deklaron  “Gjaku yt, sot është dritë lirie”.

90 poezitë e këtij libri, autorja i ka ndarë në 4 kapituj. I pari, i dedikohet të dashurve të saj familjar. I dyti, shtron pyetjen retorike poetike: “Si ta kuptoj këtë botë?!” ku më pas apelon: “Ju mallkojnë shpirtrat e tyre, të pafajshëm...” Në kapitullin e tretë, ulërit me forcën poetike dalë nga shpirti si ulërimë “Mos e prekni flamurin shqiptar!” se “Mitrovica frymon shqip”.

Në kapitullin e katërt, autorja nuk harron të jetë grua. Ajo në 63 lirika shfaq ndjesi femërore, mes dashurisë dhe zhgënjimeve. Flora Peci “Pret lindjen e diellit”, për tu ndjerë mirë me veten si poetikisht, ashtu dhe njerëzisht, shpërndanë prej “Xhamave të errësirës” humanizmin poetik dhe njerëzor, “Jetoje jetën o njeri!”. Duke rrëfyer sinqeritet poetik, shkruan: “dua të bëhem ëndrra më e bukur, /të pikturoj me penel portretin tënd dashuri, /të t’shijoj mbi diell, të madhen lumturi?

Tek tipet e këtyre katër kapitujve me poezi, autorja vargëzon në nivele të ndryshme estetike dhe strukturore. Gjithsesi, ajo ka një shqisë shumë të hollë që vëzhgon dhe qëmton brenda dhimbjes njerëzore, fenomene të ndryshme që janë prezent në shoqërinë tonë, madje edhe i bën apel poetik njerëzve të politikës që ta kthejnë vëmendjen nga problemet e vendit dhe bashkëqytetarëve të saj, por një vend të rëndësishëm i jep kujtesës historike, duke e ngritur si apel në botën letrare. Thjeshtësia e vargjeve i jep shtresa kuptimore librit “Kosova e kullave të heshtura”, ku autorja i këndon mallit, njerëzve të saj, atdheut, heronjve të lirisë, dhimbjes njerëzore, duke krijuar ligjërime emocionale të fuqishme tek lexuesi.( Redaktorja-Fatime Kulli)

"Vetë titulli i kësaj vepre (Kosova e kullave të heshtura), dëshmon se autorja ka prirje për letërsi

Fakti se që nga fjalët e para kushtuar vëllaut të saj të pavdekshëm e të paharruar, autorja përmend fjalën “shpirt”, është një fakt tjetër që dëshmon se Flora ka talent dhe prirje për të zbukuruar spektrin e kulturës sonë me vlera të veçanta. Në lëndën e saj të mbrujtur me një ndjeshmëri dhe atdhedashuri të rrallë, gjëmon historia shqiptare dhe dëgjohet zëri i martirëve të lirisë. Flora Peci, debuton me dinjitet dhe identitet. Ajo është një pendë e frymëzuar që mediton për vendin e vet dhe të afërmit e vet, gjithmonë duke kërkuar “pak qetësi” për shtëpinë e saj dhe shpirtin e saj, duke ëndërruar të mbjellë “gjethe dafine”, kudoqoftë dhe kurëdoqoftë, madje edhe mbi pullazin e shtëpisë. Neve s’na mbetet tjetër, veçse për te të shkruajmë pak e për merak, duke ia lënë lexuesit të drejtën t’i shijojë vargjet e kësaj poeteshe të re, të botës  sonë të lindur për liri, dashuri dhe atdhedashuri".(Baki Ymeri)

" Këto poezi mbresëlënëse nuk bënë të harrohen në asnjë mënyrë

Loti që kullon nga shpirti si një balsam i bie në shpirtrat e nënave që ua dhuruan fëmijët Atdheut e atdheu sot në mënyrë më brutale ua kthen shpinën. Ç‘do varg ka pikuar nga zemra e poetes. Ka kohë që nuk kam lexuar poezi të tilla që të ngërthejnë të tërin, të marrin me vete e nuk të lënë të qetë me orë të tëra.Kam lakmi besa edhe pak xhelozi për këto krijime të mrekullueshme nga një poete e re, por me taban njerëzor dhe patriotik". ( Adem Zaplluzha)

Jemi të një gjaku dhe të një nëne

" Derisa Flora Peci fillon të radhitë vargjet e saj, bazamenti dhe përmbledhja e saj e parë nis valëvitjen e flamurit, fluturimin majestetik të shqiponjës, zgjimin dhe gëzimin e Mic Sokolave që ndër shekuj ujitën- ushqyen tokën e tyre me gjakun dhe shpirtin, tundën e shkundën bjeshkët, fushat dhe ujërat në datëlindjen e Kosovës.

Edhe pse është e pranishme droja e arsyeshme, se toka dhe bota do të shembën fare, ngase errësira në masë të caktuar ka hyrë në brendinë njerëzore, megjithate autores së librit nuk i shkon mendja, nuk dëshiron të thyhet. Është e vetëdijshme se den- baba- den, terrin dhe robërinë e zbërthejnë në siluetë; përkrenarja e Gjergjit, urtësia e Ismajlit, kësulë e bardhë e Isës, përjetësi e Ademit... sofra shqiptare dhe balta e tokës sonë më e ëmbël se mjalta.

Dëshiron, // liqenit kthjelltësinë t'ia merr //  t'i ngjyros shpirtvrarët//. Lotët e syve do t'jua fshinte me vesën mëngjesore të mimozave të paqes, të lumturisë e të haresë, ombrellë në jetën tonë. Dhe at ditë kur të lulëzojnë lulet e saj të kujtimit, ajo do të lundroj në barkën e haresë. E flatrat që do t'ia falë shpresës, do të zgjohen me agimet e hershme të oqeanit të vrullshëm drejt shtegtimeve të reja në ujrat e qeta. Ndjehet e goditur në shpirtë për Besim Kabashin që në amshueshmëri shkoi i mbështjellur me flamurin e fitoreve.

Mërgimtares/ mërgimtarit të saj, në tokën e huaj i dhembin thembrat, i është krrusur rinia, bulevardet e bukura nuk e disponojnë, ka nevojë për kasollen, për nënloken dhe bukën të gatuar nga dorë e saj, për fyellin e bariut, për kopenë e deleve, për tokën e saj/ tij që çdo pëllëmbë ta shkelë dhe ta puthë.

Ju shkruan letër, rrjetës familjare dhe të miqëve në, dhe prej mërgimit: // së paku eshtrat mos mi leni këtu//m'i merrni të prehen pranë stërgjyshërve të mi//. Porositë në vazhdim miqët e fjalës së shkruar të mos i besojnë, ose të marrin me rezervë miqësitë e reja në FB.

Të ligut nuk i frigohet, fjala e tij e forcon, i takon shqiptarisë me fis. E pëlqen ëndrren, që herë shfaqet e bardhë e herë drithëron e zbetë...

Pyet hënën dhe nurin e saj përse sytë e saj janë gjithnjë në vaj? Mos vallë gaboi që i besoi dashurisë? Si ta kuptoi këtë botë me mijëra ngjyra e qindra fytyra, që së pari buzëqeshin e pastaj kafshojnë si nepërkë?! Përjeton, tokën e bekuar arbnore kur dhe si gjëmon, ushton, vajton, qanë për bijtë që s'i ka pran e të cilët i thërret pleqëria e babës, varri i nënës që të kthehen. Shpirtë i trazuar i poetes nuk e pëlqen; magjinë e dashurisë qe iku në vjeshtë, hijen që vjen e paftuar, që i helmon ditën e i trazon natën".(Xhevat Muqaku)

Për botimin e librit kontribuan: Luz dhe Prelë Berisha, Avni Begisholli, Rrustem Selca, Ajet Ismajli, Augustin Përgegaj, Besnik Hoxha, Xhevat Muqaku, Milazim Kajtazi, Enis Pllana, Sami Tahiraj, Azem Veliu, Nezir Halili dhe Muhamet Hoxhaj.

Redaktor të librit jan Fatime Kulli dhe Muhamet Hoxhaj.

Kopertinën e librit me Kullën e Isa Boletinit dhe pregaditjen për botim i realizoi Muhamet Hoxhaj- Administrator i portalit mjaft mirë të vizituar; Kosovarimedia si dhe i Radio Drijona.

Libri „Kosova e kullave të heshtura”, u botua në muajin qershorë të vitit 2012 në Shtypshkronjën “Fidani”, në Prizren.

Shënime për autoren e librit me poezi " Kosova e kullave të heshtura "

Flora Peci ka lindur në Mitrovicë. Ka kryer gjimnazin “Frang Bardhi” po në këtë qytet dhe më pas ka përfunduar Fakultetin Filozofik - Gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë. Aktualisht punon si mësimdhënëse në Mitrovicë. Është anëtare e Shoqatës së shkrimtarëve “Lumbardhi” në Mitrovicë. E adhuron poezinë dhe letërsinë për fëmijë. Shkruan poezi që kur ishte e vogël. Krijimet e saj jan botuar në gazeta të ndryshme për fëmijë dhe të rritur. shumë dorëshkrime iu dogjën në kohë të luftës. Është aktive në programe të ndryshme si dhe është bashkëpunëtore në shtëpinë e Kulturës në qytetin e Mitrovicës. Pasluftës ka kontribuar në programe të ndryshme kushtuar heronjve dhe martirëve të kombit, kryesisht ish pjesëmarrësve aktiv në Shalë të Bajgores, nga e ka edhe prejardhjen. Ky është libri i parë i autores Flora Peci

Lexuesit do të kënaqen me vargjet dhe lbrin e Flora Pecit.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora