Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Amerika kujton Viktimat e Komunizmit Botëror

| E marte, 19.06.2012, 09:32 PM |


AMERIKA KUJTON VIKTIMAT E KOMUNIZMIT BOTËROR

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi Fondacioni për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington zhvilloi një ceremoni me rastin e 5-vjetorit të ndërtimit të monumentit kushtuar viktimave të komunizmit anë e mbanë botës, e që është një kopje prej bronzi e statujës që studentët kinezë ngritën në Sheshin Tiananmen, pranverën e vitit 1989. Fondacioni i ka venë vetes për detyrë që të edukojë brezin e tanishëm dhe brezat e ardhëshëm mbi historinë, filozofinë dhe trashëgiminë e diktaturës komuniste anë e mbanë botës.

Kryetari i Fondacionit Lee Edwards pas një minutë heshtje, hapi ceremoninë vjetore për të kujtuar viktimat e komunizmit dhe sakrificat e tyre. Në ceremoni morën pjesë diplomatë të huaj, përfshirë për herë të parë edhe përfaqsues të ambasadës shqiptare në Uashington, organizata civile si Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shtëpia Shqiptaro-Amerikane e Lirisë dhe udhëheqës amerikanë, republikanë e demokratë dhe përfaqsues prej më shumë se një dyzinë vendesh ish-komuniste.  Në frymën e mirëkuptimit dhe të qytetërimit politik, fondacioni kishte ftuar si folës kryesor një republikan dhe një demokrat -- ish-sekretarin amerikan të mbrojtjes, zotin Donald Rumsfeld dhe zonjën Annette Lantosh, bashkshorten e ish-kongresistit demokrat Tom Lantosh nga Kalifornia.

Folësit theksuan traumat nepër të cilat kanë kaluar  dhe po kalojnë miliona njerëz anë e mbanë botës nën thundrën e diktaturës komuniste.   Zonja Lantosh foli rreth trashëgimisë së bashkshortit të saj si edhe për vështirsitë që familja e saj kishte ndeshur në Hungarinë komuniste.   Ajo theksoi se ''çdo njeri ka të drejtë të jetë i lirë dhe çdo njeri e ka për detyrë të mbrojë lirinë e të tjerëve.''  Ajo u kujtoi gjithashtu të pranishëmve se regjimet totalitare janë edhe sot një shqetësim serioz për të gjithë.

Ndër folësit e ditës ishte edhe Kryetari i Ligës Shqiptaro-Amerikane, ish-kongresisti me origjinë arbëreshe, Xho Dioguardi, i cili tha se Shqipëria duhet të pëballet me të kaluarën e saj komuniste dhe i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të ''sjellë demokraci të vërtetë në Shqipëri duke u kërkuar zyrtarisht falje viktimave të komunizmit dhe familjeve të tyre, duke ngritur një komision të së vërtetës dhe të pajtimit, duke hapur arkivat komuniste, ashtuqë të fillojë një proces i cili do të shërojë plagët dhe do të rivendosë besimin tek qeveria dhe udhëheqsit e saj.''  Mohimi i së kaluarës komuniste shqiptare, tha Dio Guardi, nuk ka sjellur as drejtësi as shërim të plagëve, por mund të thuhet se ka vazhduar vuajtjet e tyre.

Fondacioni për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit i akordoi këtë vit, ish-Ministrit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, ''Medaljen Truman-Reagan të Lirisë'', që mban natyrisht emërin e dy ish-presidentëve amerikanë, Harry Truman e Ronald Reagan -- njëri demokrat e tjetëri republikan-- e që ishin të njohur për anti-komunizmin e tyre gjatë luftës së ftohët.  Medalja e Lirisë i akordohet çdo vit një personi i cili gjatë jetës e karjerës së tij ka dalluar vetën me vepra në favor të lirisë dhe kundër komunizmit e tiranisë.   Fituesit e mëoparshëm të kësaj medalje kanë qenë ish-Konresmeni Tom Lantosh, Lek Walesa, Vaclav Havel, Elena Bonner, Papa Gjon Pali i Dytë, William Buckley, senatorët Henry Jackson, Jesse Helsm, Joseph Lieberman dhe nën-kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve në Kongres, Steny Hoyer.  Zoti Rumsfeld, në kapacitetin e fituesit të medaljes së Lirisë këtë vit, foli mbi rëndësinë e përkujtimit të viktimave të komunizmit si edhe të sakrificave të tyre dhe u kërkoi të pranishëmve që të mos harrojnë të gjithë ata që anë e mbanë botës jetojnë gjithnjë nën thundrën e regjimeve totalitare.

''Ne nuk do t'i harrojmë viktimat e komunizmit dhe as sakrificat e tyre'', tha Zoti Rumsfeld. Duke folur para monumentit pranë Kongresit amerikan, dedikuar viktimave të komunizmit, Zoti Rumsfeld vazhdoi duke thënë se komunizmi ishte përgjegjës, më shumë se çdo lëvizje tjetër në historinë e njerëzimit, për vrasjet e miliona njerëzve, dhe shtoi se ''ne nuk duhet të harrojmë se gjithnjë miliona njerëz anë e mbanë botës jetojnë nën thundrën e tiranisë dhe presin prej nesh e shikojnë tek ne për t'i ndihmuar ata. Shpresoj që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë gjithmonë si një pishtar drite për botën, dhe lutem që të kemi udhëheqës që e kuptojnë këtë gjë.''

Duke folur, pasi mori Medaljen e Lirisë ''Truman-Reagan'' nga Fondacioni për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, ish-sekretari amerikan i mbrojtjes, Rumsfeld tha se ''toka dhe të gjitha vendet e botës e shohin se shtetet ku populli gëzon një sistem të lirë politik dhe ekonomik, në ato vende populli jeton më mirë se në vendet ku nuk mbizotëron liria.'' Duke iu përgjigjur pyetjes nga korrespondenti Beqir Sina i gazetës Bota Sot në lidhje me ish-regjimin komunist në Shqipëri, Zoti Rumsfeld u përgjigj: " Unë kam qenë për një kohë të gjatë në shumë prej këtyre vendeve komuniste, kur kam shërbyer si ambasador për NATO-n gjatë viteve 1970. Mbaj mend që ato regjime ishin të forta, të egër, dhe të vendosur që të përjetësonin veten në ideologjinë e tyre.  Shqiptarët, tha ai, kanë një dëshirë të zjarrtë e të natyrshme për të qenë të lirë.   Ne kemi parë në të gjithë botën, të gjitha regjimet komuniste se si kanë rënë një nga një dhe njerëzit arritën të gjejnë mënyra për të jetuar në sistemet e lira demokratike, sistemet e lira politike dhe sistemet e lira ekonomike në dobi të tyre, përfshirë Shqipërinë".

Folës të tjerë  theksuan përpjekjet e vazhdueshme sot të aktivistëve të të drejtave të njeriut kundër shtypjeve dhe mohimit të lirisë anë e mbanë botës, përfshirë  Kinën komuniste, ndër të tjerë edhe fatin e disidentit të vërbër kinez Chen Guanchen, i cili kohët e fundit u detyrua të largohej nga Kina për në Shtetet e Bashkuara, për veprimtaritë e tij pro-demokratike.  U fol gjithashtu edhe për humbjen e mijëra vjetnamezëve të cilët u fundosën gjatë përpjekjeve  për tu arratisur nga Vjetnami i jugut nepërmjet detit, pas   brutalitetit që ndërmorën kundër popullsisë civile, komunistët vjetnamezë kur morën kontrollin e Vjetnamit të Jugut në fillim të 1970-ave.

Dedikimi i përmendores në kujtim të më shumë se 100-milionë viktimave të komunizmit anë e mbanë botës më 12 Qershor 2007 ishte një date e rëndësishme pasi është e njëjta ditë kur Presidenti Reagan mbajti fjalimin e tij me 12 Qershor 1987 para portës Banderburg të Berlinit, duke u kërkuar komunistëve shëmbjen e Murit të Berlinit.

Ish presidenti George Bush, i cili pat mbajtur fjalim me rastin e dedikimit të përmendores më 2007 kushtuar viktimave të komunizmit, tha se ishte me vend që kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara, Washingtoni të kishte një memorial që të shërbejë si ndërgjegje e botës ndaj më shumë se 100-miliona njerëzve të vrarë nga komunistët anë e mbanë botës.

Bota gjithnjë mbanë mend emërat e diktatorëve komunistë, si Lenini, Stalini, Ho Chi Min, Mao Tse Tung, Enver Hoxha e Pol Pot, e shumë të tjerëve,  por fatkeqsisht hollësitë dhe trashëgimia kriminale e këtyre despotëve po zhduket dal nga dalë dhe me qëllim.  Megjithëse në shumë vende ish-komuniste  nuk ka ndonjë ditë zyrtare për të kujtuar viktimat e komunizmit, është me vend që  njëherë në vit të mblidhen përfaqsues nga e gjithë bota për të kujtuar viktimat e komunizmit ndërkombëtar dhe sakrificat  e tyre ekzaktërisht në Washington, kryeqytetin e vendit që luftoi dhe më në fund fitoi luftën kundër komunizmit botëror.