E enjte, 28.03.2024, 11:15 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Prostestë e vargut për atdheun si hartë ''arnuar'' dhimbshëm

E hene, 18.06.2012, 06:13 PM


PROTESTË E VARGUT PËR ATDHEUN SI HARTË E “ARNUAR” DHIMBSHËM

(Idriz Berisha: “Bindi i dheut”-poezi, botoi Klubi i Shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë-2012)

Nga Sejdi BERISHA

Se piktura bindshëm korrespondon me poezinë, se bashkërisht janë faktorë të ndijimit të veçantë shpirtëror, dëshmojnë shumë mendime e studime të mirëfillta letrare, nga arti pamor por edhe nga fusha e filozofisë së mendjes. Këtë mbështjellës të zjarrmisë shpirtërore, të mendimit gjithnjë të pambaruar për fenomenet e jetës dhe të rrugëtimit krijues e të ngrohtësisë së pareshtur, e dëshmon edhe piktori i mirënjohur, e tash edhe poeti, Idriz Berisha, i cili, opinionin dhe miqtë e vetë i befason me librin e tij të parë me poezi të imponuar nga shpirti, “Bindi i dheut”.

Poezia nuk lejon që njeriu të bëhet roje fantazmash dhe as tym i vatrës së fikur

Po që se kemi parasysh begatinë, opusin e gjerë dhe temperamentin e tij krijues në fushën e artit pamor, nuk e kemi edhe aq vështirë ta përqafojmë dhe të mishërohemi me vargun poetik të tij, i cili, edhe këtu e gjithë ditën mëton të trokasë në zemrën e shpirtin e secilit dhe të lë gjurmë ashtu siç e ka sforcuar rrugëtimin në artin figurativ dhe në fuqinë e skenës të artit dramatik me të cilat veçori frymon dhe flet dëlirshëm, lirshëm dhe me gjuhën e vetë. Këto tri elemente, autorit i japin atë ngjyrën e refleksionit shpirtëror dhe krijues, të cilin jo rrallë, nga etja, nuk arrin dot ta shpjegojë të tërin me gojë dhe me fjalën e ëmbël të tij.

Pikërisht, për këtë arsye, me poezi e sforcon qëndresën e vetë dhe të njeriut, ose, atë e bën jehonë e mesazh, e cila përkujton të kaluarën historike por edhe imponon detyrimin e analizës së rrjedhës me shkrumb e me shkumbëverdhe të njeriut, për ta kapur “lulen e ndaluar”, për ta bërë për vete aromën e saj si të jetës, që shpeshherë është e cunguar, e trembur dhe e sertëllisur pa dëshirën as të njeriut, por as të poetit. Por, në të njëjtën kohë, përmes vargut na përkujton vazhdimësinë për realizimin e ëndrrave, të atyre që njerëzve ua kanë zgavruar mendimin: “Sonte as kurrë më, o miqtë e mi/S’do jem roje e fantazmave/As tym i vatrës së fikur”.

Poeti, sikur e ka më lehtë të krijojë peizazhe poezie të strukturuar me rrugëtimin të cilin e vendos edhe në horizont, sepse, pranë e ka forcën e ngjyrës aq të fuqishme të pikturës, kurse vargu dhe poezia i hapin rrugë për të hulumtuar të kaluarën si material arkeologjik, peshën e të cilit ia atribuon lumturisë të së ardhmes, sepse, ndonjëherë, edhe duke i numëruar “ditët e jetës në kalendar” dhe për t’i rrëfyer ëndrrat, të cilat, edhe pse ai i konsideron të gjata dhe të llahtarshme, i përmbyll me rrezet e diellit. Për këtë arsye, nëse kuptohet drejtë, vargu “Edhe natën e bëjmë ditë çdo ditë”, duket si tingëllimë fondamentale dhe e përmjaltur me dufin shpirtëror.

Duke mos e përfillur sinonimin dhe as “meselenë” e portës, për të cilën kanë kënduar e kanë vargëzuar, e këtë gjë do ta bëjnë edhe tash shkrimtarë dhe poetë, piktorë që kanë pikturuar dhe i kanë “djegur” ngjyrat për portën dhe për namin e saj, autori i këtij libri, me pak vargje sikur krijon histori e legjendë: “...Aty takohemi si në balada/O, miku im i vatrës-aty jam/Jo si n’gurvarr e as n’epitaf/e as në legjenda si dikur/Tok bëjmë derte e qajmë halle/Për dasmat e pafundme sivjet”.

Përmes vargut, fati i kombit dhe jeta shndërrohen në mos harresë...

Poeti është “naks”. Ai, vëren dhe sheh gjithçka që i dhemb, e më së shumti i përjeton dhe i dhembin plagët e njeriut, fati i njeriut, i cili, dorën në zemër, është i çuditshëm, i paparashikuar sa që të lë përshtypjen se paska qenë i shartuar me pamëshirën, e cila mund të “përbirohet” në trung, përkundër rrënjëve të shëndosha e të qëndrueshme dhe kurorës së dëlirtë e të sinqertë që merr krahë kah e bukura dhe e lumtura, kah e njerëzishmja. Pra, ka shumë faktorë që e kanë rënduar dhe e kanë “zezuar” të kaluarën nëpër periudha, siç është edhe mërgimi i ngjyrosur me shëmtinë e shfarosjes, me tharmin e shkretërimit dhe të poshtërimit. Për këtë arsye, edhe autorit sikur i rri si gur rreth qafe, por edhe mbi supe lëvizja pa itinerar e njeriut të vendlindjes, të atdheut, që pastaj të gjitha këto “dhunojnë” e detyrojnë shpërthimin e idhcës së durimit dhe të urtisë, sepse: “Dikur fshiva lotin e pikëllimit t’vetmisë/Sa krushqit dasmorë u nisen drejtë lindjes/Se perëndimi ish larg, sa largësitë e mallit/Për ty e për të tjerët mërgimtarë/S’pata kënd ta lë dëshmitar;”!

Kurse luftërat e pafund, si kjo e fundit në Kosovë, janë histori në vete me shumë kaptina, me shumë tablo historie të cilat krijojnë rrugë e ngjarje unike, që për fat të mirë edhe i përballon njeriu: “Koha numëron pika vese pranverore/Dhe lindjet e diellit buzë mali n’agim/Si lindjet e nënave prrojeve e maleve/Si kokrra misri që shpëtojnë jetë njerëzish/Vijnë si dasmorë kolonat e pafund/Me qepalla t’rënduar e hapa plumb...”.

Edhe këto vargje tani i takojmë si binjakë të përqafuar e të pandarë-poezinë e pikturën, të cilat shkrihen në një begati rrëfimi me ngjyra piktori e me vargje si pika loti e zë, për jetën aq të “shëmtuar”, të dhembshme por madhështore. Dhe, në këto vargje e vërehet obelisku i qëndresës, dhe deri diku edhe fati i kombit që jetën e shndërron në mos harresë.

Të kësaj natyre e zjarrmie shpirti tingëllojnë si kambanë zemërimi, mospajtimi, por edhe paqeje e dashurie në të njëjtën kohë, edhe shumë poezi, si ajo “Fjalë zemre”, Dritë mbi të bardhen”, “Udhë dheu”, “Vendi im”, “Dashuri e vrarë” e kështu me radhë. Që do të thotë, se njeriu i këtij nënqielli kurrë dhe asnjëherë nuk ishte as pushtues, as gllabërues, as nënshtrues dhe as okupues, por njeri që dot nuk e lëshon nga vetvetja madhështinë, atdhedashurinë, lirinë por edhe respektin e dashurinë ndaj njeriut.

Për këtë arsye, poeti e shpërndanë këngën si polen në tokë e në qiell “...O, vendi im i harlisur/Të kanë hije bjeshkët e larta e të bardha/...Je yll, dritëhënë e nusebardhë/Ti dashuria ime e gurtë si kala/Si besa e dhënë konstantinçe/Si lule e gdhendur amshimi/Më je si këngë a simfoni Bethoveni/Jare shkodrane/Saze Ohri e polifoni Vlore/Je si hije molle që kohën tregon/Ke emër guri si fjala fjalë”.

Fuqia e përbashkët e mesazhit poetik dhe e penelit të piktorit

Poeti ka dëshirë dhe ia arrin që në varg ta përjetësojë frymën gjithëkombëtare, gjithnjë me madhështinë e shpirtit, i cili di të këndojë edhe kur është më së vështiri, edhe kur është më së rëndi, edhe atëherë kur loti e shpon tokën e gurin për ta gjetur peshën e gjakut, bukurinë e stinëve, ashtu siç di e vepron edhe piktori me pikturën plotë dashuri e ngrohtësi, edhe atëherë kur syrit i rëndohet qepalla nga etja, të cilën ia shkakton koha e njeriu.  Pra, pikërisht kjo, autorin e bën këmbëngulës në punën e tij: “Krijova imazhe me ngjyrë pikëllimi/Me brushë piktori e varg poeti/Mbjella e korra zjarr dashurie/Se kështu të dua si lindjen e parë/O, vendi im”!

E kaluara, tradita dhe madhështia e nderit dhe e ndërgjegjes e stërgjyshërve, e cila është përcjellë dhe përcjellët nëpër periudha historike, e nëpër këto kohëra me plotë hidhërime, sakrifica, tragjedi, por edhe me krenari, mburrje mbase edhe nganjëherë me urrejtje, janë sublima më interesante e jetës dhe e kohës, që ndonjëherë i ngjanë rebusit, në labirintet e të cilit, njeriu pandërprerë sorollatet për ta gjetur rrugëdaljen e pastaj për të treguar dhe për të rrëfyer për brendinë e këtij kapërthurësi të rrugëve, i cili, pastaj vetë tregon edhe pa gojën e asnjë njeriut. Andaj, gjurmët e së kaluarës, poeti i konsideron edhe beden dhe dritë të pashuar të periudhave që mund të ikën por edhe që mund t’i mbulojë gjethi i vjeshtës dhe pluhuri i harresës. Por, këtë nuk e lejon poeti: “Kthehem ku ishim te lindja/Te oxhaku i oxhakut tonë/Sepse kudo ka kulla në këtë tokë/Ka dyer, dyer e harqe e frëngji gurësh/Ka ëndrra të pa treguara që zgjasin e zgjasin/Si udhët tona mësipërmes atdheut”!

Brenda këtij libri, vargjet e poetit reflektojnë nostalgji dhe mallin për vendlindjen, që janë shprehje dhe vule shpirti e peizazhit përrallor të vatrës ku zë fill fryma e parë, fjala e parë, pika e parë e qumështit të nënës dhe ngrohtësia e dorës së babait sipër floçkave të buta të foshnjës, ku zë rrënjë shkronja e parë... Të gjitha këto janë edhe një prej shtyllave të karakterit të pa rrënuar të poetit, segment ky që është shprehje edhe e njeriut përgjithësisht: “...Plepat e mi shtatlartë t’vendit tim/Roje kujtimesh e vitesh t’rinisë/Ruajeni qetësinë e pulëbardhave n’agim/E dua lartësinë tuaj, o plepat e mi”!

Duke shëtitur me zemërim por edhe me qetësi nëpër zjarrminë e vargjeve të kësaj vepre, pothuaj se kudo e hasim edhe jetën e vetë autorit, por në situata e rrethana të ndryshme, të cilat, padyshim se shprehin karakterin dhe temperamentin stabil të tij por të pa rehatuar në asnjë moment. Sepse, fjala vjen, nëpër krajatat dhe ravijëzimet poetike, në mes tjerash e hasim edhe “letërnjoftimin” e shumë qyteteve dhe të vendbanimeve të lashta, kurse Kosovën si “hartë e arnuar dhimbshëm”!

Të gjitha këto ia shtojnë vlerën kësaj vepre, sepse, këndimi i qëndrueshëm dhe i përjetuar thellë, ka emër, ka kohë, ka shikim e dashuri, por ka edhe gjëra që prekën si vesa e mëngjesit, të cilën më vonë s’mund ta hasësh dot. Kjo, ngase nganjëherë, nga etja dhe dashuria e madhe, euforia zë hapësirë më të madhe se që e meriton pikërisht në “Agun e Ri”.

Poeti, edhe sot e kësaj dite gjithnjë mëson se si duhet prekur diellin përcëllues, mëson për kujtimet që mund të të rrëmbejnë. Kjo shprehet në shumë poezi, të cilat, po ashtu përshkohen me trakullimën e kohës, e cila kohë, si gjithkujt po i ikën poetit, e të cilën së paku në mos mund ta “kullandrisë”, atëherë të shënojë e të këndoj: “T’ruaj peizazhin tim rinor/T’mos qaj nga malli e t’shkruaj poezi...”.

Në librin “Bindi i dheut” të Idriz Berishës, autori është shndërruar në shëtitës të kohërave dhe në lypës të gjërave të cilat nuk duhet lëshuar nga dora as shlyer nga historia, është shndërruar edhe në ditar njeriu mbase edhe në pasqyrë kohërash, të cilat gjëra e bezdisin për gjithçka, edhe ato të cilat as arkeologjia nuk i ka bërë ndonjëherë deri me tash dritare drite. Për atë, autori edhe thotë: “...Më ndjek kudo një eh”! Andaj, ftesat për ekspozitë, shumë foto, duar të zgjatura tek grilat dhe rrugët e jetës, janë pjesë e vargut, pjesë e ecjes me “litar t’zgjatur nëpër këmbë”, pjesë e ecjes me ballë lartë dhe krenar të cilat poeti i ka “sermie” shpirti që me fanatizëm i “ruan” në muzeun e vetvetes dhe të unit të tij.

Pra, edhe Bindi si figurë e qëlluar metaforike mbase edhe mitike, autorit i ka shërbyer arsyeshëm dhe pëlqyeshëm për të “vepruar” dhe për të veçuar gjithçka që është e mirë, por duke sjellë edhe gjëra të tjera që mund të shërbejnë si shembull për qortim dhe ndërgjegjësim, por edhe për begatim mendjeje e arsyeje që botën e rregullojnë si kopsht me lule, e që aty ka edhe diçka që therë e ndoshta nuk u ngjanë në gjembave...! Për këtë arsye, poeti me ndijim të lartë ligjëron: “O, këngë të moçme, o kështjellë e gurtë/O, varg poeti e penelat piktori/Më merrni në gji se edhe vdekja është art/Atje ku dielli lind shqip/shqip le të perëndojë”!

Kujtoj se libri me poezi “Bindi i dheut” i Idriz Berishës është produkt i pjekurisë artistike dhe i intelektit krijues që rezulton edhe me vargje dhe me poezi që begatojnë vlerat letrare por edhe ato shpirtërore dhe kulturore kombëtare.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora