E premte, 19.04.2024, 09:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Elvin Luku: Intervistë me Prof. Artan Fugën

E hene, 18.06.2012, 07:07 PM


VUAJARIZMI, PRIVATËSIA DHE TRANSPARENCA

Intervistë me Prof. Artan Fugën

Profesor Fuga, le ta fillojmë intervistën nga termi “vuajarizëm”. Ç’mendim ju ngacmon?

Vuajarizmi ka të bëjë me natyrën e njeriut. Vuajarzëm do të thotë dëshirë për të parë, akses për të parë, madje, shumë më tepër: pasion për të parë, obsesion për të parë, i cili tek shumëkush, shpeshherë, kapërcen të gjitha kënaqësitë e tjera. Kënaqësinë për të parë e ka çdo njeri normal: për të parë një ngjyrë të bukur, një peisazh të bukur, një njeri që e konsideron të bukur, një vepër arti, sepse estetika e syrit është një nga misteret e qënies njerëzore. Mirëpo, sipas psikoanalizës dhe psikopatologjisë analitike, tek vuajaristi kënaqësia për të parë diçka, kthehet në një lloj sëmundjeje, një lloj traume apo simptome, një sjellje që konsiderohet devijante ose e “sëmurë”.

Për raportin midis kapaciteteve njerëzore për të ngrënë, për të parë, për të prekur, por edhe vokacioneve njerëzore për të kënduar, për të folur, për të lexuar, për të njohur, i referohem një mendimtari të madh të shekujve më parë, njërit nga etërit e kishës, Shën Agustinit, i cili thotë se, shpeshherë, marrëdhëniet mes njerëzve transformohen. Njeriu transformon mjetin në qëllim dhe qëllimin në mjet. Në ç’kuptim? Ai vazhdon dhe thotë se, që njeriu të hajë është normale, është një gjëndje ku nuk ka asnjë mëkat, por në momentin kur njeriu jeton për të ngrënë, nevoja e të ngrënit kthehet nga një instrumet për të jetuar, në qëllimin e jetës. Pikërisht këtu fillon mëkati, sëmundja. Dhe njeriu mund të vdesi duke ngrënë, se nuk përmbahet.

Niçja, diku thotë se, nëse një qen ha aq sa për tu ngopur dhe kur ngopet ndalon, një njeri mund të hajë derisa të vdesë. E njëjta gjë me shikimin. Të parët është një mënyrë që njeriu të orjentohet në jetë. Pra, është një instrument. Në momentin kur njeriu jeton për të parë, pikërisht, atëherë fillon simptoma psiko-patologjike, fillon vuajarizmi.

Ka edhe një element të dytë. Vuajarizmi, lidhet, të paktën, me tre karakteristika kryesore: E para, të shohësh atë që morali e ndalon ta shohësh, pra të kapërcesh tabunë. Është një kënaqësi e madhe. Behet fjalë për tabunë morale. Fëmijët p.sh. në moshën e pubertetit dhe në moshën e adoleshencës, kanë një dëshirë për të parë atë që ia ndalojnë për ta parë. Është një sjellje e zakonshme te fëmijët të shohin nga vrima e çelësit. Për çfarë arësye? Është misteri. Çfarë ndodh përtej asaj që mua më vënë pengesë për të parë? Të shohësh nuditetin e qënies njerëzore, të shohësh lakuriqësinë, të shohësh një gjë që është moralisht e ndaluar.

E dyta, vështrimi në formën e vuajarizmit, do të thotë që nëpërmjet të parit të dikujt, vështrimi të lejon që të identifikohesh me atë njeri. Të identifikohesh me aktorët që je duke parë dhe me aktorët që janë në kryerjen e një aksioni. Berkli thotë që, te njeriu ndodh “infektimi” i shqisave, që do të thotë se me anë të syrit ndodh që të marrë kënaqësi i gjithë trupi. Ka njerëz të obseduar, vuajarist për të parë filma pornografikë, ose për të ndjekur dhe për të gjetur mundësi për të parë njerëz të tjerë në një marrëdhënie seksuale të nxehtë. Pra, ndodh procesi i identifikimit.

E treta dhe më dramatikja, ndodh kur, shpeshherë, njeriu, duke parë skena të dhimbshme, katastrofike, merr kënaqësi. Ky është misteri i qënies njerëzore, filozofikisht.

Nga  pikëpamja psikoanalitike, e antropologjisë: të gëzohesh kur sheh skena të tmerrshme.

Ka një poemë në kulturën greko-romake ku autori thotë: sa bukur është të shohësh, kur je në breg, një anije që mbytet. Për çfarë arësye? Gëzohesh që ti nuk je atje. Një përzjerje e dhimbjes për atë që e pëson katastrofën, e mpleksur me një kënaqësi. E keni parasysh kur ndodh një aksident se si mblidhen njerëzit për të parë? Policia thotë: “Kaloni, s’ka asgjë për  të parë!”, e megjithatë, turma mblidhet për të parë katastrofën sepse merr gëzim, një gëzim të çuditshëm, misterioz.

Fatos Klosi, pas kembënguljes së dikujt që e quante disi të çuditshme si një shkencëtar, fizikan pranonte detyrën e kryetarit të SHIK, në një bisedë ka thënë: “Kam dëshirë dhe dua të arrij që njerëzit të mos përgjohen, sepse është krejt tjetër detyra e këtij institucioni në demokraci.” Cili është mendimi juaj për këtë?

Nuk e di se kur dhe në ç’kontekst e ka thënë. Në imazhin tim zoti Klosi është një koleg, një profesor, një njeri me integritet. Mua më duket e natyrshme ajo që është thënë. Kjo, sepse, përgjithësisht, midis intelektualit dhe shërbimit civil, nënpunësisë, sidomos në këto detyra pak delikate dhe që kanë të bëjnë me ruajtjen e të drejtave të individit, intelektuali ndodhet keq. Një intelektual e ka brejtje të bëhet polic, sepse, intelektuali është liria, mirëkuptimi i tjetrit, është falja e tjetrit, është kuptimi i vesit; kurse një polic është bindja e tjetrit, përpjekja për ta eleminuar, pra, nuk ka këtë detyrë. Një polic i policisë rrugore nuk ka kohë të bindi tjetrin, nuk ka kohë të falë tjetrin, nuk ka kohë të kuptoj tjetrin. Ai të ndalon, vë gjobën dhe vazhdon punën e tij; intelektuali ndodhet keq në këto raste.

Më kujtohet një këshilltar për sigurinë, një njeri i madh, Henry Kissinger, që, kur e pyetën  si këshilltar, e si njeri që bën politikë, se, pse nuk bëhej ministër, sekretar shteti i mbrojtjes (bëhet fjalë kur SHBA-të ishin në luftë në Vietnam), ai tha se unë mund të shpjegojë një marrëdhënie gjeo-politike, por unë nuk mundem dot që të marrë vendimin për të bombarduar, sepse nuk e kam këtë kapacitet moral. Duhet dikush tjetër që ta ketë këtë kapacitet, jo vetëm ta kuptojë se duhet bombarduar, por edhe ta kaloj në akt, – unë s’e bëj dot.

Gjykoj që intelektuali në atë rast, ka qënë në këtë situatë, dhe, sigurisht, intelektuali e ka  tendencën për të zbutur survejimin e qytetarit. Kam parasysh faktin që, marrëdhënia mes SHIK-ut dhe qytetarit ishte shumë e tensionuar dhe ekzistonte një llojë frike kolektive ndaj Shërbimit Informativ Kombëtar, që, në fakt, duhet të jetë e kundërta. Këto organizma dhe vetë shteti, duhet të bëjnë që edhe të ushtrojnë detyrën për të mbrojtur kombin, rendin, por duhet ta bëjë dhe në atë mënyrë që qytetari, jo të ketë frikë nga shteti i tij, por të jetë solidar me shtetin e tij. Kemi rastin amerikan, mbas sulmit terrorist, ku ata gjejnë solidaritet me shtetin për të mbrojtur rendin vlerat e demokracisë, për të mbrojtur botën nga akte të shëmtuara terroriste.

Nuk është detyra e SHIK-ut të survejojë qytetarin. Ka të drejtë zoti Klosi që e ka thënë këtë gjë. Këtë e bën vetëm intelektuali.

Shpesh, në kohën e sotme, shkaqet per survejimin gjenden gjithmonë në mentalitetin dhe praktikat e shtetit totalitar komunist. Por, siç dihet mbretërit, perandorët dhe të gjithë sundimtarët kanë patur “debulesë” për shërbimet sekrete. (Spiuni i famshëm i perandorit Napolon). Ç’mendim keni ju për këtë rast?

Për mendimin tim, duhet të ndahen në tre nivele. Jam shumë dakord me atë që thoni ju, se survejimi, sidomos në periudhën e totalitarizmit, ka marrë përmasa të tjera. Më kujtohet romani “Dosja H” e shkrimtarit Ismail Kadare. Ai e ka ngritur në art, në një metaforë të jashtëzakonshme përpjekjen e monarkisë, që nëpërmjet survejuesit, i cili vë në funksionim veshin dhe syrin për të vëzhguar dy të huaj të cilët janë vënë nën kontroll, pasi gjykohen si agjentë.

Çfarë është ky Dull Baxhaja, ky që hypën në çati dhe shikon e dëgjon?

Ai në rradhë të parë zbaton një urdhër, është një funksionar. Pavarësisht kontekstit ku e vë shkrimtari, në botën e sotme, survejimi dhe vëzhgimi me kamera, në kushtet e sofistikimit të teknologjisë, komunikimit dhe informimit, është  shumë i gjeneralizuar. Hyn në një dyqan, je i survejuar; hyn në një bankë, je i survejuar; hyn në aeroport, je i survejuar. Eksese mund të ketë, por shpesh herë ky lloj survejimi, në kushtet kur ka të bëjë strikt me ruajtjen e rendit publik, me ruajtjen e interesave kombëtare dhe me ruajtjen e jetës së individit, personalisht e gjykoj të pranueshëm. Ka rrugë në kryeqytetet evropiane që janë të gjitha të survejuara. Janë qytete me miliona banorë që nuk mund të administrohen, nga pikëpamja e rendit publik, veçse në këtë mënyrë. Ato mbrojnë qytetarin nga vjedhja, nga agresioni, mbrojnë të mirën e përbashkët publike. Këtu, kushtet e qytetarit përmirësohen nëpërmjet nje survejimi që ka për qëllim ruajtjen e jetës qytetare, sigurisht, të ndërtuar mbi bazën e disa normave të aprovuara në mënyrë demokratike.

Por, Dull Baxhaja, personazhi i romanit të Ismail Kadaresë, gjatë përgjimit i kalon kompetencat e veta dhe ndërton një raport, një raportim që nuk është real, dhe ngaqë nuk është real është krejtësisht fallco. Pra, kur aktualisht survejimi, informacioni që merret mbi qytetarin, përdoret në dëm të interesave qytetare, të të drejtave të tyre, apo kur ky survejimi u bëhet kundërshtarëve politikë, jemi në një terren tepër të rrezikshëm; antidemokratik.

E fundit, Dull Baxhaja, te “Dosja H” e Ismail Kadaresë, përmes survejimit merr kënaqësitë e veta personale. Po ta kthejmë në jetën reale, kjo do të thotë që, shpeshherë, organet e specializuara, me praktikat po i quajmë “vuajariste” të marrjes së informacionit, mund të bëjnë që, nga pasioni në ushtrimin e profesionit të tyre të kapërcejë limitet për të hyrë në atë që quhet, jeta individuale dhe hapësira individuale e njeriut, hapësirën intime. Por kjo mund të ndodhë edhe midis kolegësh, në një qendër tregtare, ku kamerat nuk përdoren për të parë grabitjen ose vjedhjen, por për të hyrë në kabinën e zhveshjes duke cënuar intimitetin e jetës njerëzore.

Në botën perëndimore, nëse një gazetë apo revistë ndjek, fotografon, apo filmon një politikan ose një personalitet në jetën e tij individuale, do të marrë gjoba shumë të rënda. Këtu përsëri ka një kontradiktë: nga njëra anë media kërkon të bëjë transparencën për publikun, nga ana tjetër, kuadri juridik kërkon që çdo person të jetë i mbrojtur në jetën e tij individuale dhe intime. Kufijtë këtu janë shumë të lëvizshëm, shpeshherë, kontradiktorë.

Nuk besoj se ka një model perfekt dhe gjithnjë është një tension midis aktorëve: Media, shërbimet e fshehta, individët, politika, shoqatat, ku secili lufton për të kryer misionin dhe për të mbrojtur praktikën e vet. Bota zien sot nga këto probleme.

Ju jeni filozof dhe sociolog i komunikimit dhe do të deshëm që ta trajtonit këtë problem në fushën shoqërore. A jeni i mendimit se ka edhe një “vuajarizëm vullnetar”, “dëshirë popullore” për ta thënë më thejshtë, për të mbajtur vesh e për të përgojuar të tjerët? Dhe meqë jemi këtu, cilët janë, sipas jush, disa nga shkaqet e këtij përgjimi pa përgjues?

Ka një tendencë të njeriut për të parë se çfarë bën tjetri. Një filozof francez pyet: Çështë perdja në shtëpi? Perdja në shtepi është, pikërisht, një pengesë që i vihet tjetrit për të parë. Për arësye se, ai që është brënda në shtëpi do të mbrohet nga vështrimi i tjetrit dhe tjetri ka dëshirë të jetë vuajarist. Ky mund të jetë komshiu, njeriu përballë, kalimtari... Doni ta masni? Atëherë le të shohim sa shtëpi janë me perde dhe sa pa perde. Sigurisht, të gjithë janë me perde, që nënkupton se ka një dëshirë të tjetrit për të parë.

Në disa shoqëri dhe në shoqërinë shqiptare ka disa modele ku kjo tendencë për të parë tjetrin, për të bërë vuajarizëm mbi tjetrin si objekt i vështrimit, është më shumë në ato periudha dhe në ato shoqëri ku opinioni lokal është më i fuqishëm, ku ka një shoqëri horiste, një shoqëri ku kolektivi konsiderohet si primar mbi individin, ku ka një presion të opinionit shoqëror mbi sjelljen individuale. Në librin tim “Brirët e Dhisë” kam shkruar se, kur je jashtë shtetit në një udhëtim, sheh pafund njerëz të huaj dhe mund të bësh çfarëdolloj gjëje, sepse vështrimi i tjetrit, të huajit nuk të  pengon. Me pak ironi e cinizëm pozitiv, në atë libër unë them se, nuk kam frikë nga vështrimi i turmave milionëshe por kam frikë nga syri magjik i portës së komshies sime, një grua e vjetër shumë e nderuar., nga ajo ruhem. Dua të them që në shoqëritë me opinion të fortë lokal, tendenca e kontrollit të jetës së tjetrit është shumë e fortë. Në Shqipëri, në zonat rurale dhe në qytetet e vogla ka qënë më e fortë, në shoqëritë me pronë të përbashkët është më e fortë; brenda kolektivave të caktuar është më e fortë.

Sot, në Shqipëri, sikuse edhe në botë, po ndodhin ato që quhen procese anomizmi, anomie, ku, në qytetin e madh, askush nuk njeh asnjeri (po e ekzagjeroj) që do të thotë se ka një lloj indiferentizmi individual, që, në kuptimin tim, ka sjelle edhe një zbehje të prirjes për ta parë tjetrin dhe për të ndikuar. Sot ekziston parja dhe vuajarizmi si spektakël në ekranin e televizorit apo në kompiuter. Dikur ka qënë, unë e shoh që të ushtroj presion mbi tjetrin, sepse, syri nuk është një akt pasiv. Syri është akti më ndikues mbi sjelljen e tjetrit. Ju më shihni mua, me anë të syrit tuaj dhe më detyroni të sillem në një mënyrë të caktuar; unë ju shoh ju dhe ju detyroj, me anë të vështrimit tim, në një moment të caktuar. Kamera që është atje, na sheh që të dy, duke përfaqësuar miliona sy njerëzorë, dhe na detyron ne të dy të sillemi në këtë mënyrë. Është miti i “Meduzës”, që të ngrinte me vështrimin e vet. Në lashtësi, ata e kuptuan përmes mitit. Pra, te ngrin, të detyron dhe unë kam mendimin se vuajarizmi ekziston edhe në shoqëritë moderne, por në formë spektakli, që do të thotë se shpeshherë është i privuar nga fuqia imponuese ndaj sjelljes së tjetrit.

Sot, është një lloj mjeshtërie që të mësosh që syrin e kamerës ta injorosh. Unë do të preferoja më mirë një individ që i trëmbet syrit të kamerës, sesa një që nuk i trëmbet. Ai që i trëmbet është pak më i sinqertë, ndërsa i dyti ka dhe mjeshtërinë aktoriale dhe është  më i vështirë për t’u penetruar. E dyta, kamera ka një problem sepse me të nuk mund të bashkëbisedosh. Unë, shpeshherë, ndjej që nuk jam në linjën e përgjigjes së pyetjes që ju po më adresoni duke parë sytë tuaj, sepse është komunikim sy më sy. Me kamerën nuk komunikoj dot. Është komunikim asimetrik, ku unë i flas, - ajo qëndron atje, e ngrirë dhe nuk më jep asnjë sinjal. Është një komunikim i vështirë.

Ka një statistikë zyrtare e cila thotë se në Tiranë janë 8 mijë kafene. Pse kjo “dashuri” e jona kaq e madhe për kafenetë. Nga sa keni parë ju, a ka kryeqytet tjetër në botë me kaq shumë kafene?

Ka më shumë, por, për këtë shqetësim, ju keni plotesisht të drejtë. Në librin tim “Brirët e Dhisë” unë e kam trajtuar gjatë këtë. Edhe në perëndim, dhe në Shqipëri mund të përdoret fjala “Kafe” për “kafenenë”. Termi është i njëjtë, por realiteti është krejt tjetër. Janë hapësira të strukturuara publike, debati, ligjërimi, shkëmbimi informacioni, komunikimi, por që nuk kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën. Në reflektimin tim ka tre ndryshime të mëdha mes konceptit të kafenesë në Shqipëri dhe në Perëndim.

Ne akoma nuk kemi kulturën e kafenesë. Kafeneja, tek ne, është një ndërmarrje për të nxjerrë fitim dhe vetëm kaq. Ndryshimi i madh me kafenë në perëndim është se ai konceptohet si një vend kulturor, në rradhë të parë. Është një vend ku lidhja sociale, komunikimi, kalimi i informacionit nga njëri te tjetri individ (klient), është në shkallën më të madhe. Është në densitetin më të madh shkëmbimi i infomacionit nga njeriu te njeriu. Kurse tek ne, kjo gjë është e pamundur, deri tani, pasi kafeneja është konceptuar vetëm si një mjet fitimi, një tregti...

E para, ka shumë zhurmë. Të pengon të shfrytëzosh atë që Prof. Eduard Hall (specialist i komunikimit joverbal) e konsideron hapësirë intime. Kur je afër me tjetrin – siç ndodh në kafene, - je në një hapësirë intime. Me këtë term kutojmë: a. t’i dallojmë kapilarët e syve tjetrit; b. t’i shikosh poret e fytyrës; c.t’i ndjesh aromën e trupit. Kafeneja është bërë pikërisht për këtë. Është një hapësirë intime ku komunikimi është me zë të ulët, është ekskluziv dhe, mbi të gjitha, është për çështje intime...

Çfarë bëjmë ne në kafene?

Në kafene ne kemi densitetin më të madh të informacionit masiv që vjen nga televizioni, platformat dixhitale, radion që buçet, ke filma që transmetohen dhe t’i nuk di ku je. Njëkohësisht, je në kinema, në miting, në disko, në pub dhe në një hapësirë intime me mikun tënd. – Kjo është e pamundur. Kjo është arësyeja e dytë, pra, mungesa e respektimit të komunikimit brenda hapësirave publike.

Së treti, në kafenetë tona, fatkeqësisht, ka një karakteristikë që ka të bëjë me audiencën. Ka shumë të rinj. Në perëndim, të rinjtë, nuk kanë kohë të rrinë në kafene. Ne bëjmë punë në kafene, ndersa në perëndim, kush flet për çështje punë në kafene, konsiderohet si një njeri që s’e ka kulturën që duhet. Në kafene nuk mund të rrish 5-6 orë, të hysh nga një kafene te tjetra...

Kur hyet në kafene është një akt sublim në perëndim. Akti i ftesës së tjetrit. Ose, kur shkon vetëm. Mua, personalisht, kur më qëllon të jem në një vend perëndimor, sikurse i qëllon të gjithëve, më pëlqet në shkruaj në kafene, të lexoj, të mendoj. Është kënaqësia më e madhe. Heminguej i shkruante perlat e tij në kafane. Në Paris njihet kafeneja e Sartrit, ku ai shkruante veprat e  tij të mëdha., Të tentosh të shkruash në kafenetë shqiptare është një gjë absurde.

Në perëndimi kafeneja është një media, ndërsa në Shqipëri (për arësyet që renditëm më sipër) mund të jetë e suksesshme si një ndërmarrje komerciale, por si media komunikimi drejt-perdrejt njerëzore, është e dështuar.

Fjala e shenjtë “Privatësi”. Sa mendoni se njihet dhe respektohet kjo në Shqipëri?

S’mund të flas me sigurinë e një njeriu që ka bërë një kërkim shkencor, por kam disa fakte. Shqiptari nuk e respekton shumë privatësinë. Nëse më lejon të bëj një truk verbal, mund të them se ne i fusim shumë hundët te punët e njëri-tjetrit – kjo është shprehja shqiptare. Marrim, përshembull ndërtesat e banimit: sa ngushtë i kemi me njëri-tjetrin. Çfarë është kjo? Sigurisht, mosrrespektim i privatësisë. Jetojmë në banesa 8-10-15 katëshe, një gjenialitet i ndërtimit. Te futesh në një shkallë s’ka privatësi. Shikon mjetet e transportit publik, të ngjeshur njerëzit njëri me tjetrin. Privatësia është edhe një lloj distance. Për këtë ka plot studime: sa metra duhet që një njeri të rrijë larg në një kafene, në një autobuz, për të thënë se hapësira ime private është respektuar. Ti shkon të bësh një transaksion financiar, ndërsa tjetri të rri mbrapa dhe nuk e di që duhet të rrijë të paktën, 1-2 metra larg teje, që të mos e shohë kodin tënd. Ti vë passwordin në kompiuter, ndërsa tjetri nuk e kupton që ai nuk duhet parë dhe të rri aty. Ka plot shembuj të tillë, të përditshëm, që tregojnë se privatësia nuk respektohet shumë.

Ajo që dua të them është, se nuk mjafton koncepti i privatësisë, por duhet futur fort edhe koncepti i intimitetit. Unë luftoj për ta futur këtë koncept në shkencat sociale në Shqipëri, siç është futur në SHBA, nga lëvizjet feministe dhe teoricienet e tyre, të cilët thonë: Ka privatësi në familje, por problemi qëndron si të ndërtojmë intimitetin brenda familjes, ku asnjë anëtar i saj të mos jetë i detyruar që intimitetin e tij ta bëjë të ditur brenda hapësirës private familjare.

Situata në shoqëritë e sotme është shumë e komplikuar. Kanti thoshte, se jeta publike ndalon te dera e shtëpisë, ndërsa, po të kthehemi sot, shohim që hapësira private brenda familjes është e bombarduar nëpërmjet medias. Televizori tek ne, shqiptarët, ka tendencë të rrijë hapur gjithë ditën, pavarësisht nëse e ndjek ose jo njeri. Kjo do të thotë se, ne nuk dimë t’i vëmë “stop” penetrimit të hapësirës publike të politikës ne jëtën tonë individuale. Sa përqind e saj është e bombarduar nga politika? Ka një politizim të jashtëzakonshëm. Shiko median e shkruar e cila dominohet nga politika: Ku është jeta private e individit? Ku është shqetësimi për këto? Kemi shumë probleme.

Kohët e fundit, rrugët e Tiranës janë mbikqyrur, survejuar me një sistem kamerash. Kjo është bërë edhe në disa institucione. A është transparencë e gjitha kjo?

Kanë pika të përbashkëta, sepse të dy kërkojnë të nxjerrin në dritë disa elementë që supozohet, se edhe mund të mbulohet nga errësira. Po kanë ndryshim. Transparenca mund të bëhet në mënyrë aktive dhe të qëllimshme edhe nga ai që survejohet. Një institucion apo një njeri, mund të jetë transparent, edhe pa qënë i survejuar. Kjo, sepse ai mund ta ketë detyrë apo të drejtë morale që vetë ai të artikulojë përpara të tjerëve në hapësirën publike, të vërtetat, praktikat apo vendimet e veta. Pra, nga kjo pikëpamje ka një ndryshim të madh.

E dyta, survejimi është një akt dominimi. Unë të survejoj ty, ti më survejon mua. Një akt dominimi, sundimi, një akt pushteti vertikal, ku, nëse ka dy aktorë komunikimi, ai që survejon ka pushtet mbi atë që survejohet. Kurse transparenca, jo medoemos është kështu. Transparenca i jep pushtet atij që e merr informacionin nga ai që bën transparencën e vet. Nuk janë e njëjta gjë.

Ju jeni edhe gazetar, ndiqni dhe shkruani rregullisht në media. Cili është mendimi juaj për “dosjet”. Debati për hapjen ose jo të tyre, a nuk është një nga trysninë që ushtrohet nga përgjimi?

Këtu ka mendime të kundërta dhe unë jam njohur me to. Në rradhë të parë, jam parimisht dakord që të bëhet transparencë. E para, për nëpunësit që emërohen. Ne dalim nga një regjim ku individi, me dashje apo jo, mund të implikohej në praktika policore në dëm të të tretëve. Unë nuk po i hyj kësaj analize, as gjykimit moral për ata njerëz që kanë qënë të implikuar. Fundja, nëse nuk kanë gjëra kriminale, të rënda, ata kanë të drejtë të bëjnë jetën e tyre private, por nuk ka pse të jenë funksionar të lartë. Nuk ka pse të ketë pozicione që të ketë kompetenca për të menaxhuar të mirën publike. Thjesht për të mbrojtur edhe ata nga përdorimi, por për të mbrojtur, në rradhë të parë, publikun nga njerëz që për dramë apo për ves janë implikuar këtu.

E dyta, ata që kandidojnë për zgjedhje. Unë nuk jam për t’i ndaluar që të zgjidhen. Një deputet duhet të vërë kandidaturën, por dosja e tij e së kaluarës duhet të jetë transparente. Nuk jam për ta penguar të zgjidhet, sepse zgjedhjen e vendos elektorati. Ky elektorat duhet të dijë që X apo Y ka qënë i implikuar. E zgjedh ose jo, kjo është çështje tjetër. Këtu po flasim për një kandidat, veprimtaria e të cilit nuk ka qënë e tillë që të ndëshkohet nga ligji.

Sot, Facebook është kthyer një një mjet komunikimi të përditshmëm. Përdoruesit e tij në botë kanë kaluar shifrën 700 mln. Ç’është Facebook për një ekspert të komunikimit? Ka më shumë anë të mira apo negative?

Facebook është media kontradiktore. Unë jam partizan i atij mendimi që shpreh Dominique Wolton, një nga specialistët më të mirë që ka bota për komunikimin në internet, i cili thotë se, asnjë media nuk mund të jetë vetëm pozitive. Facebook-u bazohet mbi një teknologji, që nuk ka krijuar një revolucion kulturor. Kjo do të thotë se, shpeshherë, Facebook-u apo rrjetet e tjera sociale, konsiderohen si garantë të demokracisë, por kjo nuk është absolutisht e vërtetë. I konsiderojnë si një zgjidhje e problemit të transparencës, - absolutisht jo! Një iluzion që vjen sa herë që në shoqërinë njërëzore, hyn një teknikë e re. Hyri baruti, ai që e shpiku mori çmim Nobel, se thanë, tashmë me barutin nuk do të ketë më luftë për arësye se mund të vrasësh njerëzit në distancë. Pra, të gjithë njerëzit do të jenë paqësorë, – s’është e vërtetë.

Çfarë të mire ka Facebook-u?

Decentralizimi i informacionit; lidhje dhe kontakte te njeriut me njeriun; thyerje e monopoleve të disa informacioneve; krijimi i një lidhje të re sociale; shkëmbimet interaktive; kapërcimi i distancave gjeografike; kapërcimi i kohës; stokimi i informacionit; futja e individit në qëndër të një informacioni masiv, që dikur as që e ka imagjinuar. Shpeshherë, sot, është më lehtë të komunikosh me një mik kinez, sesa me komshiun përballë...

Cilat janë të metat?

Të metat janë që, nuk mundesh dot që nëpërmjet Facebook-ut, të kesh ato që quhen filtra që vijnë nga gazetari. Gazetari dhe gazetaria është një profesion i jashtëzakonshëm i cili filtron, klasifikon, verifikon, vë prioritete, vë axhendën e informacionit. Në Facebook nuk ka më axhendë, s’ka më filtrim. Ka një kaos, një shpërqendrim të jashtëzakonshëm që, në vend që ta forcojë opinionin publik, e thërrmon edhe më shumë. Unë guxoj ta them këtë gjë, për të shpjeguar që, në fazën e parë kemi kënaqësinë e madhe (sikurse e kam dhe  unë, dhe ju) të një komunikimi pa limite, të drejtpërdrejtë, ndërsa në fazën e dytë kemi çorjentim të opinionit publik.

Një mik më thoshte, se mund t’i merrte të gjitha informacionet në Facebook. Unë them se është e pamundur. Sa lidhje mund të kesh në ditë? Sa Facebook mund të konsultosh në ditë, nëse je një njeri që punon, që ke një aktivitet? (nëse nuk je një vuajarist, krejtësisht i opseduar pas saj dhe të rrish gjithë ditën përpara ekranit.) Një njeri normal konsulton 5-6 miq, po nuk mund të konsultosh 700 miliardë. Aty mund të jenë 8 milionë, 80 apo 800 milionë, por si peisazh mediatik, jo për mua. Për mua mund të jenë 4-7 miq...

Kjo do të thotë që, me një televizion apo me një gazetë unë marr një informacion gjeneralist apo për të gjithë botën apo të specializuar, të zgjedhur nga të tjerët. Duke e blerë atë gazetë, e duke e parë atë televizion, punën e ka bërë gazetari për mua. Në TV apo shtyp është informacioni që më vjen mua, ndërsa në Facebook jam unë që kërkoj informacionin. Ku do të orjentohem në këtë “pyll” stërgjigand?

Prandaj, i qëndrojmë asaj që, asnjë media e re nuk ka arritur të nxjerrë nga tregu mediat e vjetra. Ato kanë bërë që mediat e vjetra të transformohen, të artikulohen përsëri, të rimodelohen për tju përshtatur kushteve të reja.

Unë nuk them që Facebook nuk është një arritje e madhe; përkundrazi, jashtëzakonisht e madhe. Por, ajo nuk është e përkryer, nuk zgjidh problemet e njerëzimit, por i shton ato më shumë.

Intervistoi: Elvin Luku



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora