Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Çfarë po sjell “Bota femërore”?

| E diele, 17.06.2012, 01:09 PM |


Çfarë po sjell “Bota femërore”?

Nga Albert ZHOLI

Kryeredaktor - Revista Bota femërore

Për herë të parë del në tregun shqiptar revista "Bota Femërore". Një revistë interesante me tone optimiste dhe ngjyra të larmishme informacioni për femrat shqiptare dhe një manual tepër i dobishëm për meshkujt, të cilët të munden të kuptojnë sadopak botën e mistershme të "seksit" të bukur dhe të brishtë.

Rubrikat e shumta që do të përmbaj kjo revistë, do të plotësojnë me kënaqësi kohën e lirë të femrës nëpunëse, shtëpiakes, të nënës, të vjehrrës, të nuses, të bashkëshortes.

Përveç relaksimit dhe kënaqësisë së leximit, kjo revistë do të jetë dhe një meteor ndriçues për të gjitha grupmoshat nëpërmjet rubrikës së psikologjisë, ku shumë prej lexueseve do të gjejnë

shtatë anët e tyre të vetvetes. Edhe femrat kanë të drejtat e tyre që shpesh herë meshkujt i harrojnë, ku në komunikimin tonë me to, të mos harrojmë se dhe orët e prishura e tregojnë orën e saktë dy herë brenda një 24 orësh.

Ndodh që pas çdo femre dinamike mund të ndodhet një mashkull që e ka braktisur. Kur një femër pyet diçka, ajo nuk kërkon përgjigje, por thjesht vëmendje. Femrat të frymëzojnë dhe të nxisin për të bërë diçka të madhe, por njëkohësisht janë ato që në disa raste të ndalojnë të vazhdosh frymëzimin. Fiksimi i meshkujve është se gjithmonë duan të besojnë se janë më të mirët dhe ai i femrave se janë të vetmet. Këto dhe shumë gjëra të tjera interesante do të përmbahen në faqet e këtij editoriali një mujorësh. “Bota Femërore”, do ketë në faqet e saj dëshirat e femrave dhe si shprehen këto dëshira, ajo ç’ka ato mendojnë që ndryshon shumë nga ajo ç’ka duan dhe nga ajo ç’ka shprehin.

Vërtet, çfarë është ajo që duan femrat?!

Dikur jetonte një mbret i ri dhe i pashëm, i cili kishte si pasion gjuetinë. Një ditë prej ditësh, i rrëmbyer nga ndjekja e gjahut së bashku me shoqëruesit e tij, shkel gabimisht kufijtë e mbretërisë fqinje. Rojet i kapin dhe i çojnë të lidhur te mbreti i asaj mbretërie. Ligji ishte i qartë. Nëse dikush zihej rob i pritej koka.

Mbreti u mendua mirë dhe ju kthye të riut:.-Do të të fal dhe ty dhe shoqëruesit e tu vetëm nëse brenda një viti do mundesh ti përgjigjesh saktë pyetjes që do të drejtoj:

-Çfarë është ajo që duan vërtetë femrat?!

Dhe mbreti i ri pranoi, i gëzuar se ju duk tepër e thjeshtë. Me të shkuar, mblodhi gjithë oborrtarët e tij, ku asnjë prej të cilëve nuk mundi të jepte një përgjigje të saktë.

Pyeti këdo, kudo, gjithkund, por askush s’i jepte përgjigjen e duhur. Ishte shumë i mërzitur dhe koha kalonte. Në majën e një mali, jetonte një magjistare plakë. Ishte shumë e shëmtuar, me kurriz të dalë, me flokë të pakrehur, e palarë dhe jetonte në një kasolle. Duke mos pasur tjetër rrugëzgjidhje, mbreti i ri u nis ta takonte. Sapo hyri dhe filloi të fliste, magjistarja e ndërpreu:- E di mirë përse ke ardhur, por që të të them përgjigjen dua të më martosh me djalin më të pashëm, më besnik, mikun tënd të ngushte, atë që është për ty si një engjëll mbrojtës. Mbreti shtangu nga habia. Por megjithëkëtë bisedoi me mikun e tij, i cili pranoi menjëherë përderisa i kishte dedikuar dhe jetën mbretit të tij. Ditën tjetër u bë dasma. Në krah të të riut të bukur qëndronte e gëzuar

dhe e lumtur magjistarja e shëmtuar. Gjithsesi i riu përpiqej ta respektonte përderisa ishte gruaja e tij, madje e ftoi të vallëzonin së bashku. Ceremonia mbaroi dhe çifti u drejtua për në krevatin martesor. I riu po e priste. Për habinë e tij, përpara u shfaq një vajzë e bukur, e gjatë, e ëmbël. Ju afrua dhe pa e lënë të fliste i pëshpëriti ngadalë: -Kështu do të jem çdo natë për ty, i dashuri im. Ditën një magjistare dhe natën kjo që sheh tani. I riu shtangu pa mundur të reagonte dot. Atëherë vajza e bukur e pyeti:

Vërtetë, ti si do të më doje të isha?

Ç'pyetje është kjo, mendoi me vete i riu. Pyetje kurth. Dhe mori guximin dhe ju përgjigj; -Si të duash ti e dashura ime, si të të pëlqej ty dhe e përqafoi fort. Atëherë, magjistares i shkëlqyen sytë nga gëzimi dhe i tha: -Do rri kështu ditë dhe natë, vetëm për dashurinë tënde. Ditën tjetër, mbreti i ri mësoi sekretin nga magjistarja. Ajo ja pëshpëriti në vesh se çfarë ishte ajo që donin femrat. Dhe mbreti i lumturuar rendi ti jepte përgjigjen e duhur mbretit fqinj.

Atëherë djalosh, e gjete se çfarë është ajo që duan gratë???!!!

E gjeta mbret: Ajo çka duan vërtet femrat është të jenë të lira…duan shumë liri !!!

 

Fjala liri

Por çdo të thotë femra të lira?! Përse shumë herë edhe pse jetojmë në kohët moderne, shumica prej tyre janë të ndrydhura?! Të jenë të lira do të thotë se mund të bëjnë çfarë të duan- apo të kenë lirinë e mendimit?! Liria e mendimit është shumë e rëndësishme, por nuk fiton asgjë nëse nuk jemi të aftë të bëjmë diçka me atë dhe për atë që mendojmë. Përkundrazi, veprimi mund të ndryshojë përqendrimin e një femre mes botës. Mund të surprizoj me befasinë dhe të ndryshoj krejtësisht marrëdhëniet e saj familjare ose shoqërore. Dhe përse është e nevojshme të mendojnë në mënyrë të lirë, kur nuk munden të veprojnë po aq lirë?!.

E në fund të fundit ja vlen të jetosh për ëndrrat e tua edhe pse zjarri i tyre mund të të djeg. Por a e lejon shoqëria tipike shqiptare këtë?! Familja tradicionale shqiptare si reagon ndaj një femre "rebele" me shpirt të lirë? A përkrahet kjo femër apo thjesht përbuzet dhe epitetizohet rëndomshëm?!

 

Moda

Një rubrikë interesante do të jetë ajo e bukurisë dhe e modës. Kur një femër ndihet e bukur dhe imazhi përpara pasqyrës i pëlqen? Ç’farë duhet të bëjnë femrat që të jenë ngaherë të bukura, cilat janë sekretet e një makijazhi magjik që e shndërrojnë një femër në Hirushe moderne? Përpos kësaj, në të vërtet duhet te jemi të bukur për veten apo për të tjerët?!

Femra shqiptare e predispozuar ta shohë veten me sytë e një mashkulli, disa herë i largohet gjithmonë e më shumë vetvetes dhe shumë herë e gjendet midis ekstremeve.

Që të jetë femër, ajo duhet të duket si femër dhe që të duket si femër ajo duhet të ndjekë modën dhe të jetë seksi deri në natyrshmëri pa kaluar caqe dhe pse shkel mbi tabu. Dhe këtu ndodh diçka paradoksale.

Moderne, seksi, joshëse, me minifund, bluzë transparente dekolte, taka 13 cm, duke pritur mashkullin që për të është gjithçka. E gjen?! Modë dhe ironi, pra largim nga vetvetja.

Mbase kjo rubrike do të jetë një ndihmëse në ndërthurjen më së miri të veshjes dhe karakterit, midis modës dhe dinamizmit shpirtëror femëror.

Femra dhe kuzhina

Thonë që erosi dhe dashuria kalojnë më parë nga stomaku. Mëse e vërtetë, por jo gjithë femrat e adhurojnë gatimin. Është një art më vete të cilin duhet të mësosh ta duash dhe admirosh si fillim dhe më pas, të fillosh të krijosh me ndihmën e recetave të ndryshme. Këto receta do të jenë tepër të larmishme, të thjeshta për femrën që sapo lë punën dhe rend drejt shtëpisë të gatuaj diçka me nxitim për të kënaqur familjen, por do ketë dhe gatime të ndërlikuara dhe të vështira për nikoqiren e pa kohë, dhe shtëpiaken që është e ngeshme dhe ndonjëherë bën hobby të saj gatimin.

 

Femra dhe dashuria

Femra dhe dashuria, zbukurojnë botën, i japin jetë jetës, por kanë mbetur një mister i pazgjidhshëm..."Cherchez la femme" ( kudo është një grua, pas çdo gjëje fshihet një grua).

Vërtet çfarë është femra pa një mashkull ?! Vendos një varkë të lundrojë qetësisht përmes një perëndimi të bukur.! Mmmmm! Bukuri! Por nëse aty diku nuk gjenden sy për ta admiruar, a është bukuri?! Një zog cicëron ëmbëlsisht i vetëm në një pyll të shkretë, po nëse nuk ishte i fshehur midis gjetheve veshi i një zogu tjetër, nëse nuk e dëgjonte askush, vallë do të ishte cicërimë e bukur?!

Një botë e tërë për t’u eksploruar dhe zhbiruar është bota femërore. Bota femërore! E mistershme, magjike, joshëse, provokuese, e brishtë, emocionuese, pasionante, intriguese, e thjeshtë dhe aq e ndërlikuar njëkohësisht! E bukur si aromë, e ëmbël pranverore me shije luleshtrydhesh e përzier me pakëz çokollatë. E cili nuk e shijoi dhe nuk u deh nga magjia e saj pa ju dashur të pijë qoftë edhe një gllënjkë?!. Le ta shijojmë “Botën femërore” së bashku me të gjitha shijet e saj!