E enjte, 28.03.2024, 07:16 PM (GMT)

Kulturë

Monica Mure?an: Shkrimtari virtuoz i kapjes së esencave

E diele, 17.06.2012, 01:55 PM


SHKRIMTARI VIRTUOZ I KAPJES SË ESENCAVE

(Skënder R. Hoxha, Udhëkryqet e Fatamorganës, Amanda Edit, Bukuresht 2012)

Libri është krijuar nga një seri temash e subjektesh që reflektojnë gjendje, prekshmëri, sentimente dhe përjetime të sinqerta, të thella, emocionale,  bindëse dhe autentike. Vlera shpirtërore, tradita, kombi, atdheu, heronjtë, flijimi i tyre dhe krenaria që e zgjojnë zemrën e hatshme shqiptare me të cilën fisërohemi përmes gjakut të historisë. Të gjitha këto, së bashku me retorikën dhe elokuencën që e hasim në evokimet dhe hymnizimin e disa figurave legjendare nga e shkuara e largët apo nga epoka moderne, personalitete të shquara shqiptare që e kanë merituar depërtimin në mosharresë.

Nga Monica Mure?an

Ideja qëndrore e kësaj vepre briliante që del në formë vëllimi të shtypur në një edicion bilingv (shqip-rumanisht), është dimensioni mistik dhe fizik i botës. Ky subjekt fisnik dhe i pasur me një gamë kuptimesh, gërshetohet sa me produktin poetik, po aq edhe me atë estetik. Në sfond, në funksion të kësaj përmbajtjeje, njerëzit mund të jenë heronj e të ndritur, apo të damkosur e të terratisur. Kryqëzimet mes tyre prodhojnë, mes tjerash, motive për të shkruar poezi me një „zemër të plasur”, sepse vetëm kështusoj, siç shprehet një bashkatdhetar i tij: poezia flet me gjuhën e shpirtit.

Sa i përket autorit, vërejmë te Skënder R. Hoxha një ndjenjë të veçantë të kapjes së esencës, të asaj që të befason. Nga disa linja skematike dalin në pah disa veti përcaktuese, ndërsa partikularitetet shpiejnë drejt të përgjithshmes. Kështusoj mund të lapsërohen portrete duke arritur në një plan të përgjithshëm të manifestimit si pjesë e një tërësie në poezi, si Testamenti i nënës apo Jeta, me mundime e tundime, që të jep e të merr, “të afron dritë” e “të lë në terr”, apo në portrete në grup – Rruga e vështirë e mësuesve tanë, “U kujtoj për rrugën e gjatë të shkronjave/Për t’na dhënë gjirin e gjuhës së nënës”, duke u nisur ndërkaq në rastet e shumta nga vende apo fakte të jetës, pra nga fragmentarja drejt të veçantës dhe të përgjithshmes.

Gjerësia e detajit shfrytëzohet sidomos në ata rekonstituime evokative të memorjes afektive, që transformohet në një farë kujtese të ngjarjeve që i ringjall në hapësirën virtuale të poezisë. Në këtë rast shkrimi është deskriptiv, me elemente të sqenografisë, dhe më shumë narativ se sa lirik, apo, nëse mund të thuhet kështu, në rrugëkryq të këtyre gjinive. Deshifrojmë në këtë kontekst edhe një farë mjeshtrie të ushtruar në logjikën e eseut poematik në vargje si „Hap perdenë e dritës” (Përmbysja), apo te Koha që rrokullisej duke e vënë vetullën në brigjet e oqeanit, me „kalorës të luginave të rimuara me lotë”. Të mos harrojmë të nënvizojmë edhe retorikën dhe elokuencën që e hasim sidomos në evokimet dhe hymnizimin e disa personaliteteve bashkëkohore të autorit, por edhe në tekste elegjiake kushtuar disa figurave legjendare nga e shkuara e largët apo nga epoka moderne, shqiptarë të shquar që e kanë merituar depërtimin në paharresë.

Të gjitha këto nuk janë improvizime por ide gjatë kohë të bluajtura në mullirin e mendimit, të kaluara pastaj përmes Kufirit të zemrës dhe mu pastaj të transponuara në fjalë. Për atë këto vargje të diellëzuara, shpeshherë kanë një ajër të freskët dhe një tingull hijerëndë. Tjetërherë diskursi poetik mvishet me një pelerinë të hollë elegjiake, ceremoniale, në një mbishtresë të do gjendjeve të brendshme vlerash refleksive. Libri që kemi përpara na duket si një pako lojërash në një suitë që krijohet sipas një algoritmi apo rregullash që kanë nevojën dhe domosdodhmërinë e vet të brendshme. Asgjë nuk është e rastësishme, sepse, faktikisht, pakoja iniciale është krijuar nga një seri temash e subjektesh që reflektojnë gjendje, prekshmëri, sentimente dhe përjetime të sinqerta, të thella, emocionale dhe/apo bindëse, me siguri autentike, duke e anashkaluar, pa e dëbuar totalisht regjistrin e rëndë të dhembjes dhe trishtimit apo melankolisë.

Kështusoj të jepet mundësia që nga çdo anë e subjekteve respektive të krijosh nga një libër, apo, aq më shumë, të dëshmosh një unitet dhe kontinuitet ideshë që e konstruktojnë platformën duke u bazuar mbi ekuilibrin e brendshëm të autorit. Kjo gërshetohet, apo më mirë thënë, shkallëzohet në fragmente gjendjesh, pikërisht për të dialoguar me lexuesit përmes peshës së fjalës së tij të ngarkuar me një mision të veçantë poetik. Njësoj siç loja ka nevojë për të gjitha letrat, qofshin ato me vlera më të mëdha apo më të vogla, duke determinuar ngjitje apo zbritje të tensionit të protagonistëve (të përfaqësuar përmes figurave si portrete të krijuara), pokështu edhe tekstet poetike ngjiten apo zbresin sipas manifestimit, duke e shtuar në këtë mënyrë tensionin lirik.

Poet i strukturës klasike, Skënder R. Hoxha i tubon emocionet dhe ndjenjat në suita tekstesh. Nga ato që kanë ridalë nga ky proces i eksteriorizimit të një fluksi filozofik (poetik apo estetik), lexuesi do t’i vërejë ato të tonit elegjiak, duke nënvizuar portrete të skicuara me pak fjalë, por përmes një fjalori të pasur. Një temë e njëjtë, e trajtuar nga pozita të ndryshme (gjendje shpirtërore: shqetsime, melankoli, dhembje, avertizim, frikë apo krenari), që trasojnë dhe krijojnë një spirale që do të amplifikohet, madje zvoglohet, të gjitha këto duke qenë të gjeneruara nga një qenje e brishtë humane, gjë që të shpie me mendimin në antropi e jo entropi, duke u ndjerë në të njëjtën kohë „dora e njeriut”, respektivisht dora, dëshira dhe mendja e autorit.

Pranë kullave të Dukagjinit dhe shkrepave të Rugovës

I kundruar në planin estetik, kjo duket të jetë më shumë dora e një piktori se sa e një grafisti, duke e mbushur hapsirën me disa përjetime apo shprehje të këndshme, dhe duke i “ntrashur” tushat e do gjendjeve dhe shprehjeve për të nyancuar kështusoj, në mënyrë të mugët dhe në stil të veçantë e të panjohur/pabotuar, atë subjekt të përbashkët të poetëve shqiptarë, sidomos të sivëllezërve tanë nga Kosova: vlera shpirtërore, tradita, kombi, atdheu, heronjtë, flijimi i tyre dhe krenaria që e zgjojnë në zemrën e hatshme shqiptare, me të cilët ne si rumunë, fisërohemi përmes gjakut të historisë. Për atë muk mund ta “luajë” çdokush lojën, sepse shumë nga shëmbëlltyrat e shtypura/botuara në ato copë letrash, janë faktikisht faqe të historisë të cilën duhet ta njohish më parë, për ta çmuar vlerën e vërtetë të pjesës, në mungesë të numrit urdhërues nga loja e thjeshtë e letrave.

Me siguri, një pyetje interesante që mund të shpërthejë nga mendja e lexuesit të këtyre rradhëve: është kjo një lojë lokale e njëfarë zone, dhe kush mund ta luajë? Përgjigja është kjo që pason: në rradhë të parë, mu për këtë autori i hap letrat dhe përpiqet të bëjë një prezantim sa më të përqëndruar, por edhe eksplikativ shpjegues, të vendeve, traditave, legjendave, njerëzve, të ballafaqimit dhe mënyrës së tyre për të menduar dhe folur. Në rradhë të dytë, Baki Ymeri, përkthyesi më i njohur i Kosovës letrare në gjuhën rumune, ndërhyn me disa nënvizime dhe shpjegime bindëse, që funksionojnë në kuadrin e fusnotave si një blic që i jep një qartësi më të mirë dhe cilësi „fotografisë”, respektivisht imagjinatës së poetit.

Për atë, në mbarim, duke e përmbyllur librin e këtyre „kryqëzimeve”, të duket se pothuajse e ke përvetësuar mënyrën e lojës në këtë hapsirë virtuale të Fata Morganës. E ke parasysh, kështu, atë „lis të rrahur nga stuhitë”, ke dëgjuar „pëshpëritjen e vdekjes së madhe”, ke përjetuar „pranverën e ftohtë në Shqiponjë”, atje ku „mbrëmja qëndis testamentin”, ke kaluar pranë kullave të Dukagjinit dhe shkrepave të Rugovës, apo, nëpërmjet një hiperbole të përbërë nga „gjurmët e gjakut”, ke kuptuar se ndër të parët, Ramë plaku i përqafon brigjet e rrugës, apo faktin se Dardania në gjuhën shqipe don të thotë „Planeti i dardhave”, por edhe faktin se dikur, dikush ia ka dhënë poetit dhuntinë dhe „arin e dashurisë”, si pasojë e së cilës „çdo kujtim ka ngjyrën e dashurisë”.  Me siguri, në hapësirën e mendimit të tij, përmes raportimit të një dimensioni të veçantë...

BOX

Skënder R. Hoxha (1949) u lind në Shiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës, komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e nisi në fshatin e lindjes dhe e mbaroi në Zhabel. Gjimnazin dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe i kreu në Gjakovë. Fakultetin Filozofik – Dega e Ghuhës dhe e Letërsisë Shqipe e mbaroi në Universitetin e Prishtinës, ku, më vonë, ndoqi edhe studimet pasuniversitare. Më 1969, arsimtar në shkollën fillore “Ferhat Binishi” të Zhabelit (Dushkajë), për të vazhduar edhe studimet pa shkëputje nga puna. Më 1973 emërohet drejtor i parë i shkollës fillore “Hazir Ramaj” në Kralan (Dushkajë), pastaj ushtron profesionin e arsimtarit në Zhabel, ndërsa në vjeshtë të vitit 1978 shkon të jetojë në Pejë dhe fillon të punojë arsimtar në shkollën fillore “Vëllazërim-Bashkim” (sot “Sami Frashëri”), në Ozdrim të Pejës Këtu punon, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, deri në pranverë të vitit 1997, ndërsa, prej atëherë është profesor në shkollën e mesme teknike “Shaban Spahia” të Pejës. Në këtë shkollë, përveç mësimdhënies, është edhe kronist i shkollës si dhe kryeredaktor i revistës periodike “Tekniku i ri” të kësaj shkolle. Vlen të përmendet se në të gjitha shkollat ku punoi, ishte themelues i grupeve letrare si dhe kontribuoi në begatimin e jetës kulturore përgjithësisht. Me ardhjen e tij në Pejë (1978), angazhohet regjisor në grupin dramatik të fabrikës së autopjesëve “Ramiz Sadiku” të Pejës, ku (deri më 1981, bëri regjinë e disa pjesëve teatrore (drama, komedi), përgatiti disa akademi solemne etj. Në vitin 1984, me iniciativën e tij dhe të disa krijuesve letrarë, pas një pauze të gjatë, u riaktivizua aktiviteti i Klubit Letrar të Pejës, kryetar i të cilit u zgjodh në mandatin e parë, e për herë të dytë kjo detyrë iu dha edhe në shtator të vitit 1989.

Skënder R. Hoxha me shkrime kishte zënë të merrej qysh si nxënës i Gjimnazit “Hajdar Dushi” të Gjakovës. Shkruan: poezi e prozë (për të rritur dhe për fëmijë), publicistikë, eseistikë, fejtonistikë, trajtesa letrare e shkencore, kritikë letrare, tema historike, çështje e probleme gjuhësore, ndërsa më me përkushtim merret me hulumtime e studime në fushë të onomastikës, përkatësisht të toponimisë. Shkrimet e tij filluan ta shohin dritën në fillim të vitit 1969, e pastaj, kohë pas kohe, e gjejmë të botojë në gazeta e revista që botoheshin në Prishtinë, Shkup, më vonë edhe në ato në Tiranë e gjetiu. Përveç krijimtarisë letrare, një kohë të gjatë u mor edhe me gazetari, si bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave. Njihet si publicist e studiues i zellshëm. Ka botuar një serë trajtesa letrare, punime të fushës didaktiko – metodike, recensione për libra shkollorë e letrarë, si dhe materiale e punime studimore në fushë të onomastikës, dialektologjisë, folklorit dhe etnologjisë, kulturës së gjuhës etj. Merr pjesë në Simpoziume e Tryeza Shkencore që kanë të bëjë me shkencat filologjike, me kumtesa e diskutime, të cilat iu kanë publikuar në botime të veçanta të Institutit Albanologjik të Prishtinës, si dhe në botime të tjera. Ndërkaq, në përmbledhjen e përbashkët “Roje drite”, me punime letrare të anëtarëve të Klubit Letrar të Pejës, (botuar më 1999, në Pejë), u prezantua me një tufë poezi. Në vitin 1996 ka themeluar shtëpinë botuese “Art poetika”, të cilën e drejton dhe është redaktor i botimeve. Do përmendur se në edicion të SHB “Art poetika”, deri më tash, janë botuar një numër veprash letrare e shkencore të autorëve të ndryshëm. Përveç këtyre angzhimeve që i përmendëm më sipër, Skënderin e gjejmë redaktor, koredaktor, recensent, lektor e korrektor edhe nëpër shumë vepra të botuara. Që nga viti 1983 është bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës, në sektorin e onomastikës dhe në atë të folklorit. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Aktualisht është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve në Pejë. Jeton, punon e vepron në Pejë e në vendlindje, në Shqiponjë.

Deri më tash ka botuar këto vepra zhanresh të ndryshme:

1. “Pëllumbi në fluturim” (poezi), 1990;

2. “Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (I)” (studim), 1992;

3. “Kalorësit e mortit” (poezi), 1993;

4. “Bilbili i Dushkajës” (poezi për fëmijë), 1995;

5. “Dy akte të dramës së pakryer” (poezi), 1997;

6. “Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (II)” (studim), 2000;

7. “Tridhjetë vjet pune të shkollës së mesme teknike “Shaban Spahija” të Pejës” (monografi), 2002;

8. “Vjersha dhe poema” (poezi), 2004;

9. “Jabllanica (Shqiponja) e Dushkajës” (monografi), 2004;

10. “Radoniqi e Rakoci të Dushkajës” (monografi), 2005;

11. “Toponimia e Dushkajës” (vepër studimore), 2007;

12. “Poemë e dhimbjes krenare” (poezi), 2007;

13. “Poet i trazuar” (libër – bisedë me shkrimtarin Hasan Hasani), 2007;

14. “Hasan Hasani në sytë e kritikës” (përmbledhje kritikash për veprat e H. Hasanit), 2008;

15. “Rrugëtimi për në panteon – Aspekte të krijimtarisë letrare të Hasan Hasanit”, 2009;

16. “Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës” (vepër studimore), 2010;

17. “Në mes meje e dhimbjes”, (poezi), 2010;

18. “Kolonizimi dhe rikolonizimi i Dushkajës me sllavë – sipas burimeve shkrimore dhe informatorëve në terren”, (temë historike), 2010.

19. “Këndimi i muzave - Haiku dhe sibilat” (poezi), vëllim bilingv, shqip-anglisht, 2011;

20.  “Thanë për veprat e mia – thashë për veprat e tyre (I)”, (kritikë, ese, recensione, vështrime…),  2011;

21. “Udhëkryqet e Fatamorganës” (Poezi të përkthyera në rumanishte, Bukuresht, 2012). Ndërkaq, ka në dorëshkrim edhe disa vepra të tjera që presin mundësitë e botimit.



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora