E enjte, 18.04.2024, 02:44 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Punë të mbarë z. President

E diele, 17.06.2012, 05:41 PM


PUNË TË MBARË ZOTI PRESIDENT

(Urime edhe nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan)

Nga Frank Shkreli

Shqipëria ka një president të ri në përsonin e Bujar Nishanit, Ministrit të Mbrendshëm të deritanishëm, i cili u zgjodh në votimin e raundit të katërt të Kuvendit të Shqipërisë me 73 vota, duke i dhënë kështu fund maratonës presidenciale, që kërcënoi të ndërlikonte edhe më tepër politikën shqiptare dhe si rrjedhim mund të dëmtonte seriozisht aspiratat e Shqipërisë për antarësim në Bashkimin Evropian, duke penguar marrjen e mundëshme të statusit të vendit kandidat.  Fatbardhësisht vendi kaloi edhe një krizë politike pa ndonjë tundje të madhe, megjithëse zgjedhja e presidentit të ri u bë pa votimin e opozitës, gjë për të cilën është për të ardhur keq.  Megjithëse përfaqsuesit e aleatëve përendimorë të Shqipërisë, në përputhje edhe me kushtetutën e vendit, këshillomin për një konsensus të gjërë politik për zgjedhjen e presidentit të ri, këjo nuk ndodhi, pasi Zoti Nishani u zgjodh ekskluzivisht me votat e koalicionit qeverisës.  Mund të ishte ky edhe një shans tjetër i humbur!  Në lidhje me mospjesmarrjen e opozitës në votim për presdientin  ri të vendit, Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdëniet me Shqipërinë, Zoti Eduard Kukan tha se zgjedhja e presidentit të ri ishte një shans për të gjitha forcat politike në Shqipëri për të bashkupunuar dhe theksoi shpresën e tij se presidenti i ri do të mund të bashkojë dhe të përfaqësojë në mënyrë të pavarur të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe t'u shërbejë interesave të tyre.

Votimi në parlamentin shqiptar u ndoq nga disa ambasadorë përendimorë të akredituar në Tiranë --të cilët megjithë rezervimet e tyre në lidhje me procesin-- komentuan menjëherë dhe pozitivisht në lidhje me zgjedhjen e Zotit Nishani në detyrën e presidentit.   Përfaqsuesi i OSBE-së, Zoti Ojgen Volfart tha se ''Zgjedhja e Zotit Nishani si president i ardhëshëm i Shqipërisë është një lajm i mirë'', dhe se ai e çmon punën që Zoti Nishani ka bërë si Ministër për shtetin e së drejtës.   Edhe ambasada amerikane i shprehi ''urimet e ngrohta'' Zotit Nishani duke thënë se ''Shtetet e Bashkuara i urojnë suksese Zotit Nishani dhe presin që të punojnë me 'të për të çuar përpara sukseset e arritura demokratike gjatë 21 viteve të kaluar.   Duke folur në emër të Shteteve të Bashkuara, ambasada amerikane në Tiranë, në deklaratën e saj nënvijoi se ''Shtetet e Bashkuara do të mbështesin përpjekjet e presidentit të ri shqiptar për të përforcuar sundimin e ligjit, për të ruajtur pavarësinë e institucioneve të Shqipërisë dhe që së bashku me partnerët ndërkombëtarë do të angazhohen për realizimin e aspiratave legjitime të popullit shqiptar për t'u integruar plotësisht në bashkësinë euro-atlantike''.    Edhe përfaqsuesi i Bashkimit Evropian në Tiranë, Zoti Ettore Sequi në një deklaratë të shpërndarë për median, pas zgjedhjes së Zotit Nishani, vlerësoi ''Rolin e Presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe për të ndihmuar vendin në bashkimin e të gjitha përpjekjeve...për të përballuar me sukses të gjitha sfidat në rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian.''

Shënja ogurmirë ishin edhe reagimet e klasës politike shqiptare, që pothuaj githmonë mungojnë në raste të tilla, e sidomos mendimet e përfaqsuesve të opozitës shqiptare, pas zgjedhjes së presidentit të ri. Ish-kryeministri dhe kandidati për president, Fatos Nano, megjithëse i vet-shpallur, duke i uruar zgjedhjen presidentit të ri tha se ''Shqipëria ka sot Presidentin e saj i cili ka dal nga një votim transparent në Kuvend.  Sot më shumë se kurr, shqiptarët kanë nevojë të bashkohen dhe Presidenti i ri Bujar Nishani, më tepër se kurr duhet të simbolizojë unitetin kombëtar'' , theksoi Zoti Nano.

Edhe udhëheqsi i Partisë Socialiste opozitare, Zoti Edi Rama -- ndonëse parlamentarët socialistë nuk morën pjesë në votimin e presidentit të ri -- në një artikull në internet, u shpreh pas zgjedhjes së presidentit të ri se, ''Bujar Nishani është ndër fare të paktët në oborrin e Saliut që mund të dëgjohen kur flasin, pavarësisht se s’thonë asgjë ndryshe nga Saliu e të gjithë me radhë.  Por përpiqet të paktën të mos vetëlegenoset njësoj si të shumtit në aradhën ku, për të hedhur jargët e veta ndaj opozitës e ndaj çdo shqiptari haptas të palumtur me pushtetin, Doktori i lëviz si me sustë mimikën dhe gjuhët e ministrave e të deputetëve të budallallepsur nën shtypjen e frikës e të urisë për përfitime.  Nishanin, vitet dhe mbase edhe eksperienca e vështirë në luftë me një sëmundje të komplikuar e kanë tjetërsuar pozitivisht, duke e bërë të dallohet për qetësinë e për etikën që ruan në komunikimin me opozitën në parlament'', thekson në artikullin e tij kryesocialisti Rama.

Edhe Presidenti Bamir Topi në një mesazh dërguar pasardhësit të tij i uron Zotit Nishani suksese në detyrën e tij të re.  Shënja këto qytetërimi politik që mund të jenë ogurmira për të ardhëmen politike të vendit!? Edhe përfaqsues të organizatave shqiptaro-amerikane nuk munguan të bëjnë urimet e tyre   duke i dërguar mesazhet presidentit të ri të Shqipërisë, në emër të organizatave që ata përfaqësojnë.   Kryetari i organizatës shiqptare më të vjetër në Amerikë, Vatra, Dr. Gjon Buçaj i uroi Zotit Nishani zgjedhjen President i Republikës së Shqiperisë, duke i uruar punë të mbarë në detyrën e lartë,  me bindjen e thellë se frymëzimi i trashëguar nga Rilindësat dhe ndjenja e mirënjohjes për ata që u flijuan për një Shqipëri të pavarur dhe të lirë, ku shqiptarët të jetojnë në vëllazërimin e gjakut të përbashkët, do t’ju shoqërojë në ushtrimin e detyrës.  Mirënjohja për mijëra viktima që nuk u përkulën para dhunës së armikut as para egërsisë së ideologjisë së huaj, do të jetë mbështetje e fuqishme morale në udhëheqjen e shoqërisë shqiptare drejt çlirimit dhe shërimit nga trashëgimia e rëndë e së kaluarës gysmëshekullore, për të ecur me besim drejt së ardhmes'', përfundon urimin e tij në emër të organizatës pan-shqiptare Vatra, Dr. Gjon Buçaj.

Edhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA), një organizatë tjetër me influencë në Shtetet e Bashkuara përgëzon Presidentin e sapo zgjedhur të Shqipërisë, Z. Bujar Nishani duke thënë se ''Shqipëria ka shënuar përparim të madh duke qenë anëtare e OKB-së, NATO-së, Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar.  Ajo tani duhet të punojë me dëshirë të zjarrtë dhe kujdes të madh drejt sigurimit të marrjes së ftesës së vendit kandidat për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian (BE).  Ne i bëjmë thirrje Presidentit Nishani që të punojë me të gjitha partitë politike për të zbatuar standardet për anëtarsim në BE'', dhe shton se, ''KKSHA pret me padurim që të punojë me presidentin Nishani për  ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve të veçanta që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve'', thuhet në deklaratën e Këshillit Kombëtar Shqiptar Amerikan (NAAC).

Ndërkohë edhe Akademia Shqiptaro Amerikane e Shkencave me qendër në Nju Jork, uronë detyrën e Presidentit të ri të Shqipërisë nepërmjet një letre të nënshkruar nga kryetari i saj Prof. Dr. Skënder Kodra e në të cilën ai i drejtohet Zotit Nishani duke shprehur bindjen e tij se ''Ju do të kryeni me sukses edhe detyrimet e Juaja që do të merrni përsipër kur të betoheni si Presidenti i ri i Shqipërisë që edhe në këtë institucion me punën Tuaj do të mbizotërojë demokracia dhe dialogu politik, midis pozitës dhe opozitës, ashtuqë që vendi ynë -- në 100 Vjetorin e Shpalljes së shtetit shqiptar -- të marrë të drejtën dhe statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian.  Qytetarët shqiptarë janë dhe ndihen qytetarë të Europës.  Ata meritojnë të jenë pjesë e familjes europiane dhe, për realizimin e kësaj ëndërre, ne besojmë fort në detyrën e re i nderuar zoti Nishani, si Presidenti i ri i Shqipërisë, besojmë tek Qeveria shqiptare, dhe aleatët e saj - besojmë tek mbarë forcat politike në Shqipëri, Partia Socialiste dhe aleatët e saj, edhe për faktin se në momente kyçe për Shqipërinë të gjithë së bashku, më së miri mund të realizojmë edhe këtë aspiratë,'' përfundon letrën e urimit, Kryetari i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave, Prof. Dr. Skënder Kodra.

Ky vit ishte shpallur si viti i Shqiptarëve.  Është 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.   Për Zotin Bujar Nishani, i zgjedhur në krye të vendit, por edhe për të gjithë forcat politike dhe për secilin shqiptar, ky duhet të jetë një vit brohoritjeje me Naim Frashërin, “Shqipëri të qofsha falë, Të kam Nënë e më ke djalë’’.  E ç’le djali pa bërë për Nënën?  E dimë se rrethanat politike e ideologjike e kanë ndarë keq kombin shqiptar.  Paragjykimet vazhdojnë --madje edhe  pas 20 e sa vjetësh ç’prej rrëximit të diktaturës komuniste -- të turbullojnë shpirtin dhe sjelljet e shqiptarit, sidomos ato ndajë njëri tjetrit.

Le të jetë ky vit fillimi i mos përbuzjeve ndaj njëri tjetrit.  Le të jetë ky një vit kur presidenti i ri i Shqipërisë të bëjë vend për të gjithë në sofrën e përbashkët shqiptare, në frymën e trashëgimisë së patriotëve të kombit, të cilët 100-vjetë më parë shkëlqyen si hyjë dhe shpëtuan Shqipërinë nga zhdukja.  Le të jetë ky një vit përpjekjesh e frymëzim qëllimesh për lirinë dhe lumturinë e çdo shqiptari(e), pasi ndasitë e kota të çfarëdo ngjyre qofshin,   pengojnë lartësimin e kombit,  dëmtojnë rëndë krenarinë e emërit shqiptar dhe i largojnë shqiptarët nga idetë dhe patriotizmi i themeluesve mendjendritur dhe shpirt-mëdhejë të kësaj pavarësie 100-vjeçare.  Le të jetë ky një vit  kur veprat dhe porosia e  patriotëve të pavarësisë, të  ndriçojnë rrugët e reja të brezave të ardhëshëm të kombit.  Është koha që, në marrveshje me njëri tjetrin, sidomos për objektivat madhore të kombit, të shkohet përpara me hapa të ri drejtë një rruge për zhvillime të mbara për kombin shqiptar, me besim të patundur në ardhmërinë e Atdheut të shqiptarëve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora