E marte, 19.03.2024, 10:55 AM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Vokrri: Kosova e ka të drejtën e ndeshjeve miqësore!

E diele, 17.06.2012, 07:01 AM


Kosovës i është dhënë e drejta e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, ndonjë vendim tjetër nuk ka - shprehet Fadil Vokrri, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, në një intervistë për Deutsche Wellen.

Deutsche Welle: Zoti Vokrri, cili është vendimi përfundimtar i FIFA-s për mundësinë që Kosova të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare miqësore, pasi ka pasur disa mosmarrëveshje?

Fadil Vokrri: Disa mosmarrëveshje janë shkaktuar nga mediat, por as shtypi ynë nuk ka mbetur mbrapa atij serb dhe ndonjë herë po e pyesim veten se, kujt i shërbejnë mediume të këtilla?! Vendimi i FIFA-s është i pakthyeshëm, siç e ka thënë edhe zoti Blater. Ka mbetur vetëm që Këshilli Ekzekutiv i FIFA-s, në mbledhjen e ardhshme, të shqyrtojë dhe të vendosë modalitetet e implementimit të vendimit që Kosova të luajë ndeshje miqësore.

DW: Çfarë do të thotë kjo konkretisht "të vendosë për implementimin"?

Fadil Vokrri: Ne këtë ende nuk dimë konkretisht. Për këtë do të vendosë Komiteti Ekzekutiv.

DW: Zoti Vokrri, sa për sqarim: ka të drejtë Kosova të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore apo jo?

Fadil Vokrri: Ne e kemi vendimin për të drejtën e zhvillimit të ndeshjeve miqësore dhe nuk kemi marrë ndonjë vendim tjetër. Përderisa ky vendim është në fuqi, ne e kemi këtë të drejtë të plotë. Ky është vendim i plotëfuqishëm i komitetit ekzekutiv të FIFA-s, i marrë në mbledhjen e mbajtur me 22 maj në Budapest dhe ndonjë vendim tjetër për revokim apo shtyrje të këtij vendimi nuk na ka ardhur.

DW: Pasi nuk ka ndonjë vendim tjetër, a keni filluar përgatitjet për ndonjë ndeshje miqësore me ndonjë kombëtare të njohur dhe çfarë prezantimesh ka pasur kombëtarja e Kosovës deri tani?

Fadil Vokrri: Ne tani jemi duke shqyrtuar mundësitë e zhvillimit të ndeshjeve miqësore, sepse Kosova ka qenë për më shumë se dy dekada e bllokuar. Ne kemi pasur disa ndeshje kundër disa klubeve, por ajo ka qenë më shumë, të them ashtu, në mënyrë gjysmëklandestine. Disa takime të kombëtares dhe klubeve të Kosovës janë anuluar për shkak të mungesës së lejes zyrtare për këto ndeshje. Ne shpesh nuk e kemi ditur se a do të zhvillohet ndeshja deri në momentin e fundit, sepse ndeshjet kanë mundur të anulohen edhe kur jemi futur në aeroplan për rrugë.

DW: Keni vendosur kontakte konkrete me ndonjë federatë të futbollit, sepse është folur, për shembull, për mundësinë e ndeshjes me Turqinë?

Fadil Vokrri: Po, kemi biseduar me Turqinë dhe do të vazhdojmë bisedimet. Por ne do të presim, sepse data e parë e rezervuar nga FIFA për ndeshje miqësore është 15 gushti. Ato kombëtare me të cilat ne dëshirojmë të ndeshemi, apo të cilat kemi mundësi t'i sjellim në Kosovë, kanë caktuar ndeshjet që më parë. Tani duhet shikuar mundësinë për zhvillimin e ndeshjeve në datat tjera të lira të përcaktuara nga FIFA për ndeshje miqësore.

DW: Si e shpjegoni qëndrimin refuzues të kryetarit të UEFA-s Mishel Platini, kundër ndeshjeve miqësore të Kosovës?

Fadil Vokrri: Mishel Platininë nuk duhet ta shikojmë si kundërshtar të ndeshjeve të Kosovës, sepse UEFA nuk ka qenë kundër vendimit që Kosova të luajë ndeshje miqësore, por ka abstenuar me rastin e votimit. UEFA ka shprehur qëndrimin që një kombëtare mund të ketë të drejtat e plota vetëm në qoftë se është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Këtu nuk bëhet fjalë për pranimin e Kosovës, por për lehtësimin e pozicionit të saj deri në njohjen e saj, e cila me siguri që do të ndodhë. Planiti është shprehur kundër, duke marrë parasyshë problemin që paraqesin vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ka edhe vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por në votim kanë abstenuar. Nuk duhet harruar faktin që në FIFA janë shumë të fuqishme edhe vendet që janë kundër pavarësisë së Kosovës si Rusia, Qipro apo Spanja. Megjithatë vendimi që Kosovës t'i lejohen ndeshje miqësore është marrë në mënyrë demokratike dhe ai për ne është i plotfuqishëm.

DW: Serbia ka reaguar ashpër kundër ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës. Ju keni qenë edhe vetë një kohë të gjatë lojtar i ekipit Partizani i Beogradit dhe e njihni mirë mentalitetin e udhëheqësve të sportit atje. Mendoni se Federata e Futbollit të Serbisë do të pajtohet shpejt me vendimin që Kosova të dalë në arenën ndërkombëtare?

Fadil Vokrri: Federata e Futbollit të Serbisë do të reagojë gjithmonë në suazat e asaj që ajo konsideron si normale. Kjo do të thotë se po të shikohej vetëm ana sportive, ata do të reagonin ndryshe. Për fat të keq nga Serbia nuk jemi mësuar që të reagojë ashtu si duhet, por ashtu siç ishte reagimi i fundit. Edhe një herë po vërehet se pavarësisht kërkesave të FIFA-s dhe UEFA-s, që politika të mos përzihet në sport, kjo e tregon të kundërtën. Në Serbi sporti është nën presion të vazhdueshëm nga politika zyrtare, kur është në pyetje Kosova.

DW: Lojtarët më të njohur kosovarë tani luajnë për kombëtaret tjera, kryesisht për Shqipërinë dhe Zvicrën. Keni pasur kontakte me ndonjë prej lojtarëve me origjinë kosovare, siç janë, për shembull: Cana, Shaqiri, Xhaka, Behrami, Xhemajli?

Fadil Vokrri: Cana është deklaruar që do të vazhdojë të luajë për Shqipërinë dhe këtu nuk ka asnjë mosmarrëveshje. Për tjerët duhet shikuar nëse ata kanë të drejtë të luajnë për Kosovën. Mendoj se nga ana juridike duhet gjetur ndonjë zgjidhje, sepse Kosova më parë nuk ka ekzistuar si shtet. Ata do të duhej të kenë mundësinë të zgjedhin por kjo është një çështje që duhet të zgjidhin në bashkëpunim me FIFA-n.

DW: I keni kontaktuar ju këta lojtarë?

Fadil Vokrri: Ne kemi pasur disa konktakte me këta lojtarë, por kjo çështje nuk është ende urgjente. Ne tani kemi bërë hapin e parafundit para pranimit të Kosovës në FIFA. Kur të vijë koha ne do të bisedojmë më seriozisht. Është mëkat që atyre që duan të luajnë për kombëtaren Kosovës nuk u lejohet kjo mundësi. Kjo nuk është as sportive dhe as humane.

DW: Kur prisni që Kosova të dalë zyrtarisht në arenën ndërkombëtare dhe të marrë pjesë në kualifikime për kampionatin evropian apo botëror?

Fadil Vokrri: Ne mendojmë shumë shpejt por kjo varet nga organet politike të Kosovës se kur do të paraqesin kërkesën për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Ndërsa ne më pas do të kryejmë shumë shpejt punët tona. Me statut të FIFA-s ne ende nuk kemi të drejtë të marrim pjesë në kualifikime.

Intervistoi: Bahri Cani



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora