Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Pak histori dhe meditim!

| E shtune, 16.06.2012, 03:59 PM |


Pak histori dhe meditim!

Nga Elvi Sidheri

Ne shqiptarët kemi “fatin” që të ndajmë hapësirën tonë jetësore (Ballkanin), me shumë popuj të tjerë.

Sepse ky gadishulli ynë është i tejmbushur me rraca e gjuhë, kultura e tradita të ndryshme.

Kemi rreth nesh sllavë të çdo lloji, feje e gjuhe.

Kemi grekë e helenofonë, ashtu siç edhe kemi rumunë e turq, turkofonë e hungarezër Serbie e Rumanie.

Kemi pra afër nesh, barbarë të ndryshëm, njerëz në origjinë gjakatarë e pushtues, sllavë e mbetje hordhish mongolo-turke

Dikur në brigjet e Adriatikut në Dalmacinë e sotme kroate, kishte edhe mjaft italianë, të cilët sllavët me një dorë të shpejtë, i pastruan si pa gjë të keqe në 1945-ën, teksa Lufta e Dytë Botërore po përfundonte.

Është rasti i “Fiumes”, apo Rijekës (Flumen në latinisht, Lum në shqip) siç i thuhet sot në versionin kroat të emrit të atij qyteti të bukur në rivierën dalmate, ai është emblematik për shumë situata të tjera gjithkund nëpër rajonin tonë.

Aty banonin në zonat urbane të Fiumes, italishtfolësit, sipas mendimit tim, ilirë me origjinë, njerëz të latinizuar ndoshta si pasojë kryesisht e kolonizimit të gjatë shumë-shekullor romak e më pas venecian.

Ndërkohë në krahët ruralë rreth qytetit, ndodheshin sllavët kroatë.

(Sot ka ende mjaft sllavë boshnjakë, malazezë apo edhe serbë, si dhe shumë filosllavë mes shqiptarësh, që shpikin pa pikën e turpit, historira që vetëm trutë e tyre të mangët e të vonuar mendërisht, mund t’i besojnë, të cilët flasin për ndonjë copë origjinë ilire të këtyre pasuesve të sllavëve barbarë, të cilët në të vërtetë ishin pikërisht ata që Ilirët e Dalmacisë apo Panonisë, i zhdukën, vranë e shtynë më në jug, drejt tokave të sotme shqiptare).

Italianët për një kohë të gjatë, pas shpërbërjes së Austro-Hungarisë, tentuan më kot që qytetin bregdetar t’ia  bashkonin Italisë mëmë, por rezistenca e sllavëve gjithmonë mbeti tejet e ndezur dhe luftarake.

Ashtu si edhe në Istria, gadishull piktoresk mes Kroacisë, Italisë dhe Sllovenisë aktuale, edhe në Fiume-Rijeka, bregu popullohej nga italianët dhe prapatoka nga sllavët bujqër e shpesh punëtorë krahu tek italianët pronarë tokash apo fisnikë të atjeshëm.

Gjë e ngjashme kjo me mënyrën se si janë gjendur tek neve në Shqipëri, sllavët e pakët afër Shkodrës, apo grekët e Dropullit, njerëz të punësuar si argatë me mëditje në shërbim të zotërve shqiptarë të zonës dhe të mbetur më pas aty pa i lëvizur kush, si pasojë e mikpritjes së shquar shqiptare ndaj të huajve (rrallë të verifikuar mes nesh ndërkohë).

Për t’u rikthyer tek çështja e Fiume-Rijekës, pas konfliktit të dytë botëror, partizanët sllavë të Josif Brozit (të njëjtët që kishin themeluar dhe kishin qenë  prezentë në mbledhjen e parë të Partisë Komuniste Shqiptare, me Dushan Mugoshën, Miladin Popoviçin dhe Zvetozar Vukmanoviç Tempon), u sulën egërsisht përveçse në Kosovë, edhe në zonat italiane të Dalmacisë.

Ata për të realizuar qëllimin e tyre të kobshëm, s’hezituan përpara asgjëje dhe askujt, ndërsa i mbushën shpellat e thella shkëmbore, me italianë të gjorë, gra, fëmijë e pleq, të cilët të lidhur me tela me gjëmba mbi lëkurën e zhveshur, i hidhnin pa mëshirë në ato gropa të thella.

Historia italiane, atë kohë e njeh si periudhën e “Foibeve”.

Kështu quhen ato shpella mortore në italisht.

Sot e kësaj dite, kockat e mijëra italianëve prehen pa gjetur paqe nëpër ato vrima shkëmbinjsh në Istrian kroate.

Ndërkohë që këta Titistët u përpoqën të pushtonin deri edhe Triesten, së cilës sllavët në mënyrë komike i thonë akoma në gjuhën e tyre “Trst”.

Deri më tani përveç ndonjë emri të komplikuar uellsian me origjinë të lashtë kelte, rrallë kam ndeshur emërtim më idiot në ndonjë gjuhë, vetëm sllavët mund t’ia dalin t’i përçudnojnë kaq shumë emrat.

Por me hyrjen në Trieste dhe dyzet ditët e terrorit mbi qytetarët e saj, Tito “e qelbi punën”-siç thotë populli dhe amerikanët e frenuan avancimin e sllavëve në territor italian, ndërsa atyre sidoqoftë tashmë u ishte falur gjithë bregdeti dalmat i cili mizorisht po zbrazej nga banorët e tij italianë.

Por sidoqoftë, përgjatë  9 viteve deri në tërheqjen finale të jugosllavëve nga rajoni i Triestes në 1954-ën, italianët provuan me egërsi çnjerzore, të njëjtat vuajtje që shqiptarët po hiqnin në anën tjetër të shtetit të sllavëve të jugut.

Mes atyre që u deportuan me shpejtësi drejt Italisë apo edhe që u vranë barbarisht në vend, ishin edhe shumë shqiptarë të Zarës apo Zadarit të sotëm Kroat.

Shqiptarë malësorë katolikë të Shkodrës, të cilët rreth 300 vjet më parë patën emigruar drejt asaj zone dhe ishin ngulitur atje gjatë kohës së sundimit të Republikës “Serenissima” të Venedikut,

Për shkak të  qëndrimit të gjatë krah italianëve, kulturalisht ishin përzjerë me ta dhe vazhdonin të mos kishin lidhje me sllavët e rrethinave, prandaj partizanët titistë e gjetën të rastit t’u binin në qafë dhe atyre po aq sa edhe italianëve.

Nga ato rajone të Kroacisë, rrjedh edhe një studiues i mrekullueshëm i historisë shqiptare siç është edhe i madhi Aleksandër Stipçeviç.

Kjo përmbledhje e vogël e ngjarjeve në bregdetin e sotëm kroat, dikur të banuar nga italianët, më doli e nevojshme për të kaluar në një nga pikat e këtij shkrimi.

Ndërsa gjëndja e sotme në ato anë ka mbetur stabël, me Italinë që posedon pak përqind të territorit të Istrias, kryesisht të përbërë nga Trieste e ndonjë zonë përreth dhe me Gorican që është ndarë në Gorizia në krahun italian dhe Nova Gorica në Slloveni.

Kroacia ka shumicën absolute të Istrias, me pak italianë të mbetur gjallë dhe gjysëm të asimiluar në Pula apo aty rrotull dhe njëkohësisht sllovenët të cilët nga kjo “vjedhje” historike, kanë përfituar edhe ata 46 kilometra bregdet dhe një port të bukur si Capodistria apo Koper.

Në Zarë-Zadar akoma jetojnë shqiptarë apo arbëreshët e Kroacisë siç quhen.

Me këtë gjë nuk shpreh asnjë objeksion ndaj popullit kroat, i cili edhe pse sllav, ka treguar në kohë sjellje deri diku asnjëanëse ndaj nesh shqiptarëve, apo ndonjëherë edhe e ka nderuar veten si me rastin e albanologut të mirënjohur dhe respektuar Milan Šufflay, të cilin dora e përgjakur serbe e vrau si kundërpërgjigje ndaj punës së tij të palodhur në të mirë të ndriçimit të të vërtetave historike mbi shqiptarët.

Por ky ilustrim shërben për të treguar mënyrën si veprohet në gadishullin tonë sa herë është nevoja që njëra etni të mbizotërojë mbi tjetrën.

Kjo gjë ka ndodhur rregullisht edhe me neve dhe secili ardhacak në trojet tona, po këtë mënyrë ka zgjedhur për t’u imponuar ndaj nesh.

Kurse neve nga ana jonë, vetëm kemi rezistuar, jemi tërhequr, kemi kapur malet, dhe mbi të gjitha kemi bërë atë që dimë më mirë, kemi “MBIJETUAR”.

Por duke u rikthyer sërish tek italianët, pas kapitullimit të 8 shtatorit të 1943-shit, ishim ne që u dhamë strehë nja 25 mijë ushtarëve pushtues italianë të cilët gjendeshin në territorin tonë dhe të cilët patën mbetur pa lider, pa regjimin fashist që i kishte nisur idiotësisht të pushtonin vendin tonë dhe me ish-aleatin gjerman që u kishte kthyer tytat e pushkëve kundër.

Urdhërat e gjermanëve thoshin se italianët preferohej të pushkatoheshin në vend po të mos dorëzonin armët me turp dhe po qe se do të dorëzoheshin, do përfundonin duke bërë rolin e lakejve mëkëmbës apo edhe thjesht do të internoheshin në kampet e shumta të shfarosjes naziste nëpër Europë.

Por as partizanët tanë komunistë e as forcat nacionaliste (Balli Kombëtar e Legaliteti) të cilët s’mbanin as krahun e filosllavëve majtistë e as atë të pushtuesit, asnjëra prej këtyre lëvizjeve nuk e gjeti të udhës që italianëve të çoroditur, t’u binte në qafë e as t’i vriste.

Ata u rekrutuan me vullnetin e tyre të lirë në batalionin “Antonio Gramsci”, i themeluar në kujtim të liderit të njohur komunist italian me origjinë të largët nga Gramshi në Shqipëri.

Aty luftuan krah për krah me partizanët shqiptarë, ku edhe nderuan emrin e tyre dhe po aq pastruan veten nga turpi i pushtimit që Italia i bëri me tradhëti vendit tonë në 1939-ën.

Shumë italianë të tjerë u fshehën plevicave të fshatarëve shqiptarë përgjatë  gjithë kohës që zgjati ajo luftë.

Të tjerë prej tyre punuan si ndihmës në tokat e pronarëve shqiptarë apo edhe thjeshtë mbijetuan  duke u ushqyer me kafshatën e bukës të njerëzve tanë deri në fund të konfliktit botëror.

Si shembull, vetëm në shtëpinë e stërgjyshes sime, në qilarin e fshehtë poshtë oborrit ë saj, gjatë luftës janë fshehur, ushqyer, mbrojtur, larë e ruajtur, mbi 20  ushtarë italianë pas kapitullimit.

Pasi qëndruan aty të sigurtë për muaj të tërë, ata vendosën të dalin në mal bashkë me partizanët tanë dhe kështu iu bashkuan batalionit “Gramsci” si shumë bashkëpatriotë të tjerë të tyret.

E gjithë kjo vepër, stërgjyshes time i kushtoi mjaft dhe ajo bashkë me fëmijët e saj u internuan nga autoritetet gjermane, në fshatrat e humbura të jugut të Shqipërisë ku edhe pula s’kishte çfarë të hante tjetër veç  gurëve.

Më pas edhe në vitet e regjimit komunist i cili nuk lejonte as edhe kontaktin më të vogël me botën perëndimore, disa prej atyre ushtarëve italianë që ishin fshehur në shtëpinë e familjes time, erdhën në Tiranë për të kërkuar të takohen me ne, por pa ia arritur këtij qëllimi.

Kjo ndodhi për shkak se siç bëhej rëndom në ato kohë të errëta, Sigurimi i Shtetit, ia ndaloi rreptësisht familjarëve të mi që të takoheshin me ta.

Takim shumë emocional dhe i dashur e plot ngrohtësi, që sidoqoftë u realizua pas rënies së regjimit në vitin 1990-të.

Kështu u sollëm neve me Italianët, të cilët kujtoj edhe njëherë, që sado të butë, kulturuar e aspak gjakatarë si gjermanët për shembull, sërish kishin ardhur si pushtues në vendin tonë e jo si turistë.

Ndërsa sllavët, qoftë edhe kroatët pak më të civilizuar se të tjerët, në 1945-ën i lanë duart me të paktën 400 e ca mijë italianë vendas të Dalmacisë dhe të Istrias, duke vrarë diku tek 10 mijë e më shumë prej tyre.

Pas asaj lufte të madhe botërore, tek fqinjët tanë jugorë helenë, plasi një tjetër luftë e tmerrshme, pasojat e së cilës ai vend i ndjen ende edhe në ditët e sotme.

Komunistët grekë u vunë përballë nacionalistëve fashistë dhe përballja e armatosur mes tyre zgjati për vite të tëra duke e shkretuar vendin edhe më tepër nga ç’kishte ndodhur gjatë pushtimit italian dhe nazist.

Ndershmërisht e thënë, të mos kishte qenë për ndërhyrjen e fortë në krah të nacionalistëve, të anglo-amerikanëve, punët për komunistët grekë do kishin qenë shumë të favorshme.

Në atë kohë, shteti i dobët shqiptar i sapo dalë nga një luftë e ashpër sa me pushtuesin e sa vëllavrasëse civile, pasi kishte pritur edhe disa mijëra çamër të therur e përzënë nga grekët e Zervasit, sido që të jetë, gjeti fuqinë të mbështeste edhe forcat majtiste helene.

Po ashtu shteti shqiptar mbajti me bukë, ushqime, medikamente dhe mbështetje të shumëllojshme partizanët grekë të cilët në atë luftë përfaqësonin krahun më të butë kundrejt minoriteteve në atë vend, për pasojë edhe ndaj shqiptarëve të shumtë të Greqisë.

Për shkak të kësaj përkrahje ndodhën edhe provokacionet e gushtit të 1949-ës.

Në këto sulme që nisën në fillim të gushtit të atij viti, grekët përdorën pretendimin se shteti ynë mbështeste partizanët helenë majtistë (por duke harruar se të njëjtën gjë bënte edhe Tito në kufirin Jugsollavo-Grek, ndërsa furnizonte me armë po të njëjtët partizanë dhe synonte që prej asaj lufte të fitonte portin e Selanikut, të cilin sllavët sipas traditës së tyre edhe e kishin riquajtur Solun, duke përdorur popullsinë e konsiderueshme sllavishtfolëse të Voden-Edesës dhe disa zonave të tjera në rajonin e Maqedonisë helene).

Grekët sulmuan për ditë me rradhë në Vidohovë të Devollit, në afërsi të Leskovikut, ata bombarduan Menkulasin, u përpoqën të nisin avionët e tyre modernë nga Korfuzi për në thellësi të territorit shqiptar, u përplasën në një betejë të vërtetë me rojet kufitare shqiptare në Gur-Bilisht ku edhe u thyen keqas.

Sulmi frontal drejt kufirit tonë vazhdoi me bombardimin e pandalur me mijëra predha artilerie të Tërstenikut, Cangonjit, Kapshticës e vetë qytetit të Bilishtit .

Nga kjo ofensivë e pashpallur zyrtarisht e fashistëve helenë, u vranë dhjetëra ushtarë e civilë shqiptarë dhe po ashtu mbetën si kërrma të ngordhura pranë postave tona kufitare, kufomat e qindra ushtarëve grekë, të cilët s’ia kishin dalë dot që të hynin më tej në tokën tonë.

Helenët s’ia dolën as në qëllimin që patën për të marrë krahët e partizanëve grekë të cilët kishin gjetur pikën e fundit të rezistencës në malin e Gramozit, pasi përballja me ushtarët tanë në kufi i pengoi në implementimin e kësaj strategjie të tyren.

Më pas, pala humbëse e asaj lufte civile, pra partizanët grekë, civilët dhe shumë sllavofonë të atyre anëve në kufi me Devollin, pra banorë të Follorinës, Kosturit, Selanikut etj, të gjithë më parë kaluan nga Shqipëria, ku u ushqyen, pritën e kuruan, para se të largoheshin drejt vendeve ku emigruan.

Edhe në këtë rast, ne shqiptarët vumë shpirtin tonë të madh, përmbi ndjenjat normale të armiqësisë totalisht të justifikuar që mund të kishim pasur ndaj fqinjëve tanë.

Ashtu siç edhe kishim bërë me çdo hebre i cili ishte gjendur brenda kufijve tanë, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Aq e fortë ishte ndjenja jonë e mikpritjes, sa as autoritetet pushtuese gjermane, në Shqipëri nuk ja dolën dot të zbatojnë qëllimet e tyre eliminuese ndaj atij komuniteti të vuajtur.

Askush, si nga populli i thjeshtë, pa përjashtim rajoni apo feje, apo si nga zyrtarët shqiptarë të institucioneve shtetërore të administruara nga pushtuesit, asnjë prej tyre nuk mori pjesë në ato plane dhe për rrjedhojë llogjike, askush nuk dorëzoi qoftë edhe një hebre të vetëm tek nazistët.

Më parë po aq edhe Mbretëria Shqiptare, pati kontribuar mjaft në favor të asaj çështje, duke i dhënë jo vetëm strehim por edhe dokumente shqiptare, shumë hebrejve të tjerë.

E gjithë kjo kryevepër historike e popullit tonë dhe e Shqipërisë, u kurorëzua pas lufte me faktin që numri i hebrejve në territorin tonë ishte shumëfishuar në krahasim me shifrat e parakonfliktit.

E gjitha kjo, ndërsa tjetërkund në Europë, kishte vende të cilët nga miliona hebrej të paraluftës, tanimë s’numëronin më në mes të nënshtetasve të tyre, as e edhe një hebre të vetëm.

Vendi jonë e luajti rolin e tij edhe në 1948-ën kur e njohu shtetin e ri të Izraelit.

Vepra e popullit dhe shtetit tonë, e familjeve dhe njerëzve të thjeshtë shqiptarë, nderohet me meritë të veçantë në muzeun Yad Vashem.

Ajo luftë traumatike, mori jetën e mijëra shqiptarëve, të vrarë shpesh jo vetëm në përballje dhëmb për dhëmb me okupatorin nazifashist.....

-Por edhe në përplasje të përgjakshme mes njëri-tjetrit, mes komunistësh idealistë, të cilët pak dinin për paktet filosllave të “udhëheqësve” të tyre me Titon dhe nacionalistësh ngurrues, të cilët me pavendosmërinë për të luftuar apo jo kundër rivalëve politikë, praktikisht ua dorëzuan vendin për 45 vitet e mëpasshme këtyre të fundit.

Luftë që u shënua edhe nga njolla të tmerrshme si Masakra e Tivarit, ku mijëra shqiptarë të tjerë nga trojet e mbetura jashtë Shqipërisë, u prenë në besë nga bashkëpuntorët shqiptarë të Titos (apo më mirë thënë, nga boshnjaku i rënë në Shkodër, i cili më pas mori në dorë frenat e Partisë së Punës, pas vdekjes së Enverit) dhe u dërguan në atë qytet dikur shqiptar, ku edhe u sharruan nga plumbat e mitralozëve jugosllavë derisa asnjë prej tyre nuk mbeti më i gjallë.

Apo luftë që na la si dëshmi për të mos u harruar edhe 4 shkurtin e 1944-ës dhe masakrën e 84 civilëve Tiranas.

Gjë që sërish nga dëshmitarë të kohës, si për shembull familja ime, kujtohet ende e freskët, kur një tufë injorantësh, pseudo-shqiptarë vërshuan lagjeve të Tiranës duke kërkuar të pafajshëm për të vrarë, në vend që të dilnin e të luftonin në fushëbetejë.

Në këtë kërkim të verbër për viktima të impotencës së tyre, ata për shembull, kishin dalë të gjuanin për njerëz për të ekzekutuar, dhe në këtë rast, emrat dhe mbiemrat ortodoksë të familjes së gjyshërve të mi  në atë lagje të Tiranës u gjendën në listën e tyre të zezë.

Familje që u mor me dhunë që të vihej para murit dhe të pushkatohej për shkak se në mendjen e cekët të atyre kriminelëve, feja ortodokse shqiptare, s’bënte ndryshim nga ajo  e sllavëve apo rusëve.

Ndërkohë stërgjyshja ime debatonte me ta duke u sugjeruar me forcë, që :”Po të kishin gjë me rusët, çfarë kërkonin atëherë në Tiranë?-Le të shkonin e të luftonin në Stalingrad po t’ua mbante e pasmja e mos merreshin me shqiptarët”!

Këta vrasës, që ngjyen duart në gjak shqiptar po aq sa ç’bënë edhe komunistët të cilët vranë sa mundën vëllezërit e tyre shqiptarë antikomunstë, ata për fat nuk ia dolën dot në qëllimin e tyre, për shkak se gjyshja ime e mitur në moshë në atë kohë, vrapoi tek familjet e nderuara kosovare të Bishqemëve dhe Kryezinjve, të cilët ndërhynë dhe ndalën zgjerimin e kësaj masakre dhe njëkohësisht shpëtuan edhe famijen e gjyshërve të mi.

Pas lufte, tragjedia vazhdoi akoma dhe pinjollët e këtyre familjeve të respektuara, u pushkatuan nga komunistët sapo Tirana ra në dorë të tyre.

Më vonë, 1999-a vuri edhe njëherë po të ishte nevoja në pah, shpirtmadhësinë shqiptare, kur ne dhe shteti jonë shqiptar, hapëm dyert për qindra-mijëra bashkëkombas nga Kosova në flakë, të cilët u detyruan me forcë, të largoheshin për në territorin shqiptar, apo edhe në FYROM, ku edhe aty si në Shqipëri, u strehuan në vatrat e ngrohëta, të shqiptarëve të thjeshtë.

Shqipëria s’kishte as dy vjet që pati dalë nga një “gati luftë civile”.

Serbët dhe Millosheviçi, uronin që me një gur do të mund të vrisnin dy zogj dhe në të njëjtën kohë do të zbraznin Kosovën nga shqiptarët, duke destabilizuar si Shqipërinë e supozuar të dobët, po aq edhe Maqedoninë me ekuilibra të thyeshëm etnikë.

Por Shqipëria doli shumë më e fortë nga ç’mendohej, ishte e aftë të mirëpriste dhe të ndante bukën e gojës me disa qindra mijë bashkëkombas kosovarë.

Palët politike në Tiranë pushuan luftën tradicionale dhe i lanë vendin një paqeje mes tyre, e cila zgjati fiks deri sa lufta në Kosovë përfundoi me sukses.

Prandaj sot s’ka fare kuptim, që shumë njerëz sa të painformuar aq edhe dashakeqës, të bëjnë ndarje a budallallëqe të këtij lloji, mes opozitës së djathtë të atyre viteve, apo qeverisë shqiptare.

Kryeministri aktual shqiptar, atëherë në opozitë, kishte rolin e tij gjatë kohës kur pati qenë në pushtet, për çështjen e Kosovës.

Por po aq, rol kishte edhe qeveria e kohës, e cila kishte ardhur në pushtet me anë të një “Revolucioni Komunist” tipik brenda për brenda Shqipërisë, por e cila përsa i përket qëndrimeve kundrejt Kosovës, ishte në sintoni të plotë me opozitën dhe amerikanët.

Kush flet sot për tradhëtira, apo pallavra të tilla, duhet të dijë, që gjatë luftës së Kosovës, në pushtet ishte e majta, me dy kryeministra të saj dhe kështu, që nga kampet e UÇK-së, armët e saj, pritja e të zhvendosurve nga Kosova, përgatitja e ushtrisë tonë etj, bëhej nën kujdesin e qeverisë shqiptare.

Prej këtij unifikimi të qëndrimeve në Tiranë, Shqipëria luajti me efektshmëri të admirueshme, rolin e saj në atë luftë shumë të suksesshme për popullin tonë

Po aq qeveria jonë ishte e aftë, të armatoste rezistencën shqiptare në brendësi të Kosovës, të krijonte hapësira ku luftëtarët shqiptarë dhe UÇK-ja të trainoheshin për luftën që po bëhej.

Ushtria shqiptare, sa herë u pa e nevojshme, ndali secilën tentativë të komandove speciale serbe dhe u shkoi në ndihmë me tanket e saj, fshatarëve të Kukësit apo Tropojës, të cilët me armë në dorë u përballën me serbët sa herë që ata vunë këmbë në tokën tonë.

Këto janë vetëm një sërë të vërtetash e faktesh që duhet të na bëjnë që në mos të ndihemi ca krenarë, të paktën t’a respektojmë vetveten si shqiptarë.

Po t’a shoqërojmë këtë me të kaluarën tonë vërtet të madhe, atëherë arsyet që të ndihemi mirë me veten tonë dhe për të falenderuar  Zotin që jemi “SHQIPTARË”, ato bëhen të shumta.

Pastaj, larg nga e kaluara jonë, na shfaqen mbretërit Ilirë...Bardhyli, Teuta, Genti, Agroni, Skerdilajdi, Monuni.

Na thërrasin për të na kujtuar se kush jemi......Pirro i Epirit, i cili akoma na kujton, se shqiptari lufton deri tek luftëtari i fundit, por në fund fiton.

Po nga familja e tij e madhe, duket aty Myrtali apo Olimbia, nëna e Aleksandrit të Madh, djalit me nënë Ilire dhe baba gjysëm Ilir (Filipi i cili të ëmën e kishte Ilire nga fisi i Lynkestëve), i cili iu imponua një bote të tërë, e cila akoma sot e adhuron dhe kërkon t’a përvetësojë, siç ende bëjnë helenë e sllavë-fyromas.

Aty shohim Justinianët e mëdhenj të Bizantit, komandantin dhe gjeneralin legjendar Belisar dhe gjakun ilir që i vlonte ndër vena, njeriun që mundi fisin e tmerrshëm gjermanik të Vandalëve dhe i cili ripushtoi Kartagjenën, duke rikthyer lavdinë në Kostandinopojë.

Ky pasazh nëpër faqet e historisë, na takon me Kostandinin e Madh, ilirin që ndau Perandorinë Romake në dy pjesë dhe i cili i siguroi me këtë lëvizje të mençur, Bizantit edhe 1000 vite jetë të mëtejshme.

Krah tij, qëndron krenar Diokleciani, iliri tjetër, ushtaraku i i fortë, që stabilizoi perandorinë dhe më pas i qetë e la pushtetin.

Aty duken edhe të paktën disa nga Papët me origjinë shqiptare-ilire të Romës.

Janë Shën Eleuteri nga Nikopoli (Preveza e sotme);

Shën Urbani I;

Shën Kai me origjinë nga Salona e Dalmacisë

;Papa Gjoni  IV nga Dalmacia ilire

;Papa Pali IV, gjatë kohës së të cilit u botua edhe “Meshari” i Gjon Buzukut, libri i parë i njohur në gjuhën shqipe.

Deri tek Papa Klementi i XI (Albani), gjatë fronit papnor të të cilit, u mbajt “Koncili i Arbërit” ku u mor vendimi për hapjen e shkollave shqipe dhe botim të librave në gjuhën tonë.

Pas tyre vjen natyralisht Nëna jonë Tereza, shqiptarja humaniste e njohur dhe e vlerësuar nga gjithë bota.

Ky është udhëtimi jonë mitik në këtë të kaluar legjendare që kemi, e cila nuk ka as edhe një gjë më pak se historia e jo vetëm fqinjëve tanë, shumica e të cilëve me origjinë të ulët plebeje barbare, por edhe se shumë kombe të tjera sot të mëdhaja e të fuqishme të Europës

Kalim nëpër historinë tonë, që përshëndetet edhe njëherë ngrohtë me Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe princërit e Lidhjes së Lezhës dhe në fund vjen deri në ditët tona.

Rrugës, të paktën unë, por sigurisht edhe të tjerë ndoshta, kam vënë re diçka të veçantë.

Se katër nga ushtarakët dhe komandantët më madhështorë të historisë botërore, kanë pasur padyshim në venat e tyre, gjakun tonë iliro-shqiptar.

Bëj fjalë për Aleksandrin e Madh, Pirron e Epirit, Belisarin dhe Gjergj Kastriotin!

Jo pak për një popull të vogël disamilionësh, që mezi ia ka dalë të mbetet në faqet e historisë dhe që jo rrallë ka shkuar deri në buzë të humnerës, duke rrezikuar edhe zhdukjen.

Shumë shqiptarëve të sotëm, këto fakte u duken të parëndësishme, apo të kapur shpesh nga atdheurrejtja infektive delirante, ata këto të dhëna të pakundërshtueshme, kanë edhe guximin e marrë që t’i refuzojnë.

Po e mbyll me një shembull.

Para disa vitesh kam qenë në Katedralen e Shën Sofisë në Stamboll.

Kishë e cila dikur ishte më e madhja dhe e bukura e gjithë krishtërimit.

Por po ashtu, ajo është një kishë e ndërtuar nga perndori ilir i Bizantit, Justiniani i Madh.

Atë ditë, duke u endur nëpër korridoret e ngushta anësore të kishës në fjalë, u ngjita në zonën e llozhave dhe atje hasa disa ikona të lashta.

Në njërën prej tyre ndodheshin figurat e Shën Justinianit dhe Shën Kostandinit!

I pashë, i lexova dhe nisa të flas me shqiptarë të tjerë që ndodheshin pranë meje dhe t’u thosha me entuziazëm se bëhej fjalë për dy shqiptarë dhe kjo për mua ishte një krenari e veçantë.

Por përgjigja e vetme që mori hareja ime nacionaliste, ishtin fjalët e vrazhda, të një djali thatim dhe të shkurtër, edhe ai shqiptar si unë, i cili m’a preu fjalën me pahir....”Po ça thu ti, pse more na i bëre të gjithë shqiptarë ti”!

Kështu pra, të huajt e fqinjët tanë, s’kanë fare pse të lodhen, se ne jemi shpesh më armiq të vetes se të gjithë ata së bashku.