E premte, 19.04.2024, 03:00 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Arbana Xharra: Vëllazëria turko-shqiptare

E enjte, 14.06.2012, 06:35 PM


Vëllazëria turko-shqiptare

Nga Arbana Xharra

Derisa ekonomia botërore po pëson rënie, kriza të vazhdueshme, duke pritur infuzionet financiare nga fondet e krizave të BE-së, Turqia është duke rritur ekonominë me shpejtësinë e dritës. Vetëm gjatë vitit 2011 kur vendet kyçe të BE-së patën rënie të madhe në bursa e miliona njerëz të papunë me borxhe të huaja miliardësh, ekonomia e Turqisë u rrit për 8,5 për qind.

Të ardhurat kombëtare të Turqisë për frymë janë llogaritur 7 mijë e 400 euro derisa të ardhurat kombëtare bruto, sipas çmimeve ushtrimore u realizuan në nivelin e rreth 547 miliardë euro. Trend i njëjtë është duke e përcjellë edhe në gjysmën e parë të këtij viti, kështu Turqia është duke bërë bum ekonomik. Në të njëjtën kohë asaj është duke i ndihmuar kriza evropiane e sidomos e pjesës juglindore ku e ka më të lehtë shtrirjen e ndikimit të saj për shkak të krizave të vazhdueshme ekonomike.

E kur merret parasysh edhe mentaliteti në komunitetin mysliman, Turqia që nga shpërbërja e Jugosllavisë ktheu kokën nga shtete me shumicë myslimane. Lidhjet ekonomike me disa vende i ka forcuar sidomos pas rënies së regjimit të Milosheviqit. Turqia me strategjinë e saj politiko-ekonomike është vendosur kryesisht në vendet ku dominon feja myslimane.

Politika e jashtme e Turqisë ka rritur angazhimin e saj politik dhe ekonomik dukshëm në dhjetëvjeçarin e fundit. Kohë pas kohe është refuzuar nga vendet me shumicë krishtere kur është parë tendenca që Turqia të afrohet me shtetet arabe. Por, që kjo nuk i ka penguar aspak vendeve si Bosnja, Kosova dhe Shqipëria që t’i hapin dyert Turqisë.

Në të njëjtën kohë politikat e BE-së i kanë bërë me dije vendeve që duan të integrohen që të mos i afrohen shumë Turqisë. Lojërat e dyfishta të politikanëve shqiptarë karshi shteteve të Evropës dhe në të njëjtën kohë duke i mundësuar Turqisë që të pushtojë dalëngadalë ekonominë përmes tenderëve dhe projekteve të mëdha ka rrezik të shkaktojë ftohje të raporteve me Brukselin.

Vitin e kaluar Turqia propozoi që të krijohet asambleja parlamentare e shteteve të Ballkanit e cila u vlerësua si një përpjekje e Turqisë për të krijuar ngrirje të proceseve integruese të shteteve që janë në pritje të futjes në BE. Edhe pse është i dukshëm disponimi dhe politika e BE-së kundër ndikimit turk, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri, kryeministri Erdogan edhe më tej ka autoritet dhe shtrin me lehtësi ndikimin e tij në këto dy vende.

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore një nga standardet kyçe të BE-së iu besua me fillim kompanisë turke “Enka” ndonëse në konsorcium me atë amerikane “Behtel” e cila ka aksione shumë të vogla, kompani kjo me dominim turk, me qindra miliona euro morën përmes tenderëve për ndërtimin Autostradës në Shqipëri dhe në Kosovë. Turqit morën edhe Aeroportin e Prishtinë me koncesion edhe pse dolën skandale të marrëveshjeve të fshehta mes qeverisë dhe kompanisë “Limak”, me fryrjen e çmimeve dhe shkelje të shumta të kontratës prapë ata ia mësyn projekteve të mëdha.

Dy ditë më parë u mor vendimi që edhe distribucioni i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) t’i jepet prapë kompanisë “Limak”, duke i dhënë kështu në dorë sektorët kyçë të ekonomisë së vendit.

Kështu Qeveria e Kosovës është duke krijuar lidhje të ngushta me ekonominë turke, duke mos i dhënë asnjë tender të madh kompanive nga evropiane derisa zyrtarisht luan me letrat e Evropës. Qeveria e Kosovës duhet ta ketë të qartë se Brukseli nuk ha bar. Sepse sipas kësaj logjike nuk po del e kotë deklarata e kryeministrit Sali Berisha se ne me turqit kemi lidhje vëllazërore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora