E enjte, 25.04.2024, 05:40 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Lidhja e Prizrenit, Qyteti 'feston' me flamur turk

E enjte, 14.06.2012, 07:34 PM


Nga e dërguara në Prizren, Fatmira Nikolli - Gazeta Shqiptare

Eshtë ditë e diel dhe kalendari shënon 10 qershor 2012. Data është tejet dome-thënëse: Shënohet 134-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e jemi në 100-vjetorin e Pavarësisë. E kemi lënë Tiranën herët dhe jemi nisur për Prizren. Ora 10:00 e mëngjesit, kemi kaluar doganën e Shqipërisë dhe makina jonë ka ndaluar në atë të Kosovës. Kontrollori i doganës merr kartat e identitetit dhe i sheh një e nga një. "Për ku kështu?",- na pyet me një ton të papërshkrueshëm, as ironik, as mikpritës, as të çuditur... "Për Prizren", - i them, me një ton disi euforik e po ashtu të habitur (herë të tjera s'na kanë pyetur) ndërsa më tej shtoj "është data 10 qershor sot, ka festë, apo jo?". Kontrollorit i kthehet buzëqeshja, dhe na uron mirëseardhjen. E pyesim nëse kanë hyrë shumë makina nga Shqipëria për në Kosovë deri në atë orë. "Ka hy ma i madhi i tan shqiptarëve", - thotë polici gjithë gëzim. E ka fjalën për kryeministrin e Shqipërisë, z.Sali Berisha. Ne vëmë buzën në gaz dhe urojmë njëri-tjetrin për festën, e më pas polici, që tashmë është bërë më i dashur e më i sjellshëm, na uron edhe rrugë të mbarë.

I drejtohemi qytetit historik. Do na duhen pak minuta për të mbërritur, sepse prej pak muajsh, Rruga e Kombit ka mbërritur deri në Prizren. Teksa i afrohemi, nga larg na përshëndet kalaja. Duket tejet kryelartë atje në ballë të qytetit. E kanë stolisur me një flamur kombëtar gjigant, çka duket se ia ka shtuar edhe më tej nurin. Flamujt kuqezi shquhen prej larg! Prizreni, a si i thonë ndryshe edhe qyteti i gurtë, bëhet kaq joshës kur e sheh nga larg. Në të hyrë të tij shohim makina me targa të ndryshme, Fier, Vlorë, Tiranë, Elbasan, etj., për të mos llogaritur pastaj targat e shumë qyteteve të Kosovës që dihet se në një ditë si ajo, nuk do të mungonin. Por i gjithë gëzimi i festës që duket se na pret krahëhapur, zbehet sapo ne ia behim në hyrje të qytetit. Habitemi e fërkojmë sytë kur krahas flamurit 'europian' të Kosovës e flamurit kombëtar kuqezi, sytë na zënë edhe flamurin turk! E pamundur! Si mundet të ndodhë kjo?! Çfarë simbolike ka? E në fakt, ç'do flamuri turk, në ditën kur shqiptarët përkujtojnë bashkimin e para më shumë se një shekulli, pikërisht kundër atij flamuri? Hej bela me ne!

Pak histori...

Po pikërisht 134 vite më parë, në Kuvendin Kombëtar që u hap më 10 qershor 1878, nuk mundën të arrinin gjithë delegatët e krahinave shqiptare, sepse zëmë shembull delegatët e Shkodrës, qenë penguar nga intrigat e valiut turk, Hysen Pasha! A nuk qe Lidhja Shqiptare e Prizrenit ajo që ngriti me forcë para Qeverisë Osmane çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi më vete politiko-administrative, që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshtoi? A nuk qe flamuri me gjysmëhënë ai që valëvitej kundër kërkesave të shqiptarëve?

Po, ka qenë pikërisht ai i pikërisht 134 vite më parë! Atëherë, krejt natyrshëm lind një pyetje e thjeshtë për një njeri po aq të thjeshtë, i cili qëllon që ka dëshirë ta festojë këtë ditë pikërisht në Prizren: Për çfarë valëvitet më 10 qershor 2012 flamuri turk në Prizren? Cila është simbolika e tij? Ç'lidhje ka sot kjo simbolikë, me simbolikën e heqjes së vitit 1878 nga emblema e komunës së Prizrenit? A është sot Prizreni i shqiptarëve apo është, ndër të tjera edhe i shqiptarëve? Shqiptarët, janë shquar gjithnjë për mikpritës e nuk iu ka dalë ndonjëherë nami as si ksenofobë, as si njerëz që nuk i duan pakicat, apo që i keqtrajtojnë ata. Përkundrazi, shqiptarët janë ata që kanë strehuar edhe robërit e luftës. Por, një gjë s'po e kuptoj nga këta shqiptarët e mi, flamuri turk ore vëllezër ç'bën përkrah atij shqiptar e atij të Kosovës në ditën kur përkujtohet bashkimi kundra turqve?

Nuk jemi kundra bashkëjetesës, e as kundra respektimit të minoriteteve, por kjo shaka, thjesht na duket fort e pavend, ashtu siç ne njerëzve të thjeshtë na u duk fort e pavend, heqja e 1878-ës nga emblema... Nuk janë me vend ndasitë fetare ndër ne, nuk na shkojnë sot në liri, kur nuk na kanë ndarë në kohët kur qemë të pushtuar e kur feja të shpëtonte ose t'i shtonte taksat, a të tjera probleme kësisoj.

E kaluam hyrjen e qytetit qejfprishur dhe me sy të shqyer nga habia, ia behëm tek Shtëpia-Muze e Lidhjes së Prizrenit. Aty na thanë se muzeu është mbyllur dhe hapet diku pas orës 11:00. Vendosëm t'i merrnim më këmbë udhët e qytetit për ta shijuar fustanin kuqezi të tij, sepse pas 'hyrjes' na i kishte fort ënda këto ngjyra. Për t'iu fshehur diellit e temperaturës së lartë të së dielës, u nisëm drejt një kafeneje. Aty, i rrethuar me eskortën e vet, qe ulur kryeministri i Kosovës, Z.Hashim Thaçi. I shpenguar dhe pa kravatë, ai ndenji aty deri sa e lajmëruan që drejt tij po vinte një tjetër kryeministër. Atëherë, Thaçi "vrapoi" të vinte kravatën. Ndopak minuta më vonë, mbërriti edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, e pas tij, edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti. Mbasi u bënë bashkë të tre, të shoqëruar nga prizrenasit, morën udhën drejt Shtëpisë-Muze të Lidhjes së Prizrenit. Aty përshëndetën me radhë: Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, homologu i tij shqiptar, Sali Berisha dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti. Se cilat qenë fjalimet e tyre, lexuesi i di tashmë. Nga ana tjetër, neve që qemë të pranishëm aty, na bëri përshtypje që Çamëria as që u përmend, ndërsa munguan edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi. Nga Presheva pat ardhur kryetari i komunës, Ragmi Mustafa, por ai nuk mbajti fjalim. Mbasi ikën të mëdhenjtë, vizituam muzeun e Lidhjes. Rreth e rreth tij, pat vetëm flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë! Ja, kështu e festoi edhe këtë vit Prizreni 'Lidhjen', i mblodhi do udhëheqës bashkë, duke "ribashkuar" shqiptarët, për ndonjë orë, për një ditë. Udhëheqësit thanë se bashkimi i shqiptarëve do të jetë në Bruksel. E lamë qytetin pasdite, ndërsa një shi nevrik ia lante mëkatet.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora