E enjte, 25.04.2024, 04:37 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Baki Ymeri: Promovimi i librit Berisha dhe Shqipëria demokratike në Bukuresht

E enjte, 14.06.2012, 08:05 PM


Promovimi i librit Berisha dhe Shqipëria demokratike në Bukuresht

Nga Baki Ymeri

Ditën e hënë, 11 qershor, në sallën Lapidarium të Muzeut Kombëtar të Historisë së Rumanisë, u promovua në Bukuresht libri: "Berisha dhe Shqipëria demokratike", i shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur Fahri Balliu. Veprimtaria u organizua nga Muzeu Kombëtar i Historisë së Rumanisë dhe Shtëpia Botuese Leda – pjesë e grupit Editorial Corint. Në veprimtari morën pjesë anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Bukuresht, Ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht, Sami Shiba, miq të Shqipërisë, anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë, analistë të njohur, historianë, shkrimtarë dhe masmedia rumune.

Për librin folën shkrimtari Bedros Horasangian, Tiberius Puiu përkthyes i librit, Dr. Xhelku Maksuti, historian, dhe Dr. Ernest Oberländer-Târnoveanu, Drejtor i Përgjithshëm i Muzeut Kombëtar të Historisë, i cili e hapi aktivitetin duke u shprehur se jo rastësisht, promovimi i këtij libri kryhet në vitin 2012,  i cili shënon 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje e rëndësishme historike dhe një eveniment i jashtëzakonshëm për kombin shqiptar. Ai foli edhe për rolin dhe rëndësinë historike të shqiptarëve të Rumanisë gjatë shekujve. Përndryshe, ky është libri i katërt që publicisti Fahri Balliu boton në Bukuresht, pas “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” (Shtëpia Botuese “Humanitas”), “Panteoni i zi” dhe “Arkitekti” (Editura Vremea).

“Kemi tani në dorë një libër për Shqipërinë e ditëve tona. Shqipëria ka një histori të përbashkët me popujt e të tjerë të Ballkanit. As më të mirë, as më të keqe. Fatkeqësia e fundit (e madhe) në historinë e këtij vendi, Shqipërisë dhe shqiptarëve – nga e cila u përjashtua Turqia dhe Greqia – ka qenë diktatura komuniste, e cila e çoi vendin dhe popullin shqiptar në një situatë dramatike. Instaurimi i komunizmit, pas Luftës së Dytë Botërore, diktatura e tipit stalinist në variantin maoist, e izoluan Shqipërinë për vite me rradhë nga pjesa tjetër e Europës. Kështu që fitorja në zgjedhjet e lira të 22 marsit 1992 e opozitës demokratike në Shqipëri, i dhanë një drejtim tjetër historisë së këtij populli. Dr. Sali Berisha, një mjek me prestigj, i paankoruar me sistemin e vjetër, me mekanizmat e pushtetit, arrin të bëhet President i Shqipërisë. Ky politikan, kryetar i Partisë Demokratike, ia del mbanë të ndryshojë rrjedhën e historisë shqiptare moderne, ky është subjekti i këtij libri tejet tërheqës”, shprehet Bedros Horasangian. Nuk është fjala për një monografi të mirëfilltë dedikuar një personaliteti politik, por për një panoramë të gjerë të shqetësimeve të shoqërisë shqiptare në dhjetëvjeçarin e parë pas rënies së komunistëve nga pushteti në Shqipëri.

Sipas analistit Horasangian “Autori i librit, Fahri Balliu, gazetar me përvojë, drejtues shtypi, politolog i aftë dhe me një stazh në diplomaci, na bën një radiografi të shoqërisë shqiptare të viteve të para pas ’90-s”. Për përkthyesin dhe analistin e njohur politik, Tiberius Puiu, ky është një libër i rëndësishëm për të gjithë ata që duan të kuptojnë atë çfarë ka ndodhur vërtet me Shqipërinë e para dhe pas viteve 90-të. “Ky libër, i cili tregon momente të rëndësishme të ndarjes nga komunizmi në Shqipëri, i ofron lexuesit rumun një mundësi për të shqyrtuar edhe evoluimin e Rumanisë pas vitit 1989. Sepse, edhe pse pak e dinë këtë, komunizmi rumun ishte i afërt me komunizmin shqiptar, sidomos në vitet e fundit. Diktatori i gjithëpushtetshëm dhe i gjithëditur, vetizolimi i vendit, ekzagjerimi i “kështjellës së pamposhtur”, ekzagjerimi i ndjenjës nacionaliste, ndërsa e vërteta është se komunistët kanë qenë tradhtarët më të mëdhenj të interesave të vendit, këto janë vetëm disa nga karakteristikat e dy regjimeve komuniste.

Ndërmjet rumunëve dhe shqiptarëve, sipas filoshqiptarit Tiberius Puiu, ekziston edhe një ngjashmëri karaktersistike: Derisa serbët e sollën komunizmin në Shqipëri ndërsa rusët në Rumani, sot shqiptarët kanë shpëtuar nga serbët, ndërsa rumunët kanë shpëruar nga rusët. Fakti që në Rumaninë e Çausheskut nuk kanë ndodhur ekzekutimet e Shqipërisë, nuk përbën një ndryshim thelbësor, sidomos për vitet e fundit, të cilat treguan një afrim gjithnjë e më të madh në drejtimet politike të Rumanisë dhe të Shqipërisë”, do të thoshte në fjalën tij Tiberius Puiu, teksa shton se ky libër do të plotësojë zbrazëtinë që ekziston në opinionin publik rumun për Shqipërinë, për tranzicionin shqiptar.

Dr. Xhelku Maksuti, historian rumun me origjinë shqiptare, foli për kontekstin historik të librit, për evolucionin e ndodhive historike dhe tranzicionin shqiptar, për figurën e intelektualit dhe politikanit Sali Berisha, i cili ka shënjuar gjithë periudhën e historisë moderne shqiptare pas viteve ’90, në të gjitha fazat integruese të Shqipërisë në hapësirat Euro Atlantike. Me këtë rast, kontribut për dinamizimin e këtij manifestimi dhanë edhe ambasadori i Shqipërisë, si dhe Dr. Luan Topçiu, ministër-këshilltar i ambasadës shqiptare në Bukuresht. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm edhe për organizimin e manifestimeve kushtuar Naum Veqilharxhit, Naim Frashërit, pavarësisë së Shqipërisë dhe evenimenteve tjera shqiptare në këtë vend.

Në mbyllje të aktivitetit foli autori i librit z. Fahri Balliu, falënderoi të pranishmit, të gjithë ata që bënë të mundur botimin e librit. Për të pranishmit,  zoti. Balliu, hoqi disa paralele për elementet e përbashkët të historisë së Shqipërisë dhe asaj të Rumanisë. Në kontekstin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ai nënvizoi mirënjohjen e shqiptarëve për ndihmesën që ka dhënë Rumania për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Njëherazi, autori i librit evokoi disa figura historike shqiptare, duke theksuar rolin e tyre në një kontekst europian. Më pas u ndal në figurën e Dr. Sali Berishës, duke bërë një inkursion mbi kalimin e këtij personaliteti politik nga një intelektual i shquar, si mjek kardiolog dhe profesor universitar, në një politikan që do të luante një rol kardinal në të gjitha momentet e rëndësishme të demokratizimit të Shqipërisë. Ai theksoi se, në sajë të këtij politikani, Shqipëria është sot anëtare e NATO-s, shtetasit shqiptarë lëvizin pa viza në Europë. “Shqipëria sot, në sajë të drejtimit të Sali Berishës, ështe një nga të paktat vende europiane që nuk e njeh recesionin ekonomik, ku investimet e huaja, për shkak të politikave liberale ekonomike dhe fiskale, kanë njohur një rritje thelbësore.”

Pas mbylljes së këtij aktiviteti vijoi një intermexo muzikore, ku sopranoja e njohur shqiptare, Arlinda Morava, interpretoi për të pranishmit një pjesë nga muzika klasike rumune si dhe dy këngë nga repertori i muzikës shqiptare.

Arlinda Morava duke interpretuar këngën Moj e bukura More

Nga e djatha, Luan Topçiu, Fahri Balliu, drejtori i Muzeut dhe ambasadori i Shqipërisë


Pamje nga salla


Muzeu Kombëtar i Historisë së Rumanisë



(Vota: 33 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora