E shtune, 20.04.2024, 12:00 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Ashiku i Rrapit vdes i ri

E enjte, 14.06.2012, 07:14 PM


ASHIKU I RRAPIT

       VDES I RI

Nga:  KALOSH ÇELIKU

Urrejtja në liri

( Mikut tim, Pano Taçi )

U njohëm rastësisht, në manifestim poetik

Ti i kishe shkarravitur muret e zandaneve.

E Unë, burgun shtëpiak në IRJ Maqedoni.

 

Vetëm, për çudi ta pata lakmi

Urrejtjen ti e kishe lënë në burg.

E Unë e kisha nxjerrë në liri...

                         (Edhe Ajo nuk ishte xheloze, Shkup, 2004)

       E pritnim për çdo vjet plot mall si gjithmonë në Shkup edhe këtë fundverë me fillimin e Vjeshtës si Lejlekun e vonuar shtegtar në Takimet Poetike nën Rrap. Realiteti, ai edhe i mbante gjallë këto takime poetike. Ishte njëri ndër themeluesit e këtyre takimeve tradicionale të poezisë erotike. Nuk e ndalte Moti i keq: shiu, breshëri e as bora  për të marrë pjesë në këto takime tradicionale. Rrugën e merrte edhe këmbë si djalë i ri nëpër Qafë Thanë. Ndonjëherë na paraqiteshte me anë të telefonit se ka mbetur në Strugë. Nuk kishte asnjë lidhje komunikacioni për të arritur me kohë në Shkup. I merrja miqtë atje, në telefon dhe u thoja: Pano ka mbetur në Strugë, ku të doni ta gjeni nëpër qytet të ma sillni në Shkup! Edhe, pas dy orëve e sillnin Ashikun e Rrapit. Raste kishte edhe kur përfundonte me gjithë miq në polici, në Kërçovë pse kishte lexuar poezi në Tetovë. Turr ne organizatorët pas politikanëve shqiptar në pushtet, kur dëgjonim se Pano Taçin përsëri e kanë rrasë në birucë. I madh e i vogël çoheshim më këmbë për ta përcjellur në Tiranë pa asnjë ferrë në këmbë. E donin të gjithë, po përçudi edhe ai i donte njerëzit. Punemadhe, që një soj i tyre e kishin rrasur edhe në burg. I tillë ishte Pano Taçi. Autori i vargjeve që kërkoi përsëri ta kthenin në burg se atje, „i kishte të gjitha“: bukë, shtëpi, lekë, gra... E, në liri nuk kishte asgjë, as edhe bukë për darkë.  Vargjet, kohën e fundit më nuk e dëgjonin poetin, ngrenin krye: „Do shkoj të shtrihem të bëj gjumë/ O soi im i morrit, u lodha shumë,/ më shumë se ç'duhet./ Duke gicilisur tokën plakë:/ kam cimbisur helm e jo gjak”

       Zemrën na e bënte mal, kur e shihnim në mesin tonë për çdo vjet me poezitë e „egra“. Kurrë, nuk na ka shkur mendja se këtë vit me gjithë ato vite plot vuajte mbi shpinë nuk do ta kemi në mesin tonë nën Rrap. Përkundër, problemeve që më rrinë natë e ditë mbi kokë, këtë vit mendoja të shkoj ta marr vet deri në Tiranë. Çfarë parandjenje dhe fati të tmerrshëm kemi ne poetët e nemur nga pushteti?! Lumë ne që u besojmë poezive e jo partive politike! Kryetarve teknefes të partive politike e Shtetit. Përpara duhet të vdesim si poetë, që të vijnë të na sjellin lule, qajnë mbi varr. Iku paprtimas, edhe atë në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, kur prisnim këtë vit ta përcjellim Natën me poezi e këngë deri në agim me Ashikun e Rrapit. Fatkeqësisht, kësaj radhe nuk e deshi Zoti. Rrapi më kot do ta pres shtegtarin e plagosur t’i paraqitet nga rruga me telefon se ka mbetur në Strugë. Jo, ai kësaj radhe ka gjetur tjetër shtëpi, atje nuk ka telefon. Gjatë kohë Rrapi do të mbajë zi për poetin. Mikun që e deshi aq shumë dimër e verë. Shkaku se, Pano Taçi vetë kishte në shpirt „dimër jashta, dimër brenda“.

       E përcollëm dikur së bashku me poezi e këngë edhe Luftën e fundit (2001) nën Rrap. Krah për krahu me shokë lexuam poezi para tytave të tankeve. Frikës që na ndiqte pas si hije... Zonjën Vdekje, kur në çdo hap na vënte pusi pas ferre... Erdhi koha, më në fund t’i kthehemi jetës... Manifestimeve kulturore... Lirisht të marrim frymë përmes poezive anembanë Atdheut. Tekefundit, t’i heqim qafe kufijt politik. Armët e kishin bërë të veten me shekuj, mjaftë kishin folur nëpër vite. Tashti, duhet të heshtnin mbyllin gojën. Radhën e ka pena... Kur flet arma, heshtë pena... E kur flet pena, hesht arma...

       Manifestimi kulturor, Netët Poetike të verës: TAKIME NËN RRAP, atë vit kishte edhe karakter festiv, për herë të parë u mbajtë në Zonën e lirë... Edhe vitet tjerë e kishin bërë të veten nën Rrap me vargje e këngë deri në agim. Kurrë, Shkupit deri në atë ditë nuk i kishin ardhur aq shumë miq poetë, një autobus me targa TR nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Artisti Xhevat Limani lexoi në mënyrë shekspiriane Asdrenin: „Nuk‘ duamë gjë tjetër, nukë/ vetëm ca armë edhe ca bukë!“ Vargu shqip atë natë nën Rrap krisi në mes të Shkupit. Poezitë e para për UÇK – në u lexuan deri në agim. E përcollëm Natën.

       E shih kësaj radhe, në këtë Njëqindvjetor të Pavrsësisë së Shqipërisë për të pesëmbëdhjetën herë me radhë pritej përsëri të tuboheshim si zogjtë shtegtar nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Patjetër, edhe do të tubohemi me gjithë poezi në Motin e Madh 2012. Një minutë heshtje do të mbajmë për ty, o Pani Plak si dëshmorë i poezisë... Edhe për Miken tjetër të Rrapit, Hida Halimin... Lavdi... Revista letrare STILI 97 këtë Njëqindvjetor do të mbaj me krenari në ballinë në dy numrat e këtij viti (2012) portretet e dy miqve të Rrapit.

       Luftën dikur e përcollëm me poezi e këngë nën Rrap... Zonën e lirë... Sot si për çdo vjet Hida Halimi dhe ti o Pano Taçi, përsëri do të jeni në mesin tonë, që edhe këtë Manifestim Kulturor Tradicional Ndërkombëtar TAKIME NËN RRAP ta hapni me poezinë - himn:    

NA BASHKOI RRAPI

........................................

Ejani o dashamirë

Mblidhuni, t’ia bëjmë fora.

Ne siç jemi zemërdlirë

s’kanë se ç’na bëjnë ca morra.

 

Le të buçasë këngë e Rapit

më e bukur për çdo mot.

Cmirëziu me trutë e krapit

të na ndaj e ka më kot.

 

Shpirt i tij i zi me damga

e me zemrën përplot driza.

Rrjetën thur si marimanga

të na kapë me ç’na çmon miza.

 

Por ne insekte nuk jemi,

jemi zogj të Rrapit të lartë

blerimin nën buzë e kemi

siç kemi këngën të zjarrtë...

............................................. 

       Tri ditë e tri netë do të lexojmë poezi nën Rrap... Këngë... Valle deri në agim... Dolli do të ngrejmë në Zonën lirë për shpirtin tënd të shenjtë që fluturoi në Baba Tomor. Malin e Perëndive. Tyrben ku pihet vera, shkruhet poezi... Dhe, bëhet dashuri...

       Zonja Vdekje kësaj radhe nuk do të na vij e papritur në këtë manifestim kulturor nën Rrap. Edhe pse, edhe asaj moti i kemi dërguar një ftesë. E presim ta përshëndes Dasmën e Motit Madh 2012 me një poezi, ku ti o Pano Taçi kësaj radhe do ta fitosh titullin e përjetshëm: ASHIKU I RRAPIT... Çmim letrar që do të ndahet për çdo vjet nën Rrap...

Pano Taçi në mesin e miqve në MKTN: TAKIME NËN RRAP, në Shkup (2011).



(Vota: 209 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora