E enjte, 25.04.2024, 08:19 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: A po zbatohet “Katovica”?

E enjte, 14.06.2012, 07:59 PM


A po zbatohet “Katovica”?

Nga Reshat Kripa

Këtë pyetje ma bëri miku im i fëminisë LK, mbi shpatullat e të cilit rëndojnë 29 vite burg. U arrestua në vitin 1961, pasi kishte strehuar një kushëririn e tij të arratisur dhe u dënua me 25 vjet privim lirie. Ndërsa kryente dënimin në kampin e punës së detyruar të Spaçit, merr pjesë në revoltën e zhvilluar atje dhe dënohet përsëri me 25 vjet të tjera. Përfundimisht lirohet në vitin 1990, disa muaj para përmbysjes së madhe.

Pyetja e mikut me vuri ne nje pozitë të vështirë. Kishte apo nuk kishte të drejtë? Kjo dilemë qëndronte pezull në ndërgjegjen time. Shpirtërisht nuk doja ta besoja. Pikënisja e kësaj dileme kishte qënë mbledhja e udhëheqësve komunistë  të vendeve socialiste në kohën kur ky sistem kishte marrë rrokullimën. Vendi ynë nuk kishte marrë pjesë në atë mbledhje pasi marrëzia e udhëheqjes së atëhershme e kishte bindur atë se ishte kreu i gjithë lëvizjes komuniste të botës. Megjithatë vendimet e kësaj mbledhjeje kishin mbërritur edhe këtu. Miku im LK m’i përsëriti, nuk e di për të sajtën herë:

Lidhur me pluralizmin, do t’i nxisim të krijojnë parti sa të duan, të majta, të qendrës dhe të djathta, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen dhe drejtohen nga ne. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin në themel e në çati. Të përndjekurit politikë do të thonë:

- Edhe këta e urrejnë komunizmin.

Do të afrohen dhe do të na përkrahin. Ne na intereson karta morale e tyre. Do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme, po kurrë nuk do t’i lëmë të marrin pushtetin, sepse atëherë  ata  do    fillojnë  të hakmerren.

Çuditërisht unë jam një person i dyzuar. Brenda vetes time  ekziston një person i dytë që mendon ndryshe nga i pari. Ky dyzim më ka lindur pas ndryshimeve demokratike dhe kjo ka arsyet e veta. Tradicionalisht i përkas një familjeje me parime të djathta nacionaliste. Qysh kur isha fëmijë shikoja tim atë që mbrëmje për mbrëmje dëgjonte fshehurazi lajmet e Radio Londrës dhe i komentonte ato me miqtë e tij më të afërt. Copëza nga këto biseda i kapte edhe veshi im dhe pak nga pak tek unë formoheshin këto bindje që kam sot. Fati e pruri që të burgosesha që në moshë të re dhe atje kontakti me intelektualët e rrallë që njoha bëri që të vendosesha përfundimish në krahun e të djathtës nacionaliste.

Gjithmonë kam ëndërruar për lirinë. Ndaj u bashkova qysh në çastet e para me lëvizjen demokratike për përmbysjen e sistemit totalitar. Në këtë lëvizje u hodha pa asnjë paragjykim. Shikoja që pjesa dërmuese e atyre që ishin në krye të saj, i përkisnin klasës së pushtetit të përmbusur. Megjithatë kjo nuk më shqetësonte pasi mendoja se kushdo ka të drejtë të hedhë poshtë pjesën e keqe të zemrës së tij dhe të jetojë me atë më  të mirën, siç thoshte Hamleti i Shekspirit. Kushdo ka të drejtë të ngrihet edhe kundër së kaluarës së tij kur ajo nuk është e drejtë. Por, para se të kryej një veprim të tillë, personi duhet të reflektojë. Ai duhet të pranojë që deri atëherë kishte ndjekur një rrugë të gabuar, gjë që nuk ndodhi në asnjë rast dhe nga asnjë individ. Filluan të shajnë komunizmin “në themel dhe në çati” por pa treguar rolin e tyre sado të vogël në atë sistem jo njerëzor. Kjo gjë solli që në krye të dilnin edhe disa “gojë mjalt’e trup përlyer” që në të kaluarën nuk linin më pa thurrur lavde për “mrekullitë e botës socialiste”.

Kjo gjë më kujtoi  një  thënie    zotit  Benesh,  përfaqësues  i  grupit  demokrat  çek,  në seancën e miratimit të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Për dënimin e krimeve të rregjimeve komuniste” në vitin 2006:

Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish- komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Janë pikërisht këta lakej që sot ndodhen në pushtet apo opozitë që e kanë bërë karakterin tim të dyzuar. Duke qënë në detyrën e Kryetarit të Degës së Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Tiranës pothuajse përditë hasem me çështje që u përkasin atyre dhe që, për fatin e keq, është shumë e vështirë të gjejnë zgjidhje. Dyzimi im më bën që të dyshojë nëse një gjë e tillë vjen nga burokracia e zakonshme që ekziston në administratën shtetërore apo mosdashja e tyre. Në rast se do të ishte e para do ta konsideroja si një pakujdesi që shpejt mund të korigjohej por, po të ishte e dyta, do të më vinte shumë keq pasi, duke qënë vetë një anëtar i së djathtës nuk do të më vinte mirë që një qeveri e po të së djathtës të kishte një mendim të tillë.

Tani le të kthehemi në çështjet që preokupojnë më tepër të përndjekurit politikë. Në krye të tyre, natyrisht, qëndron antikomunizmi. Ishte ky motivi pse iu kundërvunë komunizmit, që u dënuan dhe vuajtën për gati nje gjysmë shekulli terror. Por a është luftuar komunizmi në Shqipëri? Përgjigja është një e vetme: JO!

Një gjë e tillë ra në sy edhe të vendeve demokratike të botës. Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë, qysh në marsin e vitit 2010, të dënonte krimet e komunizmit. Po për këtë qëllim, më 14 dhjetor 2010, gjashtë ministra të jashtëm, ata të Lituanisë, Letonisë, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë i kërkuan Sekretares së Përgjithshme për Drejtësinë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zonjës Vivian Reding,  dënimin e këtyre krimeve por që, për fat të keq, kjo kërkesë nuk u përkrah nga Ministri ynë i jashtëm.

Çfarë u bë lidhur me këtë. Pas miratimit të një ligji që gjeti zbatim, pas gati dy vitesh, u krijua “Instituti i Hetimit të Krimeve Komuniste”. Ka kaluar një vit nga krijimi i tij dhe ende nuk po shohim diçka konkrete. Kur do të lejohet ky institut të futet në kompetencat që i jep ligji? Këtë nuk e dimë. Unë mendoj se ky duhet ta fillojë punën e tij duke u mbështetur në kërkesat e parashtruara në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” të vitit 2006.

Cilat janë këto kërkesa: Le të analizojmë disa prej tyre, ato më kryesoret:

Pika 4.  Rënia e regjimit komunist në Shqipëri nuk  u pasua me nje hetim të krimeve të kryera prej tij, aq më tepër që autorët e këtyre krimeve nuk u përballën asnjëherë seriozisht me drejtësinë dhe nuk u kërkuan falje publike viktimave të genocidit komunist.

Për deri sa një gjë e tillë është pranuar nga parlamenti shqiptar, çfarë e pengon pushtetin gjyqësor dhe atë ekzekutiv ta zbatojnë? Megjithëse kanë kaluar gjashtë vjet nga miratimi i rezolutës në fjalë nuk shohim asnjë shenjë për hetimin e këtyre krimeve ose një të penduar të vetëm që t’i ketë kërkuar falje viktimës së tij. Sikurse thekson rezoluta denoncimi i krimeve të diktaturës komuniste, i shërben shmangies së përsëritjes së krimeve të ngjashme në të ardhmen. Për këtë duhet forcuar ndërgjegjësimi i opinionit publik shqiptar, për krimet çnjerëzore të kryera nga regjimi diktatorial.

Pika 8. Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore që çoi

në izolimin dhe varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe kërkon heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhëna atij e bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist.

Kush duhet t’ia heqë këto dekorata e tituj atij dhe të tjerëve? Unë mendoj se kjo i përket pikërisht Kuvendit të Shqipërisë që ka miratuar këtë rezolutë dhe që udhëhiqet dhe ka në përbërjen e tij edhe të përndjekur politikë nga ai regjim. Ku është zëri i tyre?

Pika 9. Kuvendi i Shqipërisë kërkon rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore.

Terma të tilla si “24 maji”, “11 janari”, “21 dhjetori”, “10 korriku”, “Komuna e Parisit” e të tjera i  gjen ende në emërtimet e rrugëve, lagjeve, shesheve, shkollave,  madje  ato  i  dëgjojmë

gjithmonë e më shpesh nëpër shtypin e përditshëm apo atë televiz, nëpërmjet analistëve  dhe  për

më tepër edhe të politikanëve tanë. Kush është organi që do t’i heqë? Mos vallë është i nevojshëm një ligj i tillë që i detyron qytetarët të mos t’i përdorin këto emërtime?

Pika 10. Kuvendi i Shqipërisë kërkon bërjen puiblike të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë dhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve.

Përsëri e njëjta pyetje: Kush do t’i bëj të ditura këto dokumenta? Ministria e Brendëshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Instituti Hetimit të Krimeve Komuniste apo ndokush tjetër. Pas gjashtë vjetësh, përsëri asnjë përgjigje. A thua të jenë shurdh drejtuesit e këtyre institucioneve që nuk përgjigjen?

Pika 11. Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.

Mbi njëzet vjet demokraci dhe Shqipëria është i vetmi vend i Europës Lindore që nuk ka një ligj për hapjen e dosjeve. Edhe një ligj gjysmak që u miratua dy vjet më parë u hodh poshtë, çuditërisht, nga disa gjykatës të Gjykatës Kushtetuese që prekeshin nga ky ligj. Por, më e keqja është se ky fakt po përdoret për të ushtruar presion mbi disa persona të caktuar, të pa pëlqyer nga të dy krahët e politikës.

Një gjë e tillë ra në sy edhe në rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kush u dha të drejtë të hetojnë disa drejtuesve të partive në këtë drejtim kur nuk ka një ligj të tillë? Për më tepër përse këtë hetim e bëjnë kundër dikujt që i përket shtresës së të përndjekurve politikë dhe jo kundër qindrave, për të mos thënë më shumë, që gjenden në radhët e parlamentit, qeverisë, gjykatave, prokurorive dhe kudo në administratën qëndrore e lokale si dhe mediat?

Personalisht jam për hapjen dhe bërjen publike të të gjitha llojeve të dosjeve. Le të merret vesh nga të gjithë dhe për të gjithë ata që janë përlyer me sistemin diktatorial dhe  atëherë, në rast se qytetarët do t’i pranojnë si të tillë me ndërgjegje, le të zenë postet për të cilat aspirojnë.

Pika 15. Kuvendi i Shqipërisë mbështet hartimin e një strategjie kombëtare për eleminimin e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipëri dhe fton institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur  me statusin e të përndjekurit politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike.

Përse deri tani, kur kanë kaluar gjashtë vjet, nuk është hartuar një strategji e tillë? Përse institucionet shtetërore nuk përmbushin detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekurit politikë? Me përjashtim të detyrimit për arsimin që mendoj se është kryer, për të tjerat jemi ende larg. Një farë pune u bë me ligjin për dëmshpërblimin e tyre por nuk e kuptojmë përse ky ligj ka mbetur pothuajse pezull. Kur në afatin e tij parashikohej periudha e tetë viteve tani, kur kanë kaluar katër vjet, nuk është përfunduar kësti i parë. Pretendohet se shkak për këtë janë amendamentet që i janë bërë këtij ligji. Unë nuk jam dakord me një mendim të tillë pasi, ai që i ka plotësuar të gjitha kërkesat e ligjit, nuk ka pse të presë ata që gabojnë apo amendamentet e tjerë që ndoshta nuk mund të kenë kurrë fund. Një shembull jo i mirë është edhe amendamenti i fundit që Qeveria i ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Kur ka kaluar gati një vit nga dita e drëgimit në Kuvend dhe kur ky projekt-ligj është shqyrtuar në Komisionet e Ekonomisë dhe të Ligjeve, përse nuk dërgohet në seancë plenare për miratim por, sipas shtypit të përditshëm, qenka shtyrë për në shtator?

Një nga pikat e këtij amendamenti është edhe ai i përfitimit të dëmshpërblimit me dy këste të personave me moshë mbi 85 vjeç. A e dini zotërinj deputetë dhe, në mënyrë të veçantë ju deputetë të përndjekur, se  një pjesë e mirë e atyre që janë mbi moshën 85 vjeç janë shuar gjatë këtij viti? Një ditë më parë u shua edhe një prej tyre, poeti i nderuar Pano Taçi. Mos prisni që të shuhen të gjithë? Kjo është një mospërfillje ndaj kësaj shtrese nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, në krye të së cilës, e përsëris,  është një e përndjekur politike.

Përsa i përket caktimit të një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike, mendoj se jemi shumë vonë. Një gjë e tillë duhej bërë shumë më parë. Megjithatë patjetër duhet filluar. Familjarët duan një varr për të afërmit e tyre ku të derdhin dy pika lot dhe ku të vendosin një tufë me lule. Duan edhe një varrezë të veçantë për të rënët ku të mos kenë mbi krye yllin e kuq të komunizmit, atë yll që i vrau  dhe dënoi pasardhësit e tyre.

Pika 16. Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste duke përfshirë rishikimin e librave shkollore, shpalljen e nje dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe rikthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.

Ka shumë vjet që flitet për rishikimin e librave shkollore por deri më  sot  nuk  është  bërë

absolutisht asgjë. Të gjitha ngjarjet historike të vendit tonë, në këto tekste vështrohen nën prizmin komunist. Deri kur? Nuk dihet. Ende nuk është ngritur një komision i përbërë nga specialistë të fushës për rishikimin  e tyre. Sa do të pritet ende? Deri kur fëmijët tanë do të vazhdojnë të helmohen me propagandën komuniste?

Me nismën e ish-Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotit Bujar Leskaj, data 21 maj, dita e revoltës së madhe në kampin e Spaçit ku për tre ditë me radhë valoi flamuri kuq e zi pa yllin e urryer të komunizmit dhe ku ranë katër martirë, u shpallë dita e përkujtimit të viktimave të komunizmit. Megjithëse kanë kaluar disa vite nga data e shpalljes, ky vendim ka mbetur vetëm në letër. Në asnjë vit shteti shqiptar nuk është kujtuar ta përkujtojë këtë datë. Madje, në mënyrë flagrante, është vendosur që kjo datë të zëvendësohet me 20 shkurtin, ditën e rënies së përmendores së diktatorit. Nuk dua të hedh poshtë kontributin e lëvizjes studentore të viteve 1990-1991 por dua të theksoj se pa rezistencën dhjetravjeçare të nacionalizmit shqiptar kundër komunizmit, përmbysja e sistemit totalitar nuk do të ishte e mundur.

Rezoluta bën fjalë për hapjen e muzeumeve dhe rikthimin në muze të burgjeve të tmerrshme të komunizmit por edhe kjo thirrje ka rënë në vesh të shurdhër. Shoqata jonë ka disa muaj që i ka dërguar një kërkesë Kryeministrit për kthimin në muze të burgut të Burrelit dhe kampeve të Tepelenës dhe Spaçit por, deri më sot, nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Përse? Kjo pyetje do një përgjigje.

Përsa i përket ngritjes së memorialit në përkujtim të viktimave të komunizmit dua të theksoj se një memorial i tillë është ngritur edhe në Washington, megjithëse Amerika nuk pati asnjë viktimë nga komunizmi. Atëherë përse nuk ngrihet? Çfarë pritet? Është folur shpesh herë për ngritjen e një memoriali të tillë. Janë bërë edhe premtime nga përfaqësuesit e shtetit por deri tani asgjë. Përse? Shoqata ka propozuar që një memorial i tillë të ngrihet në vendin ku ishte vendosur përmendorja e diktatorit. Në rast se një gjë e tillë shihet si e pamundur atëherë kryeqyteti ynë ka edhe plot sheshe të tjera të rëndësishme ku mund të ngrihet një memorial i tillë? Për fat të keq vendin e këtij memoriali e kanë zënë mbeturinat e turpshme të sistemit komunist. Mund të përmendim këtu mozaikun në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar apo basorelievin në fasadën e Kryeministrisë si dhe shumë të tjera të përhapura në të gjithë Shqipërinë.

Pika 17. Kuvendi i Shqipërisë mbështet organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe të ekspertëve të OJQ-ve,  për krimet e kryera nga regjimet totalitare.

Pothuajse për çdo ditë në vendin tonë organizohen konferenca për çështje të ndryshme të të gjitha fushave  të shoqërisë shqiptare, vetëm për çështjen e krimeve të regjimit totalitar sundon heshtja. Kur do të organizohet një konferencë e tillë? Kush do ta organizojë? Unë mendoj se mund ta organizojë Instituti i Hetimit të krimeve Komuniste. A do ta bëj një gjë të tillë? Do të presim dhe do të shohim. Mendoj se kjo është e domosdoshme dhe duhet thirrur sa më parë.

Këto janë arsyet pse karakterin tim e kanë bërë të dyzuar. Doja të kisha një përgjigje për pyetjen e mësipërme të mikut tim, por nuk e gjeta atë. Doja të mos besoja në ekzistencën e politikës së “Katovicës”, por realiteti i vendit më tregoi të kundërtën. Megjithatë nuk jam pesimist. Shpresoj se do të vijë dita kur këto çështje do të zgjidhen. Zgjidhja e tyre do të na heqë nga shpina një gur të rëndë, si guri i Sizifit, që rëndon mbi shpatullat tona. Ky gur i rëndë është termi “Ish - i përndjekur politikë”. Deri kur do të vazhdojmë të quhemi me këtë term? Komunizmi, për gati një gjysmë shekulli, na quajti “Armiq të popullit”. Tani , për më se njëzet vjet, quhemi “Ish - të përndjekur politikë”. Unë, personalisht, dua ta heq nga shpatullat e mia këtë term. Dua të jem i barabartë me të gjithë shtetasit e tjerë. Ky term sikur më veçon. Nuk e di se çfarë mendojnë bashkëvuajtësit e mi. Por për t’u barazuar me të gjithë të tjerët duhet të kryhen të gjitha sugjerimet që bëra më sipër.

Dua t’u drejtohem përfaqësuesve kryesorë të dy forcave nacionaliste, Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes së Legalitetit, që bëjnë pjesë në aleancën e madhe të së djathtës shqiptare dhe bëjnë shumë mirë që bëjnë pjesë në të, se është detyra e tyre kryesore përmbushja e këtyre sugjerimeve. Le ta ngrene zërin deri në kupë të qiellit brënda shumicës, ku bëjnë pjesë, për realizimin e tyre. Të mos harrojne se anëtarët e partive të tyre, në pjesën dërmuese janë nga shtresa e të përndjekurve politikë.

Viti 2013 është viti i zgjedhjeve të përgjithëshme. Ka mbetur fare pak kohë për korigjimin e të gjithë këtyre problemeve. Megjithatë, po të ketë vullnet të mirë, gjithçka mund të realizohet. Në të kundërt, me keqardhje them se do të jetë shumë vonë. Kam theksuar disa herë që kam një karakter të dyzuar. Si unë një karakter të tillë kanë edhe shumica e të përndjekurve politikë. Nuk e di si do të veprojnë para kutisë së votimit. Cila anë e karakterit do të fitojë? Është në dorën e politikës shqiptare ta vendosë

Me këtë rast dua shkruaj edhe dy radhë për demagogjinë që po përdor partia socialiste lidhur me këtë çështje. Madje paska ngritur edhe një komision me gjoja “të përndjekur politikë” për hartimin e një “strategjie të tyre” e cila, midis të tjerave, do të bëjë të mundur dëmshpërblimin e atyre që jetojnë për dy vjet, ndërsa të tjerëve për katër. Më parë se të bëni të tilla deklarata false, zotërinj socialistë,  duhet t’u kërkoni falje të përndjekurve për lumenjtë e baltës që keni hedhur mbi ta, për shprehjet e ulta të përdorura nga Kryeministrat dhe Ministrat tuaj për ta. Ata nuk i besojnë më demagogjisë tuaj. Ata janë të mendimit se të vetmet forca që do të mund të zgjidhin çështjet e tyre janë forcat e djathta.

Mund të shkruaja më shumë për këtë çështje por nuk po zgjatem pasi këto gjëra i kam parashtruar në dy shkrime të miat të mëparëshme, në atë me titull “Përgjigje zotit Rama” botuar në gazetën “Metropol” Nr. 2604 datë 3 mars 2012 dhe tjetrin të titulluar “Debat me zotin Rama” botuar në gazetat “Telegraf” Nr. 77 (1939) datë 3 prill dhe “Metropol” Nr. 2631 datë 4 prill 2012.

Këtë mos e harroni.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora