E marte, 23.04.2024, 07:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Postmodernizmi dhe kriza globale

E merkure, 13.06.2012, 07:23 PM


Postmodernizmi dhe kriza globale

Nga Albert Vataj

Postmodernizmi është një etapë veprimtarie estetiko-artistike, një fushë globale intelektuale e kulturore, që tërheq në vakumin e idealit estetik nostalgjinë lodërtare, ironike për gjithë qytetërimin modern dhe për avangardizmin e modernizmin, madje edhe më gjerë. Ai është një lloj rindërtimi e revizionimi jo vetëm i modernizmit, por edhe i gjithë historisë së kulturës artistike. Nga këndvështrimi botëkuptimor i postmodernizmit bashkëkohësia dhe historia e kulturës i nënshtrohen një vlerësimi ironik dhe një loje të përkorë absolute të fillesës estetike, që tërheq jo vetëm kategoritë tradicionale të klasikës, por edhe të modernizmit. Por, ndërsa këndvështrimi modernist i kthente kurrizin së kaluarës, duke iu përmbajtur të vetmit kah drejt së ardhmes, postmodernizmi është i hapur për gjithë dimensionet e kohës, me pikësynimin për të rindërtuar një formacion të qëndrueshëm e të plotfuqishëm, që s‘mundi t‘i realizojë asnjë drejtim i njëanshëm i jetës dhe i kulturës artistike. Postmodernizmi mëton të arrijë atë që nuk e arritën avangardizmi e modernizmi nga që u mungoi urtësia globale e historisë së jetës, qenies dhe kulturës, por sidomos edhe kënaqësia estetike e lojës dhe e ironisë. Nga një rikujtim i disa varianteve të harruara të modernizmit, Postmodernizmi u kristalizua si një premtim i madh për zgjerimin e hapësirës së lirë të jetës e qenies njerëzore, por edhe drejt një ringjalljeje të kulturës artistike në momentet e krizës së modernizmit dhe të globalizmit, duke vendosur në qendër të fushës së saj parime e koncepte, të përftuara përmes revizionimit të historisë. Ky koncept është aq i gjerë sa që për të përfshihen edhe fusha të tjera të qenies dhe ekzistencës së njerëzimit në kushtet e globalizimit të shumanshëm botëror. “Termi postmodernizëm,-ka shkruar esteti amerikan, Ihab Hasan,- “vuan” nga një lloj jostabiliteti semantik, kuptimor; ndër dijetarët nuk ekziston një konsensus i qartë për kuptimin e tij. Kështu, disa kritikë me termin posmodernizëm e mendojnë atë që të tjerët e qajnë avangardizëm, por ka edhe asish që fenomenin e njëjtë e quajnë neo-avangardizëm, por ka edhe të tillë që po këtë fenomen e quajnë thjesht - modernizëm”.

Shpresat e Premtimit të Madh tashmë u formuluan e ekzistojnë interpretime të shumta e të kundërta, deri n‘atë shkallë sa që tani ka ithtarë të tij që e shpallin të pamundur një shpjegim të vetëm të thelbit të modernizmit, edhe si fushë e kulturës artistike, edhe si mbulim jo vetëm nga pesimizmi, por edhe nga optimizmi i relativizmit subjektivist për të pranuar pluralizmin e konceptimit të postmodernizmit dhe për ta vlerësua atë ashtu siç është, një realitet i larmishëm, që po përcjell zhvillimin tekno-kulturor të botës këto pesë dekadat e fundit. Tani problemi bëhet edhe më i ndërlikuar, sepse nuk dyshohet më se etapa e posmodernizmit ka përfunduar dhe në fillimet e shekullit XXI njerëzimi ndodhet në një situatë të re, edhe më të komplikuar teknike, sociale, kulturore, shpirtërore, që po quhet postnonklasike, një formacion i së ardhmes, që po përcillet jo vetëm me një kaos terminologjik, kritiko-teorike, por edhe me shpërthime krizash ciklike të qytetërimit bashkëkohor. Prandaj, tani diskutimet rreth postmodernizmit janë mbyllur dhe tehu i tyre është drejtuar në shpjegimin e dukurive e proceseve të reja, që përfaqësojnë të ardhmen e kulturës artistike të shek.XXI. Gjithsesi, ata që e studiojnë postmodernizmin si një formacion historik, i japin një shtrirje shumë të gjerë në kohë e në hapësirë. Një nga hulumtuesit më të përkushtuar ndaj historisë së postmodernizmit, amerikani Ihab Hasan ka pranuar një moshë 150 vjeçare, duke përmendur përdorimin e parë të termit “postmodernizëm” aty te viti 1870, kur u përdor nga artisti britanik Joh Watkins Chapman dhe nga shkrimtari latino-amerikan Frederiko de Onis, teksti i të cilit u botua në Spanjë më 1934. Por kuptimi i këtij termi ka evoluar gjatë kontinuitetit e ndërprerjeve diskrete, të diakronisë dhe sinkronisë deri sa u stabilizua pak a shumë përfundimisht si term që shënon një formacion të veçantë artistik, që u shfaq në fillim të viteve ‘70 të shek. XX, domethënë pas modernizmit. I. Hasan ka venë në dukje se deri edhe në dy-tre dhjetëvjeçarët e fundit, termi postmodernizëm, nuk ka fituar një kuptim të vetëm e të pranuar nga të gjithë të interesuarit dhe kjo vjen ngaqë, siç shprehet studiuesi në fjalë, “sejcili përpiqet ta përcaktojë ashu siç i duhet sejcilit”, për këtë arsye ndeshet një numër i madh përcaktimesh, që nisen nga kritere shumë të ndryshme, të cilët e vështirësojnë edhe në ditët e sotme përcaktimin e postmodernizmit.

Janë dhënë përcaktime që nisen nga fenomene të ndryshme kulturore e artistike historike, ose nga shfaqje të veçanta të reja ose më të hershme, por ka edhe përpjekje për ta vlerësuar si një formacion me shtrirje globale e mbarëbotërore në 50 vitet e fundit. Kështu, nga pikëpamja e autorëve në posmodernizmin përfshijnë Sternin, Sadin, Blejkun, Lotramonin, Rembonë, Tzarë, Hofmajshtajn, Xhojsin e vonë, dhe me radhë pastaj Paund, Russo, Batali, Borhes dhe Kafka etj… I. Hasani brenda tërësisë së postmodernizmit dallon duke u nisur nga klasifikimi i D.Bellas, dy tendenca që i ndan në liberale e autoritare, të cilat gjithsesi i lidhin veçoritë e trajtave kryesore të këtij formacioni kulturor e artistik, sipas kushteve ekonomike, politike e socio-kulturore të vendeve të liberalizmit borgjez dhe të vendeve me regjime totalitare, diktatoriale e autoritare. Por ai jep të dhëna interesante, që dëshmojnë për dallimet konceptuale të ideve kryesore ngaqë me kuptimin e postmodernizmit janë marrë shumica e studiuesve kryesorë të shekullit të fundit; sipas specifikimit të tij në të futen autorë që janë marrë me tekstologji dhe semiotikë (Julia Kristeva, R.Eko), me hermeutikë (Pol Riker), me pedagogji edukatë (Rolan Bar), me shizo-analiza (Zhil Delez), me utopizëm virtual(Mishel Fuko), me gramatologji diferenciale(Zhak Derrida), me mutacionet gjenetike(Lesli Filder) e shumë të tjerë. Gjithsesi, prirjet e gjithë këtyre nuk është e mundur të sintetizohen në një përcaktim të vetëm e të përgjithshëm. I.Hasan vë katër atribute cilësore të postmodernizmit, megjithëse, nuk pretendon për të mbyllur me të debatet që vazhdojnë edhe në ditët tona: “Herezia, heteromorfia, ekscentrizmi dhe indeterminizmi. Ne jetojmë në një univers njerëzor dhe habitim njëri tjetrin me arritjen e marrëveshjeje të përbashkët. Kultura e posmodernizmit varet ende edhe nga ky fakt” - ironizon në fund autori i kësaj sinteze(?!).

Por siç ndodh në përgjithësi, jehona e prirjeve të reja të qytetërimeve moderne arrijnë me mjaft vonesë në zonat e vendeve të prapambetura, ky fenomen vihet re edhe në vendin tonë, ku shkëputja e përshpejtuar e radikale nga monizmi dhe produkti i tij i “socrealizmit”, na gjeti të papërgatitur për të përballuar kohën e humbur, gjë që duket në kaosin e ideve estetike, që ndodhen në takimin e parë të dashurisë me ide dhe praktika artistike kuazi të reja e në fakt të vjetra, që u përkasin pa ekzagjerim gati dy shekujve të kaluar. Disa e ndjejnë veten “modernë” kur mësojnë diçka të re mbi romantizmin ose simbolizmin, natyralizmin e impresionizmin. Të tjerë kapen pas Shopenhauerit, Kierkegorit, Niçes, pasi janë ndarë si djalli nga temjani bga izma të tjera, që i njihnin me të dëgjuar kryesisht dhe të vulgarizuar nga ithtarë dogmatikë; të tjerë përpiqen të imitojnë kubizmin, futurizmin apo surrealizmin, pasi prej tyre janë ndarë ndonjë shekull më parë autorët e këtyre drejtimeve; dhe të tjerë që mendojnë se këto ditë është duke lindur modernizmi, pale postmodernizmi, dëshmojnë se përqafimet e befta e të sinqerta me ta janë më të përshpejtuar kur nuk njihen objektet e përqafimit. Ata që guxojnë të angazhohen seriozisht në diskutimet mbi postmodernizmin shqiptar në shoqërinë tonë monisto-pluraliste, nuk i njoftojnë lexuesit e tyre, si edhe redaktoret e brishta të gazetave dhe të masmediave, se postmodernizmi u ka ikur nga duart dhe ka hyrë në histori. Ndoshta, për këto arsye ne nuk duam ta përjashtojmë nga analiza tonë pas modernizmit edhe pos apo pasmodernizmin.

Për të kuptuar burimet e postmodernizmit, fatin e tij dhe të ardhmen bashkëkohore të kulturës artistiko-estetike ne duam të përmendim një problem që është diskutuar, por që ka interes të diskutohet më tej edhe te ne. E kemi fjalën për raportin midis modernizmit e posmodernizmit: A janë e njëjta gjë apo janë dy formacione të ndryshme njëri nga tjetri?

Në vitet ‘70-‘80 të shek.XX, kur postmodernizmi po dallohej si etapë e përveçme artistike, ai mbështetej kryesisht në disa praktika të modernizmit, të cilat nuk patën sukses, ishin harruar gjatë dekadave të marshimit të modernizmit, si avangardizmi, futurizmi, naivizmi, ekzotizmi, dadaizmi, surrealizmi etj., që përfshiheshin në “modernizmin e ulët, e parë” dhe që supozohej se nuk kishin arritur të ezauronin gjithë potencialin e tyre të brendshëm, prandaj me këto variante radikale avangardiste, moderniste, ithtarët e “modernizmit permanent” shpresonin t‘i jepnin një jetë të dytë “modernizmit të lartë” tashmë disi të lodhur e të përgjumur. Ata që kishin këto shpresa i përkisnin një brezi të ri studiuesish e krijuesish dhe përpjekjet e tyre për të ringjallur modernizmin me imitime të reja të varianteve të harruara të tij, nuk mbetën me kaq dhe, pasi u ëmbëlsuan me krijimet e tyre të para, filluan të besojnë se po hynin në një etapë të re, domethënë po hynin në portat e postmodernizmit.

Pra, postmodernizmi në përgjithësi n‘atë kohë nuk përbënte ndonjë etapë të re artistike të ndryshme nga modernizmi; ai po aktualizohej si një vazhdim i drejtpërdrejtë i modernizmit në fundin e krizës së tij. “Postmodernizmi bashkëkohor,- shkruan F.Jameson,- kudo mund të vështrohet si premtim i kthimit dhe i rishpikjes, i rishfaqjes triumfuese, të një modernizmi të lartë të ri, të pajisur me gjithë fuqinë e tij të mëparshme dhe me një jetë plot gjallëri”.

Veçse duke mos sjellë në fillim ndonjë ripërtëritje e gjallërim të mirëfilltë të modernizmit, ndonëse i ushqyer në grazhdin e ideve dhe të praktikave të tij, zu të dalë përtej tyre dhe të pagëzojë një etapë të re. Në përgjithësi praktikat e postmodernizmit u ndërtuan: së pari, duke ringjallur një varg konceptesh e praktikash moderniste të së kaluarës, që s‘patën në kohën e tyre jetë të gjatë për shkak të karakterit të tyre tejet ekstravagant, nihilist. Midis këtyre praktikave postmodernizmi u mbështet veçanërisht në eksperimentimet anarkiste të dadaizmit, i cili në vitet ‘20, për shkak të karakterit skandaloz, nuk pati përhapje të gjerë. Së dyti, variantet e tjerë të postmodernizmit u ndërtuan duke i shpënë deri në skajet ekstreme disa dukuri, që shfaqeshin në trajta të ndrojtura, të formalizmit e natyralizmit modernist. Së treti, disa variante të postmodernizmit u ndërtuan duke braktisur e goditur ligjet objektive estetike të përvetësimit artistik, duke u luhatur sa në njërin për shpjegim të njëanshëm, aq në ekstremin tjetër të kundërt dhe në bazë të pajtimit eklektik të koncepteve të kundërta. “Modernizmi dhe postmodernizmi, -thotë Ihab Hasani,-nuk janë të ndarë me Perde të Hekurt ose me Murin Kinez; shkaku se historia është si një palimpsese, edhe kultura e përshkon kohën e kaluar, kohën e tashme dhe kohën e ardhshme”.

Duke mos u formatuar, si një formacion i ndryshëm artistik e solid në krahasim me modernizmin, ai nuk e mënjanoi krizën e modernizmit e të idealit social-estetik. Kjo u shfaq edhe në faktin se modelet e postmodernizmit zëvendësoheshin me shpejtësi të madhe njëri nga tjetri. Në qoftë se shkollat e para të modernizmit e ruajtën ndikimin e tyre 2-3 dekada, variantet e postmodernizmit nuk arrinin t‘i mbushnin as 3-4 vite. Shpejtësia e zëvendësimit nuk ishte shenjë vitaliteti, por e shterpësisë krijuese, sepse nuk sillte vlera të qëndrueshme e të rëndësishme të reja. Ato nuk mundën të ruanin ndikimin për një kohë të gjatë, falimentonin shpejt dhe u lëshonin vendin modave të reja. Kriza e idealit mbeti. Ja se ç‘thotë për shenjat e kësaj krize në librin e tij “Humanizmi i ri” esteti anglez B. Shvarc për atë kohë të shfaqjes së postmodernizmit: “Ne jetojmë në mes të vlerave të rrënuara. Njerëzit jetojnë në atmosferën e antagonizmave sociale, polarizimit, mjerimit, racizmit, seksizmit, dhunës, fatkeqësive ekologjike dhe vdekjes shpirtërore. Vlerat i ndërtojnë mbi gënjeshtrën, iluzionet dhe konsumin patologjik, në refuzimin e gjithë të vërtetave të njohura”.

Duke e ndjerë zbrazëtinë dhe mungesën e një themeli të vërtet burimor teorik, por edhe praktik të modeleve të mëparshme, postmodernizmi shumë shpejt hoqi dorë nga koncepsionet e praktikat e njohura moderniste dhe filloi përpunimi i një platforme estetike e filozofike më të gjerë e më solide për ta mbajtur gjallë për një periudhë më të gjatë kohe dhe si një formacion artistik e teorik i ndryshëm nga platforma që kishte pasur “modernizmi i ulët”. Një varg ithtarësh të postmodernizmit filluan të shkëputen nga modernizmi, duke e quajtur në fillim postmodernizmin një revizionim të modernizmit, kurse më tej një formacion të ndryshëm prej tij. Hapi i parë dhe më i rëndësishmi ishte kthimi i tij drejt historizmit. Kjo gjë zu ta largojë disi nga lidhjet e drejtpërdrejta me modernizmin, duke kërkuar burime të tjera më të vjetra. Kjo ka qenë një hapje e madhe e karakterit metateorik në estetikën bashkëkohore dhe në praktikat sidomos të postmodenizmit. Këtë kthesë e pat njoftuar Çals Xhenksi, i cili e paralajmëroi interpretimin e postmodernizmit si një “regresion” të kapërcimit të përvojave dhe gjuhës së modernizmit, si një kërkim gjuhësh të tjera të ndryshme nga ato të bashkëkohësisë, domethënë përtej avangardizmit, për një “gjuhë historike”, për “shmangien nostalgjike nga gjuha e modernizmit”. Kjo ishte një thirrje për të mohuar nihilizmin ndaj së kaluarës artistike, estetike e kulturore, për të pranuar ndërtimin e postmodernizmit, ose më mirë të gjithë kulturës moderne të shek.XX-XXI në bazë të përvojave të larmishme pluraliste të gjithë historisë së kulturës artistike: “Me këtë, përkundër bindjeve të kundërta, kundërshtarëve të tendencave të reja u është dhënë argumenti se në fushën e arkitekturës konfirmohet ajo që mund të njihej si tendencë e përgjithshme kah nostalgjia dhe, me këtë kah antimodernizmi. Barazimi midis historizmit dhe artit, nga njëra anë, dhe regresionit nostalgjik në praktikën e përgjithshme jetësore, nga ana tjetër, është bërë modeli themelor i teorisë së postmodernizmit”.

Nga ky orientim metateorik kemi qenë nisur edhe ne, kur e kthyem vështrimin tonë nga e sotmja drejt historisë së përgjithshme botërore të “Universit Estetik” I,II,III dhe afirmimit të konceptit të një estetike integrale pluraliste, që përthith si përvojat e klasikës, ashtu edhe të nonklasikës historike e bashkëkohore. Kjo do të thotë se “Postmodernizmi është mirë të kuptohet njëherësh edhe si shembje, përmbysje edhe si kontinuitet, vazhdimësi, ku të dy perspektivat janë edhe komplemetare, edhe të përveçuara,- pohon I. Hassan.-Shikimi apolonian, i lartësuar edhe me abstraksionin, vëren vetëm bashkimet historike; ndjenja dionisiane, e ndjeshme deri në verbëri, prek vetëm momentin e përveçimit, ndarjes. Ndërkohë postmodernizmi, përmes grishjes së njëkohshme të dy hyjnive, pajton të dy këto shikime. Identiteti e diferenca, bashkimi dhe çarja, afria dhe revolta, të gjitha këto duhet të respektohen nëse duam të merremi me histori, për të kuptuar njëkohësisht në dy aspekte: atë të strukturës hapësinore, mentale dhe të rrjedhës kohore, fizike, atë të modelit e të ndodhisë të rastit”.

Praktikat që ekspozoheshin si modele të reja të posmodernizmit ringjallën modelet e “modernizmit avangardist”, që kish të bënte me shembuj nga më ekstravagantet, ekscentrike, që refuzonin gjithë traditat e klasikës si: pop-arti, arti kinetik, op-arti, poezia konkretiste, aletërsia, arti kibernetik, teatri absurd, arti elektronik, bodi-arti, kiç-arti, hiperrealizmi, arti pa barriera, fotorealizmi, georealizmi, arti i Mohimit të Madh etj., por në këto modele po revizionoheshin modifikoheshin konceptet e praktikat e modernizmit “të parë e të dyte”; pati hapësirë edhe për disa variante tradicionale e të reja të neorealizmit, gjë që dëshmonte për largimin përherë e më të ndjeshëm nga nihilizmi estetik. Në këtë kuadër brenda postmodernizmit bashkekzistojnë përvojat e gjithë drejtimeve estetikisht të vetëmjaftueshme, jo vetëm të varianteve të nonklasikës së mëparshme, por edhe ekzistenca e llojeve më të reja të drejtimeve artistike. “Ne të gjithë jemi, më duket, njëkohësisht nga pak viktorianë, modernë e posmodernë,-shkruan I. Hasani,-dhe një shkrimtar mundet, gjatë jetës së tij, të shkruajë me lehtësi si vepra moderniste, ashtu edhe ato postmoderniste. Krahasoni p.sh., “Portretin e artistit në rini” me “Zgjimin e Fineganit” të Xhejms Xhojsit. Thënë më përgjithësisht, në një nivel të caktuar të abstraksionit narrativ, ka mundësi që Modernizmi vetvetiu të asimilohet drejtpërdrejt në Romantizëm, Romantizmi të lidhet me Iluminizmin, ky i fundit me Renesansën, dhe kështu më tej, nëse jo deri tek Olduvai Xhorxhi, atëherë sigurisht deri në Greqinë e lashtë”.

Por ky zë zu të dëgjohej më fort dhe u bë më i fuqishëm opinioni i specializuar profesional, se postmodernizmi përbën një formacion tashmë të hapur, të kristalizuar edhe si mendim teorik edhe si praktikë artistike, madje edhe si dukuri kulturore me perspektivë të madhe drejt së ardhmes. Ky opinion përcillet edhe me një shpjegim më të thellë e më të argumentuar, duke e vlerësuar postmodernizmin edhe si kapërcim të gjendjes së artit në krizë, edhe si një formacion e përpjekje e re për të konturuar një epokë të re artistike, embrionet e së cilës kanë lëshuar rrënjë në dekadat e fundit të shek.XX, por e cila do të determinojë edhe shumë anë të fizionomisë së kulturës artistike, të mënyrës së jetesës, të mendimit filozofik, politik, me një fjalë, të qytetërimit të pritmë në shek.XXI. Elementet përbërëse, ingredientët e postmodernizmit tashmë shikohen jo vetëm, si filiza fillestarë, por si rrugë magistrale e zhvillimit të kulturës artistike drejt së ardhmes. Për shkak të një kuptimi të tillë pozitiv tani u jepet rëndësi jo vetëm filizave artistike të postmodernizmit, por po aq edhe mendimit filozofik, politik, kulturor e social, që po konsolidohen nën etiketën e postmodernizmit.

Është e vërtetë se jemi dëshmitarë të kristalizimit të kontureve relativisht të qarta të një qytetërimi të ri, në themelet e të cilit qëndron një bazë e re tekniko-materiale, me sistemin e ri të mjeteve moderne të komunikimit (interneti, imeli, aparaturat dixhitale, robotët etj.), me shpikje e zbulime të reja elektronike, shkencore e teknologjike, që po ndryshojnë edhe sistemin e marrëdhënieve ekonomike të prodhimit dhe të mënyrës së jetesës, që kompletohet edhe me politika të reja të afirmimit të demokracisë e liberalizmit parlamentar, të drejtat e liritë e njeriut dhe me të mira materiale e komoditete jetese të admirueshme, madje edhe me fenomene të reja krizash ekonomike e sociale. Nëse po lind e po zhvillohet një qytetërim i ri material, ai do të pjellë edhe një univers të ri kulturor, intelektual, shpirtëror, prandaj edhe artistik, që mëton të jetë postmodernizmi. Ndonjë nga studiuesit më të hershëm (Liotar) e ndonjë më i vonë (Frederik Xhemson), ashtu si edhe Fuko pohojnë se ne jemi të përfshirë e jetojmë brenda një konteksti të ri të të menduarit por edhe të të qenit. “Në vend të tundimit,-shkruan Xhemson,-se a duhet denoncuar vetëkënaqësia e postmodernizmit, si një simptomë e fundit e dekadencës ose duhen përshëndetur format e reja si paralajmëruese të utopisë së re teknologjike dhe teknokrate, duket më i saktë vlerësimi i krijimit të ri kulturor, duke u nisur nga hipoteza vepruese mbi modifikimin e përgjithshëm të vetë kulturës dhe ristrukturimit social të kapitalizmit të vonë, si sistem”. Po të jetë kështu, atëherë postmodernizmi, ndryshe nga modernizmi, po hedh shtat mbi themele më solide transformimesh sociale materiale e kulturore dhe, për pasojë, do të ketë një të ardhme të madhe, do të jetë kopertura e qytetërimit të ri. Për këtë arsye ka mendimtarë, që i atribuojnë postmodernizmit funksionin e një utopie të re në një kohë kur njerëzimi është zhgënjyer me “Metarrëfimet”, domethënë me falimentimin e projekteve të mëdha të utopive të shek.XX. Afirmimi i postmodernizmit do të jetë më i mundshëm mbi këtë bazë se sa ai i modernizmit, i cili s‘arriti të bëhet zë i “socializmit real”, por jetoi brenda hapësirave të kapitalizmit, si me thënë, “klasik”, dhe prandaj u gjet në shënjestrën e kryqëzimit të goditjeve të njëhershme edhe si dukuri “borgjeze” edhe si dukuri “antiborgjeze”; postmodernizmi kërkon një bazë më reale e më të gjerë në qytetërimin bashkëkohor në rritje, duke qenë një shprehje e një diskontinuiteti në raport me kohën e modernizmit, madje edhe me vetë këtë.

Duke e parë si një formacion intelektual, shkencor, shpirtëror e artistik të lidhur ngushtësisht me qytetërimin e ri, a mund të përfytyrohet ecja e tij përpara si një marrshim triumfal, i pandalshëm, gjithnjë fitimtar, i pa rrezikuar nga asgjë regresive dhe retrograde? Ndarja, përveçimi nga utopitë e falimentuara do të mjaftonte që të nxirrej një mësim i madh, që të kuptohej se “progresi” nuk realizohet si një vijë e drejtë, nuk është njëlinear me kah të vetëm nga poshtë lart; ai është gjithnjë kontradiktor, realizohet nëpërmjet zigzagesh dhe luhatjesh herë përpara e herë prapa; por kësaj ligjësorie të përgjithshme nuk mund t‘i shpëtojë as qytetërimi i ri, që është i mbarsur jo vetëm me fitore, por edhe me humbje, që është i rrezikuar nga konflikte të reja të pritme, por që mund të jenë më katastrofikë e më pak të shmangshëm, siç janë ndotja ekologjike, shfrytëzimi irracional i burimeve energjetike dhe i begative natyrore, dalja jashtë kontrollit njerëzor të progresit shkencor e teknologjik, rreziqet që vijnë nga përparimi i shumanshëm i informatikës dhe i inxhinierisë gjenetike, ndryshimet cilësore të klimës planetare etj. Dhe s‘ka asnjë arsye të besojmë se edhe postmodernizmi nuk ka për t‘u shpëtuar rreziqeve, që ngjallin dyshime qysh në hapat e para të zhvillimit të tij.

Rreziqet janë të shumëllojtë; njëri vjen nga ideja tunduese joshëse për ta përfytyruar si një gjedhë apo model etern, të përjetshëm, të pakapërcyeshëm, të pashtershëm. Përvoja historike tregon se modele absolute bukurie e arti s‘ka dhe s‘mund të ketë. Prandaj, për të shmangur iluzionet e gabimet e ithtarëve fanatikë e entuziastë të disa drejtimeve artistike moderniste, që e shpallnin secilin prej tyre si “revolucion kopernikian”, si “përmbysje revolucionare”, si fillim i historisë së vërtetë të kulturës artistike, që në të kaluarën është sorollatur nëpër hapësira të errëta, të turbullta, që e ka humbur kot kohën e kaluar; kurse përvoja historike tregon se stilet, etapat e reja artistike, i nënshtrohen ligjit të dialektikës, domethënë kalojnë nga faza embrionale, në maja të lulëzimit e pastaj shterrin, veniten e në fund të fundit, pavarësisht nga epërsitë që kanë pasur, u lëshojnë vendin dukurive e prirjeve të reja, në qoftë se s‘kanë aftësi t‘u përshtaten ndryshimeve të jetës ose të reformohen. Koncepti mbi karakterin historik, relativ të artit do t‘ishte koncepti më i saktë për ta orientuar postmodernizmin që të shmangte gabimet e përsëritura të së kaluarës, që të ishte një formacion i hapur edhe për fundin e tij, edhe për risi të paparashikuara, një integrim i klasikës dhe nonklasikës.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora