Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Bexheti

| E hene, 17.04.2006, 07:03 PM |


Shqiptari që preku Hollywood – in

Nga Gjergji Gambeta - Prestige

Keni ikur në moshë shumë të vogël nga vendlindja juaj Tetovë. Cilat janë lidhjet tuaja me Tetovën apo Shqipërinë? Sa shpesh i vizitoni ju ato ?

Luan Bexheti
Kam qenë në moshën 4 vjeçare kur u vendosëm familjarisht në kryeqytetin norvegjez, Oslo. Në vendlindje time Tetovë, shkoj çdo vit për të kaluar pushimet verore dhe qëndroj afërsisht dy muaj. Në Shqipëri shkoj më shumë për arsye pune. Mendoj se nuk shkoj mjaft, kam një «uri» të madhe për Shqipërinë. Shpresoj Të gjendem më shpesh atje në të ardhmen.

Jeni një aktor që keni provuar fatin tuaj edhe si producent. Si do tu pëlqente të vazhdonit karrierën tuaj më pas?

Unë mendoj se obligimi im kryesor në fushën e kinematografisë do të jetë aktrimi. Më pas, me kalimin e viteve, pasi të jem pjekur më shumë profesionalisht, të kem fituar eksperiencë më të madhe në këtë fushë, mendoj se do të vazhdoj si producent dhe regjizor.

Sa e vështirë është për një aktor të ecë në një vend të huaj, për më tepër në Amerikë? Ju ka ndihmuar më shumë fakti që ju keni studjuar atje?

Jeta për një aktor të ri në Amerikë është shumë shumë e vështirë. Janë shumë të paktë studentët të cilët 10 vjet pas përfundimit të studimeve të tyre në fushën e aktrimit, ende merren me art. Dhe kjo për vetë faktin se jeta është shumë e shtrenjtë në New York dhe Los Angeles. Kjo do të thotë se ato ëndrra që dikush ka në fillim të karrierës bëhen ëndrra që shumë janë të detyruar t’i harrojnë dhe çojnë në një jetë me shumë probleme ekonomike. Për mua nuk ka rrugëdalje tjetër, nuk do të dorëzohem, vetëm do të ec përpara dhe do të luftoj me të gjitha forcat që të arrij qëllimin tim, i cili është një karrierë e mirë si aktor shqiptar në Hollywood dhe kaq.
Për tu përfgjigjur edhe pjesës së dytë të pyetjes suaj, mendoj se fakti që unë kam studiuar në Amerikë, në «Lee Strasberg Theatre Institute», ka ndihmuar në sukseset që kam pasur deri tani si aktor në Amerikë.

Sa e vështirë apo e lehtë është të punosh me regjisorë të njohur si Michael Moore?

Nuk është aspak e vështirë të punosh me regjisorë si Michael Moore se ata janë profesionistë dhe e dinë punën mjaft mirë. Vështirë është të punosh me regjisorë të rinj që nuk kanë shumë përvojë në film ose teatër.

"Cadillac Man" është një film dokumentar. Pasi të na thoni me pak fjalë përse bën fjalë ky film, mund të na thoni, nga eksperienca juaj, nëse është më e vështirë të bësh një film të tillë se sa një film të zakonshëm?

Filmi dokumentar "Cadillac Man" është një film për jetën e një njeriu që jeton në rrugët e New York-ut dhe është duke botuar një libër për eksperiencën e tij në rrugë. "Cadillac" ka nënshkruar kontratë me një shtëpi botuese që do të botojë librin e tij prej 500 faqesh për ngjarjet në rrugë.
Unë mendoj se filmat dokumentarë janë më të lehtë se filmat e zakonshëm. Nuk e di pse, por mua më duken më të lehtë por jo me ndonjë ndryshim të madh, pasi edhe filmat dokumentarë kanë nevojë për shumë punë dhe përgatitje.

Mendoni se filmi "Maree", i vlerësuar me një sërë çmimesh, mund të quhet si filmi që ka shënuar një kthesë të ndjeshme në karrierën tuaj, pra ju ka bërë më të njohur si aktor?

Po "Maree" me ka ndihmuar në karieren time. Por, me keqardhje dua të them se unë kam realizuar edhe shumë filma të tjerë që do të më bënin edhe më tepër me famë dhe këtë e them me bindje të plotë. Fatkeqësisht është diçka që nuk varet nga mua pasi producentët dhe regjisorët e këtyre filmave duke mos pasur besim në produktin e tyre, kanë vendosur të mos i shfaqin ato por t’i mbajnë të kyçura në ndonjë sirtar të harruar ku askush nuk do të mund t’i shohë.
Për shembull, një film që kam realizuar vitin e kaluar, të quajtur "Viagra Monolouges", i cili është një film shumë interesant për Viagra-n, nuk mund ta dërgoj për të konkuruar në "Tirana Film Festival" pasi regjisori i tij James Franklin nuk ka besim në filmin e tij dhe nuk më lejon të bëj këtë hap dhe për këtë më vjen shumë keq sepse filmi është shumë i mirë.

Do tu pëlqente të merrnit pjesë në filma shqiptarë? Mendoni se kinematografia shqiptare ka nevojë të kalojë akoma nëpërmjet disa stadeve zhvillimi? Çfarë mendoni se i mungon asaj?

Unë kam marrë pjesë në filmin "Syri Magjik" të Kujtim Çashkut dhe do të luaj edhe në filmin "Viti Mbrapsht" i kineastit Fatmir Koçi dhe shpresoj se do të luaj në të paktën 100 filma shqiptarë.
Kinomatografia shqiptare ende nuk ka arritur në nivelin që duhet dhe që mund të arrinte. Unë kam besim te regjisorët tanë, mendoj se ata së shpejti do të realizojnë kryevepra dhe shpresoj se unë do jem një prej aktorëve që do t’i ndihmojë ata që të dalim sa më mirë, duke pasur parasysh eksperiencën time nga Amerika.
Mendoj se kinematografisë shqiptare i mungon financimi, ky është faktori më kryesor në punën e një regjisori, i jep atij mundësinë të punësojë njerëz me shumë talent në mënyrë që filmi i tij të dalë me më shumë kualitet.

Në një të ardhme të afërt, si keni në plan të shfaqeni në ekran, si aktor apo si producent? Çfarë jeni duke punuar tani?

Shpresoj të shfaqem si aktor. Unë punoj si producent vetëm që të siguroj eksistencën. Por nga ana tjetër në Show Biz nëse e marrin vesh se je edhe producent atëherë ekziston mundësia më e madhe të të japin role sepse e dinë se je serioz dhe nuk do të prishësh punë në produksionin e filmit ose dramës.
Tani po përgatitet të shfaqet "Hija", një dramë e Ismail Kadaresë me regjisor Xhevat Limanin. Më pas mendoj të shkoj të punoj në Shqipëri me Fatmir Koçin dhe do të filloj të xhiroj një dokumentar tjetër i cili do të quhet "Scientology".

Vizitoni faqen e aktorit: www.luanbexheti.com