Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Paç Dritë, o Kadri Mani!

| E marte, 08.10.2013, 06:00 PM |


-Paç Dritë, o Kadri Mani!

-Rrenqethem sa herë e kujtoj e-mailin e mbrame të mbesës së tij: -Më tha gjyshi Kadri, lajmëroje Zeqirin se neser do të dal nga spitali…!

…Dhe vertetë doli, por…në krahët e të tjerëve…, per në rrugën e pakthim!

…E tillë është jeta!...dhe sot mu desh një hyrje e re… per intervisten e “vjetër”-

Nga Zeqir Lushaj

Të dashur e të nderuar kolegë të redaksisë e ju lexues të ZSh-së,

E respektuar bashkshorte (heroike) e Kadri Manit, zonja Shukrie,

E nderuar krejt familja (Os)Mani, shokë,  miq  e koleg të Bacës Kadri!

Me ua thanë me fjalë zemre, as që më besohet se kemi një vit pa Kadri Manin. Dhe vertetë nuk e kemi një vit pa Të! Pse themi kështu?

Se, e kujtojmë çdo ditë.  E shohim çdo ditë në ballinë të revistës. E shohim çdo ditë në perberje të redaksisë si redaktor e koleg i perhershëm. E shohim në librat e tij që i marrim në dorë shpesh… E kujtojmë në biseda me shokë e me miq. Unë, per veten time e shoh dhe e ndjej kudo… Dhe shpesh, i hapi komunikimet e mia të ruajtura me miq e shokë, e tek fjalët e tija, të Kadri Trimit pra, ndalem më sëshumti. Nuk ju genjej se, shpesh edhe mërzitem, por më shumë aty gjejë forcë dhe moral, qendresë atdhetare, pathyeshmëri.

Kam shumë kujtime e korespondenca me Kadriun e paharruar dhe i ruaj me kujdes e dashuri. I ruej dhe ju rikthehem shpesh edhe kritikave të tij të rrepta. Kritika, edhe per mua, se jo rrallë edhe ziheshim por, me Atë Burr kurr nuk u zemëruam nder-veti. (Sa të bukura janë zëniet, por kur nuk ka zemërim!) Se Ai Njeri, ishte Një me Kritiken. Dhe me e bukura është se atij vertetë që i kishte hije kritika. Ia kam thenë shpesh edhe persëgjalli edhe publikisht.

…!

…E njoh nga afër që në vitet 90-të. E kam patur në shtëpi e në zyrë sa herë në Tiranë.

Ndjehem fatlum që realizova një intervistë me Bacen e  pavdekshem Kadri Mani kur paska qenë aq afer ndarjes nga jeta. E atë moment nuk e din kekrush se, siç thotë populli “e kemi më afer se këmishen veshë”!

Komunikuam bashk deri në çastet e fundit, ditet e fundit, minutat e fundit…!

Rrenqethem sa herë e kujtoj e-mailin e mbrame të mbesës së tij: -Më tha gjyshi Kadri, lajmëroe Zeqirin se neser do të dal nga spitali…!

…Dhe vertetë doli, por…në krahët e të tjerëve…per në rrugën e pakthim!

E, më thoni ju, të nderuar si mund ta harroj Unë kreshnikun Kadri? Kurrë e perjetë. Ashtu edhe si të gjithë Ju, që  ju drejtova në këtë hyrje të intervistës së vjetshme të cilen po e ripublikojmë.

Zakonisht per figura të tilla themi: -I perjetshem qoftë kujtimi i tij.

Per Kadri Manin, po e ndryshojmë pak:  -Kujtimi i Kadri Manit është i perjetshëm.

Ai nuk vdes në ideal as në ata që e kan njohur.

…!

…Ndiqeni intervisten dhe kujtojeni me dashuri Njeriun e Madh të Prishtines dhe të të gjithë Shqipërisë.

-Paç Dritë, o Kadri Mani!

-NJ, USA, 8 Tetor 2013-

____________

INTERVISTË

TRE ÇEREKË  SHEKULLI = KRENARI

(Festa tri-dimensionale e familjes së nderuar Kadri Mani- Prishtinë)

Ekskluzive nga  Zeqir Lushaj

-25 pyetje, pak (edhe) si të zorshme, në këtë Ditë të shënuar Trijubilare-

I. Pesë pyetje në lidhje me datlindjen:

1. Si ndjehesh në 75 vjetor? I gëzohesh Ditës së festës, apo ke nostalgji për ditët që kanë ikur?

Përgjigje: - Te libri që e kam botuar kam edhe një fotografi të kahershme, të përbashkët me gruan time, ku qenkam përgjigjur edhe në këtë pyetje, ende pa ma bërë: atëherë kemi qenë më të rinj, kurse tash jemi më të mençur!

2. Përse e ndërrove datë-lindjen? Aq më shumë pa i pyetur as prindërit dhe as gjendjen Civile!

Përgjigje: Prindërit na kanë vdekur, Ofiqaria ka refuzuar të ma përshtat mbiemërin nga-Osmani, në-Mani, prandaj e kujtoj me neveri atë gjendje “civile”!

Nuk jemi mësuar me kremtimin e ditëlindjeve, nuk e kemi pas shprehi... prandaj tri festat  i tkurrëm në një- trefish më pak (edhe) shpenzime!

3. Në këto 75 vite jetë, cili është viti që do të doje (më shumë), ta rijetoje përsëri, dhe pse?

Përgjigje: - Kalimi nga administrata në arsim: e kisha lexuar “Afërditën” e Sterio Spasës e po fluturoja pakrahë! Dhe merre me mend: ika nga redaksia e Revistës “Jeta e Re”, ku  isha daktilograf-depoist, kur Kuvedi i Krahinës pati blerë fotele të reja e neve na i fali të vjetrat! E lëshova Kryeqytetin e shkova në fshat me idealet e “Afërditës”!

Nga ajo kohë kujtoj kolegët: Xhelil Rama, drejtor, Fasli Maloku, Idriz Zeqiraj... me të cilët  edhe sot jemi tok ose në punë ose në restorantin “TRE PRINCAT”, në Taukbahçe  në Prishtinë! I kujtoj ish-nxënësit tanë, nga të cilët me disa edhe sot mbajmë lidhje... nuk po i përmend me emra se mos po e harroj ndonjërin e më hidhërohen! Kam  punuar jashtë orarit me nxënës më të dobët dhe kurrë s’kam dhënë nota të dobëta! Ama si çdo rregull që ka përjashtim, një nxënës rebel e kam përjashtuar nga Gjimanizi i Vitisë: ia pata dhënë paratë që ta blente abetaren e të më vinte në banesë për çdo ditë, ai kishte blerë cigare!!

4. Si e shpjegoni Ju, zotri Mani që: -Të gjithë i lutem Zotit për jetë të gjatë, ama, me u plakur nuk duam!?

Përgjigje: - E, kjo punë i mbetet Zotit ose Natyrës!?! Ne të dy që shkruajmë, sikur edhe të  tjerët si puna jonë, po lëmë gjurmë në histori: porosi-mesazhe-amanete!!! Ama kundështarët tanë me shkrimet e tyre ia kanë shkruar vetvetes aktakuzat! Prokurorët nga shkrimet e tyre do të ju ngritin paditë penale për vepra antikombëtare, sikur që janë: Rexhep Qosja, Rexhep Meidani...

5. Kush të nervozon më shumë: -Serbia… apo pleqëria?

Përgjigje: - As Serbia as pleqëria!! Po na nerovozojnë e po na çmendin shqipfolësit: kurrë s’kemi qenë në gjendje më poshtëruese! Në gjendje të pashpresë kur para syve tanë vdesin ose  vetëvriten pensionistët, invalidët e luftës... Tash kemi rënë nën robërinë vetanake! Nën robërinë e të huajve ka qenë fare lehtë të luftosh: ia ke sha gjuhën, ia ke sha himnin, ia ke sha flamurin...

Kurse tash deputetëve tanë-hajna: as nuk mund t’ua shash gjuhën, as himnin, as flamurin!!!

Nga bota e ndytë s’kemi përkrahje, ngase po na thonë se ne vetë po qevrisim!! Se jemi të lirë e të pavarur!!

Merre me mend, ne për festat tona familjare e kemi ftuar një dynja, por apostafat nuk i kemi ftuar ish-shokët tanë të ilegales as të burgjeve; dhe kuptohet se ata nuk vijnë, por edhe po të vinin, do të bëhej skandal pa një pajtim paraprak?- ngase ata i kanë duart me gjak! Dhe as po bëhen merak! Paskan qenë familjarisht të poshtër, nuk po distancohen as familjarët e tyre; vallë, a kanë pirë të nënës kulloshtër!?

II. Pesë pyetje lidhur me përvjetorin e martesës

1. Thonë se në rininë tende ke qenë shumë simpatik. Sa të sherbeu paraqitja në jetë?

Përgjigje: - Nuk di në kam qenë simpatik?- por kurrë nacisoid! Karakterin e fortë e kam trashëguar nga babai, kurse logjikën e fortë nga nëna!! Në rini kam qenë si plak, në pleqëri si i ri!!

Martesa jonë është bërë sa me simpati, poaq edhe me përkatësi politike: gruaja ime është nga një  fshat i vogël-Kosovicë, i cili shpesh quhet: Kosovica e vogël e burrave të mëdhenjë! Kosovica një fshat me 13 shtëpi e me 12 kaçakë! Janë të përmendur kaçakët: Lushi e Veseli, Ajet Bunjaku-Kosovica me tri rrethatore fishekësh!!! Kurse nga lagjja jonë, Bejtë Osmani.

Po çka mendon devja  e çka devejari?

Por çka po flasim ne të dy dhe kush na kupton!?- ne jemi të pushtuar edhe nga burokracia shkencore: FGJSH, Tiranë, 2006, f. 425, emrin-kaçak “e shpjegon”- cub mali!!

Devja e stërngarkuar nëpër vapë nëpër shkretirën e pafund, mendon se tash edhe pak e vjen në oazë ku do të pijë ujë të freskohet e të pushojë... ndërkohë që oaza nuk shihet në shkretirën e paanë, devejari ia hedh mbi shpinë edhe xhyben e vet! Dhe pas pak edhe ai vetë i gjuhet mbi shpinë!!

Dhe lexuesit që i ka “edukuar” Akademia, mund të thonë:

-Për çfarë bëjnë fjalë këta?- për cubni!?! Dhe, praktikisht del se rrahëm ujë në havan!

2. Sa vashave  ju ke thënë “Jo”, derisa hase në legjendarën Shukrije?

Përgjigje: - Atëherë ka qenë tjetër kohë, koha mësitnisë! Po Shukrija e ka pas hallën te një fqinji ynë, dhe ne kemi “biseduar” me ndërmjetësimin e kushërirës Zejnepe: dhe kur e kanë lyp gjithandej, ajo për mua ka thënë-po! Se është një djalë që po çmendet për të!

3. Me fjalët aq të zgjedhura që ia drejtoni bashkëshortes, mos doni ti thoni se: “je lindur për Kadri Manin”.

Përgjigje: - Ashtu disi! Dhe për mirënjohje: po i  the njeriut-mosmirënjohës, s’ka nevojë ta shash më tej me asnjë fjalë, që të gjitha i ke përfshirë!

Shukrijes i ka vdekur nëna në moshën 13-vjeçare (sikur edhe mua!), dhe kjo është bërë zojë shtëpie për pastrim e për gatim!! Shukrija është kujdesur edhe për mysafirë: unë në shtëpinë time kam qenë symsafir! Kurrë nuk më ka pyetur se ku po shkoj as kur po kthehem! Edhe ajo ka qenë e lirë, si  zogu në degë, ka mund të fluturojë për Amerikë e për Afrikë... as pa më pyetur mua! Desha të them, fjala-gjelozi, për ne as ka ekzistua as ekziston!!

4. Kush ka vuajtur më shumë: -Kadriu në burg, apo Shukrieja në ‘liri”?

Përgjigje: - Ajo më shumë me fëmijët, me shkollimin e tyre... por herën e fundit e kanë marrë pensionin tim edhe gjatë vuajtjes së dënimit! Kjo është e pakuptueshme për regjimin  enverist, po në titoizëm nuk është përndjekur familja për shkak të individit.

5. Po të ishe sot 20 vjeçar, a do të pranoje të hyje në “Big-Bradhër”?

Përgjigje: - Kategorikisht-JO. Te ZemraShqiptare e kam pas një  reagim: o anglez, mos u bëj anglez! Turpi i dyfisht është i atyre të “fejuarëve” apo edhe të “martuarëve”!?! Dhe shumëfish i prindërve dhe i të afërmëve të tyre!

III. Pesë pyetje, si risi-ist dhe shkrimtar-publiçist.

1. Kur e binde veten se, mund të shkruash artikuj, vjersha, libra?

Përgjigje: - Vjersha ime e parë, që nuk është botuar, e ka pas titullin: macja dhe miu: protestoja përse macja e masakron miun e vogël e të shkretë!? Kush e di në dorë të cilit redaktor burokrat ka rënë, dhe si ndonjë maçoku plak që i kalon miu përrreth mustaqeve, i mbyllë sytë, do t’i ketë ardhur mërzi edhe ta hudhë në shportën e hedhurinave!?

I vetmi i ndjeri Dr. Esad Mekuli ishte ai i cili me vjershë në dorë shkonte nëpër shkolla dhe e gjente autorin e bisedonte me të...

Pra, reagimi ndaj të keqes, ose mburrja për një vepër të mirë: u ndërtua një rrugë, një urë...e gjeti kuletën me para dhe ia ktheu pronarit...

Fshati ynë Makreshi i Poshtëm është midis Moravës dhe Gallapit, një fshat si një “doaganë” e fjalëve: si flasin moravalinjtë e si flasin malokët? Rrafshi ka qenë më i pushtuar, andaj edhe më i asimiluar, kodrat as i kanë vyejt pushtuesit as ka guxur të ngjitet andej nga krisja e mamëzerës shpat më shpat!

I përlepnicasi ose i koretinësi... thoshte:

-E mora një xhak (barrë) e nëpër një putinkë (rrugicë) shkova në mulli.

–Jo bre- ju thosha- thuaj edhe në- vodenicë (skr. mullirit) dhe u krye puna!

Kurse malokët e zgjasin  dhe e varisin zërin... pastaj zanorën-u, dhe-o e shqiptojnë disi si-ë:

-Pëla e bani vënë!

Kështu që, dëgjuesi e ka si zor ta marrë vesh në se vezën  e ka bërë pula apo pela!?

Po  më thoshte një katundare imja e martuar në Marec:

-Ti njëherë gabëve, dyherë gabëve... ti shumëherë gabëve!! Tito është për të gjithë...

2. Cila është vepra juaj letrare që e shikoni më me dashuri, dhe pse?

Përgjgije: - Dy kurorat sonetike: “SHQIPJA E LARTËSIVE”, kushtuar gruas time dhe:”NËNË TEREZA E SHQIPËRISË”, kushtuar nënës tonë Tereze që njëherit u bë edhe nënë e botës! Po citohet që Klintoni të ketë shkuar në Kalkuta te përmendorja e Nënës Terze e t’ia ketë puthur sandalët:

-Nëna Terezë, prehu e qetë, ta çova amnetin në vend, populli yt kosovar është i lirë!

Por, ajme, enveristë-stalinistët Nënën Tereze e quajnë shtrigë, kurvë!! Elemendët si Hydajet Hyseni, Qerim Pllana...

3. Cilin veçoni nga shkrimtarët shqiptarë-sot?

Përgjigje: - Pamëdyshje (jo-paekuivoke!), që veçoj Ismail Kadarenë, me kusht që kurrë më të mos e përmend politikën! Proçkën më të re e ka: Aleancën Kuq  e Zi të Shkodrës, e quajti studentët e Shkodrës kërkojnë! E pra, studentët janë përparimtarë, kurse Aleanca Kuq e Zi është enveriste-staliniste!!

Prandaj habitëm  se si Faik Krasniqi mund të jetë aq naiv e ta theksojnë vijimisht se është anëtar i Alencës Kuq e Zi!?- apo nuk e di?

4. Megjithëse ju na bëni përditë vërejtje drejtshkrimore, a e shihni se shqipja po shkruhet edhe më keq?

Përgjigje: - Bamir (bakeq) Top-tani thotë: mënd, vënd, kuvën, zëmër... gjë që është shkelja më drastike e standardit; duhet:mend, vend, kuven, zemër...

Komi(k)sioni separatist për përpilimin e fjalorëve, i stërvjetruar, duhet të shporret. Ata s’kanë turp që Fjalori i Mehmet Elezit e Bajram Qerimit... janë më voluminozë se ai i Akademisë!?!

5. Edhe sa libra ke në dorëshkrim dhe kur mendoni për t’i botuar?

Pergjigje: - Kam mbi  10 libra dhe  tash që u bëra “bos” mund t’i botoj!

IV. Pesë pyetje, si politikan:

1. Shumë ish të burgosur e urrejnë politikën, se ajo i futi në burg. Po Kadri Mani, ç’thotë?

Përgjigje: - Politika është një terren i rrëshqitshëm, rrëxohesh e çohesh, përgjakesh... por idealet e larta për liri, ta forcojnë zemrën-çelik! Por vetë fakti  se dikush ka qenë në burg, s’ka asnjë kuptim: burgu është stallë e stala është burg: kush jua ka përshkruar lopëve për atdhetarizëm që një jetë kanë qëndruar në stallën-burg?

Ata që bijen në burg rastësisht,  e përjetojnë burgun sikur edhe ordinerët- katastrofë!  Kurse politikanët janë të parapërgatitur, edhe për burg edhe për varr! Ja liri-ja vdekje! Politikani jeton ndryshe nga ordineri: çon jetë të dinjitetshme, lexon, nuk shoqërohet me këdo... po u përzieve me krunde, të hanë pulat!

2. Pse shumë politikanë ju lënë amanet fëmijëve të tyre: -Mos u merrni me politikë?

Përgjigje: - Ngaase janë budallenj! Njerëzit janë kafshë politike, ata që nuk janë-politike, janë thjeshtë-kafshë! Politika është ajka e kulturës dhe e qytetërimit.

3. Më shumë gabime ka bërë politika me Kadri Manin, apo Kadri Mani në politikë?

Përgjigje: - Koleg! Thonë se  tregtarët janë mashtrues, ama nuk janë që të gjithë mashtrues: shefi i furnizimit njofton për ardhjen e një artikulli sot një javë, dhe atë, shefin, e mashtrojnë, e dalin, padashje,- mashtrues! Në rastin tonë jopolitikanët  e mashtruesit ishin Adem Demaçi e Hydajet Hyseni, dhe neve na shembën xhambazët e politikës!!

Mehmet Hajrizi dhe unë i kemi  pas politikanë edhe vëllezërit para nesh, dhe ne nuk mund të gabonim, kur kishim përvojën e tyre.

4. Përveç Ibrahim Rugovës që e vlerësoni shumë, cilin tjetër mund ta përkufizoni si “ideal politik”?

Përgjigje: - Dr. Sali Berishën: ta udhëheqish Shqipërinë, mbase është ca më zor sesa ta udhëheqish Amerikën!? Pavarësisht që ka edhe gabime: gabimi e kobi i një partie fillon me nënçmimin e kuadrove të veta! Nuk është e ndershme që kuadri numër një, Idriz Zeqiraj, të punojnë në ndërtimtari në Gjermani!! Në kohën kur mund të jetë, të paktën, Drejtor i Radio-televizionit,   e të ndërpritet njëherë e mirë ajo: retherotull! (rretherrotull).

Presidentin e nderuar e tradhtoi edhe vetë Kryetari Bemir (bakeq) Top-tani! E ka shkurtuar emrin për të na mashtruar edhe ky pinjoll i tradhtarëve-Toptani!

5. -Je themelues i revistës ShqipëriEtnike. A mendon se, nipat e mbesat tona do ta arrijnë at’ Shqipëri?

Përgjigje: - Po, absolutisht PO! Shqipëria Etnike ekziston ndaj do të ribëhet.

V. Pesë pyetje, të përziera, “miks”:

1. Kadri, është njëri nga 12 sektet e tarikateve alivjane, e sa për Osman, dihet se kush është. A e pate të  veshtirë të kapërcesh mbi të dyja  e të shkosh të bekohesh në kishë?

Përgjigje: - Vetë bredhritja e gjatë mbi gjysmëshekullore flet vetë; por, më në fund, gjakimi i gjatë për bashkim kombëtar, dha rezultet e veta: unë në Prishtinë rashë në një shoqëri të shëndoshë, në elitën e Kryeqytetit: Dr. Femi Cakolli, mësuesi im i besimit, Abdurrahman Kelmendi-Duri, Hasan Dërmaku, Anton Nikë Berisha, Hajdar Fejzullahu... e kemi Shoqatën RENESANCA SHPIRTËRORE: Ishim në një mbledhje të NDSH-së me kryetar zotin Pashk Staka, një arsimtar veteran drenicak, Beqiri, tha:

-A pajtohemi ne sëpari me Pashk Stakën?

Ne të habitur i zgurdulluam sytë dhe po presim se ku do të dalë ky: si të “bashkohemi” kur jemi të bashkuar dhe vetë ne e kemi zgjerur Kryetar!?

-E!- Këtu qëndron dyfytyrësia shqiptare: a i kemi martesat e përbashkëta, a i kemi varrezat e përbashkëta...!?- andaj për bashkim sot flasin  kodoshët!

2. Në Kosovë, jo pak njerëz të quajnë Demaçi nr 2. Pse e sulmon kaq shumë Një-shin?

Përgjigje: - Kam ngurruar gjatë që ta sulmoja: pikërisht pse më quanin “Demaçi-2”- po mendoja: sapo ta kritikoj, do të thonë, ja bajraktari, nuk po i mjafton vendi 2, por do të dalë i pari!

Kisha parasysh edhe Romanin “Afërdita”: zoti Remko merrte ryshfet, Afërdita nuk merrte. Kur nxënësit i kthenin  vezët e shpjegonin se mësuesja Afërditë nuk i do vezët?- popullata e prishur, po thoshin:

-Shihe njëherë, zuska, nuk dashka vezë, dashka pula!

Jam duke shkruar libër kundër Adem Demaçit:

Adem Demaçi i ka spiunu shokët e vet në hetuesi dhe i ka shpërfillur në liri!!

Përgjigje me libër në libër të Prof. Dr. Hakif Bajramit: “EPOKA E ADEM DEMAÇIT”, Prishtinë, 2009, f. 67; si dhe: Prof. Dr. Hakif Bajrami: “ME RASTIN E 50-VJETRORIT TË DËNIMIT TË PARË TË ADEM DEMAÇIT, MË 1959 (“KOSOVA SOT”, 1-14  shtator 2009

Kur Jugosllavia ishte forcë e madhe në Ballkan, Adem Demaçi bëri Programin revolucionar për shkatërrimin e Jugosllavisë: ne veprimtarët ramë nëpër burgje, lamë nuset e reja, familjet... Kur filloi të prishej Jugosllavia, e ftuam Ademin dhe i thamë: tash është koha që ta realizojmë atë Programin tënd revolucionar?

-Jo, se unë kam zemër poeti!!! (Sabri Novosella)

Adem Demaçi karrierist, edhe sot nëpër autobusët urbanë llomotitë kundër Dr. Rugovës! Adem Damaçi e pati propozuar për Kryetare të Kosovës Rada Trajkoviqin!

3. Si do të reagonit nëse, Ditën e Festës suaj, në mes të pjesmarrësve, të shfaqej krejt papritur akademik Rexhep Qosja me një buqetë të madhe me lule në dorë?

Përgjigje: - Koleg! E ke fantazinë e zhvilluar! Qosja gjakatar me thënien e vet: Revolucioni i Vonuar Demokratik, e gjakosi Shqipërinë dhe Kosovën! Tash po ta jap një lajm të mirë: paska shkruar në pension akademiku Besim Bokshi, heshtak! Dhe në vend të tij qenka zgjedhur për Kryetar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, demograf, i cili e ka filluar punën me kritika ndaj Qosjes!! Andaj unë ia urova detyrën dhe fillova bashkëpunimin me Akademinë, që deri më tash e ktheja kokën anash të mos e shoh as ndërtesën!

Tirana ia pati mpreh brirët Qosjes: po e quanin rilindas! Disa vajzusha po doktoronin me veprat e Qosjes pornografike-banditeske!

Po ju njoftoj për opinion, se ti e di, revista jonë “ShqipëriEtnike” për një dekadë Qosjen e ka pas në shënjestër të kritikave me mbititull: Mbi 100 intelektualë shqiptarë kanë shkruar për sjelljet antikombëtare të Qosjes!

Artikujt e parë kundër tij i kanë shkruar: Fadil Bujari, Kryeredaktor i “Rilindjes”, Akademik Fehmi Agani, unë... Me libra kanë dalë: Sylejman Aliu: FILOZOFIA E KRROKAMËS (Qosja para pasqyrës), Sami Krosi: “Mëkatet filozofike dhe shkencore, të Rexhep Qosjes së ri”, Shkup, 2001....

Kurse kusht për pajtim, unë e kam formuluar tekstin: kemi qenë llapaqena, betohemi e përbetohemi se nga sot (data) do ta bëjmë KTHESËN.

4.  Përveç operacionit të suksesshëm në zemër, çfarë tjetër i kujton Zvicrës?

Përgjigje: - Zvicra është një shtet reklamash! Reklamash gënjeshtare: kursi për gjuhën është gratis! Ndërsa kursin duhet ta pagush 40.000 franga!!!!

Shef për punë të brendshme ka qenë Aflred Këller, i cili e ftonte tinëzish në bisedë Sokolloviqin! Pastaj Karla del Ponte, proserbe, Dik Maty...Zvicra tradicionalisht, sikur edhe Franca, kanë qenë proserbe: madje ka qarkulluar një informatë se ushtria zvicrane ka marrë pjesë tok me ushtrinë serbe në rrethimin e Shkodrës!?! Kurse Franca që qe kthyer me ne, është meritë e Dr. Murat Bejtës!

5. A mendoni se, fakti që sot je një “milioner i ri- kapitalist”, do sjelli shumë ndryshime në Kadriun e derisotëm?

Përgjigje: - Unë nuk jam milioner! Kam një banesë komode dydhomëshe dhe kabinetin e punës, dhe meqë më ka kaluar mosha për veturë, do ta shes garazhdën që t’i botoj librat... kam tre fëmijë e 11 nipa e mbesa...,-i dashur koleg.

--------------

Të falenderoj miku im i vjetër, që pranuat të më jepni këtë intervistë. I lutëm Zotit që këtë mirësi të ma japin edhe në 80-vjetorin tuaj, veçse atëherë, aty, këmbëkryq në Prishtinë e jo nga përtej oqeanit…!

Zoti të nderoftë, Kadri Man Prishtina.

Zoti e nderofë revisten ZemraShqiptare, që të don e të respekton kaq shumë.

Mirë u pafshim, në përvjetorë të tjerë, më i moshur, por, edhe më i rinuar.

Të fala Shukrijes, krejt familjes Mani e shumë shokëve e miqëve asaj Prishtine e përrreth.

Për ZemraShqiptare dhe ShqipëriEtnike, nga Zeqir Lushaj , NJ, USA, Qershor 2012-

Publikuar më 10.06.2012