E enjte, 25.04.2024, 06:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmira Rama: Vatra pro dhe kundër Ahmet Zogut

E diele, 10.06.2012, 08:21 AM


Flet profesore Fatmira Rama

“VATRA” PRO DHE KUNDËR AHMET ZOGUT

Nga Albert ZHOLI

Rënia e qeverisë Noli dhe  riardhja e Zogut në pushtet shkaktoi fillimisht një tërmet  në gjirin e vatranëve,  shoqëruar me një zhgënjim të thellë dhe me një preokupacion të madh për të ardhmen e Shqipërisë.

Më shumë se kudo në diasporën shqiptare,  në gjirin e “Vatrës” u zhvillua një polemikë e ashpër politike, gati spektakolare. Kjo për faktin se,  “Vatra” kishte mbështetur parimet liberal-demokrate si model qeverisjeje në Shqipëri,  nën ndikimin  e demokracisë amerikane; grupimin e quajtur liberal-demokrat në Shqipëri dhe vetë opozitën e qeverisjen Noli.  Mbështetja kishte qenë shumëplanëshe: morale, politike  dhe deri financiare.

Situatat u ndërlikuan, për shkak të autoritetit të madh që gëzonin Noli e Konica,  të kthyer gati në mit në komunitetin shqiptar  të Amerikës, tashmë të polarizuar në kahe të  kundërta politike. Por,  edhe në vorbullën e ndikimeve të emigracionit politik kundërzogist dhe të kundërveprimit të shpejtë  dhe efikas të qeverisë së Zogut, për neutralizimin e këtij faktori. Për të pasur një inforamcion për zhvillimet e “Vatrës” në tërë historinë e saj ne zhvilluam një bisëdë me prof. Fatmira  Ramën

Si ka qenë lufta dhe afrimi i Zogut me “Vatrën”?

Ky proces ka disa faza në zhvillimet e veta. Faza e parë, që nuk zgjati asnjë vit, mund ta quajmë të paanshmërisë. Janë të njohura reagimet e menjëhershme të F.Konicës dhe të Komisionit të “Vatrës” në dhjetor 1924; thirrja e tyre drejtuar të dy palëve për pajtim kombëtar, për të arritur një kompromis të mundshëm,  duke ngritur një komision të përbashkët dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në vend.

Në 11 janar 1925 Konica do të zhvillonte një konferencë të posaçme në Boston me tematikë: “Një studim i vërejtur  historik dhe psikologjik të problemeve të Shqipërisë”. Ai aty do të pohonte se Noli mund të kishte bërë gabime, por qëllimet e tij kishin qenë të kthjellëta, por se ata dëshironin  një gjë: “të mos derdhej më kot gjaku i popullit” që të konsolidohej shteti i ri shqiptar dhe prosperitetin e tij. Kuvendi i 14 i “Vatrës”, i përshëndetur edhe nga Noli u hap më 12 korrik 1925. Ai  zyrtarizoi tashmë politikën e paanshmërisë dhe të pajtimit kombëtar, por duke i lënë hapësirë kryesisë” që në raste të veçanta të gjykonte si më mirë”.

Politika e paanshmërisë, si një rrymë mbizotëruese në këtë Kuvend u përball me dy rryma të tjera:  për një kundërshtim të qeverisë Zogu pa asnjë kompromis dhe tjetra për  përkrahjen e regjimit të ri në Shqipëri,  por jo  me metodat e diskriminimit dhe të denigrimit të atyre, që mendonin a vepronin  ndryshe.

Çfarë kërkoi “Vatra” në këtë kohë”?

Ndërkohë “Vatra” dhe “Dielli” mbajtën qëndrim ndaj  veprimeve të dhunshme ndaj forcave civile dhe xhandarmërisë në vend, në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme. U kërkua  “heqja dorë nga gjakmarrja ndaj  kundërshtarëve  politikë, një amnisti e përgjithshme, një kabinet koalicioni” etj.

“Vatra” u shpreh fillimisht që nuk do të merrte pjesë  zyrtarisht në protestat dhe mitingjet që po organizonin  shqiptarët e Amerikës kundër marrëveshjeve   për Shën Naumin dhe Vermoshin dhe koncesionit të naftës për Shoqërinë Anglo-Persiane. Por Komisioni drejtues  në një mbledhje të posaçme vendosi, “që t’u japë shqiptarëve lehtësirat e duhura për të mbajtur një miting të tillë”. “Dielli” shkruajti se mitingu i  Bostonit  me një pjesëmarrje prej 600 vetësh, u mbajt jo prej “Vatrës”, por si grup shqiptar, “si pjesë e opinionit publik të lirë”.

Çfarë vinte në dukje “Vatra” pas këtij momenti?

Por në fillim të majit 1925 në përgjigje të ashpër drejtuar Zyrës së Shtypit Shqiptar rreth këtij mitingu, “Vatra” vinte në dukje se në Shqipëri nuk ishte garantuar liria e fjalës dhe e shtypit, se burgjet ishin mbushur me njerëz, për  vrasje pa urdhër e gjykata të kundërshtarëve,  për Shën Naumin, etj.

Ajo përsëriste  qëndrimin e njohur tashmë të saj, se ishte  armike e një kryengritjeje të re, se dëshironte që qeveria të forcohej “por jo me padrejtësira, me vrasje, me kleçka dhe intriga për të huajt”. “Mund të forcohet, - shtonte ajo, - vetëm me një marrëveshje me të gjitha partitë, në bazë të amnistisë pa prapamendim dhe të lirisë së vërtetë”.  Në këtë kontekst “Vatra” krahas  hapjes  së një fushate ndihmëse për të mërguarit  politik, dërgoi një protestë për Shën Naumin në Tiranë,  në Lidhjen e Kombeve  dhe pranë  Konferencës së Ambasadorëve në Paris.

Kur filloi “Vatra” të mbështesë qeverinë e Zogut?

Në vjeshtën e vitit 1925, “Vatra” nga pozita e paanshmërisë kaloi në një fazë tjetër, në një angazhim aktiv politik, në mbështetje të qeverisë së Zogut. Duket se  dërgimi i Fazlli Frashërit nga Zogu në Amerikë, në pranverë 1925  dhe bisedimet e tij me “Vatrën” dhe personalisht  me Faik Konicën, kryetarin e saj, ia arriti qëllimit. Por këtu ndikoi dhe hapja  e një debati të fortë mes të mërguarve politikë  Qazim Kuculi, Sotir Peci, Ali Këlcyra, Fan Noli etj.,  me Faik Konicën dhe  mbështetësit e tij. Por dhe largimi i  shumë vatranëve, kundërshtarë të vijës së paanshmërisë, ngritja e klubit politik në Ëorcester pranë gazetës Imigranti” në shtator 1925 dhe më pas e Federatës “Bijtë e Shqipërisë” me organin e vet “Idealisti”, që të gjithë këta  në sulme të ashpra ndaj tij.  Në një artikull të tij në tetor 1925, Konica e quajti  Revolucionin e Qershorit një kryengritje ushtarake dhe një grusht shteti, duke  insistuar “që të  fshihen të shkuarat dhe  të niset një jetë e re politike”. Por  ai kaloi në caqe të  pashkelura më parë nga “Vatra”,  duke i akuzuar kundërshtarët  politikë,  të etiketuar sipas  përkatësisë fetare, çka u pasua nga shkrime të tjera të kësaj natyre në faqet e “Diellit”.  Në një letër të hapur dërguar Konicës në tetor 1925, botuar te “Dielli” me miratimin e këtij të fundit,  autori e akuzonte atë se, kishte  shkelur  politikën e paanshmërisë, duke mbajtur hapur politikën e një partie, që më parë e kishte stigmatizuar; se goditi pa mëshirë Luigj Gurakuqin kur ai u vra; se shkrimet e tij nuk mund të njollosnin Nolin dhe  se  dhelpra dinake Zogu e shtiu edhe atë në grackë”. Të tjerë, shprehën dizaprovimin e tyre për paragjykimet dhe diskriminimin ndaj atyre që mendonin ndryshe. “Ju, - i drejtohej një letërshkrues,-si kryefolës i kësaj shoqërie, detyroheni të  mos  diskriminoni  një grup njerëzish,  kur ne kemi dashur ta  eliminojmë fenë nga çështja”.

Çfarë të rejash solli Kuvendi i vitit 1926?

Kuvendi i 16, në qershor  1926, zgjodhi  si kryetar Arqile Tasen dhe kryetar nderi Faik Konicën, tashmë ministër i Jashtëm i Shqipërisë në Uashington. Aty u miratua  pas debateve të shumta një kanunore apo rregullore e re, e cila vulosi politikën e re të “Vatrës”.  Sipas nyjeve 6,7, 8 dhe 9 u vendos të përjashtoheshin ata që  besonin në përmbysjen e guvernës me mjete revolucionare apo të pakanunshme, që kishin  marrëdhënie me revolucionarët, ose që i përkrahnin ata; ata që kishin zakon të kundërshtonin ose që grindeshin, që shanin zyrtarët e “Vatrës” etj.

Që këtu  nisi  faza e monopolizimit të “Vatrës” nga krerët, ku ndikimi i trupit diplomatik shqiptar u  rrit së tepërmi, ku mendimi ndryshe megjithëse gjeti gjithnjë vend në faqet e “Diellit”, u quajt herezi dhe  kundërshtarët  politikë u etiketuan “antivatranë dhe armiq të atdheut”.  Ky kurs çoi  në prishjen e shumë degëve dhe  largimin  e një pjese  jo të vogël të vatranëve,  apo përjashtimin e tyre. Rregullorja e re  që u dërgua për diskutim e  miratim në degët e “Vatrës”, u miratua në tetor 1926  nga 18 degë,   çka fliste  për kundërshtimet,  për abstenimet, apo prishjen e shumë degëve,  kur “Vatra” në dhjetor 1924 kishte pasur 83 degë dhe me qindra anëtarë.

Kundërshtarët e  Rregullores së re theksuan se, ajo shkelte mendimet e lira dhe principet demokratike mbi të cilat “Vatra” ishte themeluar. Peter Kolonja në një letër drejtuar Mithat Frashërit në dhjetor  1927 për situatën në Amerikë e informonte  se: “gjendja e  shqiptarëve në gjirin e shqiptarëve të Amerikës është shumë e keqe ... , një ftohtësi dhe përçarje mbretëron. Jemi përpjekur  kohët e fundit të .... sjellim një bashki, por është shumë e zorshme”.

Mund të na flisni pak për fazën e tretë?

Si fazë të tretë të luftës politike në gjirin e “Vatrës” do të përkufizonim vitet 1928-1936, që karakterizohen sa nga politikat ekstreme  ndaj kundërshtarëve, aq edhe nga përpjekjet e mëdha për bashkim. Thirrjet e vatranëve në  gazetën “Dielli” janë të shumta, me plot nostalgji për të kaluarën e “Vatrës”. “Ajo kohë, - shkruante një vatran, - duket si ëndërr tani ..., por kemi shpresë që kjo ëndërr të realizohet  dhe t’ja marrim edhe një herë këngës   si më parë dhe përgjithnjë.... Le t’i lemë mëritë personale”. Kuvendi i 17-të i “Vatrës” në korrik 1928 u quajt kuvendi i bashkimit. Pas një diskutimi të gjatë u mor  vendimi i rëndësishëm,  që të pranoheshin përsëri ish anëtarët e larguar a të përjashtuar, por vetëm ata “që sot janë penduar dhe binden  në kanunore të “Vatrës”. Por, kjo  vetëm se uli disi tonet në debatet politike,   kur me shpalljen e Monarkisë në Shqipëri lindën  probleme të reja  nga elementët me parime republikane. Ata nuk pranuan qëndrimin e “Vatrës”, e cila quajti të rregullt shndërrimin e regjimit, në mënyrë konstitucionale,  dhe e quajti  kundërshtimin të paarsyeshëm dhe të dëmshëm. Pikërisht në këtë klimë u shtuan zërat e vatranëve, që “Vatra” të kthehej thjesht në një organ  arsimor, apo tregtar, por që nuk gjetën terren.

Kjo është periudha kur “Vatra” filloi të rrudhesh?

Megjithëse “Vatra” po tkurrej  gjithnjë, të ardhurat e  saj po pakësoheshin në mënyrë drastike dhe ajo ishte futur në borxhe, bashkimi  i duhur nuk po arrihej. Madje,  në shënimet editoriale të “Diellit” u dukën dhe nota kërcënuese, ndaj atyre  që mendonin a vepronin ndryshe. U bënë thirrje, që të mos  u jepeshin  pasaporta  këtyre elementëve në Zyrën e Kosnullatës, apo iu bë thirrje qeverisë shqiptare që t’ua priste bursat të dy motrave të Kostandin Tashkos, që studionin në Paris.

Kjo politikë shqetësoi Tiranën zyrtare, që kishte vendosur tashmë raporte të qeta me Fan Nolin, që nga fillimi i vitit 1934. Në Tiranë ishin bërë disa amnisti ndaj kundërshtarëve politikë dhe në Amerikë kishin shkrirë akujt  në mes Nolit dhe Konicës. Shumë shkrime, fakte, kujtime, flasin për rolin negativ të konsullit Georg Prifti. Por nuk është shumë bindës as roli i Faik Konicës në këto rrjedha, i cili për shkaqe personale, kishte kërkuar disa herë zyrtarisht pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme që të mbaheshin qëndrime ndaj të afërmve të  kundërshtarëve politikë në Amerikë.

Në qershor 1935 Kuvendi i 20-të i “Vatrës” vendosi të shpallte një amnisti të përgjithshme me disa përjashtime dhe të ftohej Noli të vinte në Kuvend, i cili “për arsye të qëndrimeve të tij neutrale” nuk vajti. Por, rënia e “Vatrës” vazhdoi. Në nëntor 1935 “Dielli” shkruante: “Besojmë se tani e kuptuam të gjithë se kurdoherë përçarjet janë të dëmshme për mbarëvajtjen e vendit dhe të lëvizjes shoqërore”. Bëhej thirrje për të harruar mëritë, “zihjet e shkuara politike” për t’u mbledhur tok nën hijen e “Vatrës”.

Më 14 janar 1936, kreditori i “Vatrës” konsulli G.Prifti, i mbylli dyert e “Vatrës” për shkak të mospagimit të borxheve, e hodhi në gjyq atë dhe mori në dorë arshivat, koleksionin e “Diellit”, shtypshkronjën dhe bondet e huasë shtetërore. “Jemi të bindur, - shkruante “Dielli”, - se ky lajm do të bjerë si bombë mes vatranëve .... Sot “Vatra” po pret me minutë shpëtimin e saj. Mos e lini të mbyllet”. Ishin vatranët e Detroidit dhe të degëve të tjera që e shpëtuan “Vatrën” nga borxhet dhe Kuvendi i 21, i mbajtur ndërkohë, vendosi që “Vatra” të largohej në Detroit me  kryetar Andrea Elia. Ata shpëtuan dhe arshivën dhe koleksionin e “Diellit” dhe deri në prill 1939 funksionuan paralelisht  dy “Vatra” dhe  dy gazeta “Dielli’, në Detroit dhe tjetra në Boston e riorganizuar më pas, ku secila emërtohej si trashëgimtare e vërtetë e “Vatrës”.  “Vatra”  e Detroidit  arriti në konkluzionin se “Vatra” nuk u pengua nga kriza ekonomike se sa nga ajo politike, se përçarjet dhe grindjet nuk kishin qenë veçse  ndryshime mendimesh politike,  se përçarjet ishin të dëmshme për mbarëvajtjen e vendit dhe lëvizjen shoqërore  dhe se “Vatra” ishte bërë viktimë e politikave personale. Konsiderata  këto, me të cilat jemi plotësisht dakord.

Ndoshta vitit 1937 mbetet viti me risi në jetën e saj?

Në mars 1937, qeveria shqiptare dërgoi pranë shqiptarëve të Amerikës Aqif pashë Përmetin dhe Kristo Kirkën, ish vatranë  të njohur  tashmë në Shqipëri, me mesazhin e bashkimit. Në mars  1938 në  Ritz Carlton  Hotel, në pritjen e dhënë për nder të princeshave Zogu, morën pjesë  dhe delegatë nga Detroidi dhe Bostoni. Njeriu më pranë Zogut, Abdurrahman Krosi shprehu edhe një herë dëshirën që të dy “Vatrat” të bashkoheshim me qendër në Boston. Por kjo do të arrihej vetëm me pushtimin e Shqipërisë.

Por, megjithatë ky institucion i famshëm i shqiptarëve të Amerikës dhe i mbarë diasporës shqiptare, mbijetoi dhe megjithë këto andralla ia doli të mbajë  gjallë  gazetën  “Dielli”, të zhvillojë një  aktivitet  të larmishëm shumëplanësh  dhe të  kontribuojë në forcimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Ajo mbeti  një vatër e vërtetë kombëtare, si një gjymtyrë  organike e atdheut, duke përjetuar  të gjitha stuhitë politike që e  përshkuan atë. Është  një koincidencë tepër domethënëse, që shteti shqiptar i pavarur dhe “Vatra”,  festojnë së bashku  këtë vit 100-vjetorin e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora