E enjte, 25.04.2024, 03:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Halil Teodori, ngarendja vullnetmirë e një kumti rrëfimtar

E diele, 10.06.2012, 10:06 AM


Halil Teodori, ngarendja vullnetmirë e një kumti rrëfimtar

Nga Albert VATAJ

Qasjet e kësodorshme artistike, si në romanin “Dritë nga errësira”, të Halil Teodorit, përkojnë me ngulmimin përnga kumti dhe rrëfimtaria. Më shumë se kah dimensioni estetik, kahja si shërbesë rrëfimtare, ngulmon thelbësoren e këtij romani. Ngarendje për t’i bërë karshillëk dy dimensioneve, gojtarisë së kallëzimit,shpesh në narrativ, ka pru një lloj artifici jashtëletrar. Kujdesi për formën, më shumë se sa për brendinë, ka ngas nër ne një masë marrafrymëse të letërsisë që priret në kryeherën e vet nga përnga trukimi. Më së shumti, kjo letërsi është lëndë e mbrujtur mirë e kundrimit dhe konstatimit, e qëmtimit dhe e larushimit të situatave dhe shpërfaqjes së personazheve. Në romanin e Halil Teodorit, “Dritë nga errësira” është e rëndësishme rrëfenja, “me zemër në dorë”. Si për autorin, ashtu edhe për gjithsekënd, përvojat jetësore, janë të atilla, përnga larushia dhe  shumforma, sa mjafton t’i ndjesh për t’i kumtuar botnisht, dhe ata janë vetiu një kapërthim i epërm artistik. Udhërrëfimi i gjendjeve në këtë roman, yshten për të patur stacionin e rrugëtimit, një kujtim.Një fotografi e një të afërmi, e cila ka ndjekur ashtu e kyçur në një korrnizë të drunjtë, hap pas hapi, bashkë me fatin tënd, ngado që ti ke ikur. Dhe një ditë, jo ndryshe nga gjithë të tjerat, ajo vendos të flasë me gojën tëndë. Vendos të rrëfejë gjithçka dhe pa droje, o sot, o kurrë. Të duhet vetëm të bindesh. S’ka kohë për të pritur. “Dritë nga errësira”, tekembramja është e mbarsur nga përmasat e një kushtrimi, i cili tuj gufu nga përvojat jetësore e personazheve, të vendosur në një kënd të së tërës tragjedike, në një realitet dramatik, ku luhet mizorisht me fatet e individit të tufëzuar. Në këtë qasje autori nëpërmjet personazheve dhe karaktereve, situatave dhe ngjarjeve dëshmon dhe nuk nguron t’i kumtojë tançka atë e ka mbrujt, me fondamentin e shpirtit.Udha nëpër shtigjet e garrametshme nuk bëhet pengesë, që ky përrua i majisun nga stuhitë, të lëshohet përposhtë turravrap, me poterë. Autori, përkimin e situatave e shkrin me personazhet, të cilët në diktaturë, të gjithë janë fatkeq. Armiku është i përbashkët. Trauma dhe krrakëdhima e dhëmbëve, gjithashtu ngjajnë. Lënda emocionale është e shkrifët, tek-tuk ajo ngjishet fort duke marrë forma solide, shpesh tëpashpërbëshme, të padeshifrueshme. Gjithseqysh, ky është njeriu i kodifikuar sipas një rregulli që gjehet i shumëfishuar në individin standard, që përfaqëson tiparin kryesor të tërë shoqërisë së kohës së tij.Parakalimi që i bën autori jetës së personazheve i ngjajnë ritmikës së shpërfaqjes së episodeve në celuloid. Gjithçka mund të ngjasë nga faqja në faqe. Duket se karakteret e përcjellë në këtë roman, janë të përpunuar gjenetikisht, për të perceptuar çdo të papritur, si pritshmëri. Mëgjithatë situatat dhe ngërthimi i ngjarjeve kanë pothuaj gjithseçka, jo dhe aq të parathënë, se sa të njëllojtë. Nëse ata kacavirren në rrëpirën e thikat të idilit për të ndryshuar, kjo ngase dhe jeta e tyre qaset të shpërfaqet e tillë, krejt papritur udhët e tyre bashkohen. Honi ku gremisen të gjitha qasjet është pikëtakimi, është zgavra ku fatet e tyre bashkohen.E rishtaz ata provojnë përsëri. Përsëri përpiqen, anipse shpërblesa është e parathënë. Ata i bashkon honi, nga ku dhe janë startet e tyre. Rropatja është as më shumë e as më pak, veçse një orvatje drejt një shtegu, që gjithnjë është një dhe i vetëm.

 

Ndoshta është koha që kanë vendosur të jetojnë, mënyra e jetës që kanë vendosur të bëjnë, ose për të cilën janë programuar, ajo që përcaktojnë qartazi, se çfarë kanë parashikuar orakujt për ta. Ndryshe, thjeshtë ata binden si në një hipnozë. Dhe kështu është dhe kurrqysh tjetër.Halil Teodori në romanin e tij, në qendër ka gjithnjë personazhin protagonist. Ka pikmbështetjen arkimediane ngaku lëviz gjithçka, ngase gjithseçka ndodh gjithseqysh në të dhe përreth tij. Kjo referencë është thjeshtë një vetvete, që dirigjon gjithë këtë trupë aktorësh-personazhe. Është Uni dhe Esi i këtij personazhi në tërësinë e vet që ushqen, deri edhe me formësimin e situatave dhe ndodhive, galerinë e tërë të emrave dhe ngasjeve emocionale.Destinomi për të përshkuar përgjatë gjithë jetës Golgotën, është fatthënia që u ka vënë përpara vetëm një alternative, kryqëzimin. Bashkë me shenjtnimin ata përcjellin mesazhin e fortë, se liria mbetet ngulmi vetëmohues, përpjekja ngallnjimtare mbi despotizmin. Ata përpiqen. Është pikërisht kjo trajtesë, ky ngjurim që tipizon identitetin e personazheve që luajnë në një skenë të vetme, Shqipërinë e viteve të diktaturës komuniste. Autori në “Dritë nga errësira” nuk shmang qoftë edhe detajet,në dukje të parëndësishme për ti kumtuar. Pas çdo cingërime ai parasheh fillesën,zanafillën e një ngjarje, një situate, agravimi i të cilave përvijon në një ashpërsim të terrenit, acarim të kushteve atmosferikë, ku ngarendin shtigjet e gjarpërimit të karakterit të personazheve. Ajo që e bën ngulmues këtë përpjekje të Halil Teodorit për të parë dritë në errësirë është kauza vullnetmirë që vetiu motivon deri në fund, si personazhin qendror, ashtu dhe gjithë galerinë e personazheve të tjerë. “Dritë nga errësira” është një yshtje e autorit për të kumtuar dhe kuvenduar, dhe këtë ai qaset ta gostit në odën e madhe të breznive, si dëshmim i një mbamendje të gjatë dhe drithëruese.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora