Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Rrënojat ende psaltojnë

| E shtune, 09.06.2012, 10:00 AM |


RRËNOJAT  ENDE  PSALTOJNË

Bazilika e Klosit në Sulovë

Nga Pëllumb Gorica

Për Sulovën, krahinë të njohur në jug të Shqipërisë së Mesme me histori të hershme dhe të banuar në vijueshmëri flet edhe prania e gërmadhave kishtare dhe toponimeve të vjetra. Janë të shumta historitë gojore që tregojnë të moshuarit për këto kisha. Ka pasur shumë kisha, që gjendeshin pothuajse në çdo vendbanim të territoreve të saj. Një numër i mjaftueshëm për të gjykuar për shtrirjen e tyre, por nuk i dihet as vendi, ku kanë qenë dhe të vjetrit nuk janë as në gjendje të tregojnë më shumë. Në Luginën e Sulovës (Sulova e Poshtme, pjesë e territorit administrativ të Elbasanit) ka pasur kisha në vendbanimet Selitë, Dasar, Klos, Dragot, Kamuna, Floq, Banjë. Shumë prej tyre njihen sipas vendodhjes. Kisha në Graxhua të Floqit, Kisha e Skunajt në Dasar, Kisha e Radshit në Topojan, Kisha e Klosit, Bregu i Kishës në Dragot, Kisha e Mëhallës së Kuqe në Selitë, Kisha  në Banjë etj. Nuk dihen emrat e tyre dhe cila është më e vjetra. Sipas gjurmëve në terren ato ishin të vogla e ndërtime të thjeshta, pak të veçuara nga banesat e tjera, rrethuar nga pyje, por gjithnjë brenda kufijve tradicionalë të territorit të vendbanimit, të ndërtuara në maja e sheshe kodrash për të treguar se aty gjendej një vendbanim.

Prej rrjedhës së kohës, luftrave me pushtuesit, por edhe për shkak të lakmisë së njerëzve, janë shkatërruar plotësisht shumica e tyre. Në mungesë të mbishkrimeve, datimi i tyre, sigurisht, ka paraqitur vështirësi edhe për studiuesit. Megjithëse duhet pranuar që me gjendjen e sotme të njohurive, dokumenteve në arkiva, botimeve specifike, kemi të  disa të dhëna. Studiuesi i fushës kishtare, Aleksandër Meksi me punën e tij kërkimore e studimore ka nxjerrë në dritë nga errësira e kohëve dhe pluhuri i harresës disa kisha në Shqipëri. Në botimin “Arkitektura mesjetare në Shqipëri ”, faqe 149, shkruan: “Mendohet se i takojnë shekujve VII – XIII, që janë dhe shekujt e lulëzimit të ndërtimeve të kultit fetar të krishterë’’.

Bazilika në Klos të krahinës së Sulovës, si një dëshmi e kulturës dhe e qytetërimit, ka qenë e vetmja kishë e mbërritur në gjendje të mirë deri në ditët tona në këtë krahinë. Vendasit e njohin me emrin kisha e Klosit. Në dokumentet e shkruara njihet si bazilikë. Ajo gjendej e ngritur  poshtë kalasë antike të Qafës, në një majë kodrine në lindje të fshatit të sotëm Klos të Elbasanit, një vendbanimi të vjetër me një panoramë, kushte natyrore e mbrojtje nga shpati shkëmbor, me shtrirje 3-4 kilometra gjatësi, po aq edhe gjerësi. Njera nga historitë e shumta gojore tregon për natyrën magjepsëse të vendbanimit. “Pemë frutore, ullinjë, vreshta, pyje, burime, rrugë, shtëpitë të ngritura njëra mbi tjetrën sa keci shkonte nga çatia në çati pa zbritur në tokë deri në kala nga dendësia e banesave, përpjetë dhe tatpjetë kodrës”.

Historia e shkruar na mëson se ky vendbanim i emërtuar Klos në Mesjetë ishte qytet. Këtë dëshmi të një rëndësie të veçantë e sjellë historiani elbanas Dr Shyqyri Demiri në librin “ Vështrim i shkutër historik i trevës së Elbasanit ”, faqe 28. Duke e argumentuar ai shkruan se “para pushtimit turk këtu ka qënë një qytet i dinastisë së Muzakajve...”. Në “Burime të zgjedhura të Historisë së Shqipërisë”, vëllimi i II, Tiranë 1962, faqe 111 shkruhet: “Besohet se mund të  ketë qënë një qytezë e vogël bizantine, një nga themat në shekullin XII. Perandori bizantin Aleks Komeni do t’i përdorë në shekujt XI-XII këto Klose për t’u mbrojtur nga vërshimet e normadëve”.

Sipas studimeve, Bazilika e Klosit ishte ndërtuar në periudhën e lulëzimit të plotë të këtij vendbanimi. Paraqitet sot me shumë pak fragmente muresh, gati 1 m të lartë të rrethuar nga ferra e shkurre. Duke parë fotografitë e para 50 vitesh, kur muret e saj ishin të plota e të  larta, dhe, kur vëzhgon pamjen e sotme të tyre kthyer në gërmadhë, vërtet që pezmatohesh për shkatrrimin që i është bërë qoftë nga njerëzit, agjentët atmosferikë, por edhe prej ideologjisë së viteve të sistemit komunist ndaj ndërtimeve të tilla me propogandën se i shërbenin fesë, si “opium për popullin”. Ajo mund të jete shkatërruar nga ndonjë zjarr, sepse aty ka edhe gjurmë zjarri, por mund të jetë shkatërruar nga ndonjë tërmet apo epidemi kolere.  Një tjetër histori gojore tregon se një epidemi kolere, shoi shumë jetë njerzore dhe ata që shpëtuan zgjodhën për banim troje të tjera përreth, e jeta nisi të vazhdojë, duke lënë pas një vend të begatë. Me largimin e banorëve gradualisht u rrënuan ndërtimet edhe bazilika. Ajo kështu u braktis vetvetiu.

Studiuesi Aleksandër Meksi, ka pasqyruar në botime të ndryshme vëzhgimet e tij në terren dhe ka konstatuar se: “ Gjatë ekzistencës së saj bazilika ka pësuar transformime të ndryshme. Është rindërtuar muri jugor, janë ngritur mure që kufizojnë një pjesë të saj. Këto janë ndërtuar me gurë të lidhur me llaç baltë, pra në kohë të vështira, e duhet ti takojnë periudhës së pushtimit turk”(“Arkitektura Mesjetare në Shqipëri”, faqe 149’’ ) Bazilika e Klosit në Sulovë ishte e vogël, trenëfëshe, mbi pilastra drejtkëndëshe. Absida ( pjesa e përparme) ishte e ndërtuar prej guri, me breza e rrathë tullash të lidhura me llaç gëlqeror. Ajo ka formë gjysmëharkore,e mbuluar me çati. Muret e brendshme ishin me afreske. Dyshemeja ka qenë shtruar me pllaka guri në formën e një mozaiku shumëngjyrësh me gjatësi 12 m dhe me një gjerësi 10 m. Ka pasur edhe ambient që shërbente si aneks të bazilikës. Në revistën shkencore “ Monumentet ’’, Nr 5- 6, viti 1973, faqe 190 shkruan gjithashtu: “ Bazilika e Klosit përbën një dëshmi me rëndësi si ndërtim në një zonë fshatare, se ndodhte rrallë që larg qyteteve, qendrave të mëdha urbane gjendej një bazilikë”.

Sipas hulumtimeve të ndryshme, në fund të shekullit XX, krahina e Sulovës, si pjesa më e madhe e teritorit të trojeve shqiptare u kthy në  fenë myslimane. Është një fakt i rrallë që këtu, edhe pse popullsia është myslimane, sipas historive gojore, që në fillim të shekullit, por edhe në vitet e diktaturës komuniste, kur feja ishte e ndaluar nga shteti, mjaft banorë ndiznin në ditë të shenjta ose festa fetare qirinj, bënin kurban si dikur.  Muret  rrënojë ende psaltojnë.

Fjalor shpjegues

* Fjalor shpjegues për të shpjeguar disa nga termat që janë përmendur më sipër.

- Nefi - është hapësira e kufizuar e dy rrathëve të kolonave me muraturë.

- Pilastrat – janë kolonat që mbajnë kapriatat.

- Absida- është pjesa mbyllëse e kishës,.etj.